Reshat Kripa: Mos harro!
| E Hene, 21.08.2017, 11:02 AM |

Gjashtëdhjetetetë vjet më parë

Mos harro!

Nga Reshat Kripa

O ti qytetar, që kalon nëpër këtë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se gjashtëdhjetetetë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqipëtarët që vrisnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që burgosnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqipëtarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet.

Ju, që i keni përjetuar ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte edhe gra e burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë qëndronin luftëtarët e lirisë , demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë. Në krahun e demokracisë ishin pikërisht këta burra që përkujtojmë sot.

Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar.

Mos harro, o qytetar! Liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. Për atë u lufttua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi gjatë, për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e studentëve shqiptarë në dhjetor 1990.

Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin ende nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithëshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.

Një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studjuar? A e di ai se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi qindra të ekzekutuar dhe mbi mijra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme? Dhe ky individ sot mban postin e nje ministri.

Unë do t’u thosha këtyre individëve: Si nuk keni turp zotërinj?  Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre.

Duke kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në fillim të viteve nëntëdhjetë shkruante:

Fitimtarët, fitimtarë,

Të mundurit, të mundur në përjetësi

Atëhere, po të jetë kështu,

Mos ardhsh  kurrë demokraci!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: