Entela Binjaku: DJ Baku, e vetmja femër!
| E Enjte, 24.08.2017, 09:57 AM |

Ajo është nga Kuçova, studion në Tiranë për “Imazheri” në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit të Mjekësisë. Aktualisht është duke ndjekur studimet master shkencor në vitin e dytë. “Pasioni për të luajtur me  muzikën” siç e quan ajo, ka nisur që në fëmijëri. Është e lindur në korrikun e vitit 1995 dhe ushqen një dashuri të madhe për një profesion tërësisht të panjohur për brezin e prindërve të saj, por shumë i përqafuar nga të rinjtë dhe dita-ditës edhe më i njohur, siç është DJ. Stina e verës në Shqipëri nuk mund të kuptohet pa ritualin intensiv të dasmave ku muzika është një ndër përbërësit kyç për mbarëvajtjen e kësaj feste të rëndësishme.  Ajo mori përsipër të bënte DJ në dasmën e vëllait të saj, një gjë e pazakontë për kulturën  tonë, ku ky profesion edhe pse tërësisht i ri, nuk i shpëtoi stereotipizimit duke u shndërruar në një domen mashkullor. Ndiqni në vijim intervistën me Bajame Plakun, ose DJ Baku,  që ne e cilësuam si e vetmja femër!

Opusalb- Si nisi pasioni për DJ ?

DJ. Baku: “Pasion për të luajtur me muzikënß tingëllon më ngrohtë për shpirtin tim. Kjo ndjesi erdhi te unë shumë natyrshëm si një nevojë që buronte thellë brënda meje e më plotësonte më shumë. Rreth klasës së tetë kur kthehesha nga shkolla bëja inçizime me magnetofon me zërin tim. Më vonë kuptova se realisht  çfarë unë doja të bëja, ishte të ndërhyja në këngët sa dhe punët i lija, inatosesha, mbyllesha vetëm ne dhomë dhe nje trazirë në kokën time niste. Aty qëndronte çelësi i qetësisë sime por dhe dilema më e madhe. Kaloja shume orë para kompjuterit .Më kujtohet si sot, shkova një ditë    qendrën e  internetit të lagjes  e kerkova program DJ. U thashë se me kishte derguar vëllai pasi nuk kishte kohë të vinte vet e i duhej patjetër. U justifikova pasi  pashë  fytyra të habitura  që po hezitonin të instalonin një program DJ për një vajzë. Shkova më një frymë në shtëpi dhe direkt para kompjuterit e instalova si më udhëzuan dhe ç’të të them sikur kisha një perandori para syve,sa u bë dhe “molla e sherrit” në famije. Dëgjoja babin që i thoshte mamit:"Çfarë ka goca që rri mbyllur ne dhomë,sikur mendohet shumë kohët e fundit, shko pyete ti o grua,etj etj…

Më vinte për të qeshur nga njëra anë por,  unë isha si fëmijë i lumtur në botën time e pakuptuar bëhesha objekt bisede,  sa herë ndizja muzikën dhe “faji” ishte i imi, i vija vetë shkrepsen zjarrit”.

Opusalb-A di ta përdorësh miksimin dhe nga nisesh për të përzgjedhur këngët?

DJ. Baku: “Përdorimi i kompjuterit të ndihmon për të patur gati miximet. Pogrami që un kam të instaluar quhet DJ virtual. Është një program i thjeshtë, të lejon të marrësh këngë nga folderat që ke në kompjuter dhe të vendosësh dy këngë. Kur vendos këngën pasardhëse nuk është e nevojshme të shkëputësh njerën për të vendosur tjetrën  por mund të ulësh ngadalë volumin e  këngës  se parë e rrit gradualisht volumin e këngës tjetër dhe kjo te jep ndjesinë e vazhdimësisë të një  lidhje të qëndrueshme . Përveç  përshpejtimit ,ngadalësimit të  këngëve,volumit, ,ndërhyn në këngë,modifikon zërin e këngëtarit, të krijohet ndjesia sikur xhiron diskun kur klikon me maus  te hapësira e tij ,efekte të veçanta këto që duhen demostrur konkretisht”.

Opusalb-A ke ushtruar dëshirën për t´u bërë DJ në mjedise të hapura dhe sa "të bezdisshëm" janë njerëzit me kërkesat e tyre për këngët?

DJ.Baku:“Me rrethin shoqëror shumë  herë . Miqtë  e mi më te afërt e dinë pasionin tim dhe e kanë parë  gjithashtu që unë jam gjithmonë e kudondodhur kur bëhet fjalë për t’u kujdesur për muzikën. Është privilegj i madh për mua kur  më besohet kjo pjesë dhe e bëj me shumë përkushtim në festa e ditëlindje ose kur mblidhemi për qejfin tonë brohorasin : “DJ Baku” .Cilësimi DJ kërkon jashtëzakonisht shumë punë për t’u bërë profesionist, kurse emri Baku është shkurtesa e emrit tim që më drejtohen miqtë. Dasma e vëllait, është një përvojë më vete, ende më e madhe  dëshira  për ta drejtuar ditët e ahengut së bashku me kushurinjtë.Një ëndërr e vërtet kur pashë ata bokset e mëdha të zërit, të ishin pjesë e imja,tani mund t´i prekja vertet e t’i bëja të buçisnin me melodinë që un përzgjidhja. Ishin rreth 6 ditë aheng nga e diela në të shtunë ndaj të dielën më lanë të qëndroja më shumë, duke u ndjerë si “ DJ kryesor” i natës. Këngët i vendosja duke u nisur nga të preferuarat e mia, që i kisha ndarë paraprakisht nëpër foldera, këngë popullore, napoloni, vallëzim, hip hop etj . Kur I shoh DJ e tjerë nëpër dasma më vjen keq për ta,  më duket se bezdisen, por të jesh ulur në atë karrige është krenari dhe nuk është aspak bezdisje,  por aftësi për të menaxhuar situatën dhe t’i kënaqësh njerëzit. Kur shikon një buzëqeshje, dyfish  buzëqeshje ndjen shpirti ynë!”.

Opusalb-Si ta besoi vëllai këtë dëshirë duke ditur se DJ është po aq qëndror sa ushqimi, në një dasëm?

DJ.Baku: “Çdo detaj në një organizim është i rëndësishëm dhe asnjë mangësi nuk duhet përjashtuar. Nuk ishte ndonjë gjë e ekzagjeruar në sytë e familjarëve te mi që të merresha me pjesën e muzikës pasi kisha rreth 5 vite që ua bëja çdo ditë shtëpinë si aheng dasme sa dhe lagja ishte mësuar. Vëllai kishte besim në preferencat e mia pasi  ka qënë gjithmone ai i pari që edhe kur nuk ishte në shtëpi më merrte në celular, e me thoshte t’i bëja  disa disqe të reja me këngë se diskun e fundit që un i kisha bërë ia kishin marr të tjerët. Ditët e tjera të ahengut kam qënë e detyruar te isha çdo sekondë e më pak te sheshi i dasmës  pasi njërëzit shtoheshin, sebepi ishte në shtëpinë time dhe gocat duhet të ndihmonin me pjesën e qerasjes, gatimit, mikpritjes së të ftuarve etj. Shpeshherë më thoshin "hajde këtej se ti nuk je çun të rrish aty, ka gjëra më të rëndesishme që ti duhet të merresh”.

Opusalb-Si mendon ti se e përceptojnë njerëzit punën e DJ tek ne?

DJ.Baku:“Njeriu  nuk duhet të jetojë me idenë që të bëjë gjërat që duken mirë në sytë e të tjerëve. Mund të ketë dhe paragjykime për të qënë një femer DJ, por nuk duhet te ndalemi nëqoftëse nevoja lind nga shpirti dhe jo nga përceptimi. Në aheng  e ndjeva mbivlerësimin e djemve, pjesën që punët janë të ndara dhe DJ shihej si prona e meshkujve. ..Ah, sa lutesha të isha djalë,sa do doja të kapërceja  ylberin në ato caste ,por skisha fuqi të mbinatyrshme ta bëja ,ishte e pamundur e ndihesha fatkeqe! Por sot që jam më e rritur kuptoj që nuk jam aq fatkeqe, nuk është fatkeqësi të jesh femër dhe aq më pak të luftosh të bëhesh profesioniste si DJ".

Opusalb-Do të  kishe dashur të punoje në këtë drejtim?

DJ.Baku: “Fjala dëshirë është pak. Në sytë e mi shihet si nevojë për të qënë e plotësuar me  veten, për të ndryshuar monotoninë e një ditë jo vetëm të timen por edhe të të tjerëve . Kështu që,  ka ende shpresë për të punuar në këtë drejtim”.

Intervistoi Entela Binjaku



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: