Milazim Kadriu: Fatmir Halimi - Dy vdekjet e një jete
| E Diel, 23.07.2017, 01:06 PM |

JETA, DASHURIA DHE VDEKJA NË RRUGËTIM TË PËRBASHKËT

Fatmir Halimi “Dy vdekjet e një jete”, botoi Prokultpress  – Prishtinë, 2017

Nga Milazim F. KADRIU

Romani “ Dy vdekjet e një jete “, të autorit Fatmir Halimi, bazuar në titull fillimisht të jep një lloj hutie ngase çdo jetë ka një vdekje, mirëpo me leximin e romanit lexuesi do të bindet se titulli është mjaft i arsyeshëm, se protagonisti kryesor në jetën e tij përjetoi dy vdekje.

Ngjarja që zhvillohet brenda kornizave të romanit ka diçka reale, por ka edhe imagjinatë, apo janë dy-tri ngjarje të shkrira në një vend dhe të lidhura bukur mes vete ku autori i ka ndërtuar mirë, duke përdorur shprehje të zgjedhura, të cilat i përkasin një romani bashkëkohor. Çdo lexues kur ta lexon romanin do të gjen diç që e dinë se ka ndodh ashtu apo e ka dëgjuar nga dikush. Mirëpo tërë ngjarjen e romanit autori e shtjellon mjaft suksesshëm dhe lexuesi posa fillon ta lexoj nuk mund të ndahet ngase e tërheqin ngjarjet që do të vijnë në vazhdim.

Në romanin “ Dy vdekjet e një jete “ rrëfehet historia e dashurisë së Astritit dhe Valberës ku mishërohen të gjitha vuajtjet e dashurisë për njëri tjetrin.

Siç e dimë dashuria është ëndrra dhe dëshira më e bukur e gjithë njerëzve, ndjenja më e bukur njerëzore që të bën njëherësh të qeshësh dhe të qashë si fëmijë. Ajo është dhe mbetet gjithmonë jo vetëm motivi kryesor për të cilin duam të jetojmë por edhe detyra themelore e çdo njeriu.

Halimi në rrëfimin e tij na ka sjellë një dashuri të sinqertë të dy të rinjve por që ajo dashuri për shkak të rrethanave të atëhershme ndërpritet në mes të rrugës.

Ndonëse tema bosht e romanit është dashuria aty rrëfehen dhe shumë ngjarje tjera nga jeta dhe nga mese të ndryshme e me personazhe tjera të përfshira në roman por që të gjitha lidhen me Astritin.

Në roman rrëfehen edhe shumë ngjarje tjera si lufta e lavdishme e UÇK-së, largimi i popullatës nga trojet e veta si dhe plaga që e rëndon edhe sot e kësaj dite shoqërinë tonë, çështja e të zhdukurve, si dhe rrëfimet për jetën e pasluftës.

Të gjitha këto ngjarje kanë lidhmëni ose sillen rreth protagonistit kryesor, Astritit dhe dashurisë së tij me Valberën, dashuri kjo që pati një fund tragjik. Astriti si i ndjekur politik kishte migruar jashtë atdheut por me fillimin e luftës çlirimtare ai u kthye dhe iu bashkëngjit

radhëve të UÇK-së. Ai në luftë erdhi që ti sjell vendit lirinë e shumë pritur dhe ti kthehet dashurisë së tij.

Plagosja e tij në betejat e luftës në Koshare dhe konstatimi se ai aty ra dëshmor ndërruan çdo gjë në jetën e tij madje edhe në dashuri. Kthimi i tij pas tetë vitesh të mbarimit të luftës, arritja në shtëpinë e zbrazët ngase tërë familjen ia kishin ekzekutuar forcat e okupatorit, mandej ikja e njerëzve nga ai që të mos takohen me të sepse ata e dinin për të vdekur e rëndoi edhe më shumë jetën e tij. Por nga takimi me shokun e tij Drenit, Astriti filloi ti adaptohej jetës dhe rrethit të ri në vendin e tij.

Nga ana tjetër edhe pse në fillim Valbera nuk e mori si të vërtetë kur dëgjoi se Astriti është gjallë dhe është kthyer në vend, mirëpo tek ajo lindi hamendja që të vazhdoj jetën me burrin e sajë dhe fëmijët apo ti len ata dhe të shkoj tek Astriti. Astriti pasi kuptoi realitetin që kishte ndodhur, Valbera ishte martuar, kishte fëmijë, njerëzit e kishin ditur për të vdekur, njohja e tij me një vajzë tjetër dhe ndihmës që ajo i ofroi në hapjen e ekspozitës por edhe interesimi që Astritin ta ketë sa më afër, Astriti u pajtua me fatin se tashmë historia me Valberën kishte marr fund. Ai vendos që një ditë ta vizitoi atë në familje dhe ti dëshiron jetë të lumtur me burrin dhe fëmijët e ai të niset rrugës së tij, mirëpo kjo rrugë ishte e fundit dhe përjetoi vdekjen e dytë.

Fundi i romanit është mjaft tragjik ku Astriti posa fillon të adaptohet në jetë dhe të merr veten i vjen vdekja e vërtetë dhe në momentin e fundit pranë tij gjenden të gjithë ata që ai deshi ti ketë pranë. Janë shumë prekëse fjalët që ia thotë Burimit që ai të kujdeset për Valberën në këtë jetë por nëse ka jetë në atë botë Valbera do të jetë e imja. Ndërsa Valberës i thotë se unë edhe pse po i përjetojë dy vdekje të kësaj jete në botën tjetër do të jesh e imja përgjithmonë.

Në këtë roman mësojmë se jeta të dhuron mundësi dhe hapësirë të pafundme. Po ashtu na këshillon dhe na mëson të dashurojmë jetën dhe njerëzit. Autori në këtë roman lexuesve ua mbart dhimbjen e thellë të njerëzve që dinë të dashurojnë me gjithë forcën e shpirtit të tyre dhe është pasqyrë e ndjenjave më të bukura që lulëzojnë në shpirtin njerëzor.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: