Pëllumb Gorica: Në magjinë e kaltër të Jonit
| E Hene, 14.08.2017, 09:15 PM |

Autori në udhëtimin drejt Karaburunit

KARABURUN, NJË UDHËTIM DISAORËSH NË MAGJINË E KALTËR TË JONIT

NGA PËLLUMB GORICA

Të udhëtosh në vendet turistike përjeton një emocion më vete. Sidomos në këtë vapë përvëluese të Verës, kur rend drejt detit që i tërheq të gjithë të pushojnë brigjeve të tij. Ashtu si Natyra, që ka krijuar kufinj të pakapërcyeshëm, deti është kurorë dhe vlera e veçantë e Vlorës, ndaj bëhet më e padurueshme dëshira të jesh pranë tij, sepse Gjiri i Vlorës, me natyrën përreth në çdo stinë, por sidomos në Verë: ujërat e kristalta dhe plazhet e shumta pa dyshim vizitorët kalojnë pushime të këndshme. Midis gjërave që ofrohen këtu, vizitorët kanë mundësi zgjidhje,jo vetëm duke u rrezitur në plazh, por edhe të eksplorojnë panoramat e shumta të gadishullit të Karaburunit, i cili nuk është larg, por shumë i dëshiruar besoj nga të gjithë.

Udhëtim drejt Vlorës

Mëngjesi tepër premtues për një udhëtim drejt Natyrës dhe detit. Një nga ato mëngjese kur e ndjen të nxehtësinë që ka gjithmonë Vera. Pikërisht ky mot ledhatar është prova e pakundërshtueshme e një dite të re.

Tirana zgjohet nga lëvizjet njerëzore dhe nga automjetet.Tabelat e shkruara buzë rrugës, me dritën e mrekullueshme të kësaj dite, të urojnë një udhëtim të mbarë.Katrorët e fushave, përmasat e kodrave dhe lumenjve, fshatrat e shumtë dhe qytetet me radhë trazohen e formojnë një qilim shumëngjyrësh, por të përvëluar nga dielli i Verës. Shpesh na parakalojnë makina të shumta me shpejtësi. Në horizont spikasin kodra të veshura me ullinj dhe male hijerënda, të radhitur përbri njëri- tjetrit e të mbështjellë nga një hartë resh të bardha. Panoramat ndryshojnë nga ndërtimet në të dy anët e rrugës drejt Vlorës, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike.

Vlora, si çdo qytet, që ka të veçantën e tij, ka një histori madhështore, që kurrë nuk ka munguar me kontributet në dobi të kombit.

Ecim nëpër Rrugën Transballkanike që të nxjerr andej nga preferia e qytetit, ku me rikualifikimin urban të qytetit, Lungomare i ka dhënë një tjetër bukuri Vlorës dhe pamje të mrekullueshme e të mbushur me ndërtime që i ngjiten faqes së kodrës. Ato kanë mbirë gjithandej buzë detit, kryesisht pallate shumëkatshe dhe vezulluese, afër njëri-tjetrit, aq sa të zihet fryma kur kalon përbri tyre. Por ende pa kaluar tunelin e Ujit të Ftohtë, ndesh një trafik pak a shumë se normalja dhe zhurma të makinave që kalojnë bri nesh, zërat e kalimtarëve dhe mërmërima e valëve të detit që e bëjnë më kumbuese ardhjen tonë, si parathënie e një çlodhjeje të udhëtimit prej disa orësh. Para syve deti shtrihet i kaltër si një pasqyrë gjigante.

Ndërsa dalim nga tuneli, të rëndojnë shikimin deri tej Orikumit ndërtime pa kriter, tokate kafshuara egërsisht për themele të reja, ndotje dhe plehra që hidhen vend e pa vend si diçka e zakontë. Natyrisht në buzë të rri pyetja:

Kur do të mbarojnë një herë e mirë këto ndërtime të nëmura ?!...

Duhet ta ruajmë natyrën nga dëmtimet e të papërgjegjshmëve dhe përfituesve abuzivë, të cilët, me egon e tyre, po e shkatërrojnë atë duke mos menduar për pasojat që vijnë sojesh. Të respektojmë natyrën, sepse, duke e shkatërruar atë, nuk kemi të drejtë më pas të ankohemi. Jemi në dijeni të prishjes së këtyre ndërtimeve në emër të zhvillimit të Turizmit dhe Progresit. Por, sikurse ekzistojnë qënie njerzore që prodhojnë energji, drejtësi për të tjerët dhe lenë gjurmë në emër të Së Mirës, në të njënjtin kohë ekzistojnë dhe qënie njerzore të tilla,në emër çnderues të vlerave; të veshur e ngjeshur me pushtet, por që vjedhin e shkatërrojnë Natyrën, Të Mirën, Të Bukurën e pasurive tona kombëtare.

Karaburuni, toka e ndaluar e diktaturës

Po shkojmë drejt tij në një shëtitje në det si një vend ideal për pushime ditore, edhe pse në Shqipëri vende të tjera të bukura ka plot. Po pak dihet për vlerat e mëdha të tyre…

Vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, por sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha.Me shëtitjen romantike nëpër panoramat e Karaburunit udhëtarët ndjehen të gëzuar dhe të mrekulluar.Natyrish ardhja jonë këtu është një kënaqësi me të vërtetë e paharrueshme, (edhe në një qëndrim që zgjat disa orë) me risinë joshëse e të pashtershme në shpirt.

Karaburuni ka formën e gadishullit, ndaj emërtohet si i tillë dhe është një prej atyre vendeve të lakmueshme. Një mal shkëmbor i rrethuar nga deti, me pak gjelbërim dhe panoramën e tij gri. Kjo është përshtypja e parë e kujdo që e shkel dhe vështron natyrën e tij, blunë e detit me afshin e diellit nën pasqyrën e kaltër të qiellit. Tharmi i kësaj natyre duhet shfrytëzuar edhe më shumë për të mirë, në zhvillim të Turizmit. Dikur, para Viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishin një ëndërr për shumicën e shqiptarëve, për të shkelur dhe pushuar pranë brigjeve të tyre. Por sa prej tyre nuk u realizuan dot atëherë?! Sepse këtë privilegj e kishte vetëm një pakicë. Të shkelje aty, përbënte sekret ushtarak. Duhej lejë e posaçme nga Dega … Ndal, Zonë Kufitare !...

Kur erdhi Demokracia, (një kapërcyell që do të ishte i dhimbshëm), rrodhën në të ngjarje të rënda. Për të mbushur xhepat e skllevërve të parasë lulëzoi edhe këtu në mënyrë të paligjshme e të rrezikshme biznesi i trafikut të qënieve njerëzore drejt brigjeve italiane. Ishte koha kur shqiptarët (dhe jo vetëm ata) u dyndën për të gjetur rrugë të papërshtatshme të kalonin detin, të cilat shpesh ishin me humbje jetësh njerëzore. Kjo gjendje vazhdoi vite me radhë dhe ne të gjithë i kujtojmë më shpesh tragjeditë e rënda që ndodhën e u përjetuan aty. Deti është dëshmitar i humbjeve, të cilat jetojnë në dhimbjen e nënave, baballarëve, motrave e vëllezërve të viktimave. Askush nuk mund të thotë se kjo ishte normale, ashtu sikundër mund të pranohej lejimi i këtij fenomeni nga pushteti i kohës. Shoqërisë njerëzore i duhen kujtuar këto ngjarje. Harresa e tyre është gabim i madh. Asgjë nuk duhet harruar, sepse u bë e mundur të frenohej disi fenomeni. Erdhi një kohë që Turizmi ( i cili duhet të lulëzojë më shumë nga nismat private) edhe pse do të përballej me probleme dhe pengesa absurde, siç ishte moratoriumi për ndalimin e mjeteve të vogla lundruese, ishte një dëm për zhvillimin e tij, duke ngritur përsëri mure të mbyllur për këto panorama të bukura.

Përmes kaltërsive të Karaburunit

U ndalëm në Radhimë. Ishim pak metra larg detit që llokoçitej lehtë bregut. Një nga një zbritëm nga autobuzi për t’u gjendur pranë tij. Një fllad i këndshëm e gjallërues endej bregut që e dallgëzonte lehtë detin. Dielli, i ngrohtë, por jo shumë i nxehtë. U akomoduam në anijen “Rexhina” për të pritur çastin e nisjes. Ajo është një anije e vogël udhëtarësh. Padurimi për t’u nisurte çdokush kërkon shpjegime, por janë të detyrueshme proçedurat e udhëtimit eksplorues në Karaburun.

Sidoqoftë të gjendesh në det të hapur nën zhurmën ritmike të motorit dhe dallgëve të vogla që përplaseshin, duke lënë pas gjurmë të shkumbëzuara, është bukur, duke na dhënë mundësinë të shijonim udhëtimin. Herë- herë kreshtat e dallgëve përplaseshin beftas në trupine anijes. Deti reflekton kaltërsinë me fuqinë e magjishme të madhështisë së tij. E kaltra e tij dhe e qiellit shkëlqente nga drita e diellit. Është dhe kjo pastërti e qiellit që kthjellon gjithçka; na bënte të shikonim me hollësi çdo gjë në breg, që edhe të nxisin dëshirën për t’i fotografuar.

Natyra ka krijuar shkëmbinj që në kohëra i ka gërryer pa mëshirë deti me dallgë. Asnjë arkitekt, apo piktor, sado i guximshëm qoftë, s’do ia dilte dot mbanë të thurë mrekulli të tilla për syrin tonë. Thuajse asnjë nga ne nuk kishte udhëtuar këtu dhe ndjesia e kuriozitetit që të shkakton e panjohura e kësaj natyre të grish t’i vështrosh me shumë kënaqësi. Pamjet janë interesante me forma të shtresës shkëmbore shkallë - shkallë, ku gjire të fshehura të ftonin të pushoje. Pak përtej bregut, në lartësitë e gdishullit vraga rrugësh e përshkojnë atë, por ndesh edhe dëshmitë e ndërtimeve ushtarake, në ca godina të shkatërruara, bunkerë, tunele dhe qëndra zjarri, që Socializmi i ndërtoi edhe këtu me shumicë, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat të sjellin në kujtesë periudhën kur gadishulli popullohej vetëm nga ushtarët. Natyrisht është e kuptueshme se sot ato ndërtime fortifikuese nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha.

Në shpellën e Haxhi Aliut

Po shkojmë drejt shpellës së Haxhi Alisë. Kush ishte ky Haxhi Alija ?! Mbase ndonjë pirat deti i zoti, mbase ndonjë shenjt i krijuar nga njerëzit … Ajo do ta pasuronte me tej udhëtimin tonë. Fundja ky ishte qëllimi i udhëtimit, zbulimi i vendeve interesante me përbërësit e kurtheve të natyrës. Atmosfera bëhet më gazmore kur të rinjtë, nën tingujt e këngëve ritmike, vallëzojnë. Ata, të shpenguar, duan të marrin sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim. Stafi i anijes, i miqësuar me ne, sikurse ne me ata, të përkushtuar krejtësisht që udhëtimi në det të jetë i këndshëm, e shoqërojnë atë me tregime për detin, malin e Karaburunit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, për shpellat, koralet, Majën e e Frëngut, etj. Kalojnë minutat mes këtyre bisedave të këndshme dhe ja ku iu afruam shpellës së famshme, që nuk është larg, përballë ishullit të Sazanit. Masivi i tij në mes të detit, shfaq konturet aq qartë në një ashpërsi diku të veshur me drurë e diku me fortifikime ushtarake.

-Pas pak do t’i afrohemi shpellës së njohur të Haxhi Alisë,- flet nga kabina e anijes Arbeni, kapiteni i saj. Patjetër bëhesh tepër kureshtar të mësosh nga ai për misteret e kësaj shpelle, që në Lashtësi ka qënë një vendstrehim për piratët e detit. Por, kur çdokush është përballë saj, befasohet nga përmasat gjeometrike, e futur thellë barkut masiv të malit. Aty, ku bregu shkëmbor shtrihet pingul mbi det, të shfaqet zgavra e saj me mbi  30 metrash gjatësi. Hyrja e saj ka një lartësi mbi 10 metra dhe është  kësisoj shpella më e madhe detare në Shqipëri. I mrekulluar nga emocionet që ndodhesh këtu, duke bërë ëndërrën realitet dhe jo vetëm kaq, nuk i shmangesh ngasjes të eksplorosh labirinthet e saj.

Historia e kësaj shpelle është përmbledhur në një legjendë, që në thelbin e vet tregon për piratin Haxhi Aliu, mjaft i njohur i shekullit XVII.Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me anijet dhe njerëzit e tij.Ajo i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane, etj dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura.Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij ajo ka ardhur deri në ditët tona nëpërmjet rrëfimeve që tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero dhe tmerr i anijeve të Venedikut, të Anglisë e Napolit dhe nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtri e piratët nëpër Mesdhe.Ai ishte nga Ulqini dhe kishte mbaruar shkollë detarie në Stamboll.

- Deti është shtëpia ime,- thoshte Haxhi Aliu,- por pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë; ato do të jenë dhe guri i varrit tim. Interesante kjo histori që natyrisht tregon guximin e Haxhi Aliut.

Një pirat turk me origjinë algjeriane, nga Afrika, i dërgon një letër Haxhi Aliut:

-Arnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do t’a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit. Me të marrë letrën Haxhiu iu përgjigj kështu:

-Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim.

Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin osman. U hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën, e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes”. Thonë se Haxhi Aliu, ky pirat i detit, u vra me të birin nga Venecianët dhe e varrosën në Sazan.

Mik me detin

Të ngarkuar me impresionet e Karaburunit, të shpellës së Haxhi Aliut dhe me këtë hapsirë me thyrje të bregut shkëmbor e me gjire të vegjël si të vizatuar me dorë, ne vazhdojmë drejt Shën Vasilit.Ky gji i vogël prej vitesh është kthyer në një kënd të qetë. Aty ndodhet një kalatë për t’u ankoruar anije të vogla, motobarka e skafe, duke u kthyer në një vend pushimi ditor me kushte të përshtatshme e që të bëjnë të ndjehesh i kënaqur. Dhe, duke e shijuar këtë pushim, nën ngopjen e nxehtësisë përvëluese të rrezeve të diellit, ne iu gëzuam fatit se po pushonim në një gji të qetë, ku magjike është deti dhe kthjelltësia e tij.Jo më kot atje nuk kishte shumë pushues.Personalisht i adhuroj këto vende të bukura për pushime, me qetësinë mbretëruese përmbi çdo gjë tjetër. Natyrisht të kaplon një ndenjë kënaqësie e thellë me ajrin e freskët, i cili i farfuronte dallgët, duke e thithur me tërë mushkritë aromën e detit, që të futet thellë në shpirt, shoqëruar me rrezatimin e diellit, i cili shpërndante reflekse të shëndritshme. Është një gjë që edhe ata që s’janë poetë i bën të fantazojëpanoramae gëdhendur dhe e qendisur si me dorë nga nëna Natyrë, me ngjyrën e diellit dhe detit...

Ja, përmes këtyre përjetimeve të bukura me miq, ngrohtësi, dritë, diell, natyrisht njeriu nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur, edhe psenë fytyrat e të gjithëve endej një lodhje e lehtë e një dite të kaluar këndshëm, mes erës, dhe magjisë së kaltër të detit Jon.

Ne ishim në Karaburun dhe shpirti ynë kishte nisur që të rrihte nën ritmin e valëve.


Brigjet shkëmbore të Karaburunit


Ishulli i Sazanit


Në Shën Vasili


Në udhëtimin drejt Karaburunit


Parku kombëtar Karaburun -Sazan


Shpella e Haxhi Alisë


Shtresa shkëmbore në Karaburun



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: