Mehmetaj: Me serbët aleatë nuk e luftojmë islamin agresiv
| E Hene, 18.09.2017, 08:27 PM |

Me serbët aleatë, nuk e luftojmë islamin agresiv

Nga Gani MEHMETAJ

Të frustruar nga islami agresivë që përdhosi qytete shqiptare, të pafuqishëm ta orientojnë si duhet shtetin e tyre që është bërë vasal i Turqisë islamike e arabëve vehabistë, ndonjë shqiptar ka nis të kërkojë aleatë atje ku më së paku mund t'i gjej, të serbët e Serbia.

T'ia kërkosh ndihmën Serbisë është t'ia bësh gjëmën popullit shqiptarë. Të përpiqesh ta luftosh agresionin islamik me një armik tjetër po aq të egër, është marrëzi, është vetëvrasje. Ia kërkoi ndihmën Serbisë e Rusisë Enver Hoxha që ta luftonte Perëndimin e Vatikanin, por e solli popullin buzë greminës. U përpoqën edhe princërit arbërorë para 700 vjetësh t'i bënin aleatë serbët kundër Perandorisë osmane, por mbetën në fushë të betejës, sepse një princ serb i tradhtoi e u bë me Turqinë, serbët tjerë ia mbathën kah sytë këmbët.

Për tradhti serbët i ndëshkoi edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sepse e penguan ta ndihmonte princin hungarez Janosh Huniadin, që luftonte kundër Turqisë, prandaj heroi ynë në shenj hakmarrje e dogji Serbinë. Nga mosnjohja e historisë disa përpiqen ta përtërijnë aleancën me nipërit e Dushanit e Miladinit.

Mund të arsyetohej shtypi perëndimor në fillim të shekulli XX në mungesë të njohurive për masakrat ndaj shqiptarëve, kur i paraqiste në harta- vizatime tri shtetet ballkanike: Serbinë, Greqinë e Malin e Zi, kinse po e vrisnin kuçedrën turke, ndërsa vrisnin shqiptarë, por s'ka si arsyetohen shqiptarët kur thonë se menia serbe ndaj shqiptarëve është pjellë e rreshtimit të shqiptarëve myslimanë me pushtuesin turk! Kjo është një sajesë serbe, që herë-herë e kapërdijnë shqiptarët e painformuar.

Sepse ushtarë grekë, shqiptarë e serbë pati në ushtrinë turke derisa u shpartallua kjo perandori. Por dihet botërisht se ushtarët grekë e hebre qëndruan në ushtrinë turke më së voni, deri në vitin 1916, kur aleatët francezë, anglezë e rusë u futën në Konstantinopojë (Stamnboll).

Pra, urrejtja serbo- shqiptare nuk nisi atëherë kur shqiptarët myslimanë qenkan bërë me pushtuesin turk, sikurse shkruanin propagandistët e Beogradit. Urrejtja serbo- shqiptare është njëmijëvjeçare. Lufta me serbët, nisi kur ata shkelën në Iliri, nuk rreshti as pas konsolidimit të disa principatave shqiptare të pavarura.

Princi Gjin Bua Shpata e shpartalloi ushtrinë serbe që bëri krime ndaj arbërorëve të Follorinë e Janinë. Balshajt dëbuan kontë serbë nga pjesë të Dardanisë, ndërsa serbët pas humbjeve nga Gjin Bua Shpata e Balshajt iu desh gati 500 vjet ta merrnin vetën.

Po ashtu çetat serbe që i solli ushtria austriake e Pikolominit në Dardani me shpresën se do ta ndihmonin kundër turqve, gjenerali austriak u detyrua t'i dëbonte e t'i shfaroste, sepse serbët në vend të luftonin turkun, nga urrejtja e vjetër e plaçkitnin dhe e vrisnin popullatën arbërore.

Serbia bëri krime të mynxyrshme pas Kongresit të Berlinit, vrau shqiptarë pa i dalluar në fe, Sanxhaku i Nishit pati sa shqiptarë myslimanë aq shqiptarë të krishterë, por Serbia nuk i la asnjë për be në këtë territor. Në Rrafshin e Dukagjinit gati i shfarosi shqiptarët katolik më shumë se sa turku, rrjepi për se gjalli priftërinj shqiptarë etj.

Më vonë kryeministri serb Vladan Gjorgjeviç arsyetonte se, Austro-Hungari për shkak të shqiptarëve katolik e bëri Shqipërinë. Austriakët u përpoqën ta bënin Shqipërinë nga Pazari i Ri në Selanik. Urrejtja e këtij halabaku serb, sikurse i thotë kryeministri Mustafa Kruja, shpërthente në shpifje e urrejtje të pafre. Serbi racist duke e cituar diplomatin rus në Prizren, shkruante se shqiptarët ishin njerëz më bishta, prandaj kërkonte t'i shuante nga faqja e dheut.

Pra serbët urrenin më shumë shqiptarët katolik. Shqiptarët myslimanë i dëbonin në Turqi, sipas marrëveshjes me Turqinë, shqiptarët katolik i vrisnin, sepse s'kishin ku t'i dëbonin. Shqiptarëve ortodoks, nuk ua pranuan as shqiptarësinë, i detyruan të flisnin serbisht ose i shfarosnin.

Me islamin agresiv është i frustruar edhe ndonjë grup i shqiptarëve (propagandistëve) ortodoks, prandaj ndonjëherë në polemikat virtuale e huqin cakun, duke i futur në një thes të gjithë shqiptarët që kanë emërtime-mbetje turke a arabe, pavarësisht që emri a mbiemri i tyre fatkeq nuk ua zbeh as mendësinë evropiane as shqiptarësinë.

Të frustruar nga islami agresivë janë edhe grupe të rinjsh shqiptarë me priftërinjtë ortodoks, ndërsa bëjnë mirë të jenë më të matur në takimet nëpër kishat e manastiret që na i uzurpuan serbët, ose t'i kërkojnë të na i kthejnë (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, kisha e Deviqit etj), ashtu sikurse duhet të jenë të kujdesshëm në bashkëpunim më kreun e Kishës Ortodokse Serbe, sepse kreun e kësaj kishe më shumicën e priftërinjve i kanë akuzuar për nxitje të luftës së përgjakshme në ish-Jugosllavi, për krime kundër kroatëve katolikë e boshnjakëve myslimanë e katolikë, ashtu sikurse kisha serbe ka nxitur policinë e ushtrinë serbe për gjenocid në Dardani. Kjo kishë nuk ka ndryshuar mendësi e qëndrim as sot e kësaj dite. Dëgjojini më vëmendje fjalimet e kryepeshkopit të tyre dhe do të bindeni, nuk e dini jeni në kohën e Milosheviqit a të Daciqit.

Prandaj nuk është mirë që njerëzit e gjaku tonë t'ua hapin rrugën për amnisti kishtarëve serbë, as t'ua harrojmë krimet.

Islami agresiv ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me serbët e me Serbinë. Kohë më parë tri bashkësitë islame të Serbisë, Maqedonisë e Luginës së Preshevës u takuan në Beograd për të marr këshilla veprimi kundër shqiptarëve. Hoxhallarët e Preshevës janë të përkëdhelurit e presidentit serb, por shqiptarët nuk duhet të marrin model këta të shkombëtarizuar.

_________

Britma e tmerrshme nga altoparlanti i xhamisë po e çmendte Tiranën

Kishte rënë muzgu kur dola nga libraria "Adrion" në qendër të Tiranës me një libër në dorë, ndërsa zbrisja shkallëve drejtë sheshit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, kur ma bllokoi dëgjimin një britmë e thekshme e altoparlantit të xhamisë përballë. Thashë ma shpoi kafkën, me depërtoi në anën tjetër të rrashtës ky zë i lemerishëm që çante qiellin më lartësi sa disa shpërthime atomike njëkohësisht. Zëri i altoparlantit ua kalonte të 13 xhamive të Prishtinës, megjithëse edhe në kryeqytetin e dardanëve të tmerron britma e hoxhallarëve në altoparlant. Kurrë nuk e kisha dëgjuar një britmë të tillë si kjo në Sheshin Gjergj Kastrioti, kurrë nuk me dëshpëroi kryeqyteti i shqiptarëve më shumë se sa kësaj here. Si ishte katandisur!

"E paska hëngër dreqi Tiranën dhe tiranasit, paskan mbaruar!", i thash vetës i dëshpëruar. U përpoqa të mbyllja veshtë, por kot zëri i altoparlantit me depërtonte në kafkë, ma dridhte shtatin mu si gongu kinezë në mesjetë kur donin t'i çmendin keqbërësit.

Me doli qejfit Tirana, mu zvetënua atmosfera e Sheshit, gati sa s'u betova se kurrë më s'do të shkel në këtë tokë të përdhosur. Sheshi mu duk i traumatizuar, i shushatur, si të ishte i përzishëm. Sheshi që dikur gumëzhinte nga njerëzit, kishte pësuar trauma.

Kanë shtet e ligj bashkëkombësit e mi? Dinë çka është ndotja akustike? Mund t'i dal kush ndesh kësaj katrahure? Bajlozi i zi kishte dal nga deti, por mungonte Gjergji.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: