Meri Lalaj: Libër i shkruar me dashuri
| E Merkure, 13.09.2017, 09:15 PM |

Një libër i shkruar me dashuri

Nga Meri Lalaj

Brezi im dhe brezat pas meje që jetuam nën diktaturë, e mësuam historinë e popullit tonë në mënyrë të përdhunshme sikur kjo histori të fillonte më 8 nëntor 1941. Pas viteve ’90, kam lexuar librat e Edith Durham, “Histori e Shqipnis” të Tajar Zavalanit e shumë të tjerë. Së fundmi, falë ishnxënësit tim Klodi Stralla, lexova studimin historik “Në valën e dramës shqiptare Korça dhe korçarët (1878-1909), shkruar nga babai i tij Niko Stralla, ishnxënës i Liceut Frëng në Korçë, e më tej student në Monpellier të Francës, atje në vitin 1931 përfundoi me sukses njëherazi dy fakultete për Histori-Gjeografi dhe Drejtësi. Niko Stralla ka punuar për një kohë të gjatë në arsim në disa shkolla të qytetit të Korçës dhe nga viti 1955 deri më 1967 punoi avokat. Mendoj se patjetër duhet të jem takuar me zotëri Niko Stralla në vitet kur punoja në Korçë, kjo duhet të ketë ndodhur patjetër pasi që Klodi ishte nxënës në klasën time të kujdestarisë.

Pas leximit të këtij libri mendoj se kombi ynë do të bëhet vetëm me dashuri, sepse kombin e bëjnë vetëm ata njerëz që i përkushtohen Atdheut. Ndonëse libri përshkruan ngjarje që kanë ndodhur kur Shqipëria ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane e megjithëse nën krrusmën e robërisë shumë patriotë shqiptarë luftuan me armë në dorë kundër kësaj robërie sepse nuk mjaftonte sundimi turk, por nga ana tjetër duheshin përballuar edhe sulmet e shovinistëve grekë. Krimet ishin të tmerrshme: vrasja e At Kristo Negovanit, helmimi i Petro Nini Luarasit, vrasja e Spiro Jovan Kosturit e shumë të tjerë.

Ndër këta patriotë të cilët përshkruhen në libër dhe që i bëjnë nder jo vetëm Korçës, por edhe gjithë Shqipërisë shkëlqejnë fort emrat e Thimi Markos, Jovan Cico Kosturit dhe Orhan Çerçiz Pojanit. Ky është një libër bazuar edhe në një bibliografi shumë të pasur ku përveç ngjarjeve kryesore, përshkrimit të qytetit të Korçës të asaj kohe (njihemi me profesionet që ekzistonin po ashtu edhe me fillesat e lindjes së kapitalizmit), tregohet lufta e madhe që është bërë për vendosjen e arsimimit në gjuhën shqipe, Pushtuesi otoman nuk lejonte mësimin në gjuhën amtare, nga ana tjetër grekët donin të ndikonin me hapjen e shkollave në gjuhën greke. Përpjekjet e patriotëve korçarë janë të jashtëzakonshme në drejtimin e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe duke pasur edhe ndihmesën në të holla të emigrantëve shqiptarë që nga Amerika e largët, ndërsa kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit ndihmojnë jo vetëm me pare, por edhe me libra të shtypura për nxënësit e shkollave. Këta njerëz venë në shërbim të kombit edhe pasurinë e tyre duke ngritur shkolla, spitale e tjera.

Ky libër i bën nder jo vetëm qytetit të Korçës dhe rrethinave të saj, por të gjithë Shqipërisë, unë ndihem krenare për një bashkëkombas si Niko Stralla, kjo është detyra e secilit prej nesh të lëmë diçka pas për brezat që do të vijnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: