Haki Zllami: Britmon alegoria shurdhane
| E Merkure, 19.07.2017, 05:31 PM |

BRITMON ALEGORIA SHURDHANE

PIRANJAT E HIJESIRËS

Libri i ri me fabula i autorit  Ali Sylaj

Nga Haki Zllami

Këto ditë doli në qarkullim libri më i ri me fabula i krijuesit Ali Sylaj. Një libër   me vlera të mëdha ideoartistike,  i shkruar me art e përkushtim. Ndihem i nderuar dhe i emocionuar nga veçantia që më takoj të jem lexuesi i parë. Tematika e fabulave është e gjërë dhe e larmishme dhe secila ka moralin e vet. Piranjat, këta peshq të ujrave të ëmbëta të Amerikës së Jugut, të njohur për dhëmbët e mprehtë dhe grykësinë e pangopur për mish që hyjnë në këtë mbititull me një largpamësi të thellë. Sa për kërshëri, brenda pak sekondash nga trupi i një njeriu u tepron vetëm ndonjë kockë e madhe. Kjo analogji e gjetur me krahecjeje figurative përkon me problematikat e librit që tipa njerëzish tek ne janë kthyer në piranja. Madje në piranja hijesire të tejskajshme. Njerëz më të tërbuar se kafshët që luksojnë si shushunja në kurriz të tjerëve, me një moral të ҫthurur në jetën shoqërore e zyrtare, me cilësitë më të rëndomta hasim në përditësimin tonë. Në këto kategori hyjnë; zhvatësit e korruptuar, politikanët e shëmtuar, drogaxhinjë, drejtësia epitafe, trafikantët, vrasësit e tjerë përsonazhe të një shoqërie të lodhur në çdo drejtim.Dhe këto përsonazhe, pavarësisht se vijnë si; nëpërmjet kafshëve, bimëve, sendeve dhe dukurive të ndryshme në kuptimin alegorik mbartin rrjetin e njerëzve më të rëndomtë se kafshët.

Përmbajtja dhe forma janë gërshetuar mjeshtërisht. Një libër estetikisht i pëlqyeshëm që nga titulli, ballina, përmasat, prapashpina, shkrimi dhe brendësia e çdo faqjeje. Pra një realizim fantazie i lakmuar cilësisht nga të gjitha anët. Nga vargjet e thukta metrike dhe të rimuara ëmbëlsisht, me gjetje tërësisht të reja e interesante projektohen në horizontin e kohës tonë “piranjat” e sotme që presin të ngopen më njerëz ... duke mos ua falur minutat. Por, mes asaj “grije” të trazuar qartësohem rrugëzgjidhjet dhe shpresat optimiste.

Një libër i redaktuar me ndijeshmëri profesionale nga poeti e publicisti ynë, Asllan Osmanaj. “Befasi e këndshme të lexosh këto fabula me përpikëri gjuhësore e leksikologjike të pastra, kur sot gazetarët, politikanët, shkrimtarët e kanë shëmtuar gjuhën shqipe me lloj-lloj huazimesh.”- shkruan në parathënien e librit, Luman Caka.

Autori, Ali Sylaj shkruan me kurajo e zgjuarsi guximi duke nxjerrur në pah notat e dritës së ardhmërisë. Një përfshirje e përkushtuar për t’i bërë sa më të njeshura artistikisht, me theks përditësues dhe zanafilljane. Risia e fabulave duket se në përsonazhet e tyre janë jo vetëm ata të zakonshmit. por edhe pjesët e faunës e të florës si dhe dukuritë sociale. Më të përmendurat, fabula janë: “Diplomati demagog”, “Gomari atdhetar”, “Gjuetari plak”. “Tradhëtia e brirëve”, “Drejtësi pa kufi”, “Leshi i grirë”, “Pa baraspeshim”, “Në provim”, “Retorik”, “Qiraxhiu  i përjetshëm”, “Qejfi”, “Zgjidhje e gabuar” e tjera.

Ali Sylaj në mënyrë të veҫantë, ka bërë me dialogun si pjesë e rëndësishme e fabulës që i jep hijeshi, ku aty- këtu, vërtet bisedojnë kafshët në mënyrën e tyre tën e tyre të përsosur, apo insektet që si njerëzit, në mos më mire, ta ka ënda t’i përcjellësh dhe të dish të nxjerrësh moralin, domethënien e fabulës. Me zgjuarsi ka përdorur derdhjen e figuracionit të menduar. Përparim i dukshëm të bjen në sy në fushën e leksikologjisë me neologjizmat që janë përdorur: epitetet metaforike si; gojë ҫorapë, burrë palapartiak, dhelpër hajdutëresh, korbi qejfli. Ku nuk mungojnë metaforat e shprehjet metaforike, ironia e sarkazma, me urretjen e të kundërtave gjerë në armiqësi. Ironia haset pothuajse në çdo fabul si dhe llojet e tjera të figurave. Strofëzimi dhe në mënyrë të veҫantë titujt janë bërë kujdesshëm duke e lartësuar fabulën në një poezi moderne të ditës.

Nga i ka marrë këto fabula? - Përgjigjja është -nga ndodhitë e jetës, nga fjalët e urta e frazeologjja popullore. Janë krijime të tija.

Një ilustrim: “Biznes i pastër” ...Vidhte veҫe me një zog në ditë/ Dhe shiste me shumicë. Fabula mëson se shitësi ishte qelbësirë, ishte hajdut me namë.Te “Bujku i arës”- Çdo te unë? S’dua hije. Dua punë.- një përfaqësues i përtacisë, njerëzve kot që dinë të bëjnë vetëm hije. Te fabula “Diplomati demagog”- i ka rënë bukur hiles/ Ndërron gjuhën në vend të qimes”-këtu morali është se sa demagog kanë gjet strehim në diplomaci?! Fabula “Budallai nuk pyet” Po, kështu është, një vlerësimi shkon te përgjigjja. Bukur fshikullohet e folura shumë, llafazani tek “Fjala- fjalë”. Me groteskë goditet sistemi gjygjësor tek fabula “Drejtësi pa kufi”-Kështu është drejtësia te ne: rushfete, padrejtësi, korrupsion... Shumë kuptimplot është fabula: “Polici, hashashi, fara”....

Autori Ali Sylaj, i cili punon edhe në zhanra të tjerë, po me këtë libër tregon se jo vetëm është shumë i dashuruar me vështirësitë e fabulës, por në mënyrë të vazhdueshme punon për të rritur mjeshtrinë artistike të saj. Lëvrues të fabulës ka pak, ndërsa Aliu në hullinë ku është futur sidomos me librin “Piranjat e hijesirës” tregon gëlimin e frytshëm në fushën e fabulës.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: