Ramiz Lushaj: Bajram Berisha në qiellin e lumturisë
| E Hene, 28.08.2017, 04:09 PM |

BAJRAM BERISHA,

NGA KATEDRA E FERRIT NË QIELLIN E LUMTURISË

Nga Ramiz LUSHAJ

Gusht 2008 ishte atëherë. I pari gusht pá Bajram Zeqir Berishën e Tropojës e të Mamurasit. Po, ai, nuk na lá vetëm pasi na e solli romanin e tij “I ardhur nga katedra e ferrit” me 212 faqe. Ai tashti, sivjet, do të ishte 85 vjeç. Po, realisht, është edhe 850 vjeç, pasi emrin e moshën e mirë e ka në tri breznitë e tij pasardhëse dinjitare, fatlume, shumkush ballë kohe, si diplomati e studiuesi, analisti e përkthyesi Mal Berisha – “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

“I ardhur nga katedra e ferrit”, se si më duket, sikur të ishte një vepër autobiografike, pasi personazhi i saj kryesor Gëzim Fortuna m’ia përnget shpeshtas autorit të librit, Bajram Berishës. Ashtu koftë! Prapë, sivjet, pas dhjetë vitesh ia hapa kapakët e fletët këtij romani në bibliotekën time dhe një kujtesë e largët më sythi kur lexova në kapitullin e pestë: “I privuar nga Liria” (fq. 175-2003).

Ishte fundviti 1987. Ndoshta dhe fill viti 1988 ishte. Di se prisja miratimin e kandidaturës time të vetme për gazetar-redaktor tek gazeta lokale “Shkëlzeni” e Tropojës. Di edhe këtë tjetren: bante i ftohtë bore e frynte veri si don Zoti vet. Kushedi sa gradë nën zero. Prej acarit isha mb’shtjellë pallto e shallë. Ngjita shkallët e Gjykatës së Rrethit për të shkue tek Shkëlzen Zalli, shoku im, poeti i talentuar e sekretari i aftë i kësaj gjykate. Në kat të dytë, në korridorin tejet të ftohtë, po e shoh Bajram Berishën, ulun në një stol. – Tungjatjeta, Bajram Berisha! Mirë se erdhe! A po më njef? – Po,…-m’u përgjigj ai. – E çka po ban këtu përjashta në korridor në këtë të ftohtë të madh? Qysh asht puna…?- po e dveti prapë. – Due me e marrë nji dokument këtu në Gjykatë – më tha ai. – Ani, shyqyr që asht për kaq. A, asht, kryetari i Gjykatës aty. A t’i them ta marrim dokumentin?! Ai nuk më ktheu përgjigje, hiç. -A po më prêt pak minuta se u ktheva fill? – e pa prit me më thanë “Po” i ika prej syshë për tek Shkëlzeni, tek Sekretaria e Gjykatës. Aty ishte dhe Drita Çakraj, nga Çakrajt e dajëve të babës, nusja e shokut tonë të viteve të rinisë – të veçantit Idriz Bajrami. Flutura Ismaili nga Dragobia, tjetra sekretare e Gjykatës, ishte në gjyq. Stufa ishte e ndezur, e skuqur nga zjarri i druve. Fola me ta për me e thirrë aty Bajram Berishën, se me thanë të drejtën e të vërtetën sekretari gjykate ishte. Me tre puonjës sekretarie e me dhjetra dosje me vendime në pritje e në zbardhje. Duhej një farë leje, nji mirëkuptim. Ata ishin dakord. -Thirre, -më thanë. –Do ia marrim edhe dokumentin – më premtuan. E dola prej atyhit. Në korridor po ecte dhe ecte Bajram Berisha pa e dhanë veten prej të ftohtit. Duart i kishte të ftohta, por zemrën e ngrohtë.

-Hajde, Bajram, shkojmë tek sekretaria e Gjykatës…Kena zjerm e nxehena aty. Flasim bashkë. Rrijmë deri sa të dalin nga gjyqi kryetari i Gjykatës. Marrim dokumentin e dalim për kafe.

- Jo, - më tha aq rrmisht sa që edhe unë ia ktheva atij:

- E çka á puna jote, Bajram Berisha. Nuk po don as me hy tek kryetari i Gjykatës se asht në gjyq. Nuk po don me ardhë me u nxé tek zjermi edhe pse asht ftohtë?!

- Jo, o djali i Shipshanit, mos m’u prek. A e din si asht puna. Unë jam “pak i prekun” në biografi e nuk po due me hy as aty ku s’duhet dhe as aty kur s’duhet…Po me më thanë dikush: - Çka lyp ky këtu, se…?! atëhere çka me bá e ku me shkue Bajram Berisha…?!

E çka pat’ me bá Bajram Berisha?! Kurrgja. Ju bamë te tre: une, Shkëlzeni e Drita dhe e çuem si të ishte prindi ynë kah korridori në të djathtë, drejt e te Sekretaria e Gjykatës, tek zjermi e kuvendimi i atyshëm. Iu pëlqeu ndeja e fjala e tij. Edhe marrja e atij dokumenti (ende nuk e di çka ishte ai, ndoshta vendim i vjetër gjykate!) iu krye shpejtë nga “treshja e sekretarisë”, njerëz të mirë, mikpritës, shoqëror.

U çuem me të mirë e kur dola tek dera e jashtme e gjykatës, krye shkallëve të gurta me borë të akulltë, me erë të ftohtë, pasi frynte veriu, Bajram Berisha u kthye prej meje e ma dha dorën miqësisht. – Kah je ka shko?! Prit, o burri i dheut e pijmë nga një kafe bashkë,- i thashë. Ai, tue qeshë e tue më rrah shpatullat më tha: - Na e pimë kafen bashkë. E ku ka kafe ma t’mirë se kjo pritje e përcjellje. Ju faleminderit prej Jush. Mirupafshim – më tha Bajram Berisha dhe iku se dikush e priste në qytet, se diku tjetër do të shkonte atë ditë…

Ai, Bajram Berisha, ishte rritë në trevën e Eposit të Kreshnikëve në Tropojë e po mplakej në Mamuras, në trevën e Legjendës së Murr-Detit – kryeparit të fisit të tij. Atij, ndoshta, dhe jeta i dukej si në legjenda, sepse – ndoshta – i duhej dhe vet me kanë Legjendar…Nga Katedra e Ferrit deri në Demokraci…

Pas disa ditësh, tuj pi kafe për qejf me Shkëlzen Zallin po më fjalathotë më veti mirëbesueshëm se dikush atë ditë (nga gjykata apo prokuria e atyhit, kati parë apo i dytë) kishte dvetë se çka lypi Bajram Berisha…! Ndoshta e donte për kafe të idhët. E çka na duhet kjo, atëherit e tashti: Kurrgja. Kush ishte ai: askush, Askushi.

Këtë histori të Bajram Berishës nuk e kam harrue kurrë. E kujtoj shpesh në vetëdijen time. E kam si një nder kujtimet e kohës së djehit. Kur njerëz “të prekun” në biografi i (vet)ruheshin Politikës së Kohës së Komunizmit. Po, kjo e Bajram Berishës më duket tejet dinjitare. Ishte një malësor i zgjuar, vizionar. Një njeri bashkëkohor, qytetar modern. Gjithçka e bante me rend e me vend, në kohën e duhur e në mënyrën e duhur. Me e ruejt veten e tij për të tjerët. Me ruejt veten e tij nga të tjerët. Jeta e vështirë e kishte mësue të tillë. E mbante dhe geni Berishë të tillë. Ai duhej të ecte me sytë e hapat e tij, edhe për breznitë e tij.

Këtë histori ia kam kallxue një here (s’di se kur) edhe djalit të tij, Mal Berishës. Më duket se ia kam thanë edhe njërit prej djemëve të ambasadorit Mal Berisha, para një viti, më 27 janar 2016, në Rezidencën e Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, ku me ftesë dhe nën kujdesin e Ambasadorit Britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, u promovua libri i ish-ambasadorit Mal Berisha, “Realitete shqiptaro-britanike”. Ky ishte një nga librat e shumtë të Malës apo Malit, si i thonë disa. Sigurisht, ai, në të dy rastet, është i tillë, i njëjtë: Mal, një ndër lartësitë alpine e euro-atlantike të kohës panshqiptare, lartësi si diplomat, si studjues, si përkthyes, si publicist e analist, si malësor, si qytetar, si anglo-sakson. E, në vijim të kësaj, cilët janë disa nga librat e Mal Berishës: “Shqipëria Jugore ose Epiri i Veriut në Çështjet Europiane Ndërkombëtare 1912-1923” (Koha. Tiranë, 1998); “Shpëtimi në Shqipëri – Njëqindpërqind e hebrejve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”; vepra tjetër “Herman Bernstain (1876-1935) Journalist, Writer, And Diplomat” (2014), rreth figurës lartnore të të cilit ka mbajt ligjërata institucionale në të dy anët e Atlantikut, dhe në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; vepra trevëllimshe “Charles Telford Erikson”, e cila ka hyrë në Bibliotekën e Kongresit Amerikën në Uashington D.C., bash në raftin e parë të Pavionit të Librit, e ekspozuar dhe me poster, gjendet dhe në Dhomen e Referencave, i paraqitur si një libër studimor meritor dhe një botim klasik e modern, etj. Këta “Dy Berishë”, babë e djalë, Bajram Berisha e Mal Berisha, kanë dy breza me libra, kanë një mijë vjet ecuri me histori, punojnë dhe për një mijë vite të tjera ecuri me histori, për ardhmëri.

Sot, ia ri-mbylla faqet romanit “I ardhur nga katedra e ferrit” dhe e lypa Bajram Berishën e Tropojës e të Mamurasit, këtë burrë të lartë të Alpeve e të Detit. – Ka ikur prej dhjetë vjetësh, përgjithnji, në Qiell, në Qiellin e Lumturisë, - më thanë. E besova lumnueshëm, iu lavdova Zotit, u naltësova edhe vet. E, ku tjetër ka vend për njerëz të tillë kaq të mirë, dinjitar e njerëzor, tokësorë e qiellorë, si Bajram Berisha i mendjes e i penës, i sakrificave e meritave; për një prind kaq të mirë që i ka rritë kohës shqiptare një personalitet të tillë, si ky – Mal Berisha ynë.

Shqipëri Etnike,

e dielë, 27 gusht 2017.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: