Gjekë Gjonaj: Ndikimi i politikës rrezikon kulturën
| E Shtune, 26.08.2017, 09:21 AM |

Ndikimi i politikës rrezikon artin dhe kulturën  shqiptare

Nga Gjekë Gjonaj

Kultura dhe arti janë  segmente shumë  të rëndësishme pa të cilat asnjë shoqëri  (komb) nuk  mund të mbijetojë dhe  as të ekzistojë.Vështruar në këtë kontekst  nuk ka komb pa art e kulturë, sepse  çdo komunitet njerëzish që e përbëjnë kombin ndërlidhet me identitetin kulturor. Një komb pa identitet të mirëfilltë e të njëmendtë  nuk e ka të lehtë  të gjejë  rrugën drejt të ardhmes. Për më keq, një komb me identitet gjysmak e ka të pamundur të konsolidojë vetveten dhe të ardhmen e tij, shprehen elitat tona kulturore. Sipas tyre kultura  dhe arti janë  vetë shteti, vetë kombi. Fanarë që mbajnë të ndezur flakën e atdhetarizmit brenda një etniciteti. Të dyja bashkë  janë gjymtyrë të pandara të një trupi. Kultura e arti i afrojnë dhe i bashkojnë qytetarët rreth një ideje,  ideali që është kombëtar. Përveç kësaj arti e  kultura në vetvete  janë shpirti i një kombi,  sinonim i lirisë , i  gjetjeve  apo zbulimeve të vazhdueshme të inovacioneve .

Dijetari Nibil Çinka shkruante: “Një kombi që i mungon njëtrajtshmëria dhe hemogjeniteti kulturor, atij i mungon ndërgjegjja kombëtare e vërtetë dhe e përsosur.Vlera e një kombi është në lidhje të ngushtë me ketë ndërgjegje, që është vepër kulture e qytetërimit”.  Edhe psikologu dhe filozofi gjerrman Eduard Spranger thotë: “Një komb ja ka një kulturë kombëtare, ja s’ka asnjë”. Këtë mendim për kulturën  e mbështetën thuajse njëzëri  mendimtarët e shquar shqiptarë  të viteve të 20-30-të  shekullit të kaluar , Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan Noli, At Anton Harapi, e shumë të tjerë më vonë , që përbëjnë aureolën e  kulturës shqiptare.

Falë njerëzve të kulturës kombi ynë   ka mbijetuar kombëtarisht. Këta misionarë të dyfishtë  kulturën e artin e  kanë konceptuaar si mision dhe detyrim kombëtar.   Misioni i tyre, që nga Dom Gjon Buzuku,P. Budi , F.Bardhi, P.Bogdani, Jeronim de Rada  e këndej,  ishte kryesor , madje edhe vendimtar  në të gjitha lëvizjet kombëtare. Me veprimtarinë e tyre kulturore  mbajtën gjallë kujtesën historike të popullit shqiptar,  sforcuan idealet  për mbijetesë kombëtare dhe mobilizuan kombin për liri.

Politikat kulturore që udhëhiqen sot   në shoqëritë shqiptare   janë në disafvor të kulturës kombëtare. Politika  e ka shtrirë ndikimin në art e  kulturë.    Investimet në këto dy fusha  janë të pamjaftueshme. Ministrat shqiptarë të   kulturës  kanë komptetnca shumë të mëdha , karshi institucioneve të kultures e artit. Ata zgjedhin drejtorët  e institucioneve kulturore jo në baza të aftësive profesionale, por kryekput në vija partiake. Këto emërime ( poste) politike   pa mëdysghje e ulin cilësinë  e krijimtarisë kulturore në përgjithësi, sepse  në kulturë  duhet të jetë kriterium vetëm vlera.

Më e keqja është se politikëbërësit shqiptarë, në shumicën e rasteve, fare pak e përcjellin kulturën. Ata kryesisht komunikojnë më njerëzit e kulturës, poetët, shkrimtarët, artistët e të tjerët  vetëm pak para fushatave partiake ose në ndonjë moment kur  e dinë se ka përfshirje mediale.  Politikanët tanë   vite të tëra trumbetojnë se duhet të shkojmë në Europë, se nuk jemi larg larg saj. Mirëpo  harrojnë ose nuk duan të thonë se në  Europë  nuk shkohet vetëm  me rrugë, drita e ujë. Në këtë familje evropiane  futemi edhe   me traditën, civilizimin dhe kulturën tonë.  Kur  të kemi liderë që vërtetë e shijojnë, e duan artin e kulturën gjithçka do të funksionojë  shumë  më mirë, edhe ekonomia, edhe rendi, edhe politika.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: