Shefik Shkodra: Solidariteti për shkollën para luftës
| E Enjte, 07.09.2017, 07:00 PM |

Retrospektivë

SOLIDARITETI NË PËRGJITHËSI DHE PËR SHKOLLËN TONË NË VEÇANTI PARA LUFTËS

(Asnjëherë nuk ka munguar nëpër kohë solidariteti ndër shqiptarë, sidomos kur fatkeqësia ishte e  përbashkët)

NGA SHEFIK SHKODRA

Nostalgji është nga kjo skutë e moshës, të përcjellësh ritmin në ngarendjen e fëmijëve dhe të rinjve për në klasa të fillimit të vitit të ri shkollor. Ishte dhe është lumë i gjatë i tyre, me gumëzhimë e të qeshur. Rrugët janë të ngushta për kalimin e rendeve të tyre. Krejt kjo, të kthen pas, për ta rikujtuar të dashurinë dhe atë të hidhurën në veprimtarinë e arsimit, sidomos në ato kushte të jashtëzakonshme dikur, por gjithnjë me respekt. Nisi nga vitet e tetëdhjeta, kur pas të nëntëdhjetave, të gjitha institucionet në Kosovë u suspenduan nga Serbia. Shqiptarët në Kosovë vijuan punën e tyre paralel me institucionet e veta. E gjithë Qeveria e përkohshme ishte e angazhuar në shërbimet e qytetarëve të këtij vendi. Veprimtaria shqiptare ishte përballë të keqes shumë rezistuese; ishin aktiv në mese të ndryshme qytetarët për një ringjallje e për një të ardhme tjetër. Kultura me seksionet e veta improvizohej në çdo kënd nga rinia dhe intelektualët, me sponzorizime nga kamësit vendorë. U formuan degët e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, në qendra komunale dhe me nëndegët në fshatra më të largëta të vendit. Gjithnjë duke intervenuar për nevojat elementare të popullatës. Solidariteti nuk mungoi nga të gjithë ata që i patën mundësitë materiale dhe financiare. Në këtë drejtim u shqua edhe diaspora, mësa më kujtohet, ajo ishte  kontribut dhënësja më e madhe nga e gjithë Europa dhe vendet tjera. Sidomos në mjete financiare nga djersa e punës së tyre.  Në këtë mënyrë edhe shkollimi ishte organizuar nga forcat e vetë shqiptarëve. Arsimi ishte dega primare e shoqërisë kosovare që, nuk do të duhej të pushonte e as të dorëzohej, që nga klasa e parë e fillores e deri te universiteti. Për këtë u solidarizuan qytetarët e vendit, ata që patën mundësinë i liruan shtëpitë për shkolla, për ato të mesmet dhe për universitetin. Kështu, për katër pesë shkolla të Gjilanit u liruan disa ndërtesa për vijimin e mësimit të nxënësve tanë. Kush prej tyre edhe në ndërtesat shkollore të fillores, të shumtën me tri ndërrime.

Ishte domosdoshmëri një shkollë e mjekësisë për regjionin e Anamoravës

Si shkollë profesionale, e domosdoshme sepse, në një vend mund të koncentroheshin edhe pjesa juglindore, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si në këtë rast në Gjilan. Që nga vitet e shtatëdhjeta, disa paralele të mjekësisë ishin nën drejtorinë e Qendrës Shkollore Teknike, më vonë disa të tjera, nën atë të Gjimnazit. Në shtator të vitit 1994, nga një Këshill iniciues, Kuvendi Komunal në Gjilan e aprovoi kërkesën për themelimin e një Shkolle të Mesme të  Mjekësisë. Në këtë vit (1994), pra u themelua shkollë në vete, me emërtimin “Dr. Asllan Elezi”, drejtor i së cilës u zgjodh prof. Ruzhdi Ismajli (i ndjerë), dhe u kompletua kuadri mësimorë, por pa lokal të vetin deri në këto ditë. Më parë, kjo shkollë, është detyrua të punojë nëpër lokale të ndryshme, po thuaj ambulant për çdo vit. Nëpër lokalet e shkollave fillore “Abaz Ajeti”,  “Selami Hallaqi”, në atë  “Musa Zajmi”, (këtu për disa vite), pas lufte në Gjimnazin “Z. Hajdini”, në Shkollën Bujqësore “Arbëria”, etj. Kjo shkollë kishte zgjedhur nxënësit më të mirë, me sukses të shkëlqyeshëm. Edhe një pjesë e mirë e mësimdhënësve ishin solidë, të cilët ishin gjithnjë të përgatitur në punën e tyre pa vonesë. Shkolla kishte një kohë edhe paralele të shpërndara në Kamenicë e Viti. Lokalet për paralelet në Kamenicë ishin në Shkollën fillore në Koretin, ato të Vitisë në Pozharan. Udhëtimi i mësimdhënësve bëhej në këto dy punkte me para të veta. Të organizuar në mes veti, ndonjëri prej mësimdhënësve që kishte veturë, i takonte dy-tre arsimtarë dhe i barte në mënyrë kolegjiale. Kështu do të vepronte Nazim Hajdari, Avdulla Elezi, e ndonjë tjetër. Kurrfarë të ardhurash për mësimdhënësit...Disa muaj është punuar fare pa paga. Herë pas here, nga 20, apo 50 DM.  Po e përmend m këtë rast, e gjithashtu si dëshmitar i kohës, mendoj se, qeveria e atëhershme në mërgim u ka borxh mjaft mësimdhënësve të po asaj kohe...!

Solidariteti duhet të shihej praktikisht

(Pak fjalë mund të themi me këtë rast për vlerën e veprimtarisë solidare, si të Nazim Hajdari në ditë të vështira të asaj periudhe kohore)

Një shoqëri me tendencë shtetformimi nuk mbahet me përralla e fjalë. Ideja duhet të materializohet. Po u tha se, qëllimi jonë ishte më i rëndësishëm, se sa frika nga kërcënimi i mësimdhënësve me jetë nga Serbia dhe në anën tjetër, kërcënimi për bukën e gojës, mendoj për mësimdhënësit, të cilët nuk kishin për familjet e tyre. Ata ishin gjithnjë nën presionin e çështjes sociale, krahas rrezikut nga policia serbe. Kishte prej tyre, disa nuk kishin rroba të reja, të mjaftueshme, të pastra. Vijonin punën me këpucë të shkoqura, si të “Lulit” etj. Por, punonin me vullnet dhe pa fjalë.  Solidariteti është kategori humane. Është mbrojtje e shpëtim material, por edhe shpirtëror. Është vullnet dhe kurajo, për të gjithë atë pjesë që humb shpresën, për qëndresë para elementeve të rrezikshme dhe kanosjes fizike. Është nxitje dhe fuqizim i tërë hovit të një klase të mbetur pas dore. Kështu ishte me arsimin në gjithë Kosovën. Por, ndodhej edhe ndihma e pakursyer e njerëzve, të cilët kishin pak mundësi e kushte më të mira. Është ndjeshmëri shpirtërore ndihma materiale për të tjerët...Donatorët nuk ishin të rrallë në ato kohë, qoftë nga qytetarët, por edhe në mes veti, mësimdhënësit, ata që ndodheshin në pozitë më të mirë ekonomike se të tjerët.

Njëri prej atyre që ishte ndër solidarët më të njohur, në mesin e mësimdhënësve, ishte Nazim Hajdari, farmacist në këtë shkollë. Edhe fjala e mirë në raste të caktuara është një shprehje solidare. Ishte i përpiktë Nazimi në punë që në fillimin e kësaj shkolle. I afërt kurdoherë me nxënësit. Pa komplekse edhe me kolegët rreth vetes. Ai përpiqej që t’u jepte “zemër” të tjerëve. Angazhohej për një atmosferë të harmonishme, komike e me humor. Lente të besojë njeriun se, ai ishte një shpirt humanitari e bujari me traditë shekullore shqiptare. Shpeshherë i kishte ndihmuar mësimdhënësit, të cilët ndodheshin në nevojë. Në një rast, tregojnë, kur në njërën prej komunave me paralelet e kësaj shkolle, e takon njërin prej mësimdhënësve, në bisedë rasti preket, nxjerr nga xhepi aq sa kishte dhe ia dhuron këtij mësimdhënësi, për të cilin thuhej se, ishte në pozitë shumë të vështirë “idareje” familjare. Nazimi, jo veç individëve, por edhe drejtorisë së kësaj shkolle, (SHMM “Dr. Asllan Elezi”), shpeshherë ia mbuloi shpenzimet e rastit, si për ditë të shkollës, apo ndonjë manifestim tjetër gazmendi. Ndonjë ndihmë për nxënës që ishin më të varfër, etj. Shkurt, Nazimi, që kur Ministria e Arsimit të atëhershme kishte filluar të jepte pagat mujore (shumë të ulëta), nuk i mori për vete asnjë nga këto, por në prani të një komisioni, që të gjitha ia la shkollës për nevojat e saj. Farmacisti këtë e vazhdoi deri pas luftës. Do të thotë, ai nuk deshi shpërblim me pagë për punën që bënte në këtë shkollë, gjatë kësaj periudhe të suspenduar tërësisht për shqiptarët e Kosovës. Mundësia e tij, por edhe bujaria e dhuntia e shprehur për të tjerët, me ndjeshmëri të veçantë, e bëri që të tregojë zemërgjerësinë e tij prej humanisti. Dhe kjo ishte lufta e tij për pavarësi si e shumë solidarëve të tjerë të shqiptarëve në Kosovë dhe  diasporë. Pra, pagat e tij nga Ministria e Arsimit e Qeverisë së përkohshme, ishin në shërbim të kësaj shkolle deri në përfundimin e luftës në Kosovë, atëherë kur filloi të funksionojë administrata e KB.

Gjithsesi, ne duhet të krenohemi me këtë traditë, të përcjellë deri në këtë shekull prej njerëzve tanë. Pra, i jemi mirënjohës Nazimit dhe sa e sa të tjerëve në mese të Kosovës dhe diasporës! Atëherë, kur gjendja ishte tejet e vështirë në të gjithë lëmenjtë e jetës shoqërore e kryesisht çështja sociale. Pa ndihmën e këtyre njerëzve Kosova nuk do të mundej të çlirohej e të pavarësohej.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: