Tefik Selimi: Prozë me shije të hollë e të lartë artistike
| E Marte, 05.09.2017, 07:34 PM |

Një prozë e shkruar me një shije të hollë e të lartë artistike …

Nga Tefik Selimi

Pa filluar ta hartoja këtë vështrim, dy shokë, autorë, më dhanë shkas që të filloj me ta, sepse, si i pari, por ashtu edhe i dyti, më lanë përshtypjen e njerëzve të denjë e të vërtetë të artit letrar e publicistik. I pari, Hasan Emërllahu, nga Presheva, autor i monografisë “Abdullah Krashnica” ose (Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje), dhe, i  dyti, Mehmetali Rexhepi, autor i veprës “Hirësia e motit”, autor i romanit që është i shkruar më ndryshe se të tjerët, të cilët, si njëri e si tjetri, lanë mbresa të pashlyera tek autorit të këtyre radhëve. I pari, kur na dhuroi veprën, ishte data  22 mars 2017, i cili, plot gojë, tha: “Po ta dhuroj veprën, por nuk do të flas e nuk do të nderoj nëse e lexon dhe nuk ma thua të vërtën e shkrimit tim. Të mirat dhe të këqinjat mi trego, edhe në shkrimin që do ta bëni për veprën time”.

Kjo ishtë hera e parë nga një autor, i cili shprehu dëshirën që vepra e tij t’i lexohet dhe t’i thuhet e vërteta për vlerat e mira apo jo të mira. I dyti, Mehmetali Rexhepi, shkrimtar dhe studiues, gjilanas, një ditë, autorit të këtyre radhëve, i tha: “Po ta dhuroj përzemërsisht veprën në fjalë.  E dij që e lexon dhe e vlerëson. Nuk po ta japi veprën që të shkruash, ajo është dëshira e juaj, por po ua  japi veprën time që ta vlerësosh: a ia vlen të jetë në duar të lexuesve”. Këto dy “momente” më shokuan për respektin që kanë ndaj autorit të këtyre radhëve. Andaj, me ëndje pritja t’i lexoja dy veprat e këtyre autorëve.

Duke lexuar veprën më të  re esteistike apo prozaike “Hirësia e Motit” të Mehmetali Rexhepit, krijues gjilanas, sikur nga ky lexim i kësaj vepre romaneske, mu përkujtuan veprat e shkrimtarëve tanë më të mirë e më të veçantë, si janë: Mirko Gashi, Ramiz Kelmedi, Rexhep Qosja, I. Kadare, Anton Pashku, Musa Ramdani, Beqir Musliu, Lasgushi, Migjeni, Rexhep Elmazi, mandej O. Khajami, Borhesi e disa të tjetër. Pra, ky opues i larpërmendur i autorëve të shquar, lexuesin apo receptuesin e veprës e lë në dilema të brendshme se si është e mundur autori t’i qaset një forme krejtësisht tjetër të mbarështrimit letrar, ku, rrjedhën e Tij të një kohe, e ka krijuar një mozaikë romani që vërtet aty është fjala?!

Me këtë paraqitje të kësaj proze, sikur autori ka dashur t’i thejë shablonet tradicionale të të shkruarit të romanit tradicional. Këtu është poenta e autorit, i cili jo që ka  dashur ta thyejë këtë “shablon” apo “mit” krijues, por, me ardhje të reja të artit letrar, autori i është hapur rruga e tij krijuese që të hyjë punës pak më ndryshe se të tjerët, por në farkim apo në hijezim të tjerëve. Kjo paraqitje e Mehmetali Rexhepit, krijues e studiues, të lë përshtypjen e një autori që bën kthesa të dukshme në gjininë e prozën shqipe. Dhe, me këtë paraqitje, ai ka bërë kthesë të “fortë” të një kohe të sotme të letërsisë.

Autor në fjalë nuk është i panjohur për lexuesit, sepse ka një veprimtari mjaft të gjerë dhe të “pjekur” letrare artistike. Arkitektura e shkrimeve të tij është e bazës së fortë të gjuhës dhe të shprehjeve të rralla letrare. Pse jo? Këtu është shija dhe hijeshija e artit të tij. Kur e lexon veprën e autorit, sikur narracioni i të rrëfyerit të sjellë dilema, të ndalë për një çast dhe të zë frymën nga ato shprehje fjalëformuese e të rralla gjuhës sonë. Kjo është pjekuria e një intelektuali krijues, i cili, ngjarjet, të bërat dhe “zhvillimet” rreth jetës së tij rrëfehen pak më ndryshe se autorët tjerë.

Proza “Hirësia e Motit” e Mehmetali Rexhepit, është vepër shumë dimensionale, sepse autori sa flet apo rrëfen jetën e  tij të një kohe, ai aty “rrëfen” dhe shpërfaqë edhe skaje të tjera të jetës. Këtu në vepër nuk ka nihilizëm, as tjetërsim, as  ikje nga vetëvetja, por ka optimizëm e realitet të një kohe të përjetuar e të  rëndë. Pra, këtu ka ngjarje, kohë, momente, por  ka edhe vuajtje, përjetime kohe, rënkime, qëndresë gjer në pritje të një fundi të pritur të autorit dhe të tjerëve. Më fjalë të tjera, proza e autorit është një rrëfim i hollë drejt rrugës së modernitetit më aktual tek ne.

Me këtë rast, Tahir Arifi, profesor e studiues, lidhur më artin e autorit në fjalë, ka shtuar: “Shkrimet letrare, poetike, kritike e eseistike të  M. Rexhepit, nga lexuesit e njohësit me kompentencë të vlerave të letërsisë, u vlerësuan:”për origjinalitetin e shprehjes gjuhësore, shpreshje ekspresive, për ndjenjën e sinqertë e të fuqishme dhe mendimin e thellë”(f.19). Pra, krejt kjo e përfolur na jep pasqyrën e refleksionit të autorit se, shkrimi i tij letrar është “akt” sublim e burimor, dhe kjo hirësi e artit të tij buron nga një laborator i qëndrueshëm ku ka kërkesa të vërteta të shkrimit estetik, shkencor e publicistik. Duke kundruar këtë stil të autorit, sikur na shkon mendja te veprat e  autorëve të cekur më lartë, tek të  cilët, shprehja, stili, figuracioni dhe përmbajtja janë të një kahje hermetike, por në fakt, kjo është ngritja e artit tek receptuesi, autori.

Ky roman-mozaikë është i përbërë nga pesë tërësi tekstore, siç janë: Mes  parandjenjës  e  gjëmës, Përflakja e mësymjes, Metafora e liqenit dhe pengu i bukurisë, Ngadhënjimi i ëndjes dhe Vatra e fortesës prej letre, ndërsa secila tërësi e kësaj vepre është e thurur nga njësi të ndërlidhura tekstore: “Mal Brezi”, “Shtangie-shtare“ dhe “Dhimbje e bardhë (pjesa e parë tekstore); “Loja e mësymjes", “Thika” dhe “Toka është yll” (pjesa e dytë); “Margaritari i lëngshëm”, “Ikona”, “Pengu”, “Buja”dhe“Zgorret e bukurisë” (pjesa e tretë); “Lajthitja e një tundimi” dhe “Hija pa diell” (pjesa e katërt) dhe “Djegia e dorëshkrimit”, “Shija e pelinit”, “Fortesë prej Letre”, “Pirgu i errësuar”, “(Sh)krimi”, “Vogëlsia e mahnitjes" dhe “Zhgualli i parimit” (pjesa e fundit e romanit).

Prandaj, titulli i veprës prozaike “Hirësia e Motit” e autorit M. Rexhepit vjen si jehonë e tillë (e shënjuar me data e vende të ndryshme e në kohë të ndryshme, pas luftës së fundit 1999). Në roman, ngjarjet dhe rrëfimet janë të lidhura natyrshëm dhe në mënyrë organike. Nuk ka shkëputje e as kundërthënie të tjera. Këtu ka vuajtje të autorit  dhe të tjerëve në një kohë të rëndë, kur vjen shprehja Sheksperiane “Të jetosh apo t’mos jetosh”.  Njerëzit e kësaj kohe, sidomos e gjeneratës së autorit, e kanë pësuar keq. E pëson edhe Mal  Brezi, i cili torturohet në mënyrë shtazarake. Ja si e përshkruan autori: “Mes tre xhandarësh, fërkimesh të shikimeve zhbiruese, zyra përplot të tillë, me kapuçat si lugje vagjinash me koke....Hapet dera metalike me kërcllimë, shtyhet në një birucë kundërmuese, mbi spërkatje të vjellash ndotëse, në atë varr të  xhehnemit me dy metra gjerësi,  tri lartësi”(f.24,25).

Pra, këtu përshkruhet një skenë e neveritshme e maltretimit të të rinjve, të cilët, vetëm për bindje “ndryshe”, se ishin shqiptarë dhe kërkonin liri, të tjerët, i akuzonin dhe i torturonin gjer në pafundësi. Ky është vetëm një shembull i një kohe. Te kjo vepër, lexuesi përjeton dhembjet e krijuesves të një kohe, të cilët pësuan rëndë. Ky ishte Mirko Gashi, si shton autori: “Ah Mirko, Mirko! Miku im i dhimbjes dhe i filozofi dhe i metamorfozës së ujit!” Autori është i ndikuar nga vargjet e dhimbjes krenare të Migjenit apo të krijuesve tjerë. Ja si shton: “Sikur të isha një copë akulli i gjallë, i shkëputur nga poli i veriut, që në çdo çast do të rrokullisej, duke u shndërruar në ortek përbindësh!”(f.43).

Tek Migjeni shpërfaqet kjo revoltë të njeriut të asaj kohe. Kështu, proza e autorit M. Rexhepit ka shije, gjak, estetikë krijuese dhe  është një lloj kritike apo ndërtim tjetër të të bërit eseistikë. Shkrimtari i kësaj proze të gjatë po reflekton kah një rrugë e krijimtarisë letrare e trajtuar dhe e shkruar pak me ndryshe se të tjerët. Këtu autori mediton, filozofon, por edhe hudhet me djesi përtej asaj që mund të  kapet apo përjetohet. Këto “sende” i bën vetëm arti që posedon autori, i cili, nga kjo paraqitje e tij me këtë  roman modern, sikur po lë gjurmë të thella tek shkrimet e brezave që po vijnë. Dihet, ky “rrëfim” i krijuesit është një thellësi e përjetimit jetësor, i cili përjetim është më vlues dhe më dramatik se tek të tjerët.

Ai, në një rast, shton: “Vetëm vrasja a vetëvrasja do ta kishte rehatuar”(f.37). Kjo paratitje e tij nuk do koment. Kur njeriu gjendet në këto situata “Të jetosh apo jo?!”, vjen në shprehje jeta, vuajtjet, torturat dhe dëshkimet nga “të paftuarit”, të cilët bënë veprime çnjerëzore, për të mos thënë se ia tejkalojnë edhe botës se egër. Tek kjo vepër, personazh është vetë autori. Ai aty e evokon të kaluarën e tij të hidhur. Duke i përkujtuar këto vuajtjte, sikur nuk i lë edhe vuajtjet e shokëve të  tij, të cilët u përballën me këtë kohë pa kohë.

Prandaj, të tilla vepra, si kjo e Mehmetali Rexhepit, të përkujtojnë ngjarjet e  romanit “Vdekja më vjen prëj syve të tillë” apo veprën e Gëthes, “Vuajtjet e  Verterit të Ri. Këto dilema të autorit nuk hiqen lehtë, për faktin se janë dhembje dhe vuajtje të rënda përjetuese shpirtërore.

Vepra si e tillë frymon me një “dozë” të poetikës postmoderne letrare. Lexuesi i veprës “takohet” me çastet dramatike të autorit, të cilat momente janë të një kohe të historisë sonë më të re. Këtu autori bënë kthesa në të hartuarit e veprës, sepse, me veprën në fjalë, autori  ka “prekur” nyjet e aktualitetit dhe të kthesës së madhe të këtij moti, nga koha e eksodit e deri te liria dhe kthimi i qenies njeri. Me veprën në fjalë, autori ka hyrë në kërkim të vetëflijimit, e në këtë rast në kërkim të sublimes së qenies dhe qenësisë sonë, si tërësi e si etnos.

Në fund do të shtojmë se, Mehmetali Rexhepi, zotëron një prirje të jashtëzakonshme në krijimin e tekstit modern e deri tek ai postmodern. Me këtë vepër prozaike eseistike, M. Rexhepi radhitet në mesin e shkrimtarëve me nivel mjaft të lartë të kësaj forme shkrimore.


Gjilan, 31 gusht

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: