Milazim Kadriu: Mustafë Ismaili - Në mes dy shekujve
| E Merkure, 23.08.2017, 07:20 AM |

SHPREHJE E VUAJTJES, DHEMBJES, REVOLTËS NDAJ PADITURISË …

Mustafë Ismaili “Në mes dy shekujve”, botues “Atunis”, Prishtinë 2017

Nga Milazim F. KADRIU

E shkuara nuk mund të fshihet. Këto vlera ngelin dhe përcillen në pjesën e kujtimeve të hidhura të jetës. Por e ardhmja akoma do të shkruhet ! Kjo është e vërteta që më ndjek tërë jetën.(M. I.)

Kështu shkruan Mustafë Ismaili në fillim të romanit  të tij “Në mes dy shekujve”. Ky roman ka një  titull mjaft simbolik e ku për temë trajtimi e merr një kohë të caktuar në një vend të caktuar si është Lugina e Preshevës. Ndonëse autori jeton dhe vepron në Kanada, për çdo verë kur vjen në pushime na vjen me tituj të ri qoftë në prozë apo poezi.

Romani “Në mes dy shekujve” i Mustafë Ismailit  është i ndarë në tri pjesë apo më mirë të themi përbëhet nga tri novela : “Biografi e dhimbshme”, “Plani për dëbim” dhe “Samiu”. Ndonëse në të tri novelat trajton ngjarje të ndryshme që në të tria e ka protagonist kryesor njeriun me emrin Fati.

Në pjesën e parë na sjell vërtetë një biografi të dhembshme të Fatit, i cili qysh herët mbetet bonjak pa nënën e dashur të tij dhe përjeton një vuajtje të madhe. Mjedisi ku u rrit, ku u formua dhe edukua Fati kanë luajtur rol përcaktues në brendinë dhe në natyrën e zhvillimit të tij jetësor. Gjyshi i tij ndonëse me një pasuri  të mirë ishte konservativ dhe ishte kundër emancipimit dhe shkollimit. Këtë e trashëgoi edhe babai i Fatit, i cili nuk lejonte shkollimin e djalit të tij, ndërsa e ëma vinte nga një familje bajraktarësh dhe ishte shumë e zgjuar. Pas vdekjes së hershme të nënës mbi supet e Fatit rënduan pasha të rënda. Ai rreth vetes shihte shumë rrugë  të mbyllura dhe pa horizonte. Pasi babai i Fatit vendos të martohet sërish por që sipas tij Fati ishte pengesë ngase nuk e donin  ato gra me të cilat ai i kërkonte për  nuse, dajat vendosin që ta marrin Fatin dhe të jetoi tek ta. Pas një kohe ata e marrin edhe në punë të përkohshme në Zvicër. Por pas qëndrimit për një kohë atje detyrohet të kthehet dhe të shkoj në shërbimin ushtarak që ishte obligim në atë kohë. Edhe gjatë kësaj kohe sa ndodhet në shërbimin ushtarak ai has në shumë pengesa dhe keqtrajtime që i bëhen ashtu qysh u bëheshin edhe bashkëkombëseve të tij në atë kohë. Madje shumë edhe nga shqiptarët qenë vrarë  në shërbimin ushtarak dhe janë kthyer të vdekur në shtëpitë e tyre me të njëjtin konstatim “Vetëvrasje”. Kësaj më të keqes Fati i shpëton dhe kthehet në shtëpi e për të vazhduar sërish jashtë vendit ku më vonë e shohim se krijon kushte të mira jetese jo vetëm për vete por edhe për vëllezër e motra dhe babait e tij.

Në pjesën e dytë apo në novelën “Plani për dëbim” na sjell planet e sistemit të atëhershëm serbosllav që  kishte qëllimin e dëbimit të shqiptarëve për Turqi e që këtë e bënte përmes njerëzve të shitur që  lavdëronin se atje në shkretëtirat e Anadollit është parajsa dhe duhet shkuar sa më parë se atje është vendi ynë e jo këtu ku na kishin jetuar të parët tanë gjysh e stërgjysh.

Novela na sjell një temë që bashkon dy mjedise atë fetar dhe atë arsimor në një mjedis ku feja ka një ndikim të madhe dhe autori ngrihet dhe qetë në shesh një lloj jo realiteti që shpeshherë e  shprehnin edhe predikuesit. Po ashtu këtu kemi edhe konfliktin e brezave, por pa e shkelur edhe traditën e pasur. Në këtë pjesë protagonistë kryesor janë Fati dhe Sadija, gruaja e kushëririt të tij të cilëve edhe përkundër vuajtjeve të shumta në fund u buzëqesh fati.

Në pjesën e tretë Fatin e takojmë si një njeri human, njëri që tashmë ka krijuar familje i ka bërë kushtet e mira dhe jeton në kryeqytet  por që  u ndihmon atyre që nuk kanë kushte të mira të jetesës. Vlen të përmendet rasti me skamnorin Sami që jeton në kushte shumë të rënda dhe Fati angazhohet dhe organizon një aksion të cilin e realizon suksesshëm për ti ndihmuar Samiut dhe familjes së tij në atë dimër të vështirë, dimër ky i fundshekullit të kaluar.

Në romanin “Në mes dy shekujve” apo në të tri novelat e tij autori artistikisht na paraqet vuajtjen, dhembjen, revoltën ndaj paditurisë, skamjen, urrejtjen ndaj pushtuesit sllav që ka pasur dhe ka gjithmonë për qëllim gllabërimin e dhe dëbimin e shqiptarëve nga tokat stërgjyshore.

Ismaili mënyrën e shtrimit të ngjarjes e bënë shumë origjinale madje edhe me përshkrimin e shumë detajeve që e bëjnë romanin shumë funksional me një rrjedhë efektive. Edhe gjuha e romanit është standarde e mbështetur në rregullat dhe normat gramatikore, por që hasen edhe forma dialektore dhe krahinore por që ato bukur gërshetohen dhe japin rezultatet e duhura.

Ndonëse autori tash e shumë vite jeton jashtë atdheut, ai krijon letërsi shqipe  në Kanada por me tematikë nga trevat shqiptare. Edhe novelat e këtij romani  trajtojnë ngjarje nga mjedise shqiptare më konkretisht nga Lugina e Preshevës dhe kur ti lexosh ato të krijohet përshtypja se edhe ti je pjesë e tyre dhe se ato kanë ngjarë vetëm disa ditë më parë e jo në fundshekullin e kaluar. Lexuesi gjatë leximit të novelave  mbushet me plotë emocione nga drama që kanë personazhet e tyre.

Autori përmes kryepersonazhit  të të  tri novelave Fatit,  bartë të gjitha peripecitë e situatave të jetës por nuk e lenë anash edhe rrjedhën artistike. Personazhi kryesor  kalon nëpër situata të vështira e nganjëherë edhe të rrezikshme ia arrin që në fund  vërtetë të ketë fat ashtu si e kishte edhe emrin dhe të bëjë një jetë të mirë për veten dhe pasardhësit e tij. Andaj romani “Në mes dy shekujve” i Mustafë Ismailit do të ketë një rëndësi të veçantë në prozën bashkëkohore shqipe.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: