Deo Graciani: Skënderbeun bënë mirë që e “mbuluan”
| E Diel, 03.09.2017, 09:13 PM |

Skënderbeun bënë mirë që e 'mbuluan'

Nga Deo Graciani

Rrethimi i Skëndërbeut me monitorë gjatë faljes së bajramit në rrugë ka shkaktuar një reagim deri në histerizëm nëpër media e portale. Ajo që është më shqetësuese nuk është rrethimi i Gjergj Kastriotit me monitorë, por marrëzirat e pafundme që lexon dhe dëgjon nga të gjitha anët, qoftë nga përfaqësuesit e bashkësisë islame shqiptare, qoftë nga politikanë, gazetarë, publicistë, shkrimtarë, analistë e shumë tjerë.

Sikur reagimi të ishtë i drejtë dhe të përmbante të vërteta brenda, do të ishte diçka pozitive, por fatkeqsisht shumica e këtyre reagimeve nuk përmban asnjë lloj substance përveçse shprehjen e një indinjate pothuajse fallso, siç është bërë tashmë shprehi në realitetin shqiptar brenda dhe jashtë kufijve. Ajo që ndodhi me shtatoren e Skëndërbeut nuk tregoi asgjë të veçantë apo sensacionale në lidhje me sjelljen dhe qëndrimin e bashkësisë islame ndaj figurës së Skëndërbeut. Ajo dihet. Gjergj Kastrioti nuk përfaqëson myslimanët e Shqipërisë, sepse në ideologjinë Islame nuk njihet kombi. Gjergj Kastrioti luftoi kundër xhihadit islamik. Nuk pritej që bashkësia islame të sillej ndryshe me Skëndërbeun, pasi të njëjtën gjë e kanë bërë me çdo figurë identare të kombit, duke filluar tek Nënë Tereza e duke mbaruar tek Pjetër Bogdani.

Gjëja më lemeritëse e kësaj meseleje nuk ishte sjellja e komunitetit mysliman por bataku ku ka rënë ajo që konsiderohet si “elitë” e shoqërisë sonë. E kam thënë edhe më përpara dhe po e përsëris, intelektuali që nuk e thotë apo e mbulon qoftë edhe pjesërisht të vërtetën nuk është intelektual, por pseudo-intelektual; është armik i shoqërisë, dhe shoqëria e sotme shqiptarë gëlon nga “intelektualë” të tillë. Intelektualët e mirëfilltë duhet t’i thonë gjërat troç dhe ta ndajnë të bardhën nga e zeza.

Myslimanët nuk u falën në rrugë vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera, gjë që nuk e kishin bërë më përpara në këtë shkallë. Komuniteti mysliman shqiptar nuk ka pse të jetë i veçantë apo të sillet ndryshe nga komunitetet islame të vendeve të tjera. Islami është një dhe i njëjtë për të gjithë myslimanët. Ndryshimi i vetëm këtë herë është se paskan bërë një “krim” të madh duke i vënë një monitor përpara shtatores së Skëndërbeut! Dhe ky akt na paska prekur ndjenjat e atyre që përfaqësojnë patriotizmin dhe nacionalizmin folklorik shqiptar. Gjithë faji pastaj i hidhet myftiut të Tiranës për “skandalin,” por harrohet që nuk është ai që vendos, por instancat më të larta të bashkësisë islame.

Unë e përgëzoj komunitetin mysliman dhe përfaqësuesit e bashkësise Islame që u treguan te ndershëm dhe shprehën bindjet e tyre haptazi dhe pa frikë. Me këtë veprim që shumë njerëz mund ta quajnë skandaloz, myslimanët e vërtetë u treguan më të ndershëm sesa kritikët e tyre, sepse në fund të fundit ata nuk u përpoqën të fshehin bindjet e tyre. Ata nuk i mohuan parimet e ideologjisë islamike. Qëndrimi i tyre mbetet konsekuent. Nga ana tjetër shumë nga pseudo-analistët dhe pseudo-intelektualët shqiptarë sulmet e tyre ndaj komuniteti islam i filluan duke përmenduar “bashkëjetësën shembullore,” dhe habinë e tyre të shtirur ndaj asaj që ndodhi. Përfaqësuesit shpirtërorë të bashkësisë fetare islame rrallëherë e përmendin “bashkëjetesën shembullore,” ndërsa të tjerët, politikanë, analistë, gazetarë e shkrimtarë, e përsërisin këtë refren pafundësisht deri në bezdi dhe neveri.

Ata që flasin dhe ngrenë lart bashkëjetesën fiktive shembullore fetare në Shqipëri në shekullin 21, janë pjesa më e rrezikshme e shoqërisë shqiptare. Tek këto të fundit ndryshe nga të parët ku simptomat e sëmundjes janë të dallueshme, virusi është akoma në periudhë inkubacioni. Ky grup njerëzish është kaq i degraduar shpirtërisht, saqë kur hapin gojën, viktima e tyre e parë bëhet e vërteta. Përpiqen me çdo mjet ta sheqerosin apo ta shtrembërojnë të vërtetën, që shumëkush e sheh qartë. Këta individë as nuk e kuptojnë thelbin e fjalës bashkëjetesë. Për të kuptuar sesa reale është bashkejetesa fetare në shoqërinë shqiptare nuk mund merret si shembull diktatura apo lufta për mbijetesë ndaj një armiku të përbashkët, por kur nuk ka presione dhe njerëzit kanë më shumë liri fetare siç kanë edhe sot; ateherë do të kuptohet nëse kjo bashkëjetesë është e vërtetë. Sot, në një klimë ku liria e besimit ka më shumë hapësirë për të lulëzuar, komuniteti islam shqiptar po kthehet pak e nga pak në Islamin burimor, në ideologjinë e pastër islame që bashkon të gjitha komunitetet islame të botës, një ideologji që nuk respekton asnjë vlerë apo ligj që nuk buron nga bota Islamike.

Është më mirë të pranohet që nuk ka bashkëjetesë, dhe të punohet fuqimisht për arritjen e njëfarë ekulibri apo mirëkuptimi midis komuniteteve. Ky grup njerëzish që u fal në rrugë në Tiranë dhe në qytete të tjera, më shume se ekstremistë janë viktima, sepse strukturat e shtetit dhe fallsiteti shpirtëror i shoqërisë tonë në vend që ti ndihmonte i braktisi në sëmundjen e tyre, dhe ata u lejuan ta  përhapin atë për hir të një bashkëjetese fiktive që trumbetohet me të madhe, dhe që rrezikon të ardhmen e një shoqërie të lirë.

Nëse kishte ndonjë kritikë për faljen në rrugë apo për rrethimin e Skëndërbeut me monitorë, këto kritika nuk duhet t’i drejtoheshin komunitetit mysliman por strukturave qeverisëse, të cilat edhe një herë treguan pafuqishmërinë e tyre të qëllimshme. Mos të harrojmë se është pikërisht kjo qeveri që jo vetëm ka lejuar përkeqësimin e kësaj gjendjeje por madje e ka inkurajuar atë për fitime votash dhe fitime financiare. Ndërtimi në zemër të Tiranës, i një prej xhamive më të mëdha në Evropën Juglindore, me një ndotje akustike me rreze deri ne 3 km nga qendra është treguesi më i mirë i bashkëjetesës “shembullore” fetare në Shqiperi. Kjo është një tragjedi shumë më e madhe për Tiranën dhe mbarë Shqipërinë e shqiptarët, dhe nuk mund të krahasohet me aktin e rrethimit të Skëndërbeut me monitorë.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: