Kaltrina Hoti: Zgjohu!
| E Enjte, 31.08.2017, 08:00 PM |

Zgjohu!

Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar (13)

-Zgjohu motër shqiptare, zgjohu  ta ndezim oxhakun e ardhmërisë… Shamia, ferexhetë janë të huaja, nuk na nderojnë, tek Zoti na afron nderi, shpirti i pastër, fisnikëria. Dija e dituria na nderojnë tek Perëndia, Zoti ynë i do të diturit-

Nga Kaltrina Hoti, NY

Është koha të zgjohemi së bashku nga vuajtja dhe dhimbja shpirtërore  që na ka mbërthyer nga një stuhi e porositur për t’u gjunjëzuar. Të zgjohemi për hir të Atdheut, nuk kemi tjetër Mëmëdhe. Sot lapsi shqiptarë është më i fuqishëm se bomba atomike, këte e vërtetojnë veprat  e shqiptarëve që kontribuojnë në zhvillimin e botës bashkëkohore. Derisa disa “shqiptare” i nënshtrohen  fjalës së huaj dhe e mohojnë kombin e vetë duke pranuar vdekjen e tyre për së gjalli (e humbin të drejtën e jetesës së lirë ndër ferexhetë e huaja, që ende ndoshta mësohen si të vishen), shqiptarja tjetër  pas aprovimit të teorisë për universin  pretendente për Çmimin Nobel, është kjo,  Laura Mersini. Emrin e mora  vetëm si shembull që e tregon çfarë ndodh  në mes të hapësirës së dy femrave shqiptare. Njëra e prek qiellin tjetra e varros veten me qiellin.

Një fjalë e urtë kineze thotë; “të edukosh një mashkull e ke  edukuar një person, të edukosh një femër ke edukuar tërë familjen”, e ç’duhet të bëjmë ne?! Fuqia e femrës  është e pa prekur dhe pa kufi, e sidomos mund të them femra shqiptare është inteligjente, trimëreshë, punëtore, fisnike, bujare dhe mbi të gjitha një nënë e mirë. Edukimi është dritë e jetës, dhe ajo dritë shpërndahet nga shpirti i femrës. Mos u mashtroni, mos u frikësoni nga sfidat e armikut, kemi fuqi të pashtershme...

Zgjohu motër shqiptare, zgjohu  ta ndezim oxhakun e ardhmërisë… Shamia, ferexhetë janë të huaja, nuk na nderojnë, tek Zoti na afron nderi, shpirti i pastër, fisnikëria. Dija e dituria na nderojnë tek Perëndia, Zoti ynë i do të diturit. Zgjohuni dhe soditni botën, në cilën tryezë ka zënë vend hareje, gëzimi e lumturia, aty është Zoti. Hidhini e shkelmoni fjalët sunduese nga meshkujt që kanë humbur udhën në oborrin e vetë, ata nuk përfaqësojnë Zotin, ata nuk kanë të drejtë të sundojnë në emër të Zotit.

Fjala e injorantëve që mohojnë gjuhën, kulturën, heronjtë, të kaluarën tonë le të bëhen  pluhur që do ta shkundim nga flokët tona. Ecni t’i bashkohemi botës që na vlerëson dhe pret nga ne mësime të reja njerëzore, humanizëm dritë e dituri. Zgjoje fëmijën tënd, motrën, vëllain, mikun dhe ata që të xhelozoj për buzëqeshjen e hareshme “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”.

-Per ZemraShqiptare, nga NY, USA, 1 Shtator  2017-



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: