Lushaj: Kush don me e kthye Kosovën 'kullë ngujimi'?!
| E Enjte, 03.08.2017, 07:54 PM |

KUSH PO DON ME E KTHYE KOSOVËN NË “KULLË NGUJIMI”?!

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Me Serbinë tashti jena në Luftë. Në një Luftë Ndryshe. Se asnji Luftë e Serbisë ndaj Shqiptarëve  nuk i nget tjetres. As ato të krajlëve të vjetër Nemanja apo Brankoviç, as Karagjorgjeviç apo Obrenoviçët, as të Titos apo Sllobodanit. E, as kjo e sotmja, e Vuçiçit.

E si ka me kanë Lufta ndryshe veç njikështu: me t’i arrestue Burrat e Shtetit e Djemtë e Kombit tand.

Arrestohet dy herë lideri Ramush Haradinaj, gjeneral i UÇK, ish kryeministër i Kosovës, kryetar i AAK: më 2015 në Slloveni me një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë të Sllobodanit dhe në janar 2017 në Francë me urdhër të Serbisë të Vuçiçit.

Kosovës iu kanë arrestue edhe herë tjetër nga Serbia kryeministrat e saj si Hashim Thaçi në Hungari, edhe Agim Çeku në Slloveni.

Asnji vendi në botë nuk iu kanë arrestue tre (ish)kryeministra në një kohë kaq të shkurtër e me akuza me frymë kundër konventave ndërkombëtare të OKB, Këshillit të Europës, etj. Cili n ga 12 kryeministrat e kohës së Sllobodanit e të Vuçiçit u arrestua nga Interpoli apo me urdhër-arresti ndërkombëtar nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, për genocid, krime ndaj njerëzimit, terrorizëm, spastrim etnik?! Pse nuk e arrestuan Aleksandër Vuçiçin që kurrgja nuk e dallon nga krajli Aleksandër i Parë (1921-’34) veçse nuk ka mustaqe si ai, që është vazhduesi i strategjisë politike, partiake e zyrtare të kryeministrit serb Pashiqit, që ishte ministër i Sllobodanit, që e keq luan strategjinë e tensionit e aneksimit ndaj Kosovës me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, me dergimin e trenit serb nga Beogradi drejt Mitrovicës shqiptare me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, etj. etj. Çka do të bante ndonjë shtet tjetër ballkanik apo europian sikur t’i ndodhte kësisoj si Kosovës?!

Po, kjo, Serbia e re me fytyrë të vjetër, me shpinë në Moskë e me gjoks në Bruksel, me të tillë urdhër-arresti e prangosi në vendkalimin kufitar Konçul (kah Bujanovci shqiptar në Kosovgën Lindore, përndryshe: Serbia Jugore) edhe  Nehat Thaçin – drejtor Rajonal i Policisë së Kosovës, duke i dhanë 30 ditë masë paraburgimi me akuzën e njoftun serbe “vepër penale të terrorizmit”(!)

Tashti, në Kroaci, e arrestojnë sipas një urdhër-arresti interpolian Ismail Morinën e dronit mbi stadium të Beogradit kur luante skuadra kombëtare e Shqipërisë me Serbinë.

Këto nuk janë arrestimet e para e të vetmet etno-politike hakmarrëse të Serbisë, e cila ndjek strategjinë e vet me taktikën: “Prite se çka do të ndodh nesër…”. Kjo nuk është vetëm çështje emrash tribunal e fort aktiv për kombin shqiptar  e  as numra listnor, por ka të bajnë me vet psikologjinë e strategjinë serbe, të cilët e duan Kosovën e sotme të lirë e të pavarur të kthehet në një “Kullë ngujimi” nga gjaksi i vjetër dhe i ri serb, nga Sllavët e Jugut e të Stepave.

2.

E shumta dhe e veçanta e mirëpritur nga BE është dhe mbetet Liberalizimi i Vizave. Përndryshe: Marrëveshja e vonuar Shengen. Vetëm Kosova është e përjashtuar prej saj. Të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit ose kanë hy’ në BE, ose i gëzohen Marrëveshjes “Shëngen”.

Mirëpo, Europa e sotme nuk duhet të harrojnë se në mitologji, në legjenda klasike, është nji hallë e stërlashtë e ilirëve. Pra, bashkarisht, jemi Europa. Jemi të parët e saj, para se të vinin në Europë shumë nga popujt (shtetet) që tashma janë antare të saj.

Bojkotimi i derisotëm i Kosovës në Lëvizjen e Lirë (Shengen) është turpi ma i ri i Europës. Ndaj Kosova duhet t’i kujtojnë Europës se qysh në hershmërinë ilire, rreth tre mijë vjet ma herët, kena kapërcye dete e male të Lindjes e të Perëndimit me “pasaporta” zyrtare të asaj kohe: me bojë në papirus ose pergamentë, gdhendur mbi pllakë të hollë bronzi ose guri.

Ndaj Kosova duhet t’i kujtojnë Europës se perandorë romak e bizantintë të saj e drejtuan Perandorinë Romake kur ishte Njish dhe kur u nda më Dysh, si Konstandini i Madh që e njohu zyrtarisht Krishtërimin, si Justiniani i Madh që e la “Kodin e Justinianit” në themele të sotme juridike të Europës, etj. etj.

Po, Kosova ka qënë dhe mbetet në zemër të Europës, në mesin e dheut (Mesdhe), ndërsa prania e sotme e shumanshme e Bashkimit Europian në Kosovë është vet “Fytyra e Kosovës”, aq sa për popullin shqiptar të Kosovës, në nji kuptim e realitet të caktuar, duket sikur “Kosova është BE dhe BE është Kosova”…

Ndaj duhet thanë se me sjellje të tilla të saj, me “Murin Shengen”, Europa e Bashkuar po e tepron dhe po e turpëron përditë e ma shumë vetveten në sytë e kombit shqiptar e të botës euro-atlantike.

E keqja ma e madhe është se Bashkimi Europian me strategjitë e fondet e saj po i  anash largohet Kosovës, si në projektet e mëdha hekurudhore e auto-rrugore, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë e me Maqedoninë, deri edhe me Bullgarinë e Greqinë, por jo me Shqipërinë, as me Malin e Zi (Rruga Deçan-Plavë), etj. BE po investon për lidhje njani me tjetrin të shteteve sllave në Ballkan?! Pas ikjes graduale të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, pas shtrirjes së ndikimit rus deri në Ballkanin Perëndimor, pas rritjes së frymës nacionaliste në disa shtete të mëdha e të vogla të Europës kontinetale e ishullore, etj. a mos po kemi një dominim sllav në BE ndaj Shqipërisë e Kosovës?!

Pyetja shtrohet hapur, qartë, ballas: Kujt po i intereson në Bashkimin Europian strategjia serbe e ruso-sllave për me e kthye Kosovën e lirë e të pavarun në një “Kullë Ngujimi” në mes të Europës, në shek. XXI, në këtë me integrime euro-atlantike, në këtë botë globale?!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: