Kaltrina Hoti: Nga qilimi i xhamisë... thirrje në mohim të kombit?!!
| E Enjte, 20.07.2017, 07:56 PM |

Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar (2)

Nga qilimi i xhamisë..., thirrje në mohim të kombit?!!

- Ku janë sot udhëheqësit tanë kur rrugët pushtohen në mbështetje të një diktatori ish pushtuesit tonë 500 vjeçarë që s’la asgjë këtyre tokave vetëm mjerim. A thua nëse mbulojmë fytyrën tonë i jemi fshehur Zotit dhe kemi fshehur mëkatet ndaj gjuhës, kulturës e traditës. Më afër Zotit do jetë ai që ulet këmkryq në qilimin e xhamisë dhe nuk din se si lutet dhe bën thirrje në mohim të kombit?!-

Nga Kaltrina Hoti

Sot çka nuk të dëgjojnë veshët e çka nuk të shohin sytë. Përse çdo kush fiton të drejtën të luaj me lirinë, atë liri që më shumë sakrificë e fituam. Sot çdo kush merr të drejtën të shaj, nënçmoj e njollos fytyrat tona kombëtare edhe atë pa u rehatuar ende eshtrat e të rënëve për liri. Sot çdo kush merr guximin të na sjell lloj-lloj kulturash nga injoranca që e kemi mbjell ende pa i gjet trupat e viktimave të gjenocidit serb.

Gjithë ky maskarallëk nga ku e ka burimin dhe prejardhjen?! A thua se do jemi më afër Zotit nëse e quajmë me emër të huaj?! A thua do e sigurojmë parajsën nëse çdo ditë shajmë e njollosim njëri tjetrin?! A thua më afër Zotit, Perëndisë do jemi sikur të mbështesim diktator e pushtues të huaj?! A thua Parajsa dhe Ferri lindën kaq vonë në historinë e njerëzimit, e ku jetojnë në atë botë ilirët, pellazgët?! Po ku e kanë vendin atëherë Skënderbeu, Naimi, Çajupi... e të tjerët që Zotit i thoshin Perëndi?! Këta nuk kërkonin pushtues të huaj, dhe të huajve ua hapnin derën vetëm për miqësi.

Unë nuk kam lexuar ndokund që ka pushtues të mirë. Por nuk jam në dijeni që ka udhëheqës që nuk e mbrojnë Kështjellën e vetë, lirinë e fituar, popullin e vet, heronjtë e vetë, kulturën, traditën, historinë...

Unë ende se kam kuptuar përse nuk mbrohen figurat tona kombëtare me Ligj.  Ku janë sot udhëheqësit tanë kur rrugët pushtohen në mbështetje të një diktatori ish pushtuesit tanë 500 vjeçar që s’la asgjë këtyre tokave vetëm mjerim. A thua nëse mbulojmë fytyrën tonë i jemi fshehur Zotit dhe kemi fshehur mëkatet ndaj gjuhës, kulturës e traditës. Më afër Zotit do jetë ai që ulet këmkryq në qilimin e xhamisë dhe nuk din se si lutet dhe bënë thirrje në mohim të kombit. A thua Zotit i duhen ushtar në tokë që luftojnë gjuhën, kulturën, traditën e vetë. Kush po na udhëheq neve, a ka kush të na e thotë?! Ata që neve na mësuan; Heronjtë e rënë për Atdhe dhe rilindësit tanë sipas injorancës sonë që po nxjerr jargët udhës dhe është përherë në rritje janë tradhtar të kombit, e ish pushtuesit do na dhurojnë Parajsën (xhenetin).  Po ne cilën parajsë duam?!

E çuditshme! Sipas veprimeve të sotme ne si komb duhet këtu të jetojmë në robëri për të shkuar në parajsë në xhenetin e injorancës në botën e përtejme, kjo është logjika e “ushtarëve të Zotit”, që po rriten në tokën e Dardanisë së lashtë. Atyre që ende iu flenë liria dhe atdheu në zemër janë të detyruar që të lenë atdheun në kërkim të kafshatës së gojës se kjo injorancë dhe heshtja e udhëheqësve tanë (kinse udhëheqës) i ka lënë në mëshirë të fatit. Veshja jonë kombëtare u ka rezistuar shumë pushtuesve, iu ka rezistuar shumë sfidave do i rezistoje edhe ferexhesë së zezë e marhamave të bardha të sjella nga dora e huaj, por arkivit të tradhtisë askush s’ka mundur t’i ikë. Është më mirë që çdo njëri ta kuptoj edhe atë sa më parë, se asgjë e huaj sado e bukur e ëmbël të jetë as jeton dhe as hahet. Ne e dimë që të gjithë, se Turqia në Kosovë ndërton xhamie e rekruton mercenar, në Serbi ndërton fabrika, qëllimi dihet por kur do e mësojnë ata të zgjedhurit tanë që të bëjnë rregull e rend si atje ku lulëzon dashuria hyjnore bashkë me atë njerëzore. Këtyre predikuesve të shitur duhet t’iu tregohet rruga dhe le të shkojnë. Le  të shkojnë atje ku duan të jetojnë me fjalën, veshjen, traditën, heronjtë e tyre “qiellor” dhe le të luten si të duan.

Le të shkojnë se kjo tokë kërkon dhe don përshëndetjen “Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar”, thirrje e pershendetje per çdo shqiptar pra edhe per ata (per NE), që ende iu flenë liria dhe atdheu në zemër por janë (jemi) të detyruar që të lenë (të lemë)  atdheun në kërkim të kafshatës së gojës se kjo injorancë dhe heshtja e udhëheqësve tanë (kinse udhëheqës) i ka lënë (na ka lenë) në mëshirë të fatit.

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga NY, USA, 20 Korrik 2017-



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: