Tefik Selimi: Rrugëtimi 70-vjeçar i shkollës në Pogragjë
| E Hene, 28.08.2017, 03:35 PM |

Një monografi kushtuar rrugëtimit 70-vjeçar të Shkollës fillore të fshatit Pogragjë…

Nga Tefik Selimi

Xhafer Xhaferi, profesor universitar, nga Pogragja e Gjilanit, ka bërë emër jo vetëm në jetën shkrimore-dokumentare, por edhe në fushën shkencore. Ai gjer më tani ka botuar këto tekste shkencore e dokumentare: “Tomakët-historiku dhe  gjenealogjia, Prishtinë, (1996), Brezi i tretë i Normalistëve të  Gjilanit (1961-1966), (bashkëautor: T. Basha), monografi, Prishtinë (1997), “30 vjet të Fakultetit të Makinerisë, (1967-1997), (monografi), Prishtinë (1997), “35 vjet të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, (1997-2007), Prishtinë 2002, 40 vjet të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, (1967-2007), (monografi) Prishtinë, 2007.

Dhe,  pas kësaj veprimtarie publicistike e shkencore, Xhafer Xhaferi, para do kohe, ka botuar edhe veprën më të re monografike me titull: “Rrugëtimi 70-vjeçar i shkollës fillore në Pogragjë”. Është kjo monografi që rrumbullakëson në mënyrë të denjë veprimtarinë e gjerë të kësaj vatre të diturisë nga “datëlindja” e parë e saj 1945 e gjer më 2016. Dhe, jo vetëm kaq.

Siç dihet, Dr. Xhafer Xhaferi, profesor i filozofisë, është njohës i mirë i rrethanave të arsimit shqip, sidomos të vendlindjes së tij, Pogragjës. Andaj, lexuesi ynë do të jetë i kënaqur me punën e pakursyer e të zellshme të autorit në fjalë, i cili, shkollës dhe stafit të hershëm apo të vonshëm, ua ka dhuruar një dokumentar të plotë me shumë të dhëna e dokumente për fillet e asimit në fshatin Pogragjë. Kjo është  fakt.

Fakti është edhe e dhëna tjetër se, në monografi, autori ka grumbulluar shumë fakte, dokumente, data,  vite, periudha kohe, madje emra të shumtë të mësuesve e pishtarëve të hershëm të arsimit shqip. Aty (në vepër) ka foto të mësuesve, objekteve shkollore, shkollarëve e punëtorëve të tjerë, të cilat “fakte” ia rrisin dhe ia shtojnë vlerën dokumentare e shkencore monografisë në fjalë. Pra, është një vepër dokumentar me “bollëk” argumentesh e faktesh, të  cilat, si të tilla, ia shtojnë edhe rëndësinë e një dokumentari të përkryer të kësaj fushe të dijes.

Përkundrazi, monografia në fjalë e punuar nga Xhafer  Xhaferi, profesor, të lë  përshtypjen se është një dokumentar i punuar jo vetëm me përkushtim e zell, por autori ka derdhur mund e punë të “lodhshme” duke hulumtuar e vjelë materiale të ndyshme nëpër arhiva komunale, bie fjala në Entin Regjional të Arsimit Pedagogjik e dokumente shkollore, të cilat janë ruajtur dhe flasin për këtë fushë të dijes. Kjo e bën monografinë në fjalë shumë të kapshme dhe me vlera tejet të rëndësishme për lexuesin e  kësaj fushe të diturisë.

Në fillim të kësaj monografie, autori, Xh. Xhaferi, fillon me shkrimin “Dy fjalë për lexuesit”. Pse jo? Autori ka dashur ta njoftojë lexuesin për qëllimin dhe idenë që e shtyri ta mbarështrojë materjen e kësaj monografie që flet për arsimn e shkollës së Pogragjës. Ai shton se, shkolla në fjalë ka mbushur 70 vjet të veprimtarisë së punës së suksesshme, e cila e meritoi një dokumentar sa për të lënë gjurmë tek gjeneratat e ardhshme të kësaj vatre të dijes. Siç dihet, ky dokumentar ka për qëllim pasqyrimin e rezultateve të punës edukativo-arsimore të shkollës fillore “Liria” të  fshatit Pogragjë. Pra, autori i monografisë na flet për historikun e shkollës, e cila, procesin mësimor e ka filluar nga viti 1945. Mandej, autori na flet për pjesën kryesore të monografisë, ku ka paraqitur veprimtarinë edukativo-arsimore 70-vjeçare të shkollës në fjalë.

Këtu, Xhafer Xhaferi, profesor, në monografinë e tij na flet për rrethanat shoqërore-historike që kanë ndikuar në zhvillimin e veprimtarisë së tërësishme të shkollës në fjalë. Na bën fjalë për të dhënat kronologjike rreth rritjes dhe rënies së numrit të shkollarëve. Na flet për bashkëpunimin me shkollat tjera, për zhvillimin e rrjetit shkollor në fshatra dhe rrethinë. Na flet për funksionimin e paraleleve të ndara fizike të Shkollë fillore të fshatit Pogragjë. Autori i monografisë na shton për hapjen e paraleleve të Qendrës për Arsim të Mesëm të Orientuar gjatë vitit (1981/87). Mandej na flet për hapjen e paraleleve të  Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti” gjatë vitit 1991/2005 në Pogragjë.

Siç shihet, monografia në fjalë e  Xh. Xhaferit, ka një vazhdimësi mjaft të qëlluar e me vend. Autori jep një pasqyrë të fshatit Pogragjë, historikkun e tij. Ai (autori) shton se, “Pogragja është një ndër fshatrat e rralla, me zanafillë nga antikiteti dhe me jetë të pandërprerë deri në ditët  tona. E tërë kjo jetë pasqyrohet në kronikën e saj të gurtë.

Autori shton se, çdo periudhë ka lënë gjurmët e saj. "Kështu, Kalaja shtyn fillesat e kësaj jete së paku në periudhën iliro-romake. Për lashtësinë e fshatit flet edhe mbishkrimi i një varri, i gjetur më 1976, që i takon fundi të shek. II-të dhe fillimit të  shek. III të epokës sonë (f.9). Autori i monografisë na flet për emigracionin ekonomik, ku nga ky fshat, siç shton autori, kanë emigruar shumë qytetarë në vende të huaja, si në Austri, Gjermani e Zvicër. Pjesa më kryesore e kësaj monografie është kaptina e II-të, në të  cilën autori e titullon  “Zhvillimi i arsimit në Pogragjë deri në vitin 1945”. Këtu autori na flet zanafillen e arsimit në këtë lokalitet, ku këtë fillim e gjejmë me ndërtimin e xhamive në fshatin në fjalë.

Ai (autori) shton se, “sipas të dhënave xhamia është ndërtuar  në vitin 1625 dhe është ndër më të vjetrat në këtë rreth” (f.13). Andaj, me ndërtimin e xhamive, siç shton autori i veprës, - janë krijuar kushtet për përfshirjen e fëmijëve në mësimin fetar. Dihet, ligjëratat i mbanin hoxhollarët e këtyre meseve. Në monografinë e autorit shtohet se, Perandoria Osmane, nuk kishte lejuar hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Por, me kërkesat e vazhdueshme të popullatës shqiptare e nën presionin e të tjerëve, thuhet se, shkollat janë hapur në gjuhën turke, por jo edhe në gjuhën amtare shqipe. “Nga këto të dhëna mësojmë se, në vitin 1974, egzitonte një mejtep e një medrese në  Gjilan dhe një medrese në Dobërçan”.

Ndërsa, sipas fjalëve të atuorit, “Më 1887, në Gjilan, ekzistonte një ruzhdije (gjimnaz i ulët), me 36 nxënës. Këtë gjimnaz, më  vonë e kreu edhe Shefki Rexhepi nga Pogragja” (f.13). Autori i veprës në fjalë na flet për personalitetet fetare të këtij fshati, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në shkollimin fetar të të rinjve të kësaj ane.  Me këtë rast dallohet, Mulla Salih ef. (1858/1912). Ky hoxhë e kishte kryer shkollën në Pogragjë, më vonë, siç thuhet, ka kryer edhe Ruzhdijen (gjimnazin) e ulët) në Gjilan.

Në monografi, autori Xh. Xhaferi, i flet për arsimin në periudhën e sundimit serb. Ai shton se, “Në rrethin e Gjilanit, që ishte rrethi më i madh në Mbretërinë Jugosllave, punuan vetëm katër shkolla: Hogosht (1913), Koretin (1914), Rogaçicë dhe Cërnicë. Autori shton më tutje se, “të dhënat, për rrethin e Gjilanit, për përfshirjen e rrjetit të shkollave (kuptohet në gjuhën serbe) dhe numrin e nxënësve që vijojnë të njëjtatt, flasin për një përfshirje shumë të vogël të fëmijëve shqiptarë në këto shkolla. Situata, siç shton autori, - do të ndryshojë në vitet e tridhjeta” (f.16). Xhafer Xhaferi, autor, nuk i ka ndalë shënimet, ku ai na flet për fillet e arsimit shqip në Pogragjë.

Ai (autori) shton se, menjëherë pas Luftës së Dytë  Botërore, detyrë e parë e  të gjitha strukturave ishte arsimimi i popullsisë në të gjitha trevat shqiptare. Prandaj, shkollat në gjuhën amtare u hapën jo vetëm në qytet, por  edhe në disa mese fshatare të mëdha. Por, shkolla janë hapur edhe në mese më të vogla. Vështirësitë në hapjen e shkollave ishin të mëdha e të shumta. Dihet, kanë munguar kushtet e punës, lokali shkollor, kuadri mësimor, orenditë për proces mësimor, tekstet shkollore etj. Kështu që, viti 1945/46, për banorët e fshatit Pogragjë ishte një vit i Rilindjes së popullit të kësaj ane. “Ky është vit, kur për herë të parë u hap shkolla me mësim në gjuhën shqipe. Shkolla të tilla fillore ishin hapur atë kohë edhe në Gjilan, Bresalc,  Zhegër, Cërnicë, Livoç të Epërm, Shurdhan dhe Dobërçan”(f.19).

Hapja e shkollës shqipe në fshatin Pogragjë ishte një moment i paharruar dhe i papërshkruar për qytetarët e këtij lokaliteti. Atë kohë, klasa e kësaj vatre shkollore patë pati 28 nxënës, të cilët, për herë të parë mësuan alfabetin shqip. Autori përmend emrat e mësuesve të parë, si Tasim ... nga Gjilani, mandej, si mësues në këtë lokalitet ka punuar Xhavit Kuçi nga Kavaja e Shqipërisë. Ky i fundit, siç shton autori, - i kishte vuar bazat e para të arsimt shqip në fshatin Pogragjë. Ky qe mësues i zellshëm dhe shumë punëtor.

Mësojmë se, nga kjo shkollë fshati doli brezi i parë me mësim në gjuhën shqipe, si Rabit Rexhepi, Fetah Fetahu, Nuhi Xhelili, Bajram Behluli, Halit Shabani, Maksut Behluli, Shaban Mustafa, Xhemajl H. Rexhepi, Sabit Sh. Esati, Ramadan Isaku, Sadullah Salihu, Latif Shaqiri etj. Ishte kjo kohë e hershme e arsimimit të popullit shqiptar, i cili popull nuk dinte shkrim-lexim. Thuhet në vepër se, në këtë kohë janë bërë organizime apo kurse analfabetike, me qëllim që popullata të mësojë shkrim-lexim për dije e jetë. Autori përmend Mësuesin Reshat (Hoxha), i cili, në Pogragjë punoi vetëm një vit si mësues me ditar në dorë gjatë vitit1946/1947. Këtu punoi si mësues edhe Rexhep  Hoxha, poeti më i mirë  për  fëmijë. Ky punoi nga 1 prill i vitit 1948. Ky mësues (poet), ishte i ardhur nga Gjakova.

Autori shkruan për e arsimit shqip në vitet 1055/1967. Në këtë vit punuan me ditar në dorë këta mësues: Naim Ibrahimi, Rexhep Shahini, Habib Saqipi, Ali Selimi, Sejdi Mustafa, Muharrem Rexhepi, Bajram Zajmi, Hamdi Fehmiu, Sabit Jakupi, Fahredin Bexheti, Hasan Jonuzi, Sabit Shabani, Fetah Fetahu dhe Reshat Hoxha, drejtor. Po ashtu, në këtë vit shkollor punuan me ditar në dorë  si mësuese dy femra: Fatime Pllana dhe Sadete Shala”(f.27).

Autori na flet për kuadrin mësimor gjat vitit 1967-1990. Na flet për organizimin e provimeve private, për kuadrin mësimor gjatë vitit 1990-1999, na flet për bashkëpuminim e shkollave ndërmjet veti, për objektet shollore që kanë ekzistuar, gjendjen e tyre, hapjen e shkollës në fshatin Llofcë, Bilinicë, Sllubicë, Stublinë, numrin e shkollarëve, mësuesve, na flet për hapjen e shkollës në Kokaj etj., etj.

Në kaptinën e V-të, autori na i paraqet  biografitë e drejtorëve të shkollave, të mësimdhënësve, të  stafit administativo-tekni të shkollës. Në pjesën e fundit të monografisë, autori e shton një shtojcë me dokumente, foto e faksimile të ndryshme. Në këtë shtojcë janë të shtuara mbi 100 foto të ndryshme nga veprimtaria e punës së mësimdhënësve të Pogragjës dhe fshatrave përrreth. Ajo që të bie në sy për të mirë, është fakti se, për shkrimin e kësaj monografie, autori ka shfrytëzuar afro 30 burime të kësaj fushe të dijes. Vepra ka 225 faqe tekst. E botoi Pika 5/A në Gjilan.


Gjilan, 26 gusht

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: