http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Gani Mehmetaj: Mos i merrni në qafë fëmijët tuaj - Mos i dërgoni në shkollat e Gulenit e Erdoganit
| E Enjte, 31.08.2017, 08:01 PM |

Mos i merrni në qafë fëmijët tuaj: Mos i dërgoni  në shkollat e Gulenit e Erdoganit

Nga Gani MEHMETAJ

Si në shkollat e Erdoganit si në shkollat e Gulenit fëmijëve shqiptarë, arsimtarët u thonë se Gjergj Kastrioti ishte bukëshkalë, e hëngri bukën e Sulltanit dhe ia ktheu armët. Asnjë fjalë nuk e thonë se si ia okupuan atdheun dhe ia vranë vëllezërit. Në shkollat e Erdoganit e në shkollat e Gulenit fëmijëve shqiptarë u thuhet se otomanët e çliruan Arbërinë- (Arnautistanin), nga vet arnautët që ishin të krishterë, pastaj u përrallisin se shqiptarët (arnautat- pis milet) me vullnet e morën fenë islame, sepse na qenka feja më e mirë dhe më e pastër në botë! Gjithë kohën u thonë se osmanët i kishim vëllezër, ndërsa ilirët nuk përmenden fare.

Në shkollat Gulen-Erdogan u thuhet fëmijëve tanë se 500 vjet bashkëqeverisem me turkun, ndërsa nuk u ligjërohet asnjëherë për masakrat turke ndaj shqiptarëve, nuk u tregohet se të vetmen gjuhë që e ndaluan turiqt, ishte gjuha shqipe.

Çfarë të thuhet për pjesën tjetër të arsimit jashtë historisë së përmbysur, jashtë kulturës së munguar, e jashtë mësimit të gjuhës turke që nuk u hynë në punë askund në botë, pos në Turqi, kur të shkojnë në bregdet dhe kur të kërkojnë nga kamerieri çaj rusi e bakllava.

Pashë Perëndinë si ka mundësi që t'i arsimoni fëmijët tuaj në shkollat turke, ndërsa janë aq shumë mundësi të arsimimi në shkollat evropiane. A e dinë prindërit e këtyre fëmijëve se shumicën e shkollave publike e private të Kosovës ua pranojnë në Perëndim, por asnjë shtet evropian nuk ua pranon shkollat e Gulenit e të Erdoganit. Për Evropën Perëndimore fëmijët shqiptarë që kanë mbaruar shkollat Gulen-Erdogan janë analfabetë.

Çfarë mund t'u mësojë Turqia me 32 për qind të popullatës së varfër (sipas analistëve turq) fëmijëve tanë për kimi, fizikë, matematikë, astronomi, apo për Aristotelin, Mesopotaminë, Asirinë, për kulturën Maja etj. Ne i kishim shkollat shumë më të avancuara se sa Turqia.

Kam takuar shumë ish-nxënës të shkollave të Gulenit e Erdoganit, kam bërë debate me ta, ndërsa ishin aq militantë turko-osman sa të skandalizonin, ishin aq të egër kundër kulturës ilire-arbërore, më zi se sa vet turqit apo serbët adoleshentë. Ata fëmijë që dalin nga shkollat Gulen-Erdogan shqip flasin, por shqip nuk marrin frymë.

Prandaj u përgjërohem të gjithë prindërve shqiptarë në Kosovë e në Shqipëri: mos i merrni në qafë fëmijët tuaj me paratë tuaja, mos i vrisni më dorën tuaj, mos i dërgoni në këto shkolla që nuk u vjen era arsim. Do t'i izoloni fëmijët tuaj, do t'i bëni shumë fatkeq, do t'i frustroni e depersonalizoni më keq se sa kur dalin nga burgu, apo më keq se sa kur ktheheshin nga ushtria jugosllave, ku ua shkelnin krenarinë kombëtare.

Fëmijë tuaj do t'i humbisni për jetë e mot. Mos qofsha në lëkurë të tyre, sepse ata fëmijë e humbin identitetin, u mungon krenaria kombëtare, mburren më të huajin aziatik, përgjërohen për ish përdhunuesin. Ata janë fatkeq. A janë nipër të osmanëve, sikurse u thonë nëpër shkolla, apo nipër të ilirëve-arbërorëve, sikurse u thonë prindërit e tyre, apo zero me xhufkë, sikurse i trajtojnë pedagogët.

Jemi gjallë e shohim, por do t'u kujtohet përgjërimi im.