http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Kaltrina Hoti: Fjala kërkon aromë
| E Diel, 10.09.2017, 07:07 PM |

Fjala kërkon aromë

Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar (16)

-Ne që kemi kulturë të përbashkët, të lashtë e të stërlashtë, duhet të mos gjykojmë të kaluarën por të shtrojmë tryezën e përbashkët ku të kuvendojmë për bashkim resursesh njerëzore, intelektuale dhe ekonomike që ende janë në duar të huaja-

Nga Kaltrina Hoti, NY

Ne flasim me njëri tjetrin. Kuvendojmë nëpër ndeja, shoqata, organizata, kuvende, ministri, qeveri... Ne flasim dhe me hijen tonë, që ecë përpara apo e kemi lënë pas. Kur them pas flasim atë që nuk e mendojmë, atë që krijon ndarje, dhe hija si e tillë është hidhëruar. Mënyra është se a e kemi veshur fjalën, a e kemi matur, a e kemi peshuar, a e kemi ajrosur që ajo të thithet, të kënaq tjetrin, një grup, një komunitet, një komb dhe më gjerë. Po për fund që të ketë shije, a e kemi kripur ashtu si ato plisat, se fjala pa shije të pështirosë.

Dua të them së fjala që ka aromë shpërndahet shpejt, të ëmbëlson shpirtin dhe të buzëqesh në sy. E ç’duhet të bëjmë që të jetë e tillë?! E kaluara ka ikur, e sotmja ngutet, por që të mos na ikë e nesërmja sot ta lidhim fjalën e shpirtit që të peshojë nesër. E kaluara i mbetet për gjykim historisë, e sotmja është në tryezë, e nesërmja trokit në muret e së ardhmes. Ne që flasim gjuhën e moçme që e folën dhe perëndit, dhe pas gjithë sfidave arriti të mbijetoj, të shkruhet dhe të lexohet, ne për hir të së kaluarës që duhet vetëm ta marrim si mësim, ku fjala matej me fisnikëri, bujari e dinjitet duhet të  kemi qëllimin e përbashkët, të kemi një ide para se të flasim.

Ne që kemi një histori duhet të marrim forcë nga e kaluara, urtësi dhe maturi për të nesërmen. Ne që kemi kulturë të përbashkët, të lashtë e të stërlashtë, duhet të mos gjykojmë të kaluarën por të shtrojmë tryezën e përbashkët ku të kuvendojmë për bashkim resursesh njerëzore, intelektuale dhe ekonomike që ende janë në duar të huaja. Fjala jonë para se të dal nga ne duhet të matet me idenë, jo të pëshpëritet por jehona të marr malet, të futet nëpër kulla e Kështjella të rrënuara, që të zgjojë çdo gjak arbri, të trokas në çdo portë me besë, për të sjellë liri, liri për të gjithë,  që çdo filiz të rritet me buzëqeshje, në paq e liri. Po e gjithë kjo varet nga ndërtimi i identitetit tonë.

Fjala jonë është e ardhmja jonë, e ardhmja është pa kufij. E neve ç’na duhen kufijtë që janë më gurë nga gjaku jonë dhe dora e huaj. Ne vetëm duke ushqyer një fjalë nga dita në ditë mund të bëhemi dritë e së ardhmes.

Kujdes: - fjala bashkon, fjala ëmbëlson, fjala me aromë është shëndeti ynë. Fjala është fuqia me të cilin kemi ndërtuar identitetin personal, identiteti kombëtar fjalën pa peshë nuk ta falë. Ne vetë nuk jemi ndarë që të mos themi çdo ditë posa të zgjohemi:

- “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”.

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga NY, USA, Shtator 2017-