Poezi nga Sadulla Zendeli-Daja
| E Enjte, 03.08.2017, 07:22 PM |

Sadulla Zendeli-Daja

JETA IME

 

Jeta ime ishte si lumi Zall

Që fshatin e ndante në dy anë.

Në njërën anë ishin Dishet, Toket,

Ballet, Zhupanet, Gurret e Meçanet.

N´anën tjetër ishin Kitët, Tushet

e Poshtme dhe Tushet e Epërme.

 

Ky ishte fshati im ku u linda,

Luajta, u rrita këndova dhe qava.

Në kurbet pa dashur shkova,

E lash vendin tim u trishtova

Erdha duke qarë në mërgim

Për të shpëtuar shpirtin tim.

 

Tani po e pres vdekjen që vjen ngadalë

Asimilimi në familje ka ardhur pa dashur.

Vdekjen e pres padashtas, pa e adhuruar

Nuk më pyet askush, vdekjen e kam pranë,

As më pyet se kush je ti, me tinëzi më thotë

Eja more eja me mua të jetosh e ke të ndaluar!

 

Varrin tënd me duart e tua e ke ndërtuar

Më beso se nuk kam kohë të vdes i nderuar.

Vallë pyes veten, vetëm unë të vdes?

Përse të vdes unë i gjori?

Kujt i duhem unë i vdekur!...

 

Guximi im ishte dëbimi nga vendi im

Vdekja është afruar dhe vjen pa e ftuar

Por s’ia ia kam frikën, më kuptoni të nderuar

Kënga e jetës dhe poezia s’kanë  mbaruar!...

 

ËNDRROVA NËNË E AT

 

Ëndërrova nënën dhe atin tim,

Sikur kishin ardhur në mërgim

O sa mirë që Ju shohim

Dukeni si do margaritarë

Bijtë e bijat e nënës dhe të atit

Erdhëm të ju shohim,

Malli na kish marrë.

 

 

Në mërgim qenka jetë tjetër

Njerëzia ecin e të përshëndesin

Vetëm kokën e luajnë

Buzët sikur me qeshur,

Pa zë të përshëndesin.

Sigurisht e kanë trashëguar

Nga të parët e mërguar.

 

E jo si ne, O ku je o fqinjë!

Si je o i nderuar, e nderuar!

Qofshi me nder dhe të bekuar,

Pas dëbimit kemi ardhur me u vizituar.

 

TUNGJATËJETA!

A KJO QENKA BOTA DHE JETA?

 

Ajo me fytyrën nga ty

Që të ushqen me qumështin e saj

Është nëna jote që shumë të do

Unë me gjoksin tim jam ati yt,

N’gjirin tjetër t’nënës sate motra jote.

 

Tani Ju jeni një familje me dy fëmijë.

Nëna e Ati  do t´u mbajmë në gjirin tonë.

Emrat tanë janë të marrë nga të parët tanë.

 

Nëna e ka emrin Teutë, Ati Agron

Djali e ka emrin Dardan

Vajza mban emrin Adriana (Illyrija).

 

O të dashur fëmijët tanë

Shumë ju duam Sa Dielli e Hëna

Sa bota që na rrethonë

Kjo është Bota dhe jeta jonë!

 

NAT E DITË PËR TY MENDOJ

(Vargje për dashurinë)

 

E bëja të qeshë në pikë të natës

E bëja të qeshë duke ia shkelur syrin

Kam dëshirë të t´i shoh sytë që shkëlqejnë.

 

Në këtë çast afër teje jam unë

Më përqafo me duart e tua

Të shikoj në sy

Dhe pres t`më përgjigjesh.

 

Dua të të kap për dore

Nuk di besimi fetar a do të më lejoje

Me drojë mos më hidhërohesh

Po të ma japish dorën

Sikur ma ke shtruar sofrën.

 

Po të më afrosh afër

Sikur më ke dhënë besën

Po të t´i përkëdhel flokët

Në shpirt do të ngrohem.

 

Shpirti dhe dashuria kur bashkohen

Si rrezet e Diellit që njerëzinë e ngrohin

Vargjet e dashurisë  i adhuroj

Natë e ditë për ty mendoj.

 

MËRGIMI O SHQIPTARI

 

Rrugët e gjera u ngushtuan

Sa herë në rrugë i ndalonin

U drejtuan drejt perëndimit

Shtëpia e fundit e mërgimit

Mëmëdheut me lot në sy

Ia kthyem kurrizin...

 

Ashtu gdhiu dita e parë në mërgim

Zogjtë nuk këndonin si në vendin tim.

 

Shpirtra të trazuar

Në mërgim të dëbuar

Disa vdiqën në mërgim

Disa mbetën në amshim

Disa u kthyen të moshuar

Të gjymtuar e të sëmurë

Vdiqën në vend të huaj

 

Mërgim i shëmtuar

Armikut e tradhëtisë

Kurrë nuk duhet besuar!

 

PYET MALIN E SHARRIT

TË TË TREGOJË

PËR GJENERALIN E GOSTIVARIT

 

Pyet Malin e Sharrit

Të tregojë gjurmët e gjeneralit

Pyet Bjeshkët e Sharrit

Kush e tradhtoi Gjeneralin

Xhemë Hasa Gostivarin

Pyet Simniçanët kreshnikë

Pyet fshatarët e malësisë

Pyet gjithë shqiptarët

Për betejat kreshnike

Të Xhemë Hasa Gostivarit.

Pyet shqiptarët e Shqipërisë

Dhe Kosovës së Arbërisë

Pyet gjithë shqiptarinë

Që nga Ohri, Struga e Dibra

Kërçova Gostivari e Tetova,

Shkupi e Kumanova,

Gjevgjelia e Manastiri

E gjithë shqiptaria

Kush ish Gjenerali

Xhemë Hasa Gostivari?

 

Qofshi të mallkuar o miq të betuar

Si qenj të tërbuar si bishë e ulkonjë

Në besë mikun tuaj e tradhtuat

Kurrë shqiptarët s´do t’ju harrojnë!

 

Kokën e prerë Xhemë Gostivarit

Ia dekoruat bishës kaukaziane

Çetnike të Serbisë e Maqedonisë

 

Xhemë Gostivari është i gjallë

Shpirti i tij është pjesë

E shpirtit tonë shqiptar.

 

O SHARR I MOTMOÇËM

 

Sharri furtunat i tregoi

Pyet Tetovën e Gostivarin

Ku na mbeti Xhemë Hasa Gjenerali.

Pyet Zhelinën për tradhtarët

E Xhemë Hasa Gostivarit.

 

Simniçanët Krenaria shqiptare

Gjeneral Xhema me trimat shqiptarë

E mbrojti vatanin nga tradhtarët

E miqtë e tyre nga malet e Kaukazit.

 

Bini burra se nuk jeni vetëm

Tradhëtarëve dhe armiqve

Do të jua tregojmë të vërtetën.

 

Pyet Nënën tonë Shqipëri

Në kufi dy fjalë gjeneralit i thanë

Ti lufton për Ballin Kombëtar

Tek Nëna Shqipëri vend nuk ka!

Vaj medet, Xhemë Gostivari tha:

Vëlla me vëlla jemi të përçarë.

 

Armiku e ideologjia

E lanë Xhemën në kufi.

Barbaria sllave mori hovin

Ndanë shqiptarët në katër anë

Shqipëria Nënë mbeti e cunguar

Shqiptarët mbetën të mjeruar

Xhemë Gostivarin miqtë e vet e tradhtuan

Kokën e Gjeneralit ua dhuruan

Kanibalëve të Kaukazit të mallkuar.

 

MALL PËR VENDIN TIM

 

Malli më ka marr për vendin e të parëve tanë,

Jo një ditë a një javë, një muaj, një vit a pesë vjet

I përmalluar pesëdhjetë e dy vjet.

 

Rrugët, lëndinat, arat e livadhet

Kodrën e Diellit që loznim tek Ballet

Në Shkrepin e Gurrës që luanim

Shtëpi të vogla me gurë, bënim mure

Për kandra e kafshë të vogla

Që natën kalonin ditën fluturonin…

 

Malli më ka marr të shoh

Kolibet e Maksut Gurrës

Nga ajo kodrinë e gjelbëruar

Mund të shohësh arat e livadhet

E Zapodes, Kupshores

Sheheve dhe Kullën e lashtë

Të mbuluar me diell e hanë

Të trashëguar nga të parët tanë.

 

KY ËSHTË ATDHEU IM

 

E unë vuaj e vuaj

Mbeta në mërgim…

Dhashtë Zoti i gjallë

I vdekur të kthehem

Në vendin tim...

Aty mallin që kam për vendlindjen

Ta shtroj shtratin mbi gurët

E kalldramosur  të parëve të mi ilirë

Të dëgjoj gjuhën e ëmbël shqipe

Të qetësohem deri në amshim.

Ky është malli për vendin tim.

 

GËZIM DHE PIKËLLIM

 

Të dyja në zemrën time

Gëzim dhe pikëllim

Të dyja në një vend.

Pikëllim në një anë

Gëzim në tjetrën anë

Të ndara me njëra tjetrën

Por ajo e dyta,  vetë

Pastaj e dyta vjen aty

E mëson tjetrën të hapë derën

Pikëllim i rrallë

Gëzimi im pikëllim.

 

SADULLA ZENDELI-DAJA

ANTOLOGJI  E POEZISË MODERNE SHQIPE

Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme.ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor…shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargjet… vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijes, rrezet e artë të së cilës i japin ngrihtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës.

Që nga lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijes, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha svidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tash më nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...

Dua të falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur. ADEM ZAPLLUSHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t´ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.

(www.sa-kra.ch)

Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA

 

ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE

SADULLA ZENDELI-DAJA

Hyrje

Sadulla Zendeli-Daja u lind në Sërmnovë të Gostivait. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Vrapçisht të Gostivarit gjimnazin dega e ekonomisë e filloi në Gostivar dhe e vazhdoi në Strumicë- shkollë profesionale për drejtor kooperative. Pas kryerjes së shkollës u punësuar drejtor i kooperativës “Bukovik” me qendër në fshatin Sërmnovë. Pas 6 viteve u punësua në Sipërmarrjen e Hekurudhës Shkup – dega në Gostivar llogaritar financiar, dha provimin shtetëror sipas rregullores së sipërmarrjes. Sipërmarrja e dërgoi në shkollën politike njëvjeçare në Shkup, dhe vazhdoi punën si llogaritar financiar deri më 26 nëntor 1966.

Si njeri intelektual me ide përparimtare Daja që herrët nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvër në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm i cili me çdo kusht donte t´i çbënte shqiptarët. Pikërisht aktiviteti  i tij prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të atëhershëm, siç na është e njohur ishte ajo periudha famkeqe rankoviçjane, e cila nisi ta ndjek këtë atdhetar. Mu për këtë Daja u shtrëngua të lë vendlindjen dhe të kërkoi strehim në Suedi.

Mërgoi më 28 nëntor të vitit 1966 në qytetin universitar të Suedisë - në Upsala. Fillimisht kreu e paraprak të gjuhës suedeze, pastaj diplomoi për shkencat filozofike në Universitetin e Upsalës, studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes – Dega e Albanologjisë (shef për degën e Albanologjisë profesor Thoma Kacorri. Dhe më vonë kreu shkollën e lartë Bibliotekare – drejtimi universitar dhe i sipërmarrjeve në Borås. Sadulla Zendeli-Daja u punësua si shef i bibliotekave të shkollave në Nybro.

Aty pa se gjëja më e shtrenjtë për fëmijët ¨shtë ruajtja dhe kultivimi i gjuhës dhe traditave kombëtare. Mu për këtë u angazhua që të hap shkollën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptar. Kësaj ia arriti me sukses dhe kështu hapi shkollën e parë në Nybro, pra , që nga 5 mars i vitit 1975 nisi të punoj si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës më vonë hapi shkollën e parë shqipe në Emmaboda me 5 nxënës dhe në Kalmar 10 nxënës, punë kjo të cilën vazhdoi ta kryej me entuziazëm dhe kënaqësi. Përveç punës së palodhshme si arsimtar i gjuhës shqipe dhe bibliotekar, Daja është autor i një varg shkrimesh publicistike dhe botime të fjalorëve dhe librave për fëmijë.

Në vitin 2001shkoi në pension duke u lënë arsimtarëve Raif Mehmeti 65 nxënës në Nybro dhe arsimtarëve: Sali Komoni, Milaim Lekaj Hasan Sula dhe rreth 70 nxënës të gjeneratës së dytë. Për këtë ndihmë 27 vjet si shef i bibliotekave të shkollave dhe arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro, Emmaboda dhe Kalmar dhe puna e palodhur për çështjen kombëtare, Sadulla Zendeli Daja shprehet.

“Unë jam njëri ndër mërgimtarët tanë në Suedi, i dëbuar me dhunë para 50 vitesh. Rrethanat e jetës në mërgim , siç mund ta dini, janë mjaft të ndërlikuara e të vështira. Duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm  asimilimi i pjesshëm ose ai i plotë. Ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës  jashtë atdheut është ruajtja e gjuhës shqipe”.

Sadulla Zendeli Daja ka qenë dhe është shumë i afër me bashkatdhetarët tanë në Suedi, të cilët kishin marrë rrugën e mërgimit ugurzi nga dhuna që bëhej në trojet e tyre shekullore. Këtë Daja mirë e dinte dhe e kishte përjetuar në kurrizin e vet, gjatë veprimtarisë së tij në vendlindje. Arsimtari Daja në komunën Nybro përveç shkollës shqipe , bashkarisht me bashkatdhetarët e tij hapën shoqatën e parë shqiptare me emrin “Ilirida”.

Për herë të parë u ndanë shqiptarët nga shoqata “Vuk Karadjiq”, e cila bënte presione për ndarjen e shkollës shqipe nga ajo serbe. Me këtë ndarje të nxënësve shqiptarë, hapjen e shoqatës shqiptare, hapja e shkollave shqipe, hapja e një restoranti me emrin Shqiponja që e kishin si halë në sy, aty valonte flamuri shqiptar dhe simbolet kombëtare, duke marr pjesë në demonstratë të shqiptarëve në perëndim, mu për këta veprime të ashtuquajtur nga regjimi i atëhershëm propagandë kundër jugosllave  Dajës ju ndaluar hyrja në vendlindje për 20 vjet. Daja ishte dhe është krenar për këtë aktivitet demokratik për mbrojtjen e shqiptarëve në trojet e tyre të okupuara. Ai thotë: “Të këqijat ua lërë atyre që sot dihen si gjeneratë e okupimit, diskriminimit, shfrytëzimit, korrupsionit, tradhtisë dhe gjenocidit shqiptar dhe atij boshnjak”.

PËR KULTURËN SHQIPTARE NË SUEDI

Daja ndihmoi po kështu me hapjen e shoqatës kulturore shqiptare ”Kosova” në Kalmar, një ndihmë e veçantë erdhi nga të rinjtë shqiptar nga ky qyteti ku Daja i ndihmonte  dhe organizonte funksionimin e shoqatës si zëdhënës, po kështu organizimin dhe afrimin e bashkatdhetarëve, grave fëmijëve dhe të rinjve në shoqatë. Për këtë Sadulla Zendeli -Daja Shoqata Kulturore Shqiptare “Kosova” Kalmar me kryetar Juristin Zymer Kuqaj e zgjodhën Anëtarë Nderi në qytetin Kalmar të Suedisë. Po kështu Komuna Gostivar në vendlindjen e tij, Kryetari i Komunës profesor Nevzat Bejta dhe komisioni për dhënien e dekoratave e zgjodhën anëtar dderi i Komunës së Gostivarit duke ia dhuruar çelësin e qytetit Gostivar.

Ka reprezentuar librin shqip në Panairin e Librit në Göteborg të Suedisë, duke u lidhur ngushtë me Shtëpinë Botuese Toena Tiranë dhe Shtëpi Botuese të tjera përmes firmës Bokimport Export Daja qe tu ofroj bashkatdhetarëve dhe shkollave shqipe librin shqip nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tona. Në stendën e librit shqip në Göteborg valonte flamuri shqiptar dhe takimi me shqiptarët në mërgimSuediSkandinavi dhe më gjerë.

 

SHKRIME PUBLICISTIKE TË BOTUARA

1.   Katalogu i librave në gjuhën shqipe dhe gjuhëve ballkanike

në bibliotekat suedeze nga viti 1948 deri më 1973, publikim i brendshëm Nr. 142 (Shkolla e Lartë Bibliotekiste në Borås).

2     Punimi me titull Historia e shqiptarëve, nga viti 1973, (publikim i brendshëm në bibliotekën e shkollës Åkrahäll Nybro 1975)

a)   Vjeshta e përgjakur

b)   Gurra e Shën Mëhillit

c)    Drejt Gostivarit

ç)  Tmerri i Vardarit

d)   Ditë feste për okupatorët – ditë mortore për shqiptarët, etj. Shumica prej të cilave janë botuar edhe në revistën “Besa, ku Daja ishte njëri prej redaktorëve të saj.

 

FJALOR DHE LIBRA PËR FËMIJË TË BOTUARA

 

1Fjalorin e parë në suedisht – shqip  me 17.000 fjalë

të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara  nga një fond prej 23.000 fjalësh dhe 65 fotografi tematike me ngjyra Botues Enti për shkollim i Suedisë, 1994.

2 Fjalori i dytë suedisht-shqip me 28.500 fjalë të përdorimit të zakonshëm të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 54.000 fjalësh dhe 66 fotografi tematike me ngjyra, fjalori përdoret edhe si mjet pedagogjik – mësimor në shkollat shqipe në Suedi dhe në internet. Në këtë fjalor Daja haptas demaskon dhunën 100 vjeçare kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare, diskriminimin dhe keqtrajtimin për përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Botues Enti për shkollim i Suedisë, Stokholm 2004.

3 Fjalori suedisht-shqip me 10.000 fjalë

Fjalori themelor suedisht-shqip është i pari i këtij lloji që ju në dorë nxënësve të shkollës  9-vjeçare dhe të mesme që mësojnë në këtë gjuhë. Ai përmban rreth 10.000 fjalë të ligjërimit të përditshëm, të dhëna sipas rendit alfabetik. Si formë bazë e foljes jepet koha e tashme e mënyrës dëftore, ndërsa për emrin trajta e  emërores  së pashquar njëjës. Trajtat e parregullta të lakimit jepen si zëra të veçantë, me referim te forma bazë përkatëse sipas transkriptimit të mbështetur në shenjat e alfabetit fonetik  ndërkombëtarë. Theksi në transkriptim e fjalëve të suedishtes është shënuar me simbolin (‘ ). Përveç barasvlerësit shqip të fjalës titull të gjuhës suedeze, në fjalor jepet edhe një shpjegim  i thjeshtë i kuptimit të fjalës me sinonime apo fjali të thjeshta në suedishte. Në përgjithësi, veç kuptimit të parë, jepen dy  a në ndonjë rast më shumë kuptime për secilën fjalë. Për dukuri e nocione të veçanta janë dhënë shpjegime plotësuese dhe sqarime të nevojshme. Ky fjalor është hartuar duke mbajtur parasysh kërkesat e programit për nxënësit e shkollave të mesme si brenda orës mësimit, ashtu edhe për të lehtësuar punën e tyre në leximet jashtë klase. Ai mund të përdoret për shkollat suedisht-shqip dhe shqip-suedisht. Fjalori mund t´u vijë në ndihmë dhe mësuesve , duke ofruar material gjuhësor të thjeshtë, por të dobishëm, i cili mund të shfrytëzohet në etapa të ndryshme  të procesit mësimor.

Fjalori mund t´u shërbejë dhe gjithë atyre që interesohen për mësimin e gjuhës suedeze, për t´i ndihmuar të shfrytëzojnë literaturë jo shumë të vështirë në këtë gjuhë nga fusha të ndryshme të dijes. Në këtë kuptim, ky fjalor merr gjer në njëfarë mase edhe karakterin e një fjalori shpjegues. Me botimin e tij mendojmë se kemi përmbushur synimin tonë të kahershëm për të pasur një fjalor me karakter theksuar mësimor- Përpilimi dhe përkthimi i fjalorit është bërë në Suedi (Färjestaden). Autor i fjalorit suedisht-shqip është mr. fil. Sadulla Zendeli Daja. Redaktimi dhe korrektura e Fjalorit është kryer në Shqipëri nga prof.. dr. Rami Memushaj (Tiranë) ndërsa korrektura e përkthimit është bërë në Suedi nga master Lindita Zendeli (Stokholm) dhe kand.filol. Suzanna Holm (Malmö). Botimi i fjalorit është bërë në Shqipëri nga Shtëpia Botuese Toena (Tiranë). Fjalori suedisht-shqip u shtyp në Shqipëri në vitin 2017.

4 Fjalori im i parë i lustruar shqip-anglisht-italisht-Suedishst Përkthye Meri Toçu, Përkthye në suedisht mr. fil. Sadulla Zendeli-Daja.

Një fjalor i dobishëm, zbavitës dhe me një përdorim shumë të thjesht për prindër ose mësues, të cilët dëshirojnë t´i drejtojnë fëmijët në mësimin e një gjuhe të huaj. Janë zgjedhur fjalë të përdorimit të zakonshëm, të lidhura me jetën e përditshme, familjen, shtëpinë, lojërat dhe shollën. Ilustrimet e këndshme me ngjyra, të cilat shoqërojnë çdo fjalë e bëjnë konsultimin  me tekstin më të thjeshtë dhe zbavitës. Një fjalor, i cili ka qëllimin e dyfishtë: t´u japë prindërve dhe mësuesve udhëzime të qarta si mbështetje të punës së tyre dhe fëmijëve një instrument të  këndshëm loje dhe të kuptuari.

 

5 Ka përpiluar një gramatikë për klasën e parë deri në klasën e nëntë, Botimet Toena Tiranë, 1998

6 Një fletore pune Gjuha jonë që nga parashkollorja deri në klasën e trete.

7 Ka përkthyer libri për fëmijë të autorit Fatmir Toç Skënderbeu në suedisht.

8 Ditari i dhimbjeve, poezi Botimet Toena Tiranë, 2011

 

9 Ditari i kujtimeve të paharruara Botimet Toena Tiranë, 2013

 

10 Moj e dashura Arbëri Botimet Toena Tiranë, 2014

 

11 Gostivari në zemrën time Botimet Toena Tiranë, 2014

 

12 Kur e kam atdheun , kam gjithçka Botimet Toena, 2016

 

13 Fjalor shqip-suedisht me 35 000 fjalë Botimet toena 2013.

- Parathënie shqip-suedisht,

- gramatika e gjuhës shqipe dhe suedeze 12 faqe.

- Shkurtesat 4 faqe,

- Pak fjalë për historinë e gjuhës shqipe, shqip-suedisht 10 faqe.

- Ky fjalor i përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen

fjalorët dy gjuhësor.

- Është punuar me kujdes të veçantë sa i përket makrostrukturës

së tij

-përmban informacione shtesë për jetën, kulturën e psikologjinë

e popullit shqiptar dhe popullit suedez, me çka

paraqet pasurim lëndor e me vlerë për përdoruesit.

-Fjalori shqip suedisht me 35 000 fjalë rreth 1600 faqe është një vlerë kapitale për bibliotekën tuaj, për fëmijët tuaj, arsimtarët dhe nxënësit shkollës shqipe në diasporë dhe vendlindje.

Fjalorin ua dedikoj bashkëkombësve të mi dhe mërgimtarëve në Suedi e kudo në botë; popullit dhe shtetit suedez që më përkrahën dhe ma dhanë lirinë.

ENDE JAM I GJALLË

 

Jam gjallë me lapsin në duart e mia

Me dashuri shkruaj vargje dëgjoj këngë

Që më bëjnë të këndoj dhe të qaj...

Kafenë e bëj duke m´u dridhur duart

I them “Çunit” * dëgjo këngët e mia

Këpucët i mbath gjalmat s´mund t´i lidh

Kalon dita ditës duke shkruar poezi...

 

Kur zgjohem herët a vonë nga gjumi

Pyes vetveten: a më dëgjon “Çuni”

O sa ditë e këndshme kur dola në dritë

E shoh se jam vonuar poezi të qëndis

Siç vonohet dimri të na vijë në derë

E ftoj rininë time ta përjetoj edhe një herë.

 

Vajzat e mitura me kandila në dorë

Kalojnë me shend pranë dritares sime

Më thirrin Eja xhaxhi ynë të lozësh me ne

Edhe ty do të japim një kandil të bëj dritë

Ecë të na kapish për dore kur vrapojmë

Me kandilat si flakadan dritë për lirinë

Ec edhe ti me ne xhaxhi ynë!

Kur i shoh fëmijët e ndjej veten si me qenë i ri

Kujtimet fluturojnë, krahët janë të rëndë

Shpirti donë të këndoj, por zërin nuk e kam

Shkoj në shtrat t´ia krisi gjumit të lehtë

Edhe një ditë të përjetoj, poezia vjen vetë.

 

EMRIN E KAM TETËDHJETËEDY

 

Pyes veten:

Shekujt apo jeta më mashtrojnë

Jeta herë pas here më mundon

Kohën ma merë e prapë s´e kthen

Ky shekull me thumba më thumbon

Dashuria ndaj vendit tim s´më mungon.

 

Punoj, krijoj, bisedoj, këndoj e qaj

Mbeta në mërgim me djem, vajza

 

Nipër, stërnipër mbesa e stërmbesa

Në dhe të huaj vuaj dhe përsëri vuaj

I mbaj vuajtjet në shpirt e në fjalë

Zemrën time vetëm për Ju e ruaj.

Njëzetekatër anëtarë në familje i lash

Dritën e vendlindjes pak e pashë

Vajmedet sa familje mërgimtare

N´dhe të huaj si unë kanë mbet

 

Mëmëdheu ende nuk na ka gjet

E ne as që e njohim aq sa duhet

Asimilimi  është i egër i sigurt

Mbeta këtu kështu si jam i urtë.

 

Eci, këndoj, qaj e vajtoj

Askujt dhimbjet s`ia tregoj

Zanat e atdheut më mungojnë

Vitet shpirtin ma okupojnë

Mos vallë fati na ndëshkoi

Të mbetemi përjetë në mërgim

Mos vallë Zoti na ka gjykuar

Apo armiku na ka mallkuar

Që në vend të huaj të jetojmë!

 

Ky shekull me thumba kuajsh

Këpucë të reja më ka dhënë

Rrebeshi i pafund në kurrizin tonë

Dielli dritën e kursen terrin e lëshon

Hëna me dritën e bekuar më orienton.

 

Meditoj e n´kalendar ditët i numëroj

Me gishta shumën e dhunës e pjesëtoj

Në dritë dua të dalë ëndrra ime

Për ta parë të bashkuar

Atdheun tënd e Shqipërinë time.

 

Diellin hënën e yjet shumë i dua

Dielli edhe nën hije më djeg

Hëna rrugën ma ndriçon

Shikoj qiellin e kthjellët

Vapën dua ta ndaloj...

 

Unë të kthehem n´vendin tim

Pa drojë të eci me pahirë

Kur vendi im të jetë i lirë

Me ëndrrat e mia e me ty

Emrin e kam tetëdhjetedy.

 

HIJENAT E BALLKANIT

 

Oj serbi moj hilemadhe

O moj dhelpër e Kremlinit

Mos e ngul murin e Berlinit

N´Mitrovicën e Kastriot trimit

O moj bishë që çirresh më kotë

Mos na shqetëso në këtë botë

Mos e përflak historinë me barot

Shumë luftëra ke kallur

Dhe mebete qyqe në dëborë

Humbjet i ke pas lule/kurorë!

 

Armiqtë tu kanë rrethuar

Biografinë ta kanë blinduar

Kroacia, Sanxhaku e Vojvodina,

Kosova me trima e martina

Shqipëria e shqiptarët

Kudo që janë aleatët tanë

Blanën e humbjes e ke në ballë!

 

Mos mendo për Mitrovicën

Për pasurinë Ilire në Ballkan

Ata që të nxisin e përkëdhelin

Populli serb s´ka dëshirë të vdesë

Jeton me mëshirë e me shpresë

Mbet vetëm me gjilpërën e me perin

Çetnikët e mallkuar ia bënë sherrin.

 

Gjithë ata që kanë vendin e vet

Do ta mbrojnë me dinjitet

Çdo shqiptar e kemi mbret

Moskovitët tuaj të uritur

Nxisin serbët gjakatarë

Të vrasin njerëz të pafajshëm.

Shqiptarët janë bijtë e bijat e Ilirisë

Nuk mendojnë t´i sjellin dëm Serbisë

Ata do të mbrojnë tokat e Ilirisë

Kundër hijenave kaukaziane të Serbisë.

 

 

KTHEHU

(Kushtuar një nëne)

 

Të thash kthehu!

Kthehu këtu!

Të lutem mos harro,

Se fillikat kam mbetur,

Si një pemë e vetmuar,

Prej zjarrit shkrumbuar...

Pres të kthehen zogjtë shtegtarë,

Të shkëmbej me ta dy fjalë!

Dal në lëmë,

Shkoj në fushë e shkoj në mal,

Dhe nuk dëgjoj asnjë zë,

Asnjë fjalë.

Oh, ku jeni, o zogjtë e mi,

Që zemrën ma keni ndarë në dy!

Kthehu, biri im

Eja këtu duke fluturuar,

Se sofrën ta kam shkruar

Dhe po pres me zemrën ndër duar!

Oh, jetoj veç me ty në mendje,

Kthehu në folenë tënde!

Dhe mos harro, o bir;

Kur të vish, pyet për mua,

Do të thonë se ku jam...

Do të më gjesh nën këmbët e malit,

Të tretur prej mallit,

Dhe me plagë në zemër,

Aty do të gjesh dhe një gur pa emër,

Nën atë gur, do të dëgjosh rënkimin tim,

Nga dhimbja për ty, o biri im!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: