Ndue Dedaj: Katedralja e re Nënë Tereza e Prishtinës
| E Premte, 08.09.2017, 09:22 PM |

KATEDRALJA E RE “NËNË TEREZA” E PRISHTINËS

NGA NDUE DEDAJ

Prishtina iu shtohet qyteteve të tjera shqiptare me katedrale, si Tirana, Shkodra, Tivari, Durrësi, Lezha, Rrësheni dhe kjo është një ngjarje për Kosovën. Është në muret e saj dhe historia e vjetër që nuk është shuar, paçka gërmadhave të kohëve deri te ato të krijuara nga ateizmi komunist jugosllav. Kryeqyteti i Dardanisë për të paktën pesë shekuj ka patur kishën e vet katolike apostolike, ku kanë shërbyer misionarë të fesë dhe atdhetarisë, ndër të cilët dhe shkrimtari i sibilave e Çetës së Profetëve Pjetër Bogdani. Kisha ka qenë e vendosur në qendër të Prishtinës dhe ndërtimi i saj pati përfunduar në motin e largët 1505, kur sapo kishte hyrë shekulli XVI. Sot qarkullon vetëm fotografia e kësaj kishe historike, pasi godina qe prishur në fillim të viteve’50 të shekullit të kaluar, për t’u ndërtuar në trollin e saj një bllok banesash, jo larg nga vendit ku është ngritur kisha e re katedrale.

Por lajmet kishtare nga toka e lashtë dardane vijnë e bëhen dhe më interesante vitet fundit. Arkeologët që vazhdojnë gërmimet në zonën arkeologjike të Ulpianës mendojnë se kisha e parë në botë i përket pikërisht Kosovës, çka e bën unike panoramën e zhvillimeve historike, kulturore e religjioze në këtë rajon ballkanik. Faltorja u kushtohej shenjtorëve të parë të njerëzimit Flori dhe Lauri, që shquheshin në artin e ndërtimtarisë si “gurëskalitës” të arkitekturës së antikitetit. Duke medituar rreth këtyre, patem kënaqësinë të ndiqnim shugurimin e katedrales së Prishtinës së bashku me miq tanë nga Tirana. Njerëzit që kishin ardhur për këtë rast bënin një kalim dhe te shtatorja e Nënë Terezës në njërin nga parqet e qytetit, po ashtu dhe të shtatorja e njeriut simbol të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili bekoi gurin e parë të ndërtimit të katedrales 12 vite në parë, së bashku me ipeshkvin e paharruar të Kosovës, Imzot Mark Sopin, të cilët nuk do të arrinin t’i gëzoheshin dhe shugurimit. Të dy ata u ndanë nga jeta në vitin 2006, duke lënë pas një vepër të shkëlqyer humane e qytetare, i pari në politikë dhe shtetbërjen e Kosovës, i dyti në çështjet e kulturës dhe besimit.

Vitet kalojnë shpejt dhe figurat e shquara shqiptare bëjnë kalendarin e tyre dhe pasi nuk janë më. Aq më tepër një figurë e rrallë planetare si Nënë Tereza. Ngjarja e fundit e saj është kjo katedrale madhështore në zemër të Prishtinës, në njëzet vjetorin e shuarjes së murgeshës mitike. Por vetëm një vit më parë ajo është shpallur shenjtore nga Vatikani, duke qenë shenjtëresha më e re e botës. Bija e pavdekshme e dashurisë, misionarja e madhe e Kalkutës, nobelistja e Paqes, nëna e të gjitha kohërave, gruaja me shtatoren e fisme anë e mbanë botës, tashmë ka dhe katedralen e saj, që është e qytetarëve të Prishtinës që dinë të nderojnë kultet dhe të çmojnë besimet e ndryshme të një komuniteti.

Për bekimin e katedrales së Prishtinës ishte caktuar nga Selia e Shenjtë Imzot Ernest Troshani, kardinali 90-vjeçar, që u bë i njohur për publikun gjatë dhënies së një dëshmie martirizimi të kishës katolike shqiptare, në katedralen e  Shën Palit Tiranë, para Papa Françeskut, kur kreu i Selisë së Shenjtë vizitoi Shqipërinë në shtator 2014. Kardinali i moshuar nuk u ndje aspak i lodhur gjatë tre orëve të ceremonisë shuguruese në katedrale në prani të besimtarëve të Kosovës dhe udhëheqësve të saj, klerit të shumtë të ardhur nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia etj. I zoti i shtëpisë, ipeshkvi i vendit, Imzot Dodë Gjergji shprehu falenderimet e tij për të pranishmit dhe veçanarisht për kardinal Troshanin, si një nga etërit e persekutuar të kishës së këtyre trojeve, që nuk e pati ndërprerë lutjen e meshën as në kohën e komunizmit. Ai kishte qenë arrestuar pikërisht se kishte thënë një meshë heretike në vitin 1962 për Presidentin e vrarë të Amerikës, Xhon Kenedi. Është rast i lumë ky për këtë meshtar të vjetër që të bekojë 12 kryqet e shenjta vendosur mbi 12 kollonat që mbajnë katedralen nga themelet, duke simbolizuar 12 apostujt.

Për katedralen të gjithë kanë kujtimet dhe kontributet e tyre. Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kujton vitin 1999, kur fill pas Luftës në bashkëbisedim me përfaqësues të komunitetit katolik shqiptar në Amerikë u hodh ideja e ndërtimit të katedralës së Prishtinës, që sot është një realitet. Në fjalën e tij përshëndetëse ai vuri në dukje se për shekuj të tërë myslimanë e katolikë kanë vizituar tempujt e njëri - tjetrit, teqetë dhe kishat në zë, për të gjetur shërim nga sëmundjet e ndryshme, për t’u falur e lutur për ditë të bekuara, pa varfëri, luftëra, hasmëri e brenga të tjera sociale. Ky është një thesar i trashëgimisë sonë në fushën e besimeve (ajo që shqiptohet gjithandej si “toleranca fetare e shqiptarëve”), çka me siguri nuk do ta zbehë ndonjë episod i shkëputur xhihadist individësh nga Kosova.

Pardje, me 5 shtator, Prishtina ishte festive. Ndjeheshe mirë në shëtitoret, parqet, tempujt dhe para monumenteve të saj, shumica e tyre të dy dhjetëvjeçarëve të fundit. 12 vite ka zgjatur ndërtimi i katedrales “Nënë Tereza”, por ky numër në këtë rast nuk është “biblik”, janë burimet financiare që lypin objekte të tilla të mëdha për nga përmasat dhe me arkitekturë të veçantë, për çka ende nuk janë hequr skelat...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: