Mark Zefi: Inxhinieri që sfidoi diktaturën
| E Shtune, 26.08.2017, 09:57 AM |

NIKOLLË SKANA, INXHINIERI QË SFIDOI DIKTATURËN

- Profili i një disidenti të pavlerësuar -

NGA ING. MARK ZEFI, Piacenza, Itali

Ndërsa koha ndjek sensin e së ardhmes, kujtesa rikthehet herë mbas here nëpër skutat e së shkuarës, ashtu siç shfletojmë një, dy apo disa herë një libër që kemi lexuar kohë më parë, duke riprodhuar ngjarje, çaste gëzimi apo hidhërimi, por edhe individë që përmenden për vepra njerëzore e intelektuale. Në oazin e larmishëm të kujtimeve tona, secili prej nesh veçon atë çka i duket më e vlefshme dhe mbresëlënëse për kumunitetin në të cilin rron.

Nga ky këndvështrim, përmes këtyre radhëve, po përpiqemi të nxjerrim nga honet e së kaluarës një përsonazh pak ose aspak të përmendur deri tani, i cili u përballë me dinjitet me diktaturën, për shkak të bindjeve dhe pikëpamjeve të tij kundër saj. Kur nderohen me tituj nderi qytetarë të zakonshëm, në ndonjë rast edhe të përfolur si të kompromentuar me regjimin e kaluar, e jo individë të tillë elitarë, kemi të drejtë të mendojmë se këto qëndrime të zyrave të shtetit janë të ndikuara nga faktorë subjektivë. I pashpjegueshëm mbetet fakti që intelektualëve që kanë sakrifikuar lirinë e ndërgjegjës e deri jetën e tyre për lirinë e lumturinë e gjithë shoqërisë, brilantë për nga dituria, model për nga sjellja qytetare dhe edukata, të spikatur profesionalisht, nuk iu përmendet emri sikur të mos kenë ekzistuar kurrë. Një i tillë, që nuk kërkohet talent për t’ia bërë portretin, të  cilin  e ka mbuluar pluhuri i harresës, është inxhinieri i shfrytëzim-përpunim drurit në Mirditë, Nikollë Skana. I lindur 3.9.1952 në një familje intelektuale dhe me tradita të hershme, siç njihet familja Skana, në fshatin Mashtërkor të Oroshit, mbas arsimit 8-vjeçar në vendlindje, mbaroi gjimnazin “Bardhok Biba” në qytetin e Rrëshenit, ku u rradhit ndër dy - tre  nxënësit më të mirë të maturës 71. Kujtesa e qytetarëve mirditorë e portretizon që në rininë e tij si një individ me tipare fisnike, jo vetëm për pamjen e tij të hijshme, gjithnjë i buzëqeshur dhe me një shikim engjëllor, po se mbi të gjitha ishte me një formim kulturor që e bënte të veçantë nga bashkëmoshatarët e tij. Nikolla fliste rrallë në mjediset shoqërore, gjithnjë me zë të ulët dhe duke e ilustruar atë çfarë thoshte me shembuj e mbështetur në argumente. Nuk e prishte kurrë gjakun me njerëzit në çdo lloj rrethane të ishte dhe fjalori i tij ishte gjithnjë korrekt. Kur tregonte ndonjë ndodhi apo subjekt jetësor, shprehej me aq sqimë sa të gjithë e ndiqnin me admirim. Në atë periudhë filmat në kinema shfaqeshin në dy pjesë, sepse aparutart ishin primitive. Në mbarim të pjesës së parë, apo kur qëllonte që këputej shiriti i filmit, ndizeshin dritat për pesë minuta ose më shumë. Të gjithë nisnim pëshpëritjet me njëri-tjetrin, ndërsa ai nxirrte librin nga xhepi i xhaketës kur ishte dimër apo poshtë këmishës në stinët e nxehta dhe lexonte deri sa rifillonte shfaqja e filmit. Ishte shumë i pasionuar pas literaturës artistike, veçanërisht romaneve. Si pinioll i një familje të cilën partia shtet nuk e kishte me sy të mirë, megjithëse u rradhit me nxënësit ekselentë të brezit të tij, nuk iu dha e drejta të ndjekë studimet e larta në një nga degët e preferuara të kohës, si inxhinieria mekanike, apo ajo e ndërtimit, mjekësia, shkencat e natyrës, le pastaj juridik apo filozofi, por u dërgua një degë e “dorës së dytë”, siç ishte ajo e industrisë së drurit. Duke e konsideruar me origjinë fshatar i mesëm, sipas klasifikimeve të asaj kohe, edhe pse vinte nga një familje me shumë fëmijë e me të ardhura të pakta, do të paguante pesëdhjetë përqind të shpenzimeve studentore. Edhe në fakultetin e Pyjeve vazhdoi të ishte po ai temperament i qetë, simpatik, i thjeshtë, i edukuar e gjithnjë lexues i librit jashtëshkollor, i dhënë pas gjuhës frënge, teksa gjuhën italiane dhe atë spanjolle i kishte mësuar paralelisht që kur ishte në gjimnaz.

E mbaroi fakultetin e Pyjeve në vitin 1976 me rezultate të larta, duke u rreshtuar me studentët më të mirë. U caktua inxhinier në ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve Mirditë. Mbas një viti punë në sektorin e shfrytëzimit në qëndër, pranë qytetit Rrëshen, e dërguan inxhinier në sektorin e largët Kumbull të Kurbneshit. Edhe pse në kushte tejet të vështira në të cilat që gjendeshin sektorët e sharrave në atë periudhë, inxhinieri i ri Nikollë Skana u përshtat shpejt, duke fituar simpatinë dhe respektin e masës së punëtorëve të zonës. Mirëpo njeriut të ditur me një nivel intelektual jo të zakontë, për shkak se vinte nga një familje me biografi politike të papëlqyeshme për nomenklaturën e kuqe, i duhej ndalur vazhdimësia, karriera. I “deleguan” njerëz, të cilët do t’i ofronin miqësi dhe sipas porosive të operativëve të Sigurimit do të hapnin biseda me tema te caktuara politike. Ishte e kuptueshme se në ato kushte aspak komode për një të ri 26-27 vjeçar, inxhinieri do ta pranonte pa asnjë paragjykim miqësinë e ofruar nga ata njerëz hije. Duke mos patur në ndërgjegjen e tij keqdashje apo djallzi, si mendje e lirë, ra pre ne atë kurth që fort mirë dinin ta përgatisnin sigurimsat e bashkëpuntorët e tyre. Mendimet e tij kurajoze e me shkallë të gjërë njohjeje sociale e politike, u interpretuan sipas qëllimit goditës që kishte Sigurimi ndaj tij. Kështu në vitin 1980 e arrestuan me bujë. Kreu i hetuesisë i asaj periudhe në Mirditë, një ekstremist që asnjëherë nuk dha llogari, në një moment të lirë i është shprehur ekspertit pyjor  (GJ.P.) të ardhur nga NPD-ja Fushë -Arrëz: “Deri para një muaj ka rezistuar. Por kur ia përdrodha hekurat… u durëzua dhe pranoi se thëniet e tij i kishte patur me qëllim armiqësor kundër Partisë dhe shokut Enver”.

Në gjyqin, që zgjati tre ditë, me një qëndrim burrëror të paparë, me terma filozofike e pa iu dridhur zëri, Nikolla mbrojti pikëpamjet e tij, duke pohuar se gjithçka kishte shprehur ishin bindjet e tij, që vinin si rrjedhime logjike të analizës që iu kishte bërë ngjarjeve të kohës, duke deklaruar para qindra qytetarëve të pranishëm, që dëgjonin dhe jashtë sallës me aroparlant, se nuk kishte as dyshimin më të vogël se së afërmi ato pikëpamje do të bëheshin realitet. “Nuk do të kalojë shumë kohë kur komunizmi nuk do të jetë ma rend në fuqi” – u shpreh Nikolla para trupit gjykues në fillimverën e vitit 1981. Me argumente bindëse deklaroi se parimi i Leninit për ndërtimin e socializmit bazuar vetëm në forcat e veta është ligji më shkatërrimtar i mirëqenies së popujve që e ka përshpejtuar fundin e socializmit si rend ekonomik i dështuar. “Një mbrëmje duke riparuar një motorsharrë polake, që është mekanizëm i thjeshtë, vura re se karburatori mbante stampën “Made in USA”. Kur Polonia që është një vend i madh e shumë më i zhvilluar nga ne bashkëpunon me Amerikën, atëherë ne çfarë suksesesh mund të arrijmë duke mos bashkëpunuar me vendet e zhvilluara?” - vijoi inxhinieri pyjor me fjalën e tij gjatë kundërshtimit të akt- akuzës. Ndërhyrjes së kryegjyqtarit nëse ndjehej i penduar për ato mendime heretike që kishte shprehur, ai iu përgjigj: “Nuk gjej arsye të jem i penduar për bindjet e mija. Aq më tepër kur nuk i shkaktojnë dëm asnjeriu. Unë kam bindjen se fjala duhet të jetë e lirë”. Kur u pyet në fundin e seancës se çfarë kërkonte, mëshirë apo drejtësi, mbas një heshtjeje të shkurtër u shpreh: “Kërkoj drejtësi!” I kujtoj këto e të tjera si pjesëmarrës në atë gjyq ku ai shkëlqeu dhe diktatura u tulat. Inxhnier Skana u dënua me 23 vite burg, për agjitacion e propagandë dhe sabotim në ekonomi, edhe  pse  inxhinierët ekspertë  të angazhuar për këtë qëllim, dëshmuan se krimi i sabotimit në ekonomi nuk qendronte. Disa nga kolegët që drejtonin në ndërmarrje dhe “miq” të tij të mëparshëm, i kishin dalë dëshmitarë gjatë ballafaqimit në hetuesi e dikush i doli dëshmitar edhe në sallën e gjyqit.

Mbas lëvizjes për liri e të drejta njerëzore të vitit ‘90, Nikolla u lirua si të gjithë të dënuarit e ndërgjegjes. Të shumtë ishin kolegët e miqtë që i kërkuan të bashkohej me lëvizjen për demokraci, si njeri me kredibilitet të lartë moral e intelektual, mundësisht për të qenë në krye të saj. Por... “Më kanë thirrur që t’i bashkohesha lëvizjes për demokraci edhe nga ata që më kanë dënuar(!) Nuk marr dot iniciativa kundër vetvetes. Unë u dënova një herë prej tyre që tani më premtojnë demokracinë. Dy dënime prej tyre nuk ia lejoj vetes”, ishte reagimi i tij. Për të mos u bërë pjesë e komedisë politike që po luhej për marrjen nën kontroll të lëvizjes për liri e përparim kombëtar nga të ngarkuarit e PPSH, ai iu drejtua emigracioinit në Greqi, ku qëndroi plot katër vite. Për inxhinierin që kishte vuajtur kalvarin e tmerrshëm të torturave në hetuesi e në burgun e Qafë - Barit, për asnjë faj të kryer nga ana e tij, vetëm se deklaroi publikisht të drejtën njerëzore për fjalën dhe mendimin e lirë, në ato vite kur shpata e diktaturës kosiste jetë njerëzish të pafajshëm, njëlloj si kosa kur palos barin e njomë, nuk kishte ndryshuar asgjë. Për dëshmitarët që kishin kontribuar në proçesin hetimor e atë gjyqësor kundër kolegut të guximshëm përsëri vazhduan ditë të bardha. Këta persona të komprometuar me të kaluarën komuniste u zgjodhën në poste të rëndësishme të qeverisjes pluraliste. E kur ndonjëri syresh është nderuar me titullin “qytetar nderi” në periudhat në vijim, më e pakta që mund të thuhet është se shoqëria shqiptare ende nuk është ndarë me të kaluarën komuniste, paçka deklaratave për të kundërten, që janë vetëm fasadë. Ajo që duhet të na shqetësojë është pandershmëria e institucioneve të shtetit që tregohen bujare në dhënien e titujve të nderit apo medaljeve me motivacione të ndryshme shpesh të glorifikuara, për të kënaqur lobet politike dhe tarafet e tyre, sideomos kur kjo stuhi dekorimesh vërehet në prag të fushatave të  zgjedhjeve. Ndërsa Nikoll Skanës e të tjerëve intelektualë si ai nuk iu mbetej tjetër gjatë tranzicionit, veçse të “uronin” për titujt e nderit ata që iu punuan të zezën dje.

Të gjitha subjektet politike të  pas vitit 90, përfshi edhe disa shoqata ish - të përndjekurish politikë të krijuara prej tyre, u vunë në garë fjalësh se kush e kush do të realizonte më mirë vlerësimin, integrimin dhe kompensimin e të ish-dënuarve të ndërgjegjes nga diktatura. U bënë tubime politike, u hartuan lista bashkëvuajtësish për të drejta studimi e bursa për fëmijët, u bë me ngut dhënia e titujve të nderit për disa syresh, apo e shpërbilemeve për vuajtjet gjatë kryrjes së dënimit. Ndërsa për intelektualin që vezulloi dritë në terrin komunist Nikollë Skana nuk u tha asnjë fjalë, le pastaj dekoratë! Nuk u inkurajua istitucioni i Presidentit të republikës për ta përjetësuar në altarin e kombit këtë martir të gjallë që me vetëdije të plotë, si rrallë ndonjë tjetër, sakrifikoi rininë e tij, duke shpërfillur edhe vdekjen për fjalën e mendimin e lirë. Ndoshta kjo “harresë” e ka bazën në faktin se ka qenë antikomunist deri në frymën e fundit të jetës së tij dhe me kulturë të mirëfilltë perëndimore. Inxhinier Skana vdiq nga infarkti, që nuk i fal zemrat e lodhura nga padrejtësia, me 4 shtator të vitit 2000 në moshën 48-vjeçare, duke lënë në pikëllim të thellë bashkëshorten dhe vajzën e tij të vetme, që rrojnë në Tiranë.

Këtë shtator mbushën 17 vite që Nikolla nuk është më dhe për të kujtohen vetëm miqtë e profesionit dhe familjarët. Edhe pse nuk përligjen vonesa të tilla që kanë të bëjnë me kujtesën, prapë mundet që ka vlerë ajo fjala e urtë, asnjëherë nuk është vonë...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: