Gjon Keka: Vojsava dhe përkatësia e saj arbërore
| E Merkure, 19.07.2017, 07:30 PM |

Pjesë nga libri si reagim per z.Mustafa Nano

Vojsava dhe përkatësia e saj arbërore

Nga Gjon KEKA

Është shkruar dhe folur mjaft për përkatësinë e nënës së Gjergj Kastriotit, porse më tepër është folur dhe paragjykuar nga njerëz që nuk kanë njohuri rreth këtij fakti historik. Gjithashtu, ka pasur edhe shkrime dhe teza që kanë dalë ekskluzivisht nga pseudoshkenca turke-sllave, për ta cilësuar nënën e Gjergj Kastriotit si serbe apo me prejardhje serbe. Duhet theksuar këtu se janë të paktë autorët që si referencë kanë pasur literaturën sllave ose atë të përfolur prej tyre, për ta ndërruar përkatësinë e kësaj nëne të madhe që lindi Heroin e madh të kombit tonë.

Sidoqoftë, Vojsava (apo Visava ose edhe Vesava) vjen nga një fis i njohur dhe fisnik i arbërorëve të Maqedonisë, fakt që tashmë është i ditur botërisht. Ajo ishte nga vendi i quajtur Polog, që banohej vetëm me arbërorë; për këtë flasin fakte të shumta, por edhe realiteti i sotëm i kësaj hapësire prej nga ajo vinte. Njëri prej fakteve që kam hasur në një literaturë europiane, nga kronikat historike të vitit 1642, tregon që nëna e Gjergj Kastriotit shprehet në këtë mënyrë për birin e saj që ia kishin marr peng, si dhe për bijtë e tjerë, me fjalët: “Unë, Vojsava, jam një epirote, dhe jua dhashë juve pa dëshirën time trimin tim që e kam lindur me emrin Gjergj”. Këtu ajo tregon se është një epirote e pastër dhe se çdo tendencë për ta ndryshuar këtë nga të tjerët është e kotë, pasi shkenca mbështetet në fakte dhe dokumente. Është më se e vërtetë që kjo nënë fisnike ka prejardhje arbërore dhe se po kjo nënë ka lindur Gjergj Kastriotin, ashtu si edhe nënat e tjera epirote që kanë lindur Aleksandrin e Madh, Mbretin Pirro etj. Edhe shumë kronistë, që nga Barleti e këndej, e nënvizojnë qartë prejardhjen e saj dhe pastërtinë e fisnikërisë së saj arbërore. Barleti thotë se e ëma e Skënderbeut “ishte një grua fisnike që vinte nga Pollogu i Maqedonisë, nga shtëpi e mirë dhe fisnike”. Po ashtu, edhe Paul Jovio shkruan se “e ëma e Skënderbeut quhej Vojsava dhe ishte e bija e despotit apo pushtetarit të Pollogut, pjesë kjo e Maqedonisë dhe Bullgarisë”.

Kjo fisnike e urtë dhe me vlera të mëdha ishte një grua legjitime dhe i përkiste Arbërisë. Ata që tentojnë t’ia heqin këtë legjitimitet prindëror e mëmësor kësaj nëne të madhe nuk do të mund t’ia arrijnë, sepse gjaku, fisi dhe vlerat e saj arbërore flasin dhe do të tregojnë gjithmonë se ajo ishte një grua e bekuar arbërore, nëna që lindi të madhin Skënderbe, Heroin, liderin dhe vizionarin e ideatorin e Europës së bashkuar. Ajo është një grua me vlera të pavdekshme, sepse ka lindur një fryt të bekuar, shpëtimtarin e qenies sonë arbërore europiane, Gjergj Kastriotin. Pikërisht ky atribut e bën atë grua të bekuar dhe të bukur, me një histori të veçantë.

Historia e kësaj gruaje të madhe është e njohur sidomos nëpërmjet kronikave historike europiane dhe më gjerë. Kjo mbretëreshë dhe burri i saj Gjon Kastrioti, mbreti i Arbërisë, ishin shtyllat e kohës dhe më të fuqishmit e Arbërisë, por gjithashtu edhe prindërit që lindën njeriun e madh, heroin e pavdekshëm dhe liderin vizionar e transformues, pra shpëtimtarin e qenies sonë kombëtare, Gjergj Kastriotin. Është kjo grua arbërore, e cila e mëkoi që në djep me dashurinë për atdheun këtë mbret dhe ideator, shpëtimtarin dhe vizionarin e Arbërisë. Është po kjo arbërore që e bekoi për të mirën e kombit tonë Gjergj Kastriotin, ashtu si edhe nënat e tjera të Iliro-Arbërisë që sollën në jetë Aleksandrin e Madh, Pirron etj. Ja si shkruhet për nënën e Gjergj Kastriotit, Voisanën, që lindi bijtë e saj të bekuar, ndër to edhe Gjergjin e madh: “Huius herois tempore omnis ferucebat gaudio, pasim audiebatur dulce nomen libertatis, Patre natus Joanne Castrioto, matre Vosiana, principe Triballorum, quae nouem liberos peperit, puellas quinque Mariam, iellam, Angelinam, Vlaicam, Mamizam & masculos Reposium, Constantinium, Stanisam & Georigium, qui iunior fuit”.

Ndërsa më tej përforcohet ajo që është shkruar më parë, se si Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, mori për grua Visava Tribaldan. Faktet janë të shumta, siç janë edhe referencat e mësipërme, apo edhe ato që vijnë më pas, të cituara këtu, në mënyrë që për këdo të jenë më të lehta, më të besueshme dhe më kuptimplote, mbi prejardhjen e nënës arbërore të Gjergj Kastriotit, Vojsavën apo Vesavën. Ja si vijon: “E più sappiate ch il Signor Giovanni Castrioto, padre del Signor Scanderbego, hebbe per moglie la Signora Visava Tribalda, con la quale face quattro figli mascoli e cinque figlie femine”.Më tej nënvizohet se gruaja e Gjon Kastriotit ishte Voisaua, një vajzë e zotërisë së Pologit, ku thuhet se ky është një qytet në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë: “Huic vxor fuit Voisaua, Pologi domini filia. Est autem Pologum, oppidum in Macedonia & Bulgaria confinibus”. Interesante për t’u theksuar këtu është se Gjon Kastrioti shihet si mbret i Maqedonisë, që mori për grua Vosiauan, nga mbretëria e Tribalosëve “... al reyno de Macedonia Iuan Castrioto casado con Voisaua hija del Rey de los Tribalos...”.Ndërkaq, edhe një fakt tjetër dëshmon për gruan e Gjon Kastriotit apo nënën e Gjergj Kastriotit, si një arbërore e Pollogut, pra si një bijë e zotërueseve të Pollogëve: “Hebbe costui di Voisaua sua moglie, nobilissima donna, figliuola del Signore di Pologo in Bulgaria noue figliuole”.

Vojsava, nëna e Gjergj Kastriotit, ishte një grua inteligjente dhe e vendosur; gjithashtu ajo kishte edhe një pamje mahnitëse, siç e përshkruajnë kronistët. Thjesht, kjo mbretëreshë e Arbërisë është karakterizuar si një Mbretëreshë e Madhe, sepse ishte e plotësuar me virtyte, buronte nga shpirti i pastër arbëror, plot vlera, me karakterin e një gruaje të ndritshme, si dhe vinte nga një familje “princërore” dhe fisnike. Kjo mbretëreshë lindi prijësin e kombit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Nuk duhet lënë pa theksuar se portreti i kësaj mbretëreshe arbërore ishte nga më të bukurit e Europës në kohën kur ajo jetoi. Deri në momentin kur ia morën peng djemtë, ajo i kishte rritur dhe edukuar bijtë e saj me traditat e vjetra arbërore. Është kjo nënë, e cila që në fëmijëri kishte ngulitur në zemrën e Gjergjit atdhedashurinë, i kishte folur atij për vlerat e kombit, për bujarinë, për pasuritë dhe bukuritë e vendit. Edhe pse barbarët turq e ndanë me dhunë nga bijtë, ajo dinte ta mbante lidhjen shpirtërore me Gjergjin, gjë që e vuante thellë në zemrën e saj. Ideja e shpëtimit të birit, që ishte ngjizur thellë në shpirtin e saj, si dhe ëndrrat që ajo kishte parë, ai vizion i përshkruar me ovacione të të gjitha llojeve, janë përshkruar në kohë edhe përtej Europës, nëpërmjet kronikave historike dhe letërsisë, në romane, poezi dhe tregime. Një kronikan shkruan se Vojsava, “nëna e Skënderbeut, gjithmonë të linte përshtypjen e një mbretëreshe dhe të një gruaje me vlera të larta. Ajo ishte shtatgjatë, e pashme dhe me pamje elegante, tepër modeste dhe me hire të paimitueshme”.

(Gjon KEKA, Roli politik dhe ushtarak i shtetit të Arbërit - Qeverisja e urtë e Gjergj Kastriotit, Botart 2015)



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: