Kadri Kadiu: Xha Alia i Mborjes
| E Diel, 23.07.2017, 11:34 AM |

XHA ALIU I MBORJES

(Kujtime për njerëz të mirë)

Nga Kadri Kadiu

Në Zyrën e Inspektorëve të Kooperativave në Seksionin e Bujqësisë të Rrethit Korçë punonim tre veta: Mulja, të cilin e kishim përgjegjës, xha Aliu dhe unë.

Mulja me profesion ishte agronom por kishte shumë vite në krye të kësaj Zyre dhe ja kishte marrë mirë dorën problemeve të drejtimit dhe  organizimit të kooperativave. Veç kësaj ai ishte tip i gjindshëm dhe komunikues kështu që e kishte grurë me të gjithë. Të mëdhejtë, dmth udhëheqja e Rrethit, e donin ndërsa në bazë, kryetarët e kooperativave, shefat e Llogarisë, të Planit etj, jo vetëm e donin por xheku edhe ja shtronin Mules. Ishte edhe i lezetshëm në muhabet Mulja, kishte një thes me barcaleta.

Xha Aliu ishte një xhanan burrë, afër të gjashtëdhjetave. Arsim të mesëm kishte por kish punuar një jetë të tërë si shef llogarie dhe kryetar kooperative. Deri një vit më parë kish qënë Kryetar i Kooperativës së Drenovës dhe në prag të pensionit e kishin sjellë në Komitet. Kishte laps të mprehtë xha Aliu. Unë kisha mbaruar fakultet ekonomik por kur fillova punë në Seksionin e Bujqësisë, pata fat që gjeta aty një profesor si xha Aliu.

Ishin kohëra që punonim shumë, besonim shumë, shoqëroheshim e duheshim me njeri-tjetrin dhe bënim edhe shakara e qyfyre të shumta. Ndonjëherë kalohej edhe masa e këtyre shakarave, dilej nga binarët e parimeve të kohës, e mund ta pësoje.

Po tregoj një rast: Ishte fund prilli 1970. Mulja dhe xha Aliu kishin blerë, nga dy metra e ca, stof doku kinez ngjyrë gri për të bërë nga një kostum veror, gjë që ishte shumë në modë atëhere për nëpunësit. E çuan në dy-tre robaqepsi në Korçë për ta qepur por ato kishin ngarkesë të madhe në atë sezon dhe duhej të prisnin disa javë për t’i marrë kostumet.

Po ne kot vuajmë për këtë punë, i thotë xha Aliu Mules, i çojmë në Drenovë dhe i marrim brenda ditës, Kooperativa e Drenovës ka rrobaqepës shumë të mirë dhe nga ana tjetër qepin edhe lirë. E thëna u bë e bërë, hypën motorrin, Mulja para xha Aliu mbrapa dhe pas dhjetë minutash ishin para Zyrave të Kooperativës. U ngjitën në katin e dytë dhe hynë në Zyrën e Kryetarit, Llazit.

Ore shoku Ali, thotë Llazi me të qeshur, po ti katër muaj ke që më ke dorëzuar detyrën mua dhe s’durove që të më vish për kontroll?

Shiko, mati fjalët mirë ti Llazi kur flet me ne të Pushtetit se ne nuk të marrim lejë ty se kur do të të kontrollojmë dhe përse do të të kontrollojmë. Ashtu de, ta dish mirë këtë. Dhe tani thirre atë rrobaqepsin të vijë këtu në Zyrën tënde të na marrë masat mua dhe Mules se do të qepim nga një kostum, ndërkohë e shpështolli gazetën ku kishin dokun.

Rrobaqepsia ishte në katin e parë të godinës së zyrave kështu që pas pesë minutash kryeustai i robaqepësve hyri në Zyrën e Kryetarit me metrin shirrit të varur në qafë. Ua mori masat të dyve, i shënoi në defter dhe u kërkoi astarin.

Astarin verua vetë, tha xha Aliu.

Ustai zbriti poshtë dhe pas pak solli nja tre katër mostra astarësh që ata të zgjidhnin vetë atë që u pëlqente.

Për mua, tha ustai, kësaj cope që kini juve i shkon më mirë ky lloj astari, duke u a treguar mostrën, por fatkeqësisht ne na është mbaruar. Unë mendoj që të shikoni nëpër dyqanet e metrazhit se mos e gjeni, në të kundërtën do t’i vemë këtë llojin tjetër, edhe ky i mirë është, duke i treguar përsëri mostrën.

Ranë dakord që po ta gjenin atë lloj astari do ta sillnin të nesërmen, në të kundërt do të njoftonin Kryetar Llazin që kostumet të qepeshin me astarin që kishte robaqepsia.

Kërkuan nëpër Korçë por nuk gjetën gjë.

Të nesërmen në orën shtatë në mëngjes, njeri pas tjetrit, hymë në zyrë të tre inspektorët. Hapim secili letrat e veta mbi tavolina dhe filluam punën.

Nga ora nëntë unë i them Mules: O shef, a do të shkojmë ta pijmë atë kafen e mëngjesit?

Shkojmë, tha Mulja, dhe u ngrit.

Po prit mo se harruam të marrim në telefon Llazin, tha xha Aliu.

Ou, vërtet, ia priti Mulja, ngriti receptorin, formoi numrin e Drenovës dhe ja dha xha Aliut: Na, foli Llazit i tha.

Alo.., Llazi, si m’u gëdhive mo vëra e halesë?

Nga ana tjetër e telefonit erdhi përgjigja:

Ç’far po thua, kush je ti?

Kush të të pëllcasin jam, bën edhe sikur s’më njeh pale.

Ore vërtet s’po të njoh po pa më thuaj se kush je ti?

Po Aliu jam o gomar Aliu, si nuk i njef kuadrot e Pushtetit ti; edhe në gjumë duhet ta kesh mendjen ne ata dhe t’i njohësh, përndryshe je i mbaruar, more vesh apo jo. Veri vathë në vesh këto fjalë që të them se e kam parë diellin më parë se ty unë, ashtu de.

Bashkëbiseduesi, që nuk ishte Llazi, tani hyri në lojë.

Po hë mo shoku Ali, çkemi, çfar do të na thuash tjetër?

Ja pra, kështu duhet të përgjigjesh, ta dish mirë se një bythë kryetari je ti kurse ne jemi Qeveria. Ashtu de, tani dëgjomë mua: Astar nuk gjetëm, zbrit në robaqepsi dhe thuaju që të vendosin atë lloj astari që kishin.

Mirë, mirë po…, desh të fliste bashkëbiseduesi në anën tjetër të telefonit.

Mos ma prit fjalën mua mor hajvan se s’kam mbaruar. Tani hapi veshët mirë e dëgjo: Mua me Mulen në orën dymbëdhjetë do të na kesh aty. Shko në mencën e Kooperativës dhe porosit drekën. Nëqoftëse s’ka mish gici të freskët, kap nja dy-tre pula aty në gardhet e anëtarëve dhe çoi në kuzhinë. Për rakinë e di vetë ti, balli i kazanit të rakisë së manit. Shpenzimet i ke ti, veten tënde nderon kur i pret mirë shokët e Komitetit or budallë, ashtu de.

Mirë, mirë…, desh të fliste prapë bashkëbiseduesi.

Ore po ke duruar nëntë muaj në barkun e satëme dhe s’po duron dot të mbaroj unë porositë? Ashtu de, tani e fundit: Nga ora dy besoj se do të kemi mbaruar drekën, edhe kostumet do të kenë përfunduar dhe do të futemi në zyrën tënde t’i veshim. Ikë tani dhe zbato porositë një për një se të hëngri dreqi, ashtu de.

Ahmet Shtylla jam; ngjitu pak në zyrën time se i ke gati kostumet,… ishte zëri nga ana tjetër e telefonit.

E lëshoi menjëherë telefonin xha Aliu dhe iu kthye Mules, i cili bashkë me mua po priste më këmbë që të niseshim për në kafe.

Bobooo…, po ç’na bëre o Mule?

Po ç’të bëra mo, me Llazin të lidha, u përgjigj Mulja.

Po ç’Llazi mo ç’Llazi, na more më qafë.

Po pse o, kush ishte?

Shoku Ahmet ishte, Nënkryetari i Komitetit.

Uaa.., tha Mulja, duke i rënë ballit me pëllëmbë,  i paskam rënë gabim numrit, Drenova e ka 385 unë i paskam rënë 386 –ës, telefonit të shokut Ahmet.

Po mirë mo, ç’të tha shoku Ahmet?

Më tha që të shkoj në Zyrën e tij, tha xha Aliu, dhe bëri për t’u nisur.

Mulja ia previ rrugën i alarmuar. Po prit o prit, çfar do t’i thuash tani shokut Ahmet?

Po ç’far t’i them tjetër unë atij, ja thashë në telefon të gjitha.

I ngjiti shkallët e katit të dytë xha Aliu dhe trokiti lehtë në Zyrën e Nënkryetarit.

Mirëmëngjes shoku Ahmet.

Nënkryetari nuk lëvizi nga tavolina, uli pak syzet e punës dhe po e shikonte i vrënjtur nën ato vetullat e trasha, pa i folur fare.

Heshtja e nënkryetarit dhe ai shikimi çbirues i tij e vunë edhe më në siklet xha Aliun dhe, deshi s’deshi, e mori vetë fjalën:

E po..shoku Ahmet, u bë ajo punë tani, unë e dija se flisja me Llazin…

Ç’thua more, po ç’i kini ato broçkulla, po pse telefonat e Shtetit për punët tuaja i përdorni? Po ato dreka që kërkoni, po ato llafe të pista që përdorni me kuadrot e kooperativave, ç’janë?

E po shoku Ahmet, unë me Llazin po flisja, bythë e plasur, ai shoku jonë është…dhe kushedi sa fjalë nga këto me taban popullor do të nxirrte nga goja xha Aliu sikur nënkryetari të mos e ndërpriste.

Ikë o Ali ikë se për sot na ke kënaqur, boll tani.

Ishte xha Aliu që e njihnin se ishte njeri i drejtë dhe ja dinin edhe fjalorin që përdorte; por ishte dhe Ahmeti që nuk merrej me cikërima, se po të mos qe Aliu Ali dhe Ahmeti Ahmet, kjo histori nuk do të përfundonte siç përfundoi dhe as do të tregohej sot për të qeshur.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: