Zymer Mehani: Poezia për fëmijë e Sahit Shalës
| E Shtune, 26.08.2017, 07:35 AM |

VËSHTRIM POEZISË PËR FËMIJË TË POETIT SAHIT SHALA

Shkruan Prof. Zymer Mehani

I

Tanimë, emri i shkrimtarit Sahit Shala sigurisht se është i njohur për lexuesit tanë. Ky në horizontet e letërsisë sonë shqipe erdhi dhe u fut nga diaspora jonë. Pikërisht poeti Shala vjen nga Norvegjia mike, me një bagazh të gjerë veprash, deri më tani të shkruara për të rritur, e tash me vëllimin “Engjujt e bardhë” po na shfaqet edhe si poet i letërsisë për fëmijë.

Veprat e këtij shkrimtari rrezatojnë vlera të rëndësishme në rrafshin edukativ, arsimor, imagjinativ, estetik e stilistik etj. etj. Emrin e tij kohëve të fundit, lexuesi shqiptar mund ta hasë nëpër disa gazeta e portale, që botohen si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Në këto shkrime të publikuara, kryesisht gjejmë studime dhe vështrime për veprën e tij, që është vlerësuar, analizuar dhe konstatuar pozitivisht dhe shumë lart krijimtaria letrare e tij. Po ashtu, për poezinë e z. Shala janë bërë shkrime edhe në formë recensioni, artikulli, vështrimi, eseje e trajtese, ku janë shfaqur mendime krejt pozitive për krijimtarinë letrare të tij.

Poeti Sahit Shala është një krijues i talentuar, me prirje të madhe, me kërshëri të gjithanshme, me kulturë letrare, me dituri të sistemuar kritike, teorike, estetike, filozofike dhe me vullnet e durim. Si i tillë, ai është i përgatitur të krijojë artin e tij letrar, jo vetëm bindshëm e bukur, por edhe në mënyrë të re e origjinale, që e arrin në saje të përvojës mbi procesin krijues dhe të përvojës jetësore.

II

Poeti i talentuar z. Sahit Shala tani po dëshmohet i suksesshëm edhe në fushën e trajtimit të temave, të motiveve, të dukurive e fenomeneve dhe të ngjarjeve që kanë të bëjnë me botën komplekse të fëmijëve, të cilën ka arritur ta paraqesë me vargje poetike cilësore, krijime që shquhen me vërtetësi të artit të përsosur. Ai me sukses ia ka dalë që të thellohet në botën fëmijërore dhe me aftësi prej krijuesi të denjë, i ka kapur shumë motive mjeshtërisht, që u pëlqejnë fëmijëve, jetës dhe kërkesave shpirtërore të tyre.

Bota fëmijërore është mjaft komplekse dhe si e tillë karakterizohet me ngjarje të shumta dhe nga më të ndryshmet. E shumë ngjarje kësofare poeti Sahit Shala me stilin e tij të veçantë, me vullnet dhe admirim për fëmijët i ka trajtuar bukur e me plot frymëzim në vëllimin poetik “Engjujt e bardhë”.

Është e sigurtë se poeti Shala me vëllimin poetik “Engjujt e bardhë”, te fëmijët do të sjellë shumë hare, gëzim, kënaqësi dhe optimizëm. Poezitë e këtij poeti, kësaj radhe flasin për jetën fëmijërore, që të vegjlit e jetojnë, për botën e tyre, ëndrrat e dëshirat, dhe pena e z. Shala me vlerat e artit të vet, këtyre pasardhësve tanë, vërtet u sjell kënaqësi, argëtim, por, gjithnjë vargun e tij e përshkon edhe vlera tejet e rëndësishme edhe estetike, edhe stilistike, e mbi të gjitha, veçohet vlera edukative.

Në poezitë e poetit Sahit Shala, vërtet fëmijët, por edhe të tjerët do të vërejnë se natyrshëm janë dhënë dromca nga bota e fëmijëve.

Kemi konstatuar se përmes këtyre poezive të bukura, qëllimi i poetit është që të bëjë ngritjen ideore dhe formimin ideo-artistik dhe ideoe-dukativ të fëmijëve, që ata të formohen si karaktere të shëndosha me vlera të mëdha njerëzore, të pajisur edhe me dituri të nevojshme mbi jetën dhe problemet e mprehta, me të cilat ballafaqohen gjatë moshës së tyre fëmijërore.

Ne e dimë se vëllimin poetik “Engjujt e bardhë” të poetit Sahit Shala, vërtet do ta kërkojnë, do ta gjejnë dhe lexojnë lexuesit tanë, e sidomos ata, të cilëve edhe u dedikohet ky vëllim, të vegjlit, si: fatosat, pionierët dhe nxënësit e ciklit të ulët, ngase poeti Shala përmes vargjeve të tij ka arritur të pasqyrojë në shumë aspekte botën shpirtërore e ndjenjore, mendore e imagjanitave të fëmijëve, duke i pajisur ata me dije, me njohuri dhe me ndjenja të atdhedashurisë, të çiltërsisë shpirtërore, zemërgjerësisë, traditave më të mira të popullit, siç janë mikpritja, bujaria, dashuria etj. Po ashtu, në këto vargje fëmijët do të gjejnë edhe motive të natyrës, të së vërtetës, lirisë, dashurisë ndaj prindërve e gjyshërve, mësuesit, shkronjave shqipe, historisë së popullit tonë dhe respektit të përhershëm të njeriut.

Të gjitha këto porosi dhe vlera, me të cilat shkëlqejnë vargjet e poetit Sahit Shala, te fëmijët sjellin kënaqësi, që përkojnë me botën e të vegjëlve, pikërisht nga fakti se z. Shala, me vullnet, përkushtim dhe kujdes në punën e tij krijuese, ka arritur të bëjë pasqyrimin e realitetit jetësor e shoqëror të fëmijëve, prandaj poezitë e tij, vërtet vijnë me vlera të larta, sa kulturore e kombëtare, aq edhe me vlera edukative, mësimore e fantastike për fëmijët.

Sahit Shala, me vëllimin poetik “ Engjujt e bardhë” e ka dëshmuar prirjen dhe zotësinë në trajtimin e temave e motiveve të rëndësishme për fëmijë dhe botën e tyre. Vetë subjekti i poezive të vëllimit flet jo vetëm për rinovimin e aftësive të poetit dhe për ngritjen e tij të sigurtë prej artisti nga vëllimi në vëllim, por edhe për përkushtimin e kujdesin e treguar për shprehjen koncize, me të cilën di ta bëjë konceptimin maksimal të mendimeve e ngjarjeve dhe kapjen e aspekteve të veçanta të jetës, që janë karakteristike në të menduarit dhe imagjinatën e fëmijëve. Pikërisht kjo mënyrë e trajtimit të reales të gërshetuar kaq bukur edhe me fanatastiken, u siguron poezive të z Shala jetëgjatësi dhe ua shton edhe më shumë vlerën- gjë që dëshmon vendosshmërinë dhe seriozitetin e vazhdueshëm të autorit për t`u falë fëmijëve krijime artistike me përmbajtje të rëndësishme ideo-eduaktive dhe arsimore.

III

Duke pasur parasysh të gjitha këto përpjekje të poetit Shala, i cili në këtë vëllim të ri sjell tema e motive të ndryshme dhe të trajtuara me art të goditur, kuptojmë faktin se, z Sahit Shala gjithnjë është në kërkim të temave të patrajtuara, por të kërkuara nga fëmijët, dhe vërtet ia ka arritur që me këtë vëllim, dedikuar fëmijëve, të shtojë lexuesit e librave të tij.

Poezitë e poetit Sahit Shala i përshkon një laryshi motivesh dhe tematikash.

Vëllimi poetik “Engjujt e bardhë” të poetit Sahit Shala vlerën ia shton edhe gjuha e pastër që është përdorur, fjalori i thjeshtë, por i kuptueshëm për fëmijët, si dhe elementet tjera teoriko-letrare, siç janë stili, motivet, mesazhet, tematikat, figuracioni poetik, rimimi dhe metri i vargjeve. Po ashtu librit i japin vlerë edhe ilustrimet që janë gërshetuar për mrekulli me vargjet.

Podujevë, më 12 gusht 2017



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: