Mehmetali Rexhepi: Lufta si absurd njerëzor
| E Diel, 10.09.2017, 11:25 AM |

Lufta si absurd njerëzor

Erich Maria Remarque “ Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”

Roman (Botim i tretë, i plotë); Tiranë; Horizont 1999; E shqipëroi nga origjinali: Robert Shvarc

Nga Mehmetali Rexhepi, prof

Lufta është një e keqe e përbashkët. Me këtë  shprehje do të pajtoheshin pothuajse të gjitha shoqëritë njerëzore, që në një të kaluar të afërt të tyre, kishin përjetuar ose iu riktheheshin reminishencat traumatike të luftërave.

Historia njerëzore është e mbushur me luftëra, të nxitura nga shkase e shkaqe të ndryshme, duke nxjerrë arsyetime nga më të ndryshmet për domosdonë e ndodhjes së tyre; gjithsesi dhe bilancet e“fitoreve” e të pasojave të dukshme dhe të pa dukshme... Disa nga më të dukshmet i shënon kronologjia historike, mirëpo shumëçka mbetet e padukshme dhe pjesë e psikologjisë dhe ndërdymes njerëzore.

Megjithatë, historia ka dëshmuar për humbjen e logjikës njerëzore dhe revanin e dëshirave për zotërime tokash, oqeanesh, detesh, lumenjsh e fushash. Gjithmonë ka dalë në sipërfaqe e drejta e të fortit. Pra, historinë e kanë shkruar të fortit, ndërsa gjakun e kanë derdhur ata që i shërbyen me dashje e pa dashje të fortëve,  për të ngritur e shtrirë perandori ngjyrimesh të ndryshme.

Gjithnjë luftërat janë bërë në emër të popujve, për ideale të popujve, truallit, gjakut e fesë, por dihet botërisht se ato iu shërbyen elitave të caktuara. Shpesh popujt u bënë “mish për top” të ushtrive ndërluftuese...

Luftërat prodhuan një gamë të gjerë temash për të trajtuar brendinë e tyre. Frymëzuan shkrimtarë, artistë, kronistë, psikologë, sociologë të ndryshëm për t`i shtjelluar në kronika shoqërore, politike, diplomatike, psikologjike, sociologjike dhe sidomos në fushën letrare, në gjininë epike, të novelës, romanit e të dramës.

Njëri nga shkrimtarët që e trajtoi luftën me të gjitha përmasat e saja, kufirin e hollë mes jetës e vdekjes, psikologjinë e njeriut mes taborësh ndërluftues, zgripet e qenies njerëzore, kur logjika e njeriut reduktohet deri në skajshmërinë e ekzistencës tij biologjike, kur njeriu shndërrohet në numër dhe humbin ndjeshmëria e virtytet, padyshim i hasim dendur, në romanin “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” të shkrimtarit  gjerman Erich Maria Remarque.

Ndërtimi i romanit

E vërteta është viktima e parë që bie kur vije lufta

Kjo urti e gurvenatorit dhe senatorit nga Kalifornia para Luftës së Dytë Botërore, Hiram Johnson, na shërben si një përkufizim për mendësinë e luftës, që ngritët zotëruese mbi logjikën e shuarjes  së luftërave.

La ta ndjekim diskursin e prozës së luftës të shkrimtarit E.M. Remarque.

Brenda 12 kapitujve të romanit “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, duke shqyrtuar këtë prozë të shquar të luftës dhe për luftën, doemos kemi parasysh rrethanat, personazhet, ndërtimin e brendshëm të kompozicionit, pasqyrimin kronologjik të ngjarjeve, sprovat dhe përjetimet, makro-temën dhe motivimet, dinamikën e ngjarjeve, dialogët dhe monologun e ngjyrosur, shkaqet dhe pasojat e luftës, logjikën dhe humbjen e saj... Gjithë këta përbërës tematikë e motivues, lexuesin e mbajnë pezull, që të mos i shmanget kronologjisë së ndodhive, fateve të personazheve, përballjes me vdekjen... Me vetë vdekjen që shihet me sy!

Çdo kapitull për ta përmbushur paraqitjen, kap diçka nga bota e brendshme e personazheve, duke i përmbushur njohjet, karakterin, dëshirat, botë-vështrimin dhe psikologjinë e tyre, për gjakimin e daljes nga vorbulla e luftës dhe rikthimit në paqen e ëndërruar ankthshëm... Kapitujt pasues përplotësojnë mendësinë e vorbullave të pareshtura, dhe shpalojnë pikëpamjet e personazheve, gjendjen fizike dhe mendore të tyre. Në këtë mënyrë mbështillet bota emocionale nëpërmjet linjave të kapitujve, që japin mjediset burimore  ndërluftuese. Logjika rrëfimtare është tejet e ngjeshur, kompozicioni ndërthuret pa lënë asnjë zbrazësi motivuese, ngase ngre plotësinë e  brendisë shpirtërore në shkallët më provokuese e më të skajshme të  personazheve.

Kapitujt janë të ngjeshur me dinamikë ndërluftuese. Proza karakterizohet nga një stil e ritëm dinamik, ndërsa sfondi i saj mbështillet nga kategoria estetike e së madhërishmes, tragjikes dhe absurdit.

Të dhëna për shkrimtarin

Jeta, veprat dhe rrethanat

Erich Maria Remarque u lind më 22 qershor 1898, në OsnabrückGjermanisë.  Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 paraqitet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëbotë, filloi të shkruante  një roman për luftën. Doli nga spitali dhe kaloi në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, i klasës së parë në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut; mirëpo, shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifilloi studimet e lëna për gjysmë, dhe më pas punoi për pak kohë si mësues filloreje.

 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër novela“Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, në Berlin. Ndërkohë punoi në dy vepra njëkohësisht. Më 29 prill del shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani, në muajin dhjetor. Kishte reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Filmi ndalohet dhe dërgohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931, propozohet për Çmimin Nobel për paqe. Një vit më vonë filloi punën për njërën nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Më 10 maj ndalohen të gjitha librat e RemarkutBerlin, dhe në nëntor policia i konfiskoi romanin “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht romani “Tre shokët”, në Amsterdam, dhe më 20 maj realizohet shfaqja e parë kinematografike e këtij romani, me regji të Frank Borzage.

Më 4 korrik largohet nga Gjermania, dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij, Ilse Jutta Zambona.

Më tutje nis punën për librin tjetër “Harku i Triumfit”. Në shtator të vitit 1939, shkoi në Los Angelos, atje do të niste një histori dashurie me Marlene Dietrich. Në këtë mjedis njihet me Greer Garson, Orson Uwlles, Igor Strawinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff, dhe me shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich, dhe disa muaj më vonë do të bëjë një lidhje afatshkurtër me Greta Garbo-n. Në shtator të vitit 1942, zhvilloi një takim me zv/ presidentin amerikan George Wallace për të diskutuar për një aksion të mundshëm anti-fashist.

Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Më 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin. Këtë lajm shkrimtari e mori vesh dy vjet më vonë. Më 25 gusht 1944, përfundoi versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në New York, ndërsa disa muaj më vonë u botua dhe në gjermanisht. Menjëherë filloi të punonte në romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në këtë kohë shëndeti i tij filloi të lëkundej. Gjatë mjekimeve do të mësojë se kishte diabet. Në janar të vitit 1952, i botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht i botohet në muajin korrik. Në dhjetor filloi punën për romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili iu botua në vitin 1956. Interpretoi rolin e mësuesit në filmin e motivuar nga romani i tij, “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962, botoi romanin “Qielli nuk ka preferenca”, mandej dy vjet më vonë botoi romanin tjetër “Një natë në Lisbonë”.

Më 25 prill të vitit 1967, i jepet “Großes Verdienstkreuz”, medalja e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Më 25 shtator 1970, vdes në klinikën Sant’AgneseLocarno.

Ideja gjithë-kohore e luftës

Krye-tema dhe ideja shpalohen nëpërmjet reagimeve të emocioneve të ndezura, intonacionit thirrmor, trajtës dëftore, ligjërimit të drejtë dhe ironisë tej përçuese, të drejtpërdrejtë dhe të zhdrejtë, përmes pohimesh të dendura ironike dhe satirike. Subjektin e përmbushin përjetimet brenda një qarku të organizuar në hierarki, kjo hierarki ka pushtet dhe ky pushtet ngjitet shkallë-shkallë mbi ushtarët e thjeshtë. Secili oficer, që nga togeri, nënoficeri, kapiteni e tutje bëjnë rregullat dhe rendin, që shpesh herë nuk i kap arsyeja e shëndosh, në stilin urdhërues: “Kompania prapa kthehu!”, ose “Merrjani këngës!”. Në këtë hierarki grada më e ulët përfaqëson një zot të vogël, dhe gjithnjë gradë pas grade zotat rrisin fuqinë mbi njëri-tjetrin dhe ushtarët, të cilët doemos duhet të jenë të disiplinuar dhe të bindur, sepse këtu përjashtohet çdo gjë e jetës së lirisë qytetare. Andaj, nuk është pohuar rastësisht se në ushtri përjashtohet logjika, dhe se aty nuk ka logjikë.

Romanin e përshkon atmosfera e gjëmimeve të topave dhe mjegullnajat e tymrave, era e barotit dhe shija e saj; buçimat e forta, kamionët me ushtarë të bërë copë-copë; oshtima, rrokullisjet tutje, dridhjet e tokës dhe fytyrat e njerëzve me valë emocionesh, llogore, tela me gjemba përpara syve, prore një kërkim i vendndodhjes së ballit të luftës...

Janë marramendëse përshkrimet e betejave, ku breshërimat e topave dhe nga armët tjera, shpërfaqen drejtpërsëdrejti, brenda shpirtrave dallgët kumbojnë dhe ritmi është i dendur... Gjithçka merr rrjedhë, kahe, shtjellim e dinamikë... Edhe fragmentet e shkëputura të shpresës për jetë a vdekje kapërcejnë vetëtimthi, duke mos pasur hapësirë për radhën tjetër... Këputen mendimet, e tërë ajo që ka mbetur për ta shpëtuar kokën është helmeta, ngase ajo kishte aq forcë sa ndoshta të mund të shpëtonte depërtimin e metalit? Balta, pluhuri, sytë të përzier me pluhur dhe tym e barot, gjylet që huqin caqet, ose zbrazen afër tyre... Dhe vjen shumë e dëshiruar futja në dhe për së gjalli, për t`iu shmangur predhave vërshëllyese... Toka çahet, ajri nga presioni bubullon ndërsa veshët, çudi si mund t`i sfidojnë shkreptimave e breshërisë së plumbave... Tërë ky galop kundërmim gjaku, djersësh e qelbi, breshërimash, oshtimash, bubullimash, tymi, thirrjesh, çjerrje zërash pas thirrjeve në shkallën më të lartë të klithjes, britmave dhe varrezat sipërfaqësore të dosidoshme!...

Varrezat do të jenë filozofia e paqësuar e shpirtrave të trazuar, gjymtyrësh të këputura; ndërsa  më e lakmuara e jetës do të ishte një vdekje e plotë, se sa një jetë pa gjymtyrë, për një trup krejtësisht të cunguar, i cili do të varej në mëshirën e të pamëshirshmëve. Më shumë se kaq nuk mund të mallkonte jeta njeriun, krenaria do të ishte ironia dhe çmendja e njeriut!

Një diskurs i tillë artistik i Remarque pashmangshëm do të shkrepë asociacione për veteranët e atdheut, të cilët, dinamika e galopit të tillë, e paraqitur aq dendur dhe me aq vërtetësi, lënë dëshmi të thadruara për breza. Filozofia e personazheve të këtij romani i ngre  dhe shpie në pohimin, se vetëm kështu do t`i thërrisnim ndërgjegjes së sëmurë të botës: o ironi e jetës, o atdhe si nuk iu rrëfyekemi veteranëve, dëshmorëve e heronjve tanë të gjitha kohërave, me përkuljen më të thellë:  idhujve tanë të vërtetë?!

Në epopenë e romanit “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, si rrallë kund në prozën rrëfimtare botërore sprovohet qenia fizike, shpirtërore, etike, veçmas psikologjia ekzistenciale dhe filozofia e absurdit njerëzor: se çfarë mund të përgatisë imagjinata e sëmurë e njeriut për njeriun! Rrëfimtari sjell  konstatime  ekzistenciale  për të gjithë brezat, për të gjitha kohët  moderne. Ai shpaloi shëmtinë e luftës dhe filozofinë e  absurdit të saj.

Nga shtjella e këtij romani, shkrimtari nxori dhe përgjithësoi pikëpamje të tilla etike dhe ekzistenciale, të cilat mjerisht për fatin tragjik të njerëzimit, do të mbesin porosi universale të pa tejkaluara dhe aktuale, ndonëse shkrimtari veprën e publikoi në janar të vitit 1929, realitetet e Luftës se Parë Botërore, përmasat tragjike të kësaj lufte rrënimtare, si dhe ato të Luftës së Dytë Botërore, edhe me e tmerrshme se sa e Para,  nuk i dhanë mend, as e fisnikëruan, as e zbutën njerëzimin... Elitat mbizotëruese vijojnë ta mbajnë pezull globin njerëzor, për të ri-ngritur perandori të reja...

A do të lejohet ngadhënjimi i egërsisë atomike mbi brishtësinë e urtësisë njerëzore?! Pikëpyetjet dhe pikëçuditjet janë të pandalshme. Andaj,  nga  proza rrëfimtare e humanistit Remarque shkëpusim konstatimin plotësisht të përtrollitur: ”Çdo ushtar mbetet gjallë vetëm në saje të njëmijë rastësive. Dhe çdo ushtar ka shumë besim te rastësia[1]

Shkrimtari, trajtat e karaktereve të  luftës, i piketoi si ”kufoma të gjalla”, të yshtura në “magjinë” e fitores dhe pandjeshmërinë e zhdukjes së tjetrit në emër të “fitores” së tanëve! Së këndejmi del bilanci tragjik: kush fitoi dhe kush humbi?! “Fitoi” dhe “humbi” gjinia njerëzore! Njerëzit u shndërruan në makina vrastare, ngase i bindeshin vetëm një rendi hierarkik të reduktuar në shprehjen e trajtës urdhërore: t`i thyejmë forcat armike! Sipas këtij pragmatizmi tërësisht të reduktuar deri në  shkallën e egërsisë, forcat kundërshtare nuk janë qenie njerëzore, kuptimi antitetik del se të dy palët janë qenie pa zemër, por priren nga instinktet për vrasjen e njëri-tjetrit: Jemi kufoma pa zemër që, nëpërmjet një truku, një magjie të rrezikshme, mund të vrapojmë e të vrasim akoma.[2]

Ideja e autorit, pas depërtimit të thellë në dukurinë e luftës, të luftës si mjet për përmbushjen e qëllimeve politike dhe strategjike, arriti të ngre konstatime të qëndrueshme, por të dhimbshme për militarizimin e shoqërisë, për tjetërsimin e shtresave të militarizuara, për humbjen e tipareve e virtyteve, të cilat fatkeqësisht mbesin vetëm rregulla të thata dhe krejtësisht të zhveshura, kësisoj trashet skepticizmi dhe filozofia e dyshimit  për gjininë njerëzore. Ndaj, a mund të përkufizohet njeriu si “Homo sapiens”? Natyrisht jo, as si “Homo duplex?!

Lufta si absurd njerëzor

Koncepti i diskursit kritik-artistik për luftën i shkrimtarit Erich Maria Remarque në romanin“Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”:

l”... në një mënyrë të çuditshme  e të trishtuar, na është trashur lëkura dhe jemi bërë të vrazhdë, kemi harruar të mallëngjehemi.”*

l“Por më e rëndësishmja ishte se na lindi një ndjenjë bashkësie, e fuqishme dhe praktike, e cila erdh dhe  u forcua pastaj në front si gjëja më fisnike që nxori lufta-dashuria për shoku-shokun.”*

l“Jemi dy njerëz, dy shkëndijëza jete, dhe jashtë nxin nata dhe ulërin shtjella e vdekjes”*

l“... në mos i shfarosshim ne, do të na shfarosin ata!”*

l“... Më fal, kamerad- si mund të ishe ti armiku im!? ... Pa këto armë e këto uniforma, ti mund të ishe vëllai im, njëlloj si Kati dhe Alberti. Merri këto njëzet vjetët e mia, kamerad, dhe çohu!... Merr ç`të duash nga unë, sepse nuk di ç`të bëj me to...”*

l“- Kamerad,- i them të vdekurit, por kësaj radhe i flas i përmbajtur: ”-Kështu e ka kjo punë: sot ti, nesër unë. Por në shpëtofsha gjallë, kamerad, të jap fjalën se do të  luftoj kundër kësaj që na shkatërroi të dyve: ty të mori jetën... kurse mua...? Edhe mua jetën!... Ta jap fjalën, kamarad. Kjo s`duhet të ndodh kurrë më!”*

l“Dhe po të mendosh pastaj se ky është vetëm një spital midis mijëra  e mijëra të tjerëve në Gjermani, në Francë e në Rusi!... Kur paska mundësi të ndodhin gjëra të  tilla, ç`kuptim kanë atëherë të gjitha  ato që janë shkruar e janë bërë e janë menduar! Gjithçka paska qenë gënjeshtër e flluskë sapuni-kur një kulturë mijëra vjeçare nuk ishte në gjendje të pengonte gjithë këta lumenj gjaku që po rrjedhin, gjithë këta burgje vuajtjesh që quhen spitale!...”*

l“Po shoh se si i ndërsejnë popujt kundër njëri-tjetrit dhe se si këta vriten pa bërë zë, pa marrë vesh gjë, të bindur e të pa faj. Po shoh se si  ca njerëz, që e mbajnë vetën për koka të mëdha, shpikin armë dhe fraza për ta bërë këtë luftë akoma më të rafinuar e më të gjatë. Dhe, bashkë  me mua, këtë po e shohin të gjithë moshatarët e mi, si këta të këtejmit ashtu edhe  ata të përtejmit; bashkë me mua këtë po e përjeton i gjithë brezi  im”*

*F. 26; *f. 69; *f. 89; *f. 107; *f.195; *f.197-198; *f.228-229; *f.229

Ditët, javët, vitet e jetuara këtu, në vijën e parë, do të kthehen sërishmi edhe njëherë tjetër, dhe atëherë shokët tanë të vdekur do të ngrihen e do të marshojnë bashkë me ne; mendjen do ta kemi të kthjellët dhe do të kemi edhe një qëllim - dhe ashtu do të marshojmë, me shokët e vdekur në krah dhe me vitet e frontit prapa... Por kundër kujt, kundër kujt?[3]

Përmes paragrafit të cituar rrëfimtari bën bilancin e ditëve dhe javëve në vijat ballore të betejave, një marshim ngadhënjimtar ironik me të vdekurit në krah në vitet dramatike të vdekjes, plagëve dhe vurratave të përjetshme. Bilanci i atyre viteve është reduktuar në kujtesën e llahtarshme, humbje gjymtyrësh dhe moshës më të bukur të jetës... Atëherë, për çfarë ngadhënjimi mund të bëhej fjalë këtu? Të tëra ndodhitë a mund të kenë krenari legjitime? Për gjithçka mund të flitet, por vetëm  për fisnikërinë njerëzore, jo. Mburrja, tragjikja, marrëzia, ironia, egërsia, dhimbja dhe humbja  pleksen në  shpalosje kumtimesh, kuptimesh për humbjet, për pakuptimin e përsëritur të historisë për humbjen me tagrin më të madh se sa fitorja!

Iluzionet dhe realiteti

Bota e të rinjve të një klase filloi të ndryshojë krejtësisht kur paraqiten në Komandën e Qarkut, të gjithë shokët e një klase, njëzet djelmosha. Këta të rinj përpara se të shkelnin në truallin e kazermës, do të shkojnë bashkërisht, shend e verë, sikurse në një vikend, do të rruheshin te berberi, po ashtu bashkërisht, përderisa disa prej tyre nuk kishin vënë ende as njëherë brisk në faqe. Atëbotë, ndonëse planet për të ardhmen tek ata ende nuk dukeshin qartë...Pak kush prej tyre kishte menduar për profesion a karrierë...Mendimeve të turbullta shumëçka u sillej vërdallë, pa përcaktime të sakta për formën e ekzistencës. Luftës i jepej një karakter i idealizuar, pothuajse romantik.

Kështu nis të ndërtohet subjekti i kësaj lënde letrare, që këta të rinj do t`i fusë pas stërvitjeve ushtarake, në një botë, që t`ia përtrolliste pohimin e Thomas Hobbes-it se “Njeriu për njeriun është ujk.

Shkallë-shkallë realiteti i luftës do të shpalosej në përjetimet e djelmoshave entuziastë, duke parë që një postier me grada kishte më shumë pushtet se sa që patën edukatorët, gjithë përfaqësuesit e kulturës, duke filluar nga Platoni e deri te Gëte. Në këto rrethana, detyra ndaj atdheut e përfytyruar, tashti shpërfytyrohej tërësisht. Shumë shpejt do të kuptohej se diçka ishte e arsyeshme, por ana tjetër e çështjes ishte “krejt e tepërt.”

Ky diskurs do t`ua tëhollojë shqisat e të nuhaturit, nëse fare do t`iu mbesin, për shumëçka të kësaj mendësie. Ushtarët, djemtë e dikurshëm naivë, do të shihnin se pas shkëlqimit mashtrues të idealit, fshihej shumëçka e pa përfytyruar, por reale, e dukshme dhe e përgjakur, vrazhdësi jete, aq sa të mjaftoheshin e kënaqeshin me sigurimin e kafshatës, ngase njeriu  u shndërruaka në bishë të uritur për gjak. Brezi sprovohet me lojë të përgjakshme, e ndërsyer brenda rripit, helmetës dhe  urdhrit!

Kati, si njëri nga krye-personazhet e romanit, nga ushtria kishte përfituar urtinë, të cilën e mbronte me zjarr, duke pohuar se “Po të kishim paqë dhe ushqim të gjithë njëlloj, s`do kish më luftëra kësisoj![4]

Brezi i humbur

Shkrimtarët që në letrat e tyre trajtuan përballjet me mizoritë e luftërave, si Ernest Heminguej  në romanin “Për kë bie kambana”, dhe proza të tjera me preokupime të kësaj natyre, kësaj tipologjie gjithsesi i përket dhe Erich Maria Remarque. Ky shkrimtar ndërtoi koncepte  tipike për luftën, dhunën dhe përjetësimin e traumave të dhunës në shkallën më të lartë, spikatësh për brezin përkatësisht brezat e humbur, edhe si filozofi e  absurdit, edhe si rrymë e formacion stilistik-letrar.

Në llogoret dhe gropat e granatave kanë humbur dëshirat rinore, ngjyrat e stinëve, njomështia e barit, buzët  për puthje të  rreshkura, prekjet e nënës, talentet e përbuzura, kujtimet e vdekura, pamjet e pakthyeshme, vegimet dhe shpresat e mekura të një brezi.

Brezi që mësoi ta donte jetën ndryshe, sipas formulave të bamirësisë biblike, urtisë e mençurisë së filozofëve, pragmatizmit e përmbushjes së jetës me zeje e  libra; brezi i jetës që prekej, shijohej dhe priste pjekjen e frutave, në mjedise ku ato shijoheshin bashkërisht mes racave e ligjeve njerëzore, për të marrë e për t`i dhënë mundësinë secilit dhe secilës...

Paragrafi i më poshtëm ilustron ndeshjen e realiteteve dhe përjashtimin, përkatësisht përjashtimin e një brezi të tërë nga rrjedhat e vlerave të natyrës njerëzore:

Kurse këtu, në llogoret, kujtimet na kanë humbur. Nuk shpërthejnë më jashtë nesh-ne kemi vdekur, dhe ato qëndrojnë larg, tutje në horizont, janë vetëm një vegim, një fanitje enigmatike, që na shpie në ngasje, që ia kemi frikën dhe që e dashurojmë pa shpresë. I fuqishëm është ai vegim kujtimesh dhe i fuqishëm është edhe dëshirimi ynë – por ne s`e arrijmë, se rrokim dot, dhe këtë e dimë fort mirë. Është njëlloj sikur të prisnim të na bënin gjeneralë.[5]

Gjithsesi ky është një përbërës i fuqishëm ideor i artit të refuzimit të dhunës, të cilën e shpalos  drejtpërdrejti  depërtimi  i  thelluar  në dukuritë  e të ndodhurës, në vlugun e saj dhe jo nga kabineti. Romani u frymëzua mes flakësh dhe  arti i tij  kundërmon erë baroti. Andaj, ka vërtetësi, andaj ka peshë sprovash të avullta jetësore dhe arti të vërtetë të përjetimit.

Më mirë se diskursi ynë shqyrtues, dhimbjen e brezit e shpërfaqi thirrmori, apostrofa e paragrafit vijues:

Librat rrinë në radhë, pranë e pranë. I mbaj mend të gjithë, bile më kujtohet edhe si i pata renditur. Ua ngul sytë dhe u përgjërohem: Thuamëni një fjalë... Pranomëni mes jush... merrmë ti, o jeta ime e dikurshme, ti e bukura jetë pa derte... pranomë prapë në gjirin tënd!...

Rri e pres, rri e pres.[6]

Koncepti për tokën

Në doktrinën ushtarake diskursi për pozicionime tokësore të ushtrisë, ka një rëndësi të veçantë në relacionet agresion-mbrojtje-vetëmbrojtje; sulm-kundërsulm Mirëpo, poenta e shkrimtarit nuk përqendrohet në konceptin ushtarak të kësaj lidhshmërie. Koncepti i tij ngre diskursin letrar të tokës si objekt që mban dhe ushqen brezat, në këtë kontekst, ushtarë  të lidhur fort për truallin si kategori qenësore për mbijetesën e tyre.

Shkrimtari shqiptar Dritëro  Agolli  ngre konceptin e tij poetik për tokën në vargjet: “Për gruan dhe tokën, lë kokën

Koncepti tokë merr përmasa të gjera kuptimore, ideore-artistike-filozofike. Toka është nëna natyrë në të cilën ushtarët mund të strehoheshin nga zjarri, nga predhat, nga goditjet prej ajri, dhe është mikja besnike, sipas shkrimtarit, që do t`i merrte në gjirin e saj shpëtimtar me rënkimet e britmat, me lemerinë, plagët, gjakun, duke qenë krejtësisht bujare dhe e paepur për çfarë përplasej mbi të:

Por nga toka e nga ajri ne marrim forca për t`u mbrojtur – sidomos nga toka. Askujt nuk i vlen toka aq sa ushtarit. Kur ai ngjishet pas saj, furishëm e për një kohë të gjatë, kur rras në të fytyrën dhe gjymtyrët nga ankthi i zjarrit vrasës, atëherë ajo i është i vetmi mik, i është vëlla, i është nënë; heshtjes dhe strehës së saj ia beson tmerrin dhe britmat e tij - dhe ajo e pranon në gjirin e vet dhe lëshon sërish edhe për nja dhjetë sekonda zvarritje dhe jetë, për ta pushtuar përsëri, nganjëherë përgjithmonë.”[7]

Toka është fillimi dhe fundi i metaforës ekzistenciale dhe artistike të kësaj proze me tipare, ngjizje e vërtetësi,  pothuajse, dokumentare, megjithatë kjo prozë nuk është një roman historik.

Depërtimi në karaktere

Paul Bojmeri, Katçinski, Albert Kropi, Myleri, Tjadeni, Haie Vesthuzi, Leri, Deteringu, Kantoreku, Himelshtosi, Jozef Bemi, etj. Secila nga këto figura kishte dramën e botës së vet shpirtërore, këndvështrimet dhe gjakimet brenda një rrethi dramatik, ku vdekja dhe jeta shkëmbeheshin me njëra-tjetrën fare lehtë dhe para syve të tyre.

Para syve dhe veshëve të tyre gjëmonte artileria e topave, e shkrepjes së të gjitha armëve të artilerive, e fluturimeve të aeroplanëve bombardues e vëzhgues, e pamjeve trishtuese në llogoret e luftës.

Paul Bojmeri është personazhi gjithëpërfshirës, rrëfimtari dhe përshkruesi i skenave të tendosura dhe menopauzave të pakta, rrëfimi i tij zbutej me mozaikë gjakimesh lirike, vrojtimesh e gjykimesh, përvojash për tërë këtë katrahurë të vrazhdë... Ai i shihte dhe ndjente të gjitha përjetimet e bashkë-personazheve, dhe shtjellonte të gjitha llojet e kërkesave, nga më të ulëtat, krejtësisht personale deri te idetë për absurdin e “brezit të humbur” Bojmeri është truri i padukshëm i të gjitha fijeve të shtjellimit të romanit, i identifikuar në bëmat e personazheve tjerë, të dukshëm e sprovues.

Paul Bojmeri është identifikim i rrëfimtarit që i spikat karakteret, cilësitë, shkathtësitë, veçantitë dhe mundësitë e pamundësitë e personazheve, që janë bartës të strukturës rrëfimtare dhe ideore të romanit.

Çfarë e karakterizon, sipas rrëfimtarit, Katçinskin? Paragrafi në vijim paraqet kuadrin e një ushtaraku me shkathtësi dhe përvojë të çmuar, me zotësi të pazëvendësueshme në llogoret e ballit të luftës:

Për ne Katçinski është i pazëvendësueshëm, sepse ka një shqisë të gjashtë. Të tillë njerëz gjenden kudo, por askush s`i bie në të qysh në fillim kësaj pune. Çdo kompani ka një apo dy të tillë. Por Katçinski është më qerratai nga të gjithë. Më duket se nga zanati është këpucar, por kjo s`ka pikë rëndësie, sepse ai merr erë nga çdo lloj zanati. Është gjë e mirë ta kesh shok.[8]

Karaktere të këtillë, si Stanislaus Katçinski, i shqiptuar me përkëdheli Kati, janë pika referuese ku mbështetet gjeturi e njeriut praktik; i kushtëzuar të luhatej dhe t`i dorëzohej lehtë fatit, zhgënjimit dhe dëshpërimit të rrethanave, të cilave nuk iu dihej fundi. Kati përfaqëson baraspeshën e arsyes dhe të qëllimit të njeriut, depërtues e me intuitë të hollë nuhatëse të situatave, të cilat ai përpiqej dhe i kthente prore në favorin e vet dhe të shoqërisë. Si i tillë ishte i vlefshëm për ushtarët e papërvojë dhe për rrethanat e luftës ballore.

Kati po të përkufizohej si një figurë artistike, simbolizon maturinë dhe qëndrueshmërinë. Këto vija të karakterit të Katit janë në funksion të forcimit të moralit te brezat e ushtarëve të rinj, të cilët doemos duhej të kishin një model të tillë simpatik e praktik.

Rrëfimtari, që në fillim të shtjellimit të romanit, jep letërnjoftimin e një brezi shkollarësh të rinj; të veçantat dhe të përbashkëtat e këtyre shokëve në rrethanat e jetës pa luftë, për t`i futur fare të rinj në rrethana krejt tjera, duke sprovuar shpirtin e tyre të njomë midis djalërisë së paqes dhe pjekurisë së parakohshme në përballje lufte, me pengun e pa përmbushur të moshës e brezit, që me gjithë meritat ëmbëlsia e jetës tyre mbetej një ëndërr e pakthyeshme. Copëzat e ëndrrave djaloshare vijonin të përtypeshin në çdo çast, kur u lihej hapësira e kalërimit të tyre në fragmentet e imagjinatës. Kredhja në imagjinatë ishte fatale, ngase i zhbënin  predhat, por dhe “shpëtimtare”,  sepse  për disa çaste, i shkëpusnin nga kthetrat e ankthit. Këtu, në këtë log jeta matej me çaste!

Albert Kropi, Myleri dhe Leri paraqiten në situata të kontrasteve të jetës: mes andrallave rinore dhe realitetit të barakave, secili prej tyre me govatat e veta, duke u rreshtuar përpara kazanit të gjellës, që ua guduliste hundët... Shkurtalaqi Albert Kropi cilësohej si më mendjemprehti; ndërsa Myleri ende vazhdonte të mbante me vete libra shkolle dhe ëndërronte të vijonte studimet me korrespodencë. Leri mbante mjekër dhe lakmonte vajzat e bordeleve të oficerëve, karakterizohej si një qejfli dhe tundues. Himelshtosi i përket sojit të tipit shpirt- ngushtë. Vogëlsia e tij e shpinte  drejt  synimit për tu shndërruar në diktator, por nuk i kishte predispozitat, as mençurinë, pos thonjve kur i jepej çasti për të grithur në emër të komandimit.

Rrëfimtari në romanin “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” arrin të depërtojë dhe në skutat e fshehta të intimes së këtyre ushtarëve të njomë, të cilët po piqeshin nën breshërinë e artilerisë së luftës.

Radhës së personazheve të lartpërmendur u shkojnë dhe moshatarët tjerë si: Tjadeni, Haie Vesthuzi. Personazhi tjetër Deteringu karakterizohej si “një fshatar, që e ka mendjen vetëm te toka e te gruaja e vet”. Mozaikun e personazheve të romanit e përmbushin pos Himelshtosit të urryer,  dhe  Kantoreku e të pafatët:  Jozef Bemi dhe  Kamerihu.

Njomështia e personazheve

Diskursi artistik i shkrimtarit Remarque pikturon portrete, të  një bote krejtësisht të njomë  personazhesh, të mobilizuar për llahtarinë e quajtur luftë. Gjithë këta personazhe janë bartës të kësaj llahtarie, përderisa ende nuk e kishin shijuar jetën e tyre të (a)dhuruar, dhe tashmë kishin hyrë në një botë krejt tjetër, që varej nga një logjikë komanduese, e cila e kishte përjashtuar botën e ëndrrave rinore, konceptet e buta e të lulëzuara për jetën, për kënaqësinë e shijeve dhe të ngjyrave të saj. Ndaj, në njërin nga paragrafët e romanit, kjo kategori personazhesh jetën e tyre e panë si diçka që “është prerë si me gërshërë”:

Qëkur ndodhemi këtu, jeta jonë e mëparshme është prerë si me gërshërë, kurse ne s`kemi gisht fare në këtë punë. Nganjëherë përpiqemi ta analizojmë këtë gjë e të gjejmë ndonjë shpjegim, por e shohim që është mundim i kotë. Pikërisht për ne, njëzetvjeçarët, gjithçka është tepër e paqartë- për Kropin, për Mylerin, për Lerin, për mua, për të gjithë ne, të cilët Kantoreku na cilëson si rini e hekurt.[9]

Kjo mendësi e personazheve është diçka e përcaktuar nga të  tjerët, në emër të mbrojtjes së vlerave të atdheut, të cilat i kishin menduar ndryshe, dhe tashti iu dolën krejtësisht tjera, ngase për ta kryer detyrimin atdhetar dhe për ta fituar pavdekësinë e heroit, josheshin me një lloj demagogjie, që s`do mend ngrihej deri në shkallën e së madhërishmes, por ishte krejtësisht spekulative:

Detyrën ndaj atdheut ne e patëm përfytyruar ndryshe, kurse tani po e shihnim se, për t`u bërë heronj, po na stërvitnin si kuaj cirku. Por shumë shpejt u mësuam edhe me këto gjëra. Bile e kuptuam se një pjesë e tyre ishte e domosdoshme, kurse pjesa tjetër – krejt e tepërt. Ushtari ka një nuhatje të zhvilluar për këso punësh.[10]

Qasje përmbyllëse

Stili

Pamjet e atmosferës, të shqetësimit e trazimit shpirtëror puqen me botën e brendshme dhe të jashtme, insertet e parafytyrimeve të mozaikëve me pleksje të dendura përshkruese, emocionale, ideore. Të gjithë këta përbërës e karakterizojnë stilin e këtij rrëfimtari tejet të shkathtë. Stili i tij ngjall rrëqethje, përplot me copëza të shkëputura fragmentesh që ndërtojnë tërësi, kronologji paraqitjeje dokumentare e  poetike njëkohësisht, dhe grishin që realiteti të na kaplojë, të na fusë në shtjellën e vet, të ndihemi dhe të përjetojmë çastet e përjetësuara, ngjarjet, bëmat, shestimet, prore me shpresën e pakëputur, edhe kur këputen gjymtyrët e ndonjërit nga shokët ushtarë, krejtësisht pranë...

Stili dëshmon për saktësi e autoktoni brilante të mjediseve, të pamjeve e përfytyrimeve, të shquarjes së karaktereve e të portretizimit, të shkathtësisë, qartësisë dhe të prirjes për depërtime në dukuritë specifike të bëmave, të kontrasteve, të gjetjes së figurave për gjuhën e mjeteve tipizuese e përgjithësuese, për ngjyrat ironike e tingujt satirik. Ky stil është i kapshëm   për secilën shtresë lexuesish, ndaj si i këtillë mund të hyjë e të kapë edhe fijet më të holla të kumtit e dëftimit të galopit tipik, përpjekjesh për mbijetesë të  njeriut...

Cila është domosdoja  e kësaj  ngrehine  shkrimore të shkrimtarit? Shkrimtari kërkoi shtegun e ndërgjegjes:  të strehojë  dhe shpëtojë njeriun nga gjysma e tij e çmendur!

Reflektimi aktual

Pas, pothuaj se, tetëdhjetë e tetë vitesh të daljes së romanit “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”,  në botën bashkëkohore  ende nuk  u shua mendësia  ushtarake, as agresionet e elitave agresive mbi popuj, mbi toka resursesh, burimesh të ndryshme e ujërash. Lakmia pushtuese me mjetet më shkatërrimtare vijon kalërimin, që nis të shfaqet si agresion lokal,  dhe  në këtë botë të ndërvarur shpejt  mund të kaplojë përmasa globale e apokaliptike, duke përfshirë  cilindo kënd të botës.

Ideja  e llahtarisë së  romanit vjen në bashkëkohësinë tonë me tërë bagazhin e vjetër të luftës, qoftë si përmbajtje klasike, qoftë si formë  ose përmasë gjithëpërfshirëse...Vërtetësia e ngjarjeve është burimore, ngase shkrimtari është autentik, i drejtpërdrejtë, nga vendburimi i ngjarjeve, ku piu djersën dhe kundërmimin e gjakut për mungesë të ujit të kontaminuar. Në këtë vijimësi  njerëzore gjithçka  duket e vjetruar, vetëm teknologjia ushtarake e asgjësimit është e re, ndërsa urtësia dhe filozofia e saj një anakronizëm  banal!

Me të gjitha këto, për habi, romani “Asgjë të  re nga Fronti i Perëndimit” përjetoi indiferencën ndikuese. Ambiciet e sëmura për luftëra nuk u shuan...

Shkrimtari i përmasës së Erich Maria Remarque, Ismail Kadare, përkitazi këtij diskursi kishte nënvizuar konstatimin:

Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” ishte një paralajmërim në kohën e duhur. Në qoftë se nuk hyri sa duhej në punë në kohën e vet, ai e ruan vlerën e tij për aq kohë sa në botë do të ketë kërcënim, agresorë, ethe dhune dhe barbari. Një letërsi e tërë, një opinion i tërë botëror, përparimtar u kundërvihet gjithmonë forcave agresive kudo në botë.[11]

Vlera e përkthimit

Romani “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, për fatin tonë kulturor kishte pasur tri botime, ndonëse jo të plota, në Shqipëri, kështu pohoi përkthyesi i respektuar i këtij romani Robert Shvarc. Libri si i tillë, gjithnjë sipas Shvarc-it, pati jehonën e tij, si në të gjithë botën,  dhe në Shqipëri, qoftë si vlerë e shkruar ose si film artistik.

Në realitetin shqiptar, të Shqipërisë mes dy luftërash botërore, me rreth 80 për qind analfabetë, si dhe me numër të pakët intelektualësh, nuk kishte mundësi, që ky roman të depërtonte tek shtresat e gjera shqiptare, kur shqipja shkruhej dhe flitej në dy dialekte, ndërsa  përkthyesit  pothuaj se mungonin. Megjithatë, libri i Remarque u trajtua në shqip nga  tre përkthyes shqiptarë: Qani Panariti, Dhimitër Falla dhe Shaban Balla.

Robert Shvarc-i me dinjitet dhe denjësi, vazhdoi lëvrimin dhe zgjerimin e hullive të Nolit në  fushën e përkthimit, duke pasuruar, begatuar e fisnikëruar shqipen me margaritarë vlerash botërore-artistike.

Prandaj, ky është një shërbim i çmuar i Robert Shfarc-it për kulturën dhe artin e shqip-shkrimit e shqip-leximit. Si i këtillë, Shfarc  për përfaqësimin e vlerave botërore mjedisit lexues shqiptar, do të mbetet  prore i denjë për respekt!

Literatura

Erih Maria Remark: “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”; botim i tretë; përkthyer nga Robert Shvarc Horizonti, Tiranë 1999;

Ardian Marashi, Jorgji Doksani, Luan Canaj: “LETËRSIA BOTËRORE”; Libri shkollor; Prishtinë, 2000;

From Wikipedia, the free encyclopedia: https://en.wikipedia.org/wiki/Erich_Maria_Remarque


[1] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 94

[2] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 107

[3] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 127-128

[4] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 43

[5] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 112

[6] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 154

[7] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 54

[8] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, Tiranë, 1999; faqe 39-40

[9] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit, Tiranë, 1999; faqe 25

[10] Erich Maria Remarque, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit, Tiranë, 1999; faqe 28

[11] Parathënie, Ismail Kadare; “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, faqe 6



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: