Ndue Dedaj: Lezha, 'kryeqyteti' verior i detit
| E Enjte, 31.08.2017, 06:02 PM |

LEZHA, “KRYEQYTETI” VERIOR I DETIT

NGA NDUE DEDAJ

Lezhën ndoshta askund tjetër s’mund ta kundrosh më mirë se në studion e piktorit të njohur Pashk Përvathi. Aty qyteti shpalohet në të gjitha shtresimet e veta. Teksa shohim njërën nga pikturat e hershme, Pashku thotë: “Ka ndodhur që e kanë marrë këtë pikturë për të treguar para komisionit të kthimit të pronave se si ishin banesat para dyzet vitesh...” Hyjnë e dalin në studion e tij disakatshe miq të artit, turistë të ardhur nga larg, gazetarë, ambasadorë etj. Lezha ende luhatet mes rapsodive të Dedë Ndue Lazrit, Pjetër Haberit, Gjok Nonajt dhe muzikës moderne të Gentian Demaliajt, nxënësve të klasave të muzikës etj. Qyteti i shtruar më kalldrëm, me shetiroren e re buzë Drinit, ka marrë një pamje të re urbane. Janë vërtetë të fortë e figurantë gurët italianë, që nga forma të kujtojnë kubikët e misrit, por shumëkush do të kishte dashur që Lisusi autentik të ishte shtruar me gurët e Manatisë apo Kreshtës e jo me tonelatat e gurëve të ardhur nga përtej detit, çka shihet dhe në qytetet e tjera.

Sipër Durrësit, vijës së lakuar bregdetare, shtrihet vargu i plazheve veriore: Patoku, Talja, Shëngjini, Rana e Hedhun, Velipoja, për t’u hedhur pastaj matanë Bunës, në Ulqin. Grupe të rinjësh e bëjnë në këmbë “rrugën” shkëmbore bregut të detit nga Shëngjini në Velipojë dhe anasjelltas. Sot ky mund të quhet turizëm i aventurës, por shpresohet se nesër do të ndërtohet një rrugë moderne, pjesë e korridorit 10-të, çka u rrah dhe në Samitin e Triestes. Atëherë kjo anë e Adriatikut do të jetë njëlloj si plazhet e Italisë, Kroacisë, Greqisë. Shëngjini dhe Velipoja janë qytete të ngjashëm për nga numri i banorëve, 10 - 11 mijë secili dhe gjatësia e bregdetare e plazheve, përkatësisht 12 e 15 kilometra. Por nëse në Shëngjin pallatet e ndërtuar ngjeshur e pa harmoni, sipas stilit të parafabrikateve të dikurshme, i janë afruar shumë bregut, në Velipojë është ruajtur largësia. Deti dhe lagunat ekzotike janë visari ekologjik i Lezhës, në një shtritje gjatësore mbi 30 kilometra. Lezha ka lagunën e Kunes e Vainit, kurse Velipoja atë të Vilunit (përshkuar së fundi nga flakët), rezervate mahnitëse të mbi 200 lloje shpendësh ujorë. Turistët duan të venë në laguna, por nuk ka ura të drunjta mbi “kënetë”, kështu që rrofshin dylbitë. Deti dhe lagunat përpos bukurisë kanë dhe larminë e peshqëve, duke nisur nga peshku i Patokut e deri të krapi i Shkodrës. Mënuja e detit përmban: levrek, kocë, merluc, barbunj, ngjala, fruta deti, shpendë të egër etj.

Nëse Shëngjini ishte qytezë e antikitetit, Velipoja është më shumë një qytet i mijëvjeçarit të tretë. Fusha e madhe e saj u bë pritëse e të shpërngulurve nga ndërtimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës pesëdhjetë vite më parë. Bregdeti kufitar Shëngjin-Velipojë ishte i pakalueshëm, zonë ushtarake, plot tunele, transhe e bunkere që shihen dhe sot. Bukuria e peizazhit i ishte dorëzuar ushtrisë, që nuk e shijonte aspak, me sytë katër se mos anijet armike ua mësynin brigjeve tona, apo ndonjë armik i këndejshëm kërcente mbi varkë për t’i lënë shëndetin socializmit. Kishte vetëm pak hapësira ku argëtoheshin udhëheqësit e Tiranës, rezervatet e gjuetisë ku gjuanin rosa e zogj, sport i nisur nga Konti Çiano në vitet ’30 të shekullit të kaluar...

Trinia identitare e Lezhës, deti, mali dhe historia

Lezha si qytet ka rreth 30 mijë banorë, kurse Bashkia i kalon të 100 mijtë. Kryetar i saj është inxhinieri Fran Frrokaj, që ka drejtuar më parë komunën e Shënkollit. Bashkia e tij nuk hyn në ato që kanë vëmendjen e qeverisë, në mos do ta ndryshojë këtë bajpasi i ri i Lezhës. Historiksht janë zbrazur malësitë e Veriut e kanë rënë në fushën e Zadrimës, Ishullit e Bregut të Matës, duke formuar një popullatë të larmishme për nga zakonet dhe traditat, do të thoshim sinkretike. Stacione turistike të Lezhës janë nga deti te mali. Trinia e saj identitare: Adriatiku dhe Drini në simbiozë me lagunat, plazhet dhe peshkimin; Akrolisi me kalanë e shekullit VIII dhe sarkofagun e Heroit Kombëtar, si dhe Mali i Velës dykrenësh si një përkrenare natyrore e qytetit. Po dhe objekte të tjera monumentale e turistike. Shëlbuemi apo Tyrbja, përndryshe “maja e antenave”. Ura e vjetër e Drinit. Hoteli i Gjuetisë. Mrizi i Zanave. Adresat historike të Lezhës janë brenda dhe jashtë mureve të qytetit të lashtë: Shëngjini, porti i Nimfeumit, Kallmeti dhe Troshani si vende ipeshkvnore, katedralesh dhe kuvendesh, Blinishti dhe Pllana vatra të shkollave të para shqipe që nga shekulli XVII. Në krye të njerëzve të shquar të trevës prin Frang Bardhi, për të ardhur te Prend Doçi, Hafiz Ulqinaku, Gjergj Fishta, i cili me shtatoren në qendër ngjan si pajtori i qytetit. Por është verë dhe pushuesi nuk dëshiron ta lodhë fort mendjen me të kaluarën. Netët e dimrit janë mbase më të përshtatshme për rrëfimet e gjata. Atij sot i interson në radhë të parë plazhi, dielli, rëra,uji, ushqimi, ato çka përbëjnë turizmin shlodhës e argëtues, por dhe kulturor, ku në fund të gushtit bash për këtë i vihet nota Lezhës.

Lezha si qark, bashkë Mirditën e Kurbinin, shkon në 220 mijë banorë. Edhe guidat turistike më së shumti janë rajonale. Nuk ka kuptim t’i tregosh një të huaji se ku është Talja dhe të mos i thuash se një breg më përtej është Patoku, Skuraj, Rubiku, gjithashtu oaze turistike. Lezhës i shkon përshtat fjala e urtë “afër detit, afër mbretit”. Sot vijnë turistë të shumtë, por dikur vinin vetëm udhëheqësit e Lindjes. Kur erdhi Hrushovi me 1959 dolën ta prisnin te Ura e Zogut, nga një burrë e nga një grua për shtëpi, stolisur me veshjet karakteristike të zonës. Udhëheqësi rus kalonte përmes një laryshie etnografike trevash. Rreth 20 kilometra rrugë ishin “mbjellë” me flamuj shqiptarë dhe sovjetikë, parulla miqësie, ovacione të zjarrta, valle shqiponjash, rapsodi me çifteli, gazmend i madh. Por nuk kaloi pa incidente të vogla ajo vizitë. Ngaqë po priteshin prej disa ditësh ferrat në anë të rrugës dhe një fshatari në Manati i kishin prishur gardhin, ai pati thënë “se mos do të vijë zbath Hrushovi e do t’i theren këmbët”. Kjo bëri që ai të kalonte nja tri net në Degën e Brendshme të Lezhës. Ka qenë në natyrën e malësorëve të bënin humor me “krajlat” e huaj, kurse me ata të vendit puna ishte pisk.

Shëngjini, plazhi i Kosovës

Lezha ka kohë që nuk është më vetëm e vetes. As vetëm e qarkut me të njëjtin emër. Në verë ajo identifikohet kryesisht me Shëngjinin, plazhin “ekskluziv” të Kosovës. I ankohej këto ditë i biri vogëlush një politikani të njohur në Prishtinë se Kosova nuk ka det, por i ati i ktheu: “Si nuk paska det Kosova? Bile ka jo një por dy dete, Adriatikun dhe Jonin”. Dhe djali s’kishte si të mos e besonte, pasi do të venin familjarisht në plazhe jugore e veriore.

Në Milot kryqëzimi i Rrugës së Kombit quhet “Kthesa e Kosovës”. Dhe vërtet më këtë rrugë Kosova ka bërë “kthesën” e madhe, historike. Kosovarët në Shëngjin janë në shtëpinë e tyre, pasi kanë apartamente dhe biznese. Rradhët e makinave fundjavave në Morinë nisin që pas mesnate. Vetëm të shtunën e dytë të gushtit do të kalonin 20 mijë makina, ku një pjesë e madhe e pushuesve venin në Shëngjin. Lind pyetja: sa banorë bëhet Shëngjini në verë? Na thonë dhjetëfishohet, shkon në njëqind mijë pushues, ku më e pakta gjysma janë kosovarë. Ky është një realitet i ri i Adriatikut, jo vetëm në Shëngjim, por dhe në Durrës, Vlorë e deri në Sarandë. Pranohet se këtë vit uji është më i pastër, por jo dhe rëra. Tryeza është e pasur, ndërsa për kosovarët edhe paksa e “kripur”, jo nga uji i detit. E vërteta nuk është as reklamë e as antireklamë. Ka ardhur koha që turizmi detar në Shqipëri të jetë njëlloj si në në Greqi, Kroaci, Turqi etj. Përndryshe pushuesit e lënë mënjanë “patriotizmin” dhe venë atje ku janë kushtet më të mira dhe çmimet më të lira.

Plazhi i ri Rana e Hedhun është qershia mbi tortë e plazheve të Lezhës. Ka filluar të thuhet se po nuk ke qenë te Rana e Hedhun nuk e ke parë Shëngjinin. Fondacioni “Luçiano Avgustini” në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, karitasin dhe Dioqezën e Sapës, mbështetur nga grupe vullnetarësh, ka ngritur te “Rana” lampingje 10-ditore për fëmijët me aftësi ndryshe, nismë më të vërtetë për t’u përgezuar. Kurse plazhi në krijim i Lezhës është ai i Tales, ende pa një projekt për t’u qenë një plazh me infrastrukturën e nevojshme. Nuk duhet harruar se bëhet fjalë për 12 kilometra ranishte, që dhe në gjendjen që është në pikun e verës numëron 40-50 mijë pushues ditorë. Nëse ky projekt do të vonojë, me siguri dhe aty do të ndodhe katrahura si në plazhet e tjera të vendit.

Saga e lezhjane e Drinit të “vdekur”

Lezha është qytet i ndërtuar mbi Drin, por lumi përherë e më shumë po shterret, sa dikush e quan “lumi i vdekur”. Diçka ka ndodhur me lumin pa të cilin nuk mund të kuptohet qyteti. Tit Livi duke folur për Shkodrën nuk e përmend Drinin, sepse atëherë lumi rridhte nga Lezha, kurse Plini thotë se lumi kalonte nga Shkodra. Ptolemeu, një shekull e gjysmë më vonë, e gjen Drinin në Lezhë. Vebius, para shekullit V, shënon se Drini rridhte nga Shkodra. Në shekullin XI Cedrenus dhe në shekullin XIV Nicefor shkruajnë se Drini rridhte nga Lezha. Nga gjysma e shekullit XV sa duket lumi ndahet në dysh: njëri krah rrjedh drejt Lezhës, tjetri, më i rëndësishmi, derdhej në Bunë, pak më lart se sot. Në fillim të shekullit XVI lumi merr krejtësisht drejtimin nga Shkodra, kurse në shekullin XVII rrjedh nga Zadrima. Mundet që gjatë shekullit XVIII ai bëri përsëri një mësymje nga Shkodra, ku e gjëjmë para 1800-s etj. Kështu na i përshkruan ecejaket e Drinit, herë nga Shkodra e herë nga Lezha, kronisti i rrugëtimit historik të Shkodrës, Hamdi Bushati, në librin e tij monumental “Shkodra dhe motet”.

Po tash kah po vete Drini? E sigurtë është se jo nga Lezha. Vetëm emri është i tij, kurse uji i rrjedhave të Zadrimës. Fundi i Drinit të Lezhës duhet të ketë ardhur me hidrocentralin e Vaut të Dejës - 1968, kur ai u “urdhërua” të kalonte i gjithi nga Shkodra, duke lënë vetëm një “krua” uji këndej. Dhjetë vite më parë njëri nga kandidatët për kryetar bashkie i Lezhës, i njërës nga forcat politike, pati premtuar kthimin e një pjese të Drinit në kahun e origjinës dhe linçensimin e një kompanie skafesh për dërgimin e turistëve nga Lezha në det nëpërmjet lumit. Kjo ishte ëndrra e asaj kohe e kandidatit artist që mbetet aktuale dhe sot e në të ardhmen. Për më tepër ai shpeson se një ditë do të realizohet dhe projekti prej 350 mijë eurosh që njëri krah i shëtitores së Drinit prej 6 kilometrash t’i çojë njerëzit në këmbë drejt e në det. (Ashtu siç ai mendon se me 7 kilometra rrugë deri në malin e Velës, Lezha do të fitonte dhe turizmin malor si razma etj.) Çudi, ne kemi “zotësinë” t’ia ndërrojmë drejtimin lumit, por jo t’i ndalim hovin detit, që po i shkon Lezhës te Ura e Cenit. Lezhianët kërkojnë pjesën e tyre të ujit të Drinit, ndaj ka gjasë t’i drejtohen “komisionit të kthimit të pronave” që t’ua ndajë Drinin me Shkodrën. Lezhianët nuk e duan Drinin vetëm për ta soditur, por dhe për të zhvilluar gara me kajak, si këtë vit. Në Lezhë nuk mund të mos kesh personazhe Drinin dhe poetët, shpesh me trille të përbashkëta. Ama saga lezhjane e ujërave ka dhe një të fshehtë, liqenin nëntokësor poshtë fushës së Bregut të Matës, nga Barbulloja në Fushë Kuqe (Kurbin), ku në parën merr uji Lezha e në të dytën Durrësi. Është një minierë nënujore e rrallë për një zonë fushore pa burime të tjera. Për mjedisorët dhe pushtetarët është problem balancimi i sasisë që merret me atë që futet në liqen, çka do të thotë se puset e tepërta e shterrin liqenin mitik.

***

Natyra turistike është njëra anë, njeriu i zot për të menaxhuar pasuritë e veta është ana tjetër. Arsimi, përfshi dhe atë profesional, është një arritje e Lezhës bashkëkohore. Viti i ri shkollor nis me mbi 10 mijë nxënës në arsimin publik dhe jo publik e 700 mësues lezhianë, mirditorë, pukjanë etj. Edhe pse 6 shkolla të reja të rikonstruktuara kohët e fundit sipas standardeve europiane, drejtori i DAR-it, Bardhok Pulaj, dëshiron ta masë punën me treguesit kurrikularë të cilësisë, të mësuarit me kompetenca, konkurimit, ekselencës, novitetit etj. Çdo shkollë ka plotësuar kartën e saj të përformancës, që përmban gjithë punën e vitit me përshkrime e të dhëna të hollësishme. Një kulturë e re në jetën e shkollës. Është viti i tretë që funksionojnë klasat me orientim muzikor, ku deri tani janë përfshirë rreth 100 nxënës në kitarë, violinë, piano, fisarmonikë, flaut, kontrabas etj.

Duhet thënë se kahmot Lezha është e bukur piksëpari në vizionin e artistëve të vet. E nisëm këtë shkrim me Përvathin, por imazhi pamor i Lezhës është i fiksuar dhe te artistë të tjerë të penelit e daltës si Nikolin Ivanaj e Agustin Shyti. Kurse imazhi më futurist është në vizatimet dhe pikturat e nxënësve lezhianë që i gjen nëpër faqet e mureve të shkollës. Sa më shumë ta kenë këtë imazh dhe urbanistët, arkitektët, ndërtuesit dhe pushtetarët, aq më e bukur do të jetë Lezha moderne.

“Panorama”, 31 gusht 2017



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: