Ramiz Lushaj: Hapeni presidencën për meritorët
| E Enjte, 27.07.2017, 07:03 PM |

HAPENI PRESIDENCEN E SHQIPËRISË PËR TË GJITHË MERITORËT

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Presidenti Moisiu më 2007 për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiun, si dhe Presidenti Topi më 2007 për kryetaren e ILDKP, Fatmira Laskaj,  ndanë Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, që mban emrin e Poetit tonë Kombëtar. E rithem: ky dekorim ishte turp i përbashkët i dy presidentëve, pasi këta dy juristë ishin dy nga tre antarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë që më 1988 firmosën për varje në litar të poetit Havzi Nela, i fundit disident që varej në litar në krejt Europën Lindore e Qëndrore. Ndoshta, Presidenti Topi, edhe për të tejkalue këtë skandal fajësie morale e politike i dha me vonesë më 2010 poetit Havzi Nela (pas vdekjes) titullin e lartë meritor “Nderi i Kombit”. Kjo është Shqipëria jonë! Këta janë presidentët tanë!

Si është e mundur dy presidentë në vargni kohe e politike ndajnë njejtësisht dekoratën e artë Naim Frashëri për dy juristë elitar shtetar të kupolës të pushtetit juridik shqiptar, ndërkohë që mund t’iu jepej tjetër dekoratë atyre juridike si, bie fjala, një Urdhër i ri “Justiniani i Madh”i Artë, pasi Kodi i tij është në themele juridike të Europës kontinentale e ishullore të derisotme.

E para çështje në këtë trajtesë shkrimore ka të bajnë me faktin se Shqipëria me ligjet e saj për titujt, dekoratat e çmimet presidenciale e ka rrudhur numrin e tyre deri në 14 të tilla, si: “Dekorata e Flamurit Kombëtar”, Dekorata “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Dekorata “Nderi i Kombit”, Dekorata “Nënë Tereza”, “Dekorata e Artë e Shqiponjës”, Dekorata “Pishtari i Demokracisë”, Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Titulli “Martiri i Demokracisë”, Titulli “Mjeshtër i Madh”, Titulli “Naim Frashëri” i Artë, Titulli “Për Merita të Veçanta Civile”, Medalja “Për Shërbime Ushtarake” e “Medalja e Mirënjohjes”.

Ndërkohë, shteti tjetër shqiptar në Ballkan, Kosova me Pavarësi të shpallur më 17 shkurt 2008 e të njohur ndërkombëtarisht nga 114 shtete të botës, ndan 24 tituj e dekorata presidenciale, pothuaj sa dyfishi i Shqipërisë. Ndërkohë, Kosova ka sipërfaqe e popullsi deri në dyfish ma të vogël se Shqipëria. Gjithashtu, ka shtete të tjera në Ballkan e në Europë që kanë deri në 55 tituj, dekorata e çmime presidenciale.

Qartësisht, të kuptohemi: numri i madh i titujve dhe dekoratave ka të bajnë me një ndarje ma të mirë të tyre sipas kontributeve e meritave të gjithsecilit që i merr ato, qoftë shtetas shqiptar apo i huaj, institucione e organizma shqiptare apo ndërkombëtare. Prapë, shembullin na e jep edhe Kosova shqiptare, e cila ndan tituj, medalje e çmime në disa fusha të jetës si: Medalja Presidenciale e Meritave, Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm–Dr. Ibrahim Rugova, Çmimi Presidencial për Studiues, Çmimi Presidencial “E” për Shërbimet e Eksportit, Çmimi Presidencial për Suksese në Prodhim dhe Biznes, Çmimi Presidencial për Inovime, Kërkime dhe Zhvillim, Çmimi Presidencial për Siguri, Çmimi Presidencial për Cilësi dhe Aftësi të Menaxhimit, Çmimi i Presidentit për Meritat e Ambientit, Trofeu i Presidentit, etj. Të gjitha këto, në Kosovë, renditen poshtë numrit 14 të titujve, dekoratave e çmimeve presidenciale. Natyrisht, këto nuk mund të jepen njejtësisht si në Kosovë edhe në Shqipëri, por kjo tregon se ka vend për reflektime, për ndryshime në ligjin shqiptar për titujt, dekoratat e çmimet në Shqipëri.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitet e Tranzicionit e të Demokracisë ndan sot shumë ma pak tituj, dekorata e medalje se sa ndante Presidenti i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Natyrisht, nuk ia lypim askujt të jenë të gjitha ato dekorata të së djeshmes, por nuk e shohim me vend e rend që t’i heqim disa prej tyre, të cilat përbajnë interes shoqëror e kombëtar edhe në ditë të sodit. Fjala vjen, në komunizëm ishte Titulli “Nënë Heroinë” apo Urdhri “Lavdi Nënës” (i Klasit I, II, III), “Medalja e Nënës”( e Artë, e Bronztë, e Argjendtë), të cilat ndihet më se se e nevojshme të jenë edhe sot. Ndoshta jo të njëjtat, por me një funksion e emërtesë të përafërt. Kjo, pasi numri i meshkujve e i femrave pothuajse është i barabartë në Shqipëri. INSTAT, sipas rregjistrimit të popullsisë në vitin 2011, dokumenton se rezidentë në Shqipëri janë 50.2 për qind meshkuj dhe 49.8 për qind femra. Gjithashtu, në vitet e demokracisë, në mbi një çerek shekulli, shohim se numri i femrave shqiptare të dekoruara është i ulët, disa herë ma i ulët se ai i meshkujve shqiptarë.

2.

Këto ditë, zoti Ilir Meta, nistoi detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, që tashma në protokollin e shtetit shqiptar e në kancelari të botës do të thirret “Shkelqësia Tij”. Aq sa kam dijeni vetjake, Ai ulet në karriken e Kreut të Shtetit Shqiptar me një dekoratë të vetme: “Pishtar i Demokracisë”, e cila iu dha Atij në moshë 23 vjeçare, pothuaj një çerek shekulli ma herët, nga Presidenti i parë postkomunist i Shqipërisë, lideri historik prof. dr. Sali Berisha. Ai, Ilir Meta, prej atëherit, ka arritë të jetë deputet, kryetar i FRESSH, ministër, zëvëndëskryeministër, kryeministër, kryetar partie, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë e tashti President i Shqipërisë, mjaft aktiv e kontributiv në politikën shqiptare e atë rajonale, por nuk ka tituj, dekorata apo medalje presidenciale për meritat e tij. Natyrisht këto nuk do e banin President aktual të Shqipërisë, por është keq e mozo ma keq për Shqipërinë tonë që Presidenti ynë kur të shkojë për vizita zyrtare në shtete e kontinente të botës të mos ketë disa dekorata në CV e gjoksin e tij. Përndryshe, është edhe ma keq kur të shohim në vazhdimësi kohore të detyrës së Tij, që shtete e organizma ndërkombëtare të ndryshme do t’i japin Presidentit tonë Ilir Meta disa tituj, dekorata e çmime të tyre, sikurse edhe ish-Presidentit paraardhës, Bujar Nishani. Dekoratat ndërkombëtare për Ilir Metën kanë nisur qyshse një vit ma para, në tetor 2016, kur gjatë një vizite zyrtare në Greqi iu dha “Medalja e Artë e Parlamentit të Greqisë”.

Ai i duhej dhanë tituj e dekorata presidenciale Ilir Metës nga presidentët e rradhës: Meidani, Moisiu, Topi e Nishani. Sigurisht që po. Qoftë edhe vetëm për risi të karierës së tij. Po, patjetër, e meritonte dekorimin edhe për kontributet e tij në politikën e jashtme të Shqipërisë, pasi Ilir Meta ka qënë nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhaniet me Jashtë (1998), Sekretar Shteti për Integrimin në MPJ (1997-’99), ministër i Punëve të Jashtme (2002-’03 dhe 2009-’10). Ai ka kontribute reale dhe elitare për integrimet euro-atlantike të Shqipërisë, për Lëvizjen e Lirë të Shqiptarëve, etj. Atë çka nuk e bëri Shteti Shqiptar ndaj Ilir Metës e bani Instituti Ndërkombëtar “IFIMES” në Ljubjanë të Sllovenisë duke i dhanë në mars 2012 Çmimin “Personaliteti më pozitiv në Politikën e Jashtme për vitin 2010”, çmim të cilin ia dorëzoi ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, president nderi i IFIMES.

E ngrita këtë çështje të dekoratave ndaj Presidentit aktual Ilir Meta për të theksue se në politikat presidenciale me dekorimet në Shqipëri nuk duhet të ngjasin raste e dukuri të tilla me kuadro të larta të politikës e diplomacisë shqiptare. Fjala vjen, Presidenti paraardhës Bujar Nishani gjatë pesë viteve të Presidencës së Tij ka ndarë pothuaj 1.100 tituj e dekorata po si nuk u gjet një e tillë për dy ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, që ishin në këtë detyrë para Ilir Metës, në mandatin e parë të Qeverisë “Berisha 1”. E kam fjalën për dy ministrat e Jashtëm: Besnik Mustafaj (11 shtator 2005–24 prill 2007) dhe Lulzim Basha (24 prill 2007–17 shtator 2009), të cilët ishin me kontribute në këtë post të lartë zyrtar diplomatik në kohë të zhvillimeve të mëdha panshqiptare: kur shpalli Pavarësinë Kosova (17 shkurt 2008), kur Shqipëria pranohet antare me të drejta të plota në NATO (1 prill 2009), kur Shqipëria ecën drejt integrimit në BE, ku hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (1 prill 2009) dhe dorëzohet Aplikimi për Antarësim në BE (28 prill 2009), Lëvizja e Lirë e Shqiptarëve në Zonën Shengen, etj. A nuk mundej Presidenti Nishani të dekoronte  diplomatin e karierës në katër dekada kalendarike (1986-2014), doktor i shkencave politologjike Islam Lauka – me gradën diplomatike Këshilltar-Ministër; një nga zyrtarët e lartë të MPJ;  ish-ambasadorin e parë të Shqipërisë në Kosovë; autorin e disa monografive diplomatike të botuara në shqip, anglisht, rusisht, arabisht, persisht; “Qytetar Nderi” në Tropojë dhe në Deçan të Kosovës; president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike në Tiranë, etj. Çka mund të bajnë ma tepër një diplomat, apo me dhanë “jetën si me lé” për t’u vlerësue me dekoratë nga Presidenti Nishani (!) Apo ndryshe: diplomati i karierës Dashnor Dervishi shenjohet i pari në Shqipëri që merr gradën diplomatike “Ambasador” po nuk vlerësohet me asnjë titull apo dekoratë presidenciale?! I ceka këto fakte se mos ndoshta Presidenti i ri, Sh.Tij, Ilir Meta, duke besue edhe tek vetvetja, i merr në konsideratë këto raste të ish ministrave Mustafaj e Basha, të ambasadorëve Lauka e Dervishi apo ndonjë tjetër diplomati kariere dhe dekreton dekorimin e tyre, duke pasë parasysh një thanie aksiometrike të moçme: “Diplomacia është Diplomaci dhe Ideologjia është Ideologji” dhe t’i vlerësojmë ambasadorët meritorë pasi janë imazhi i Shqipërisë në botë, janë “njerëzit ma të padukshëm” të fuqisë së zhvillimeve e  integrimeve panshqiptare.

Prej 24 korrikut 2017 politikani i formatit të madh, Ilir Meta hyri në Presidencë me moton e tij ma të re: “Shqipëria dhe Demokracia do të jenë gjithnjë të parat”. Ndaj po them se edhe çështja e titujve e dekoratave presidenciale është edhe e ditës së parë, edhe ndër të parat, duke krye disa ndryshime në legjislacionin përkatës, duke mos ulur ritmin e dekorimeve nishaniane, duke hapur Presidencën e Shqipërisë me vlerësime për të gjithë meritorët.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: