Lutfi Alia: Një melodi pastorale, në pyjet e Platunit
| E Merkure, 13.09.2017, 08:50 PM |

Një melodi pastorale, në pyjet e Platunit.

Nga Lutfi ALIA

Gjatë muajit korrik 1942, në Ballejë vazhdonin të vinin vizitorë të shumtë nga Elbasani, Tirana, Dibra dhe Mati. Në javën e fundit të korrikut erdhën vëllezërit Sofokli, Kolë, Ferdi dhe Albert Paparisto, të katër djemë elbasanas, katër antifashistë, që pasi kishin kaluar në ilegalitet, ishin strehuar në Orenjë. Pas disa javësh, do të inkuadroheshin në çetën partizane të Çermenikës.

Me Prof Ferdi Papariston kam pasur shumë miqësi. Bisedonim shpesh për qytetin dhe malësitë e Elbasanit. Në një nga këto biseda, i tregova se im atë, më ka thënë se jeni njohur në Ballejë.

Prof Ferdi ma konfirmoi e më tregoi për vizitën në vitet e luftës dhe si e kish njohur tim atë.

“Një ditë me thirri komandanti Kadri Hoxha e më tha të shkoja në Ballejë për të vizituar një partizan, donte të dinte, në se ishte në gjendje shendetësore, për të përballuar një udhëtim te gjate. E mirëprita këtë detyrë, pasi ishte rasti ta vizitoja Martaneshin. Kisha degjuar për bukuritë e kësaj treve, andaj i kërkova Kadriut të vinte me mua dhe Kola, botanist i apasionuar për florën dhe faunën dhe Sofokliu me Alfredin, që kishin shprehur deshirën të takoheshin me Baba Fajën. Kadriu e miratoi propozimin tim dhe për të na shoqëruar në këtë udhëtim të gjatë, ngarkoi Faik Ballën, një djalosh te shkathët dhe shumë i respektueshëm.

Ndonëse u nisëm në mëngjes herët, në Ballejë arrijtëm në muzg, pasi Kola ndalonte e mblidhte bimë dhe na i përshkruante lulet e bukura e të rralla, sidomos kur gjente një zambak të bardhë, ndalonte e me entusiazëm e përshkruante të famëshmin Pancratium illiricum.

Kur arritëm në Teqen e Ballejës, na priti Baba Faja, i cili pasi na uroi mirëseardhjen, na prezantoi një partizan zeshkan, trup madh, malazezin Miladin Popoviç. Ai nuk fliste shqip, andaj u përshëndetëm me atë pak italishte që dinte. Ky ishte partizani i sëmurë, që duhej të vizitoja.

Më shoqëruan në një dhomë të vogël në katin e dytë ku e vizitova Miladinin. Ai vuante nga tuberkulozi, por klima, ushqimi dhe mjekimi, kishin ndikuar të përmirësohej gjendja e tij shëndetësore dhe si kuptohet, mund të përballonte edhe udhëtime të gjata. Këtë konkluzion ia thashë Baba Fajës, madje me shaka shtova: “Druzhen” e keni ushqyer si gjel deti, kështu si është aktualisht, udhëton deri në Mal të Zi”. Baba Faja qeshi me të madhe. Kur u ktheva në Orenjë, këto ia thashë dhe Kadri Hoxhës.

Baba Faja shtroi një darkë të begatëshme dhe na krijoi një atmosferë festive, me këngë e biseda miqësore. Mikëpritja shembullore, zbukurohej me këngët e Isuf Myzyrit, me repertorin e plotë të tij dhe me këngë patriotike të Martaneshit. Sofokliu dhe Alberti si dy specialistë muzike, konstatuan se martaneshasit këndonin në mënyrë origjinale. Këngën e fillonte një solist dhe më pas të tjerët i bashkoheshin në kor, pra ishte një polifoni e pëlqyeshme, këndonin në kor të intonuar, por pa iso. Kësisoj i këndonin dhe balladat dhe këngët epike vendase, si këngët “Zjarr në male, zjarr në bjeshkë” dhe “Çohuni djema shaloni atin”, dy këngë epike shumë të vjetra, që evokonin patriotizmin e këtyre malësorëve të kësaj treve heroike.

Kjo mënyrë të kënduari polifonike, ndyshonte me trevat tjera të Shqipërisë së mesëme, pasi në qytetet dhe në fshatrat e tjera, këngët popullore dhe ato të Isufit Myzyrit, këndohen solo nga një këngëtar - rapsod.

Njëkohësisht ata konstatuan se këngët vendase ishin pa ndikime të melodive orientale, ishin këngë epike me melodi të intonuar, harmonike dhe me ritëm hymni e ndonjëra dhe me ritëm marshi.

Ashtu si nëndialekti, veshja, muzika dhe këngët e martaneshasve, kanë karakteristika autoktone, ndryshojnë me ato të trevave të Dibrës, të Matit dhe të Tiranës.

Rreth këtyre veçorive etnokulturore dhe origjinalitetit të melodive të këngëve të Martaneshit, vazhduan diskutime të gjata, madje Sofokliu dhe Alberti kërkuan të rikëndoheshin, për t’i studiuar më mirë.

Me këto biseda dhe me këngë, kaluam natën deri në agim. Fjetëm pak por të kënaqur.

Të nesërmen në mengjes, të shoqëruar nga partizani Qazim Alia, morëm rrugen e kthimit për në Orenjë. Me insistimin e Kolës, ndoqëm rrugën, që kalonte nëpër malet e Platunit e të Kaptinës, një rrugë e bukur, që lakonte përmes livadhesh e lëndinash të lulëzuar dhe nëpër shtigje mes pishave dhe aheve shekullore.

Kur kaluam livadhet e Lekajve, para se të fillonim ngjitjen e malit, dëgjuam një melodi me fyell dhe tringëllima zilesh bagëtie. Sofokliu me Albertin ndaluan dhe na urdhëruan të ndalonim dhe të dëgjonim e ndërkohë nxorrën blloqet dhe filluan të shkruanin notat në pentagrame të improvizuar në çast.

Pasi përfundoi melodia me fyell, Ata i kërkuan Qazimit të thërriste bariun. Pas disa minuta u kthye bashkë me një djalosh zeshkan simpatik, trup lidhur, i cili mbante në dorë një fyell bronxi që ndriste.

Na përshendeti, duke na shtërnguar dorën të gjithëve me rradhë.

- Si të quajnë? - e pyeti Sofokliu

- Rexh Krypi, - u përgjigj djaloshi.

- A mund ta dëgjojmë dhe ne melodinë me fyell? – e pyeti Sofokliu.

- Po, me shumë dëshirë, - u përgjigj Rexha.

- Është melodi shumë e bukur, është si preludi i simfonisë Pastorale të Bethowen-it, - tha Sofokliu duke na u drejtuar në të tjerëve.

Rexha e nxorri fyellin nga brezi dhe u ul këmbëkryq. U ulëm dhe ne rreth tij e me kuriozitet të madh, pritëm të fillonte të interpretonte, melodinë baritore.

Rexha e vuri grykën e fyellit në këndin e buzëve, anoi kokën pak sa nga e djathta dhe duke e hedhur vështrimin nga malet përballë, filloi interpretimin.

Gishtërinjt i lëviznin me gjallëri, sa te krijohej përshtypja se tingujt buronin nga gishtrinjt dhe jo nga vrimat e vogla. Tingujt e ëmbël të fyellit, u përhapën ne eter, por pas pak, Sofokliu i kërkoi ta ndërpriste interpretimin e melodisë dhe filloi të komentoi.

- Fillimi është alegro non troppo, një melodi e ëmbël, që shpreh zgjimin e natyrës, lindjen ngadalë të diellit, gjallërimin e jetës së fshatit.

Pas këtij përshkrimi, i kërkoi Rexhës të rifillonte dhe njëherë nga e para e të vazhdonte deri sa t’i bënte shenjë ta ndërpriste melodinë. Kështu vazhdoi dhe pak minuta dhe kur i bëri shenjë, Rexha ndaloi dhe Sofokliu filloi të diskutoi me Albertin.

- Pjesa e dytë e melodisë është andante molto mosso, duke shprehur gjallërimin e jetës në fshat, të shoqëruar me mërmërimën e ujit në krua, gurgëllimën e ujit të lumit, me blegërimat e bagëtive, të pasuara me cicërimat e zogjëve, me këngën e bilbilit e të laureshës dhe me ku-ku - ku të qyqes.

- Pikërisht - aprovoi Alberti, - dhe djaloshi e interpretoi pa bërë asnjë shmangie nga linja e melodisë.

Të dy i thanë Rexhës të vazhdoi, duke e filluar melodinë nga e para. Tingujt e fyellit jehuan, duke e mbushur atë lendinë të qetë plot me nota gazmore, që shprehnin një festë malësorësh, të mbledhur për t’u argëtuar së bashku. Pa pritur melodia ndryshoi, u mbush me tinguj  të fortë e të dendur dhe pas pak u zbut, u qetësua e rrodhi ëmbëlsisht.

Sofokliu dhe Alberti i bën shenjë ta ndërpriste interpretimin.

- Kjo pjesë alegro, duket sikur po fillon shiu, një shi i dendur me stuhi, e shoqeruar me fërshëllimën e erës. Këtë pjesë djaloshi e shprehu me variacione të shumta, duke i përshkruar me nota emocionet e ditës me stuhi, - komentoi Alberti.

- Shumë e drejtë dhe pas kësaj pjese, melodia ndryshon, bëhet e butë, nostalgjike, e ëmbël, andaj ta dëgjojmë deri në fund, - tha Sofokliu.

Rexha, i ndiqte këto diskutime me vemendje, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, me kënaqësi dhe i gatshëm të zbatonte “urdhërin”, për të rifilluar interpretimin edhe pse nuk i kuptonte këto lloje komentesh, me fjalë të mëdha e të vështira.

Ky ishte interpretimi i fundit. Rexha e përfundoi melodinë e pasi e uli fyellin, na vështronte, si për të na pyetur: “A ju pëlqeu melodia ime?”

Sofokliu dhe Alberti, të mrekulluar thirrën: “Interpretim i shkelqyer, një mrekulli e vërtetë” dhe duke i shtërnguar dorën Rexhës, Sofokliu iu drejtua të tjerëve:

- Një finale e bukur allegretto, që e mbyll melodinë, me përfundimin e stuhisë me nota optimiste, me rizgjimin e natyrës dhe të jetës së fshatit. Kam dëgjuar dhe herë të tjera melodi me fyell, por kjo ishte ndryshe, është unikale, Rexha është artist virtuoz.

- Përgëzime Rexhë, të lumtë, na gëzove me interpretimin tënd, - i tha Alberti.

- Kush të ka mësuar t’i biesh fyellit? – e pyeti Sofokliu.

- Gjyshi im Xhep Krypi dhe më porosiste gjitthmonë, bjeri fyellit pa e ndryshuar avazin, - iu tregoi Rexha.

- Edhe ti duhet ta zbatosh këshillën e gjyshit, sepse ai ka të drejtë, ti po deshe bëj melodi tjetër, krijo melodinë tënde, por nuk duhet ta ndryshosh këtë, që luajte sot, - i sugjeroi Alberti.

- Kur të rikthehemi në Ballejë, do të vijmë të takojmë, - i thanë të dy.

Rexha buzëqeshte me një gëzim të brendëshëm, që i shprehej në sytë e ndritshëm dhe pasi na përshëndeti, u kthye te gregja, që kulloste në lëndinat gjelbëroshe, ndërsa ne vazhduam rrugën përmes maleve dhe në darkë vonë arrijtëm në Orenjë”.

Kështu e mbylli tregimin Prof Ferdi Paparisto.

I premtuan Rexhës se do ta takonin përsëri, por fati i mbrapësht, ua mohoi të dy palëve këtë nder dhe kënaqësi. Dy javë, pas takimit, me 4 gusht të vitit 1942, atje në malin e Platunit, Rexh Krypin e vranë, e vranë djaloshin e pafajshëm, vranë një artist popullor virtuoz.

Populli i Martaneshit, në vitet Luftës Nacionalçlirimtare dha besën të ndërpresi gjakmarrjen, këtë akt barbar tribal, por mendja e mbrapshtë, ndërgjegjia tragjike dhe dora kriminale e gjakësit mizor Z. K, shkeli mbi nderin, shkeli besën, shkeli fjalën e dhënë dhe tinëzisht vrau Rexhë Krypin.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: