Pierre-Pandeli Simsia: VIP!
| E Merkure, 06.09.2017, 08:00 PM |

VIP

(Very Important Person)

Njeri shumë i rëndësishëm.

Nga Pierre-Pandeli Simsia

VIP! VIP! Sa shumë VIP-a ka në Shqipëri!

Shqipëria duhet të jetë i vetmi vend që "prodhon" VIP-a me shumicë.

Ulesh pranë kompjuterit për të mësuar të rejat e ditës nga vendi ynë, por ç'të lexosh, faqe të ndryshme gazetash janë të mbushura me ngjarjet e rëndësishme të VIP-ave shqiptarë: Martesa VIP-ash, divorce VIP-ash, të dashura të reja VIP-ash, ku i kaluan pushimet e verës VIP-at shqiptarë, etj etj.

VIP-at janë të shumllojshëm: Këngëtarë, humoristë, rreperë, tallavaistë, balerinë, ...

Për këngëtarët VIP nëse është tërheqës apo jo; për ata vetë, e rëndësishme është se kanë fituar statusin VIP, paçka se zëri i tyre dhe mënyra e të kënduarit, janë shumë larg me të qënurit, këngëtar.

Mjaftojnë të tregojnë lakuriqësinë e trupave të tyre, format dhe linjat të ndryshuar nëpërmjet silikoneve, kozmetikën e fytyrës së tyre me injeksione, ata kanë "fituar" statusin VIP.

Mjafton të dalin në skena të ndryshme të këndojnë tallavatë e deformuara, të vjedhura, të imitojnë kafshë dhe shpendë të ndryshme, të tallen dhimbshëm dhe padrejtësisht duke imituar ata njerëz që vetë fati i keq i ka dënuar me të metat e tyre në të folur a në të ecur, në emër të të bërit humor, ata kanë fituar statusin, VIP.

Dhe ata lloj VIP-ash shqiptarë nuk kanë të numëruar, ashtu siç nuk kanë as edhe të mbaruar.

Shqipëria është vend prodhimtar VIP-ash.

Dhe, si të tillë që janë ata VIP-a, tërheqin vëmendjen e një pjese të mirë të publikut, madje edhe deri në instancat më të lartë të shtetit shiptar për t'u dhuruar kënaqësi, humor, duartrokitje.

Këtyre lloj VIP-ash të rëndësishëm, u jepet e drejta të organizojnë edhe ceremoni të ndryshme gëzimi personale dhe familjare edhe në institucionet e rëndësishme shqiptare, në sallat e muzeve të ndryshme, në sallat e kalave të lashta shqiptare, në pallatet princërore, në..., në....

Të na rrojnë VIP-at.

Por, Shqipëria është "prodhimtare" gjithashtu edhe të atyre lloj "VIP"-ash krejt të ndryshëm nga VIP-at e mësipërm.

VIP-a fatkeqë!

Janë ata fëmijë, djem e vajza të bukur, të urritur, të paveshur, të pambathur pa këpucë, ata, që bukurinë e kanë në shpirtin dhe në pamjen e tyre, ata, që nuk kanë nevojë të përdorin injeksione për fryrje buzësh apo silikone për të zbukuruar dhe për të ndryshuar pjesë të ndryshme të linjave të trupit të tyre.

Janë ata fëmijë, familje fatkeqe që jetojnë në skamje, në mjerim, në një varfëri migjeniane, ata VIP-a nga të cilët duhet ti hedhin sytë deri edhe instancat më të larta përfaqësuesit e shtetit shqiptar.

Sa shumë e dëshirojnë edhe ata vetë, VIP-at fatkeqë të urritur, që mezi presin edhe ata që të vijë një ditë, që ndonjë president, kryeministër, ministër, deputet, të kujtohen për ta, t'u dhimbsen, të shkojnë në shtëpitë e tyre e ti vizitojnë nga afër. Jo të shkojnë për të kërcyer, për të vallëzuar, për të kënduar, për të ngrënë e për të pirë verëra të llojeve të ndryshme siç shkojnë ndër VIP-at artista, por të shkojnë e ti shikojnë kushtet në të cilët ata jetojnë. Të shkojnë e t'i pyesin: A keni bukë për të ngrënë? A keni çorape, këpucë për t'u mbathur?

Por, ata nuk do shkojnë asnjëherë tek ata VIP-a fatkeqë të urritur, sepse nuk duan t'u baltosen këpucët e tyre të blera në tregjet e Europës.

Ata nuk do shkojnë asnjëherë tek ata VIP-a fatkeqë, sepse nuk duan që veshjet e tyre të shtrenjta firmato të thithin erën e rëndë kundërmuese të mykut nga lagështia e mureve të shtëpive të tyre, nga murret e nxirrë nga tymi i druve të djegura në vatrën e tyre të ftohtë familjare. (Sado pak zjarr të ndizet në vatrat e tyre, ajo vatër mbetet përherë e ftohtë, akull, siç është akull i ftohtë ai mjerim fatal)

Ata nuk do shkojnë asnjëherë tek ata VIP-at fatkeqë, sepse nuk duan që duart e tyre të buta e të kremosura të ndyhen me ato duar të vogla të atyre fëmijëve të mirë, të bukur, fatkqeqë, barkpangopur.

Ata nuk do shkojnë asnjëherë, ndërsa fëmijët e urritur presin, presin gjithmonë me shpresën se një ditë do kujtohen për ata.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: