Timo Mërkuri: Jemi që pa ardhur deti
| E Hene, 28.08.2017, 05:17 PM |

Jemi që pa ardhur deti

Shënime për librin  “Jemi që pa ardhur deti “ të Akri Çipa.

Nga Timo Mërkuri

Bashkëbisedimi i një gjyshi me nipin e tij, në kujtesën e secilit prej nesh  është  ravijëzuar në  një panoramë idilike, gjyshi flokëbardhë ulur pranë oxhakut duke i treguar histori nipit të tij, i cili i ulur në prehërin e gjyshit përthith çdo fjalë të historive që i tregon ai. Vetëkuptohet që këto janë histori me kalorës trima që luftojnë për vatanin kundër bajlozëve që vijnë nga deti. Sigurisht që këta kalorës trima luftojnë  të shpëtojnë edhe ndonjë princeshë të bukur, që bajlozët kërkojnë ta marin si robinjë. Kalorësit trima fitojnë gjithmon në dylyftim me bajlozin e zi dhe domosdo në fund  të luftës martohen me  princeshën flokëverdhë. Historia vazhdon me këngët e dasmës  që jehojnë në shtatë male nja shtatë a tetë ditë, aq sa ta zërë gjumi nipçen e vogël që kotet në gjunjët e gjyshit.

Kjo është panorama e përgjithëshme konturuar në kujtesën tonë për një bashkëbisedim gjysh-nip.

Por ja që Akri Çipa me librin e tij “Jemi që pa ardhur deti”, një intervistë-ese me poetin Lefter Çipa, gjyshin e tij, na e shbën gjithë këtë panoramë arkaike dhe na paraqet nje realitet krejt tjetër. Nuk është një nip i ulur në prehërin e gjyshit të tij flokëthinjur në pritje të përrallës së radhës. Ky gjysh i tij është as më shumë e as më pak, por një mal i lartë, që vetkuptohet nuk e nxë shtëpia e tij e vogël. Madje atë nuk e  nxë as fshati i tij i lindjes dhe as qyteti i vogël ku banon. Prandaj dhe bisedën gjysh-nip nuk mund ta bëjë pranë oxhakut por e bën në shpatet e historisë, në gërxhet e miteve, këngëve, artit,  në atë që quhet bota shqiptare.

Gjyshi  tij është një mal i sertë në grykat dhe honet e të cilit fërshëllen era me suferinë dhe në shpatet e tij plot lisa këndojnë poezitë si zogjtë këngëtarë.  Ai është një mal që i impononte moskuptimin në fëmini dhe besimin në rini.

Këtij mali që e mbulon me hijen e tij i doli  përpara Akri Çipa, jo për tu strukur tek shkëmbinjtë  por për të rrëmbyer thesaret që ai mban në vete e për vete. Ato thesare të krijuara nga përvoja jetësore dhe krijuese, qytetare dhe atdhetare.Trysnia e një jete aktive dhe sfiduese si dhe suksesi i aritur nga Lefter Çipa, i ka shndruar në thesare përvoje edhe elementët më të thjeshtë të aktivitetit të përditshëm. Në mos gabohem, trysnia shekullore mbi elementët e karbonit   krijon dhe  diamantët në zemër të malit.  Këta diamantë kërkon të nxjerë nga zemra dhe mëndja e “malit“ Lefter Çipa autori i ri.

Pyetjet e bëra u ngjajnë tuneleve hyrëse në miniera. Aty, në thellësinë e malit  është “thesari minerar” si pjesë përbërëse e gurit të malit. Aty hyn autori  dhe zgjedh pikërisht shkëmbin ku shkëlqen përmbajtja e  mineralit të rrallë.

Në këtë konteks, çuditërisht në raportin gjysh-nip është nipi ai që drejton. Gjyshi i “bindet” dhe shkon nga i thotë ai. Sepse nipi e sheh “damarin” e mineralit të rallë brenda në gjoks  të malit dhe ai synon që pikërisht  atë të marë. Ai  kërkon ti tregojë Europës “floririn dhe argjendin” e shpirtit shqiptar  dhe jo shkëmbinjtë “inatçorë” e “tekanjozë” patriarkalë.

Zgjedh dhe seleksionon tema  bisede ashtu si inxhinjerët e minierave projektojnë degëzimet e tuneleve për të shfrytëzuar të gjithë rezervatin minerar, ashtu si minatorët  seleksionojnë shkëmbinjtë me përmbajtje të lartë minerali nga dherat e gurët e panevojshëm. Dhe nuk ndruhet që të kapë tema “tabu” të cilat të përmëndura në median e folur apo shtypin e përditshëm shkaktojnë furtunë mediatike . Mjafton që një gazetare  të pyesë një grup analistësh të mbledhur në një  studio televizive se ç’mendim kanë ata psh,  për  dygjuhësinë në Himarë, që  në studio të shpërthejë tramudana e debatit, argumentat dhe kundërargumentat të bien si orteqe sa që mund të thuash se erdhi dita e kiametit.

Ose të shkruajë dikush në ndonjë gazetë për këtë temë,  është si ti  hedhë benzinë zjarrit.

Të gjitha gazetat e vendit marin flakë  dhe hajde shuaje po munde.

Autori mjeshtërisht e udhëheq bisedën duke e parë Shqipërinë, historinë, kulturën dhe traditat e saj nga Europa dhe jo duke i folur Europës nga Shqipëria. Dhe ne që e shohim me sytë e autorit, befasohemi se sa i bukur qënka vendi ynë, arti ynë, historia jonë.

Gjyshi i autorit, ai mal i lartë plot “hone” e “gërxhe”, qëndrimet sfiduese të të cilit shpërthenin si suferina në debatet mediatike dhe publike me temat e përmëndura më sipër, këtë herë është shumë i qetë. Argumentat që parashtron në intervistë nuk rrokullisen si orteqe gjëmëmëdhenj por rrjedhin si përenj pranverorë me gurgullimë të ëmbël, fjala e tij nuk ka as gjurmën më të vogël të suferinave por ka flladin  e mbushur me këngë zogjsh e aromë lulesh të porsaçelura.

I pozicionuar në këtë mënyrë, çuditërisht na duket më i bukur nga sa e kemi njohur më parë, na duket edhe më i madh. Madje na duket se është shndruar në një monument që na sheh nga lart, pakëz me dhimshuri, sikur na qorton lehtësisht për mosdijen apo moskuptimin tonë. Sikur na thotë që për të qënë patriot dduhet të kemi  atdhedashurinë, pa qënë nevoja të kërkojmë aventura  shkretëtirave të nacionalizmit.

Mjafton të dimë që këtu ku jemi, “jemi që pa ardhur deti” dhe jo ti themi detit ktheu nga ke ardhur.

Mjafton të lexojmë këtë libër të këtij djali të ri që të dëshirojmë të lexojmë të tjera krijime të tij, me bindje se me talentin e çfaqur në këtë libër intervistë-ese, shumë shpejt do do ta eklipsojë edhe gjyshin e tij.

Sarandë, më   21 Gusht 2017



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: