Ndue Dedaj: Qafë Shtama e turizmit
| E Diel, 23.07.2017, 01:35 PM |

QAFË SHTAMA E TURIZMIT TË PANJOHUR

NGA NDUE DEDAJ

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar një kamion bënte çdo ditë vajtje - ardhje rrugën Tiranë - Qafë Shtamë, për të sjellë uji për familjen mbretërore dhe kroi i famshëm mes pishash shtatlarta mbante emrin “Kroi i Nanës Mbretneshë”, më shumë se një mijë metra mbi nivelin e detit. Plot njëqind kilometra që Naltmadhnia dhe familjarët e Tij të pinin ujë “mbretëror” nga burimet e bjeshkëve të Krujës. Qafë Shtama është në kufi të dy krahinave të njohura, 25 kilometra nga Kruja dhe po aq nga Burreli. Nuk kishte qenë një aventurë dhe as që e kishte luksin mbretëria e varfër e shqiptarëve për të shpenzuar për një ecejake të tillë grykave të namuna, të gurta, të rrezikshme, por uji i Qafë Shtamës kishte markën dhe çertifikimin popullor (mbase dhe nga të huaj që asokohe kishin patur rastin ta “shijonin” sadopak) si shërues i disa sëmundjeve, veçanërisht atyre të rrugëve të frymëmarrjes. Nana Mbretneshë ka qenë një zonjë grua, që kroi qafështamas i krutanëve e kishte merituar emrin e saj. Ajo duhet të ketë patur një disponim të madh ndaj natyrës, pasi kishte ndërtuar dhe një kryevepër ekologjike e mjedisore në mesin e viteve ’30, parkun mbretëror të Burrelit, që dhe sot klasin e tij nuk e ka arritur Shqipëria në sheshin “Skënderbej”. Vendi ynë ka fatin e madh të ketë disa ujëra kurative, minerale, termale etj. në Tepelenë, Qafë Shtamë, Kroi i Bardhë (Mirditë), Lajthizë (Pukë), banjat/ llixhat e Peshkopisë, Elbasanit, Permetit etj. Një minierë më vete, nga më jetëdhënëset e planetit.

Qafë Shtama nuk ishte një “zbulim” vetëm i Mbretërisë. Regjimi pasardhës kishte ndërtuar atje dy kampe, atë të punëtorëve, të cilët dërgoheshin për pushime falas nga organizatat e Bashkimeve Profesionale, 15 deri 21 ditë dhe kampin e familjarëve, siç kishte nisur të frekuentohej në vitet ’60-‘70 dhe Razma, Thethi, Dardha etj. E megjithatë as pas njëqind vitesh që është bërë e njohur Qafë Shtama ende nuk është gati për të na pritur e përcjellë, si në bjeshkët e Austrisë e Zvicrës, me të cilat jo rastësisht e bëjmë krahasimin, porse kemi një natyrë të pasur si atje. “Për mua që e njoh mirë këtë zonë, që kur kam filluar punë si pylltar në vitin 1959, ekosistemi i Qafë Shtamës është nga më të bukurit e Shqipërisë, por dhe në Ballkan e Europë. E pohoj këtë me krenari të ligjshme pasi kam patur fatin të shkel pothuajse të gjitha pyjet e Shqipërisë dhe një pjesë të madhe të pyjeve të Europës”, na thotë inxhinieri i njohur Fadil Llubani, që ka qenë dhe drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve. Prej vitit 1996, në 20 kilometra katrore, Qafë Shtama është shpallur park kombëtar dhe zonë e mbrojtur, por në 97-n është ruajtur nga banorët që të mos shkatërrohej, në të kundërtën Kroit të Nanës Mbretneshë do t’i kishte mbetur vetëm emri, pasi uji do të ishte shtërruar nga rrafshimi i pyjeve, siç dhe ka ndodhur tjetërkund! E meritojnë një dekoratë të artë banorët fisnikë që e ruajtën këtë pronë kur shteti nuk e kishte të mundur, e mbrojtën si “mirà” të katundit, siç ishte dhe kanuni i vendit. Njëri nga ata, Enver Balliu nga Cudhia, agronom dhe mësues, që ka dhe një lokal modest mes pishave shekullore tregon kronologjinë e tranzicionit në Qafë-Shtamë.

Qyteza turistike e Qafë Shtamës është duke marrë formë, ndonëse jo aq shpejt sa do të ishte e dëshiruar. Në kushtet kur rruga për në Qafë Shtamë ka përfunduar, banorët e Tiranës në më pak se një orë mund ta kundrojnë Dajtin nga mbrapa, si dhe Bovillën, që nga thatësira e zgjatur nuk po ia shuan etjen kryeqytetit këtë verë. Ajo sot mund të presë 150 bujtës, por nesër numri do të dhjetëfishohet, pasi po punohet për ndërtimin e resorteve turistike moderne. Turistët e ardhur nga brenda vendit, por dhe Franca, Gjermania, Zvicra etj. mund të gjejnë mish të freskët keci, por jo dhe dhallë vendi. Kjo ngase turizmi tek ne është ende spontan dhe i paorganizuar.

Për shkak të terrenit jashtëzakonisht të thyer, me gremina ku do të thyente qafën çdo agresor nga toka dhe nga ajri dhe pa shumë fortifikim, në Nojë, në shpinë të qytetit të Krujës, në masivet shkëmbore, kishte reparte ushtarake, tunele të mëdha, depo ushqimore, depozita të naftës, që sot ku t’i gjesh për ndonjë dokumentar, sa ende nuk janë përlarë për skrap. E tunelet ngjiteshin nga lugina e Drojës deri lart në Qafë Shtamë. Në të vërtetë atje ka ndodhur dhe një “Gërdec” në vitin 1997, që mund të quhet i pari, një shpërthim i hatashëm në tunelet e ushtrisë së Qafë Shtamës plot me municion ku gjetën vdekjen 28 veta. Kjo është tragjedia më e madhe e këtyre anëve. Por ka patur dhe aksidente të rënda automoblistike. Në fillim të viteve 70 ka humbur jetën inxhinieri i pyjeve Hysen Kuqi nga Kruja dhe tani atje ku ai ka rënë ngrihet një lapidar në formën e ahut. Ah! Kolegë dhe miq të tij e kujtonë me nderim e dhembshuri njeriun e pasionuar pas drurëve, blerimit dhe natyrës, edhe pse në ato vite për mungesë rrugësh dhe mjetesh ishte e lodhshme të ishe specialist i pyjeve.

Qafë Shtama është simboli i ujit dhe gjithçka atje lidhet me “bereqetin” e saj. Jo rastësisht banorët dhe vetë qafëmalin e lartë, nisur nga pamja me dy “veriga”, e kanë quajtur Qafa e Shtam(b)ës, një enë uji e drunjtë e atyre anëve. “Ka ardhur njeriu nga Elbasani me barelë dhe pas tri ditësh është ngritur, si të ishte shëruar nga ndonjë mrekulli...”, rrëfen njëri. “Edhe dhambët e paprishur në gojën e njëqindvjeçarit Lam, thotë një tjetër me humor, janë prej ujit dhe ajrit të kësaj bjeshke”. Për vlerat e rralla të ujit - të varfër në kripëra e të pasur me magnez - është ngritur dhe një qendër kurative e sëmundjeve të mushkërive. Siç është ndërtuar dhe një impiant modern që ujin “mbretëror” të Qafë Shtamës e çon në të gjithë vendin. Uji po, por dhe pisha, ahu, bimësia tjetër, kullotat, mermeri - në Selicën matanë Qafës nxirrej mermer i bardhë - e prapë visaret e një bjeshke të tillë nuk mbarojnë.

Shkëmbi i Vajës apo Guri i Vashës është në fillim të rrugës për në Qafë-Shtamë, vetëm pak kilometra nga qyeti i Krujës, treqind metra sipër lumit të Drojës që mezi e gjen rrugën nëpër thepisjet e shkëmbinjve me pamje të egër. Dihet legjenda e jashtëzakonshme, sipas së cilës aty qenë vetësakrifikuar 90 vajza krutane, për të mos rënë robina në dorë të pashallarëve dhe asqerëve turq. Edhe pse një rrëfenjë e tillë është e vështirë të komentohet për turistët, apo dhe për vetë vajzat e sotme krutane, prapë ky diskurs nuk të jep shkas për ta zbutur historiografinë e sundimit disashekullor otoman në këto kreshta, ku pos vonesës së proceseve historike të shqiptarëve orienti la këtu besimin e vet. Përndryshe ato vasha duhej të kishin qenë “kaurre” (të krishtena), siç kishte patur dhe një ipeshkvni katolike në Krujën arbnore.

Rrugën e vjetër e pati ndërtuar Mbreti në vitet e para të mbretërimit të tij, kurse këtë të renë, të asfaltuar, e kanë ndërtuar qeveritarët e dekadës së fundit, sigurisht jo si një himn për Ahmet Zogun, por për begatinë turistike të Qafë Shtamës së shekullit XXI e në përspektivë dhe të Malit të Skënderbeut më në thellësi. Doemos që Rruga e Arbrit, si një “Egnatie” e kohëve moderne, do të sjellë një tjetër zhvillim të rajonit mbrapa Dajtit deri tash i “virgjër” për nga infrastruktura rrugore.

Gazeta “Panorama”, 20 korrik 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: