Kadriu: Vezaj - Selver Maçkaj – dëshmor i kombit
| E Merkure, 23.08.2017, 07:24 AM |

RRUGA NËPËR TË CILËN ECËN HISTORIA E LIRISË  ËSHTË RRUGA E GJAKUT TË DËSHMORËVE

Xhyhere Vezaj Maçkaj “Monografi, Selver Maçkaj – dëshmor i kombit ”, botoi QKPSHA  Gjakova  - 2017

“Dëshmorëve “

” O ata t’lumtë, qi dhanë jetën,

O ata t’lumtë, që shkrinë vehten,

qi për erz e nderë t’shqiptarëve,

derdhën gjakun t’ue luftue.

Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina.”

Gjergj Fishta

Nga Milazim F. KADRIU

Pas katër librave me poezi kryesisht poezi atdhetare  ku shumica nga to i kushtohen luftës së lavdishme të UÇK-së dhe dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, Xhyhere Vezaj Maçkaj  nxori në dritë edhe  monografinë kushtuar dëshmorit, Selver Bajram Maçkaj. Në këtë monografi autorja  ka ndriçuar jetën dhe veprën e  luftëtarit të lirisë, Selver Maçkaj dhe të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe betejën e zhvilluar nga Brigada 128 që nga 25 maji deri më 31 maj 1999 kur bie heroikisht dëshmori i kombit në operacionin “Shigjeta” në fshatin Gorozhup, rrëzë Pashtrikut.

Dëshmorët  në kthesën e madhe historike  shprehën gatishmërinë e tyre që të dhënë gjënë më të shtrenjtë jetën e tyre  për të sjellë lirinë e shumë pritur në Kosovën martire. Andaj rruga nëpër të cilën ecën historia e lirisë së vendit është rruga e gjakut të dëshmorëve të lirisë.

Në këtë monografi autorja na sjellë jo vetëm të dhënat për jetën e dëshmorit, por duke shfletuar aktivitetin e tij na njofton edhe me një pjesë të historisë  pjesë e së cilës ishte edhe vetë dëshmori e po ashtu edhe  autorja që është bashkëshorte e dëshmorit dhe përkrahëse e aktivitetit atdhetar të dëshmorit po edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë  dhe e gatshme që edhe ajo të flijohet për lirinë e Kosovës.

Kur lexojmë këtë libër po edhe shumë libra tjerë të shkruar nga autor të ndryshëm  për dëshmorët dhe luftën e drejtë të UÇK-së vijmë në përfundim se pa sakrificën e gjithë dëshmorëve që ranë  anekënd vendit liria nuk do të ishte bërë realitet. Andaj  udha që kanë ndjekur të rënët për liri, është e vetmja udhë e bërjes së lirisë dhe e bërjes së tërësisë së atdheut. Ky ishte ideali i të gjithë dëshmorëve dhe amaneti i tyre  duhet të bëhet realitet. Lufta e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës kishte karakter çlirimtar. Por, si proces historik ajo ka hapur rrugën e madhe të bashkimit kombëtar, që do të ishte ndreqje e padrejtësive historike që i janë bërë popullit shqiptar kohë të gjatë.

Autorja e monografisë fillimisht në libër ka sjellë të dhënat për jetëshkrimin e dëshmorit të kombit, si dhe për rrugën jetësore të tij dhe të familjes, të themeleve të edukatës së tij atdhetare, por edhe të rrugëve jetësore nëpër të cilat ka kaluar dëshmori. Pastaj  sjell kujtimet që kanë dhënë familjarët e dëshmorit si bashkëshortja, nëna, motra, vëllai, djemtë, vajza, bashkëluftëtarët po edhe shokët tjerë të idealit me të cilët e ka zhvilluar veprimtarinë e tij atdhetare. Rruga që çon te liria nuk është e shtruar me lule, por është rrugë e vuajtjeve të shumta dhe e sakrificave të mëdha. Pikërisht këtë fakt e konfirmon edhe rruga e veprimtarisë atdhetare e dëshmorit Selver Maçkaj. Në këto kujtime ka mjaft raste prekëse  por edhe krenare ku të gjithë i përshkruajnë por edhe  momentet nga takimi i fundit  me dëshmorin. Skena prekëse  na paraqiten sidomos tek kujtimi i bashkëshortes dhe nënës që i kujtojnë shumë raste po edhe ndarjen e fundit nga dëshmori por që  edhe ato janë shumë krenare me veprën  e tij ashtu si janë krenar edhe fëmijët, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që në këtë monografi sollën kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj.

Më pas vjen pjesa e titulluar “Dromca nga  ditari” ku autorja sjellë pjesë të ditarit që kryesisht është ditar i pasluftës  së fundit ku sjell edhe momente  pikëllimi (vdekja e prindërve të dëshmorit)  por edhe momente gëzimi si janë martesa e dy djemve dhe vajzës së dëshmorit që ecin  në rrugën e lirisë që ua solli babai i tyre me shokë. Pastaj kemi një cikël poezish të  autores kryesisht  me tematikë nga lufta  dhe për dëshmorët. Në fund të monografisë kemi një album të pasur me foto të dëshmorit dhe familjarëve  të tij si dhe foto  me rastin e varrimit në Kukës dhe rivarrimit në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë si dhe  nga manifestimet e përvjetorëve  të rënies së dëshmorit.

Redaktorja e librit,  Mevlyde Mezini Saraçi ndër tjera thotë  se “Vetë libri monografik e sjell autoren, atdhetaren, Xhyhere Vezaj Maçkaj, si një grua qëndrese, luftëtare e dritës, një luftëtare e lirisë, një kryefamiljare e sprovuar me të gjitha vështirësitë e jetës deri te sakrifica  e saj si zonjë e cila mbeti pa bashkëshortin e saj në moshë shumë të re dhe i mbeti besnike deri në vdekje duke i rritur dhe edukuar me dashurinë e nënës, tre fëmijët e saj që ia la amanet babai i tyre  dëshmori, Selver Maçkaj ! ”

Kjo monografi përshkruan kujtime të përjetuara e histori të lavdishme të dëshmorit Selver Maçkaj po edhe të dëshmorëve tjerë  dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e Kosovës.

Andaj të gjithë ata që i dhanë krah dhe ndihmuan ardhjen e lirisë  duhet ti kujtojmë se janë pjesë e historisë sonë të cilën nuk duhet harruar ngase  po të harrohet historia ajo përsëritet, kjo ka ndodh edhe në të kaluarën e popullit tone.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: