Remzi Salihu: Sheki Useini - Kontrata me shpirtin
| E Marte, 18.07.2017, 06:51 PM |

DIMENZIONI SPIRITUAL I VETËDIJESIMIT NJERËZOR

Sheki Useini, Kontrata me shpirtin, Shtëpia botuese Albas,2017

Nga Remzi Salihu

Çdo individ i shëndosh ka dëshirë të jetë i pranishëm në këtë lakore jetësore. Tani ky rrugëtim i gjatë i njeriut, me njerëz, nuk lidhet me veten pa poseduar një vetëdije të shëndosh, sepse çdo gjë që ka të bëj me qenien njerëzore, është një mister i madh që kërkon thellim të shumanshëm dhe të vëmendshëm studimi, për të kuptuar, sadopak, një pjesë të ndriçimit të saj. Këtë kuptim të rrethit jetësor, ndonjëri e ka më pak të theksuar dhe ndonjëri më shumë. Zbulimi e kësaj fshehtësie misterioze varet nga përvoja jetësore që kemi përjetuar gjatë jetës, përballë ndodhive të shumta atakuese. Secili njeri ka suverenitetin e vet të dallueshmërisë nga njëri prej tjetrit dhe secili prej nesh i percepton gjërat në mënyra të ndryshme. Ky ritual i përditshëm në absorbimin e gjërave dhe të ndodhive të shumta na e ëmbëlson ose na e trazon shpirtin dhe trupin gjatë të jetuarit. Jeta pos harmonisë dhe lumturisë, ka edhe paradokset e veta të befasisë  së vet, ndaj çdo gjë që ndodh si papritshmëri gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, na duket si ndonjë mister i pakuptueshëm. E vërteta sublime nuk tjetërsohet dhe nuk heshtet. Ajo ka forcën dhe sfidat e saja të argumentuara, për t’i kuptuar arsyet dhe shkaqet e ndodhive të shumta. Vetëdijen tonë nuk duhet ta pranojmë si ndonjë arrogancë kërkese, që është në marrëdhënie të përhershme me objektin dhe subjektin, por si nxitje e mundshme për ta kuptuar të vërtetën. Zhvillimi i vetëdijes është një proces i përhershëm i civilizimit njerëzor e shoqëror. Dhe kjo ka të bëj shumë me fenomenologjinë e shpirtit. Bota është një hapësirë e largët dhe e afërt nëse e kuptojmë drejtë thellësinë dhe përmbajtjen e saj.

Libri ‘’ Kontrata me shpirtin’’ i autorit Sheki Useinit, është një sprovë jetësore, personale, që na e udhëzon edhe shtegtimin tonë për një vetëdije të re dhe të zbatueshme. Autori jep një mesazh interesant nga përvoja e vet për rezultatin e punës dhe mundit të treguar gjatë jetës së tij disavjeçare. Në këtë rraskapitje të mundimshme sheh edhe suksesin e saj. Gjithsesi se ky angazhim permanent ka edhe prurjen e vet pozitive. Puna është një aktivitet i mundimshëm, i lodhshëm, por në anën tjetër të suksesit të fituar, ka bukurinë e vet të shndërruar në art kreativ. Ndaj njeriu duhet me diçka ta plotësoj veten e vet, për të qenë i lumtur dhe i pranishëm në jetë. Çdo aktivitet i ndërmarrë kreativ krijon hapësirën e mundshme të shijes, për të ndërgjegjësuar veten dhe kjo bëhet ‘’apel për një vetëdije të re’’ që autorit nuk i ka shkuar kotë në përpjekjen e tij, por është një aktivitet kuptimor i realizuar mirë, për të plotësuar një mungesë përvoje ekzistuese shoqërore e individuale, e cila përvojë në fillim ka vepruar si diçka e pa arritshme jetësore. Ndaj autori thotë se forca e së resë vjen nga ndërtimi i vetes dhe nga malli i shpirtit të qëndrueshëm, për të bërë diçka që s’është bërë deri më tani. Kështu për ta plotësuar mendimin e ekzistencës së njeriut, autori personalitetin e lidh me kreativitetin dhe pasurimin mendor e shpirtëror të vetes, pastaj nga kjo përmbushje individuale, shëmbëllen pasuria materiale e sociale. Vetja në praninë e të tjerëve është një konkurrencë e dukshme për ta ndërgjegjësuar veten me mundësi pozitive. Sepse secili njeri ka dëshirë të bëj diçka në jetë, dhe ky vullnet, i madh apo i vogël të jetë, ka të bëj me veten dhe përsosjen e saj. Kjo shkallare e njohurive na bind për vetëbesim. Pa ndryshuar veten nuk mund ta ndryshojmë tjetrin. Kurse vetja është e lidhur me egon, e cila përherë kërkon shteg për t’u afruar, koordinuar  drejt trupit e shpirtit. Ndaj autori Sheki Useini në këtë ndërmarrje të pranisë individuale në jetë, kërkon rrugëdalje të vetes, dashurisë dhe të vërtetës, e cila rrugëdalje e kërkuar, si vetëdije e plotësuar me fuqi ndikuese, bëhet pastaj mburojë nga çdo pengesë e barrikadë frenuese  për të kthyer veten kah arsyeja pozitive. Lumturia është e mundshme vetëm atëherë, kur ajo është e orientuar kah vetja me gjërat që i pëlqejmë apo i duam më shumë në jetë. Të tjerët nuk mund të na bëjnë të lumtur, nëse ne nuk jemi të orientuar ta lumturojmë veten. Ne jemi të guximshëm dhe të plotësuar atëherë kur dimë çka kërkojmë nga vetja jonë. Kjo formë jetese do një vetëdije të përsosur. Të jesh i vetëdijshëm për gjërat që ndodhin, është  një vlerë konstruktive për t’i kuptuar të gjitha kufijtë jetësor, sidomos të atyre ndasive dhe afrive njerëzore. Me këto probleme të rëndësishme të ndjesisë është marrë edhe filozofia, sociologjia dhe psikologjia, ndaj për të qenë vetja në mesin e të tjerëve, jemi të detyruar të furnizohemi sa më shumë me përvoja e informacione shkencore të shumanshme.

Dihet se në jetë veprojnë dy lloj vetëdijesh: ajo individuale dhe ajo grupore. Këto dy komponentë të rëndësishëm shoqëror për bazë veprimi kanë krenarinë dhe turpin dhe këto dy kundërthënie si vetëdije sublime bashkëjetojnë te qenia njerëzore. Ato madje me imazhin e tyre të shfaqur ndërtojnë personalitetin në hapësirë dhe kohë.

Në librin ‘’Kontrata me shpirtin’’ Çdo fjalë, çdo mendim përmban energjinë e vet kreative, Dhe këto qasje nga autori janë bërë në një mënyrë të sistematizuar, për të arritur efektin e caktua te lexuesi, ndaj kjo rirenditje e vëmendshme e ideve dhe përjetimet të gjëra sjellin  botën e brendshme të autorit. Kjo botë personale nga lexuesit mund të bëhet një shteg i hapur apo orientim  pozitiv që ndikon sistematikisht në përsosjen e personalitetit në shoqëri. Autori pretendon për një emancipim shpirtëror dhe përherë kërkon rrugëdaljen e saj nga e pamundshmja, në të mundshmen e saj, sepse ajo nuk është rastësisht e ardhur në jetë si e tillë. Ka një fuqi misterioze pse ndodhin gjërat  në jetë dhe pse  kanë ato ndodhi shkak, pasojën, që më në fund të kërkojnë edhe rrugëdaljen e vet.

Sheki Useini duke përdorur fjalë dhe shprehje të rralla, bëhet më interesant për lexuesin. Ky autor lexuesit ia kthen vëmendjen dhe kureshtjen optimiste, duke sjellë përvojën e tij atraktive për jetën, suksesin, bashkë me veprimet tjera pozitive të tij, të gërshetuara me kulturë e art. Sepse vet jeta është një lloj arti i të jetuarit në kohën që vepron. Autori bën një mobilizim të fuqishëm në ndërgjegjësimin e shpirtit dhe jep fuqinë e tij të brendshme për t’i tejkaluar vështirësitë ndodhura. Ky libër që tanimë e kemi në duart tona është një vepër interesante dhe e rrallë në këtë fushë të spiritualitetit të të jetuarit dhe të kërkimit të rrugëdaljes në momente të vështira të jetës. Ashtu si Osho që përgatit apo orienton individin për jetë, edhe vepra ‘’Kontrata me shpirtin’’ është një mundësi e tillë kreative, që secili mund ta gjej atë llogarinë që dëshiron. Prandaj nëse duam ta gjejmë lumturinë e medituar, para së gjithash duhet të orientohemi me vëmendjen tonë kah vetja, dhe asnjëherë nuk është e shëndetshme të kërkojmë që lumturinë personale të na e sjellin të tjerët. Në këtë vendim dalin mundësi të shumta, sidomos përvoja e vetmisë na mëson, para së gjithash, ta njohim veten dhe rrethin, të forcohemi nga përvoja, pastaj ta kryejmë punën që duam vet. Përmes këtij angazhimi të zgjedhur në këtë ndërmarrje të madhe krijohet edhe ndërgjegjja personale.

Ky libër i dalë nga përvoja jetësore, është një udhëzim i mirë për njerëzit e pa sprovuar, të atyre njerëzve që përballen me dilema të mëdha shpirtërore. Këtu autori na jep shembuj dhe mendime të posaçme kur ndodhet përballë vetes dhe të tjerëve. Këto përjetime i arsyeton duke vënë në pikësynimin e tij ndodhinë dhe përvojën për t’i tejkaluar përherë vështirësitë. Këtë zgjidhje të favorshme i përmbush me ndërgjegjësimin e vete dhe të tjerëve. Me sublimimin e këtyre faktorëve kryesor autori mundëson hapjen e dyerve të dashurisë për veten dhe të tjerët. Njeriu që arrin ta bëj këtë veprim ndryshimi të vetes, e ka më lehtë të bëhet i dobishëm për veten dhe të tjerët,  ndaj ky libër vlen të lexohet me vëmendje. Unë autorit i dëshiroj sukses edhe për librat tjerë nga ky aspekt i të vështruarit të jetës, ngase për lexuesit tanë këto trajtime këshilluese janë të paktë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: