Kaltrina Hoti: Atdheu - dashuri dhe sakrificë
| E Enjte, 17.08.2017, 08:57 PM |

At‘Dheu = dashuri dhe sakrificë!

-Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar (10)-

-Dihet që institucionet janë garanca e ekzistimit të shtetit, funksionimi i tyre është ardhmëria e vendit ndërsa mediumet janë lajmëtarët se si do duhet të duket e nesërmja. Tek ne mediumet apo gazetari më shumë merren me të djeshmen se sa me të nesërmen-

Nga Kaltrina Hoti, NY

Shpesh lexojmë se si ka mundur të jetë e kaluara. Edhe më shpesh se ky udhëheqës i bëri dëm Shqipërisë, ai e shiti dhe ai tjetri e vodhi. Letra e bardhë pranon të gjitha njollat dhe lëvdatat por duhet pasur parasysh nga kush shkruhen, përse shkruhen dhe kujt i dedikohen. Shqipëria jonë në shumë raste kizash në saje të mosfunksionimit të sistemit dhe institucioneve është udhëhequr gati të thuash nga shërbimet e huaja. Këto shërbime në kohë të ndryshme kanë rekrutuar direkt apo indirekt kuadro nga sfera të ndryshme të cilët në vazhdimësi për interesa të ngushte individuale iu kanë shërbyer duke e dëmtuar interesin e vendit të vetë. Këto gjera dihen dhe shihen edhe nga hëna bile këto dekadat e fundit. Por, ajo çka dua të them është se letra e bardhë po të mos ushqehet apo udhëhiqet nga dashuria për atdheun, për të nesërmen më të mirë, për idealin e bashkimit ajo i shërben djallit dhe armikut. Dihet që institucionet janë garanca e ekzistimit të shtetit, funksionimi i tyre është ardhmëria e vendit ndërsa mediumet janë lajmëtarët se si do duhet të duket e nesërmja.

Tek ne mediumet apo gazetari më shumë merren me të djeshmen se sa me të nesërmen. Dihet që e djeshmja nuk mund të fshihet, as të ndryshojë andaj nga ajo duhet të marrim shembull se si duhet të veprojmë nëse është e mira e kombit apo si të mos veprojmë nëse është turpi i kombit. Mediumet në shtete më demokraci të lartë udhëhiqen nga etika por gjithmonë duke respektuar ligjet dhe interesin kombëtar. Ata janë përgjegjëse se çka do ndodh të nesërmen dhe duhet t’i paraprijnë progresit duke shtruar vizionin e progresit. Në mediumet tona më shumë shkruhet për të kaluarën, duke i njollosur edhe figurat më të ndritura të kombit se sa për një projekt kombëtar, se si do duhet të duket një zonë turistike, se si do duhet të funksionoj administrata etj.

Por ajo çka duhet t’i paraprijë çdo mediumi elektronik, vizual apo të shkruar duhet të jetë e ardhmja e përbashkët shqiptare. Nëse mediumet shqiptare nuk e kanë në programin e tyre bashkimin tonë si dhe bashkë me klasën politike nuk e respektonjnë nenin 8 të kushtetutës së Shqipërisë janë në shërbime të huaja. Dihet se rruga e atdheut kalon përmes sakrificës së idealistëve të cilët udhëhiqet nga një dashuri që shpesh kalon edhe në flijime siç është e mbushur historia jonë kombëtare. Kemi shumë gazetar të cilët me shkrimet e tyre kanë krijuar dyshime deri në përçarje në vend që të krijojnë optimizëm dhe unitet për të nesërmen më të mirë. Por kjo ndodh me të vetmen arsye se ata nuk janë të gatshëm që të vendojnë një gurë në themelet e Shqipërisë Etnike apo të heqin një gur nga muri që i ndan shqiptarët. Nëse gazetari nuk ka çka thotë për të nesërmen ai me të kaluarën me të cilën duhet të merret historia i shërben djallit apo më mirë thënë armikut.

Mendoj se ka ardh kohë që lapsi të ketë përgjegjësi, por jo vetëm ai por të gjithë si në një kor te veprojmë duke thënë aty ku punojmë dhe jetojmë:

“Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”,

që të dimë se çka të bëjmë sot për të nesërmen e përbashkët.

-Per ZemraShqiptare, nga NY, 15 Gusht 2017-



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: