Idriz Zeqiraj: Kosova ka një datë çlirimi
| E Hene, 17.07.2017, 07:00 PM |

Grupi artistik i Pfaffenhofenit në Bavari - vallëzon

KOSOVA KA NJË DATË ÇLIRIMI:

- 12 QERSHOR 1999 -

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Përndryshim nga "komandantët", pafundësisht numerikë, të cilët çlirimin e Kosovës e festojnë në disa datime fiktive, të rrejshme, thjesht, për të kompensuar mospraninë e tyre në luftën e Kosovës, Mërgata shqiptare ka vetëm një datë çlirimi: 12 qershor 1999.

Dega e LDK-së në Gjermani, me kryetare Donikë Gërvalla, në bashkëpunim me LDK-në në Bavari, me kryetar Idriz Zeqiraj; Qendra kulturore "Rilindja" në Mynih, e kryesuar nga Bekim Gërvalla; Shoqata kulturore humanitare "Sali Çekaj", me kryetar Osman Ferizi, organizuan shënimin e ditës historike, 12 qershorin, ditën e çlirimit të të gjithë Kosovës, me përjashtim të Veriut të Mitrovicës.

Pjesëmarrja në festën e çlirimit ishte masive e familjare. Nderonte me praninë e saj kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, e kudondodhura Donikë Gërvalla, e cila, e ardhur nga veriu në jug, kishte rrugëtuar shumë qindra kilometra, për të festuar dhe gëzuar me mërgimtarët e Bavarisë gjermane.

Vajza simpatike vendore, Fjolla Haziri, moderoi suksesshëm këtë mbremje festive. Ajo përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët. Të parin që ftoi në foltore ishte poeti dhe anëtari i Kryesisë të Shoqatës "Sali Çekaj", Gazmend Dashi, i cili foli për rëndësinë dhe peshën që ka 12 qershori, duke e renditur fill pas ditës të pavarësisë të Shqipërisë, 28 Nëntorin 1912.

Krijuesi Gazmend Dashi luftën për liri dhe tranzicionin e pas luftës, i quajti të vështira dhe të përgjakshme, për arsye se sundimi sa i gjatë, aq edhe i egër i Serbisë, rekrutoi agjentë të shumtë. Disa syrësh, duke manipuluar e kalkuluar, kinse me pjesëmarrjen në luftë, edhe pse, realisht, kishin mrizuar nën hijen e pishave të Bllokuyt të zi dhe të përgjakur të Tiranës, vazhduan gjakosjen e Kosovës, aty ku NATO-pakti ia ndërpreu Millosheviçit!

Në vijim, moderatorja Fjolla Haziri fton në foltore kryetarin e LDK-së për Republikën e Bavarisë, Idriz Zeqiraj, i cili, në emër të organizatorëve, referoi për festën e çlirimit:

DITA E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS - KRYEDATË E HISTORISË TONË

Idriz Zeqiraj, kryetar i LDK-së në Bavari

Në shpirtin e çdo populli të pushtuar, gëlon ëndrra e lirisë. Shqiptarët,përgjatë sundimit të Perandorisë Osmane, kishin ndjenja  të dyzuara: kombi dhe feja. Veç kësaj, të rrethuar nga sllavo-orthodokset fqinj, kishin pasigurinë, në rast të një shkëputjeje nga një Perandori e fuqishme, siç ishte ajo turke.

Në shekullin 19-të ka pasur disa lëvizje kundërshtie, më tepër me karakter social-ekonomik, por, gjithëherë lokale dhe pa jehonën e duhur.

Lidhja e Prizrenit, më 1978, ishte organizimi i parë politik. Ishte hera e parë, që, krerët ideologë ishin edhe jugorët shqiptarë. Por, pushkët nuk arritën t'i bashkonin me luftëtarët e veriut. Lidhja e Prizrenit u shua me gjak. Më 1908, pasoi Lidhja e Pejës, nën organizimin e atdhetarit Haxhi Zeka.

"Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës", nën drejtimin e Hoxhë Kadri Prishtinës dha shpresa për lirinë e mundshme. Dhe, kryengritjet në Veriun shqiptar dhe Kosovë u bënë masive.

Perandoria e lodhur turke, nuk përballoi revanshin rus, për ta favorizuar orthodoksinë sllave. Rrjedhimisht, pësoi edhe Shqipëria jonë.

Pazaret kalkuluese të fuqive të mëdha të kohës, gjithnjë, nën trysninë e Rusisë cariste, ishin fatale për shqiptarët. Jashtë shtetit shqiptar mbetën tri të katërtat e tokave shqiptare. Dhe, kjo ndodhi, sepse shqiptarët nuk qenë të aftë ta formonin shtetin e tyre. Atë e bënë kancelaritë e Evropës, më një kontribut të veçantë e mirëdashës: të Perandorisë Austo-Hungareze, Gjermanisë dhe të Italisë.

Rrjedhimisht, Kosova mbeti nën thundrën serbo-sllave, për afro një shekull, madje, e ndarë në tri republika të Federatës jugosllave. Përgjatë kësaj periudhe kohore, shqiptarët jashtë shtetit amë, u trajtuan poshtërsisht e kriminalisht.

"Bashkim-Vëllazërimi" në Luftën e Dytë Botërore, dhe pas saj, ishte një mashtrim i madh për shqiptarët. Konferenca e Bujanit, e mbajtur, më 1942, në Malësinë e Gjakovës, premtimi për referendumin për vetëvendosje të shqiptarëve, të mbetur jashtë shteit amë, Shqipërisë, u zhvleftësuan në Mbledhjen e Prizrenit, të organizuar, madje, me shumë kujdes, nga komunistët, duke e lënë Kosovën dhe trevat tjera shqiptare nën robërinë sllave. Kështu ndodhi edhe me Vilajetin e Janinës, përkatësisht, Çamërinë shqiptare.

Plenumi i IV-të (katërtë) i komunistëve jugosllavë, i njohur si Plenumi i Brioneve, do të ishte një qerim hesapësh i kroatit Tito me zëvendësin e tij, serbin Rankoviç, një armik i dëshmuar i shqiptarëve.

Nga kjo zënkë përfituan edhe shqiptarët. Demonstrimet masive studentore, të shkollarëve të mesëm, të studentëve, e më pas, edhe të popullit, realizuan një serë kërkesash e të drejtash, të mohuara, cinikisht, deri atëherë: flamurin kombëtar, universitetin, ndryshimet kushtetuese, të njohura si "amandamente të viti 1974, me zgjërim të drejtash legjitime.

Frymëmarrjen e lirë të shqiptarëve, nuk e duroi Serbia. Intrigoi për nxitjen e demonstratave të 1981-shit, krejt të pakohëshme, me qëllim të përligjjes të goditjes të madhe, deri në heqjen e autonomisë Kosovës.

Në këto rrethana dramatike dhe tragjike për popullin e Kosovës, në skenën politike u shpërfaq njeriu i duhur në kohë dhe hapësirë, Dr. Ibrahim Rugova. Duke shfrytëzuar, mençurisht, nismën e pluralizmit politik, Rugova me shokë themeloi partinë-lëvizje gjithëpopullore - Lidhjen Demokratike të Kosovës -, e cila organizoi rezistencën aktive, jo vetëm të shqiptarëve brenda Kosovës, por, edhe në trevat tjera shqiptare si: në Kosovën Lindore, Iliridë (Maqedoni) dhe në Mal të Zi.

Dr. Rugova, pa humbur kohë, projektoi dy veprimet parësore - bazë:

1) Themeloi institucionet paralele; dhe

2) Strukturën ushtarake për mbrojtje dhe luftë.

Organizimi i mbrojtjes territoriale profesionale; dërgimin e djemëve të Kosovës për përgaditje ushtarake në Shqipëri, në mesin e tyre ishin edhe kryetari i Shoqatës "Sali Çekaj", Osman Ferizi dhe anëtari i Shoqatës Kadri Gubetini; krijimi i Fondit 3 %-shit obligativ në Kosovë dhe Mërgatë; urdhëri i prerë dhënë oficerëve instuticionalë, pas prishjes të Marrëveshjes të Osllos nga LPK-ja, më 1998, " ju jeni profesionistë, ju e dini çfarë të bëni, kthim prapa nuk ka"; "të mbrohet pragu i shtëpisë", pas provokimit më armë në Familjen Jashari, në nëntor 1997: dhe miratimi i fillimit të luftës, pas masakrës në Prekaz, mars 1998.

Organizimi ushtarak, me siglën e UÇK-së, ishte shpresëdhënës. Djemtë e vajzat, burra atdhetarë, u përfshinë në luftën e armatosur. Por, Serbia, nëpërmjet agjentëve të saj të bollshëm, përçau faktorin ushtarak shqiptar, lufta u sabotua dhe armiku shfrytëzoi boshllëkun, për të bërë masakra masive, sidomos në Drenicë, Podrimje dhe Dukagjin.

Në përballjen ushtarake me armikun, superior në armatim dhe përgaditje ushtarake, shqiptarët u mundën, dështuan dhe ekzodi, ikja masive e popullatës, mori përmasa biblike, në masën një milionëshe të shpërngulur.

Ishte forca e NATO-paktit, "apaçët" e saj luftarakë, të komanduar nga Amerika, Anglia dhe aleatët e saj të bashkuar, të cilët, me bombarduesit e zhurmshëm, gjunjëzuan, përtokën Serbinë agresore me othodokësinë e saj.

Kosova u çlirua më 12 qershor 1999 dhe jo në datimet tjera fallso, siç duan të promovohen disa "komandantë" të pasluftës.

Kosovën e çliruan ndërkombëtarët, duke e përzënë, me zjarr e hekur, Serbinë pushtuese dhe jo shqiptarët, me UÇK-të e tyre. Historia nuk guxon të falsifikohet, siç bëri vegla sllave, Enver Hoxha, i cili, luftën vëlla-vrasëse, e quajti luftë çlirimtare! Por, pazaret e tanishme të politikanëve batakçinj dhe të dyshimtë për shumëçka, duan ta bëjnë Serbinë hisedare në Kosovë.

Populli shqiptar duhet të jetë vigjilentë, syhapur dhe të stopojë veprimet kundra-kombëtare të politikanëve të papërgjegjshëm, për të mos thënë shpirtshitur.

Populli duhet të zgjohet nga përgjumja, të mos kënaqën vetëm me atë pse u kthyen në shtëpitë e tyre, por, të luftojnë për çlirimin e mirëfilltë nga krimi i organizuar dhe hajnia zyrtare. Është shansi i shumëpritur që Kosovën ta bëjmë kryezonjë, në këtë pjesë të Ballkanit, gjithnjë të trazuar dhe të rrezikuar nga ndërhyrjet e ideologjisë sllaviste dhe xhihadiste.

Lavdi dëshmorëve që derdhën gjakun e tyre të dlirë, në themelet e lirisë tonë!

Mirënjohje të thellë dhe të sinqertë ndërkombëtarëve, që i kthyen shqiptarët e Kosovës në shtëpitë e tyre dhe urojmë ta çlirojnë nga bandat vrastare të "komandantëve" të pasluftës!

Të përkujtohet, përjetësisht, 12 qershori 1999, Dita e Çlirimit të Kosovës.

Ju falemnderit për vëmendjen!

Kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla

Moderatorja Fjolla Haziri fton në skenë kryetaren e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvallën, veprimtarja më e madhe në Evropë dhe botë , për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të pranishmit në sallë e mirëpritën me duartrokitje të gjata, në shenjë respekti, dashurie dhe mirënjohje, për veprën madhore, të dëshmuar për tri dekada radhazi, në shërbim të Atdheut e lirisë dje dhe të demokracisë të munguar sot në Kosovë.

E madhja Donikë Gërvalla bëri një përvijim të historisë të Kosovës: jetën nën pushtim, luftën e pabarabartë me armikun serbo-sllav si dhe pasluftën nën terrorin e SHIK-ut, me "komandantët" vrastarë të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut dhe të kuadrove e veprimtarëve të Ibrahim Rugovës.

Por, dha shpresën e madhe se agjentët e Serbisë dhe njerëzit e mendësisë së mykur të ideologjisë anakronike srtaliniste, sërishmi do të mundën, duke e mbyllur, turpshëm, karrierën e tyre të përgjakur dhe të pistë. Nuk ka alternativë të dytë: Krimi dhe hajnia zyrtare do të ndëshkohen. Demokracia do të fitojë edhe në Kosovën tonë.

Shoqata kulturore humanitare "Sali Çekaj", me kryetar Osman Ferizin, nënkryetar Blerim Cakiqin dhe anëtarët e Kryesisë: Mustafë Shala, Shemsi Haziri, Shaban Muli, Gazmend Dashi, Zymer Zeneli, Isuf Qetaj, Ermal Hoxha, Rafet Mehmeti, Maxhun Smajli, si organizatorë mikpritës, në Pfaffenhofen të Bavarisë, ishin në krye të detyrës, që mysafirët e pranishëm të ndjehen sa më të relaksuar, një traditë kjo e krijuar ndër vite.

Fëmijtë shkollarë të Pfaffenhofenit vallëzojnë

Moderatorja Fjolla Haziri, duke prezantuar grupin artistik të Shoqatës kulturore "Sali Çekaj", tha se Shoqata jonë, që nga krijimi, ka krijuar bërthamën e valltarëve, këngëtarëve dhe të recituesve parashkollorë dhe të shkollarëve tjerë, duke bërë një trupë artistike modeste. Pjesë e kësaj trupe kanë qenë dhe janë brezat në vijimësi të qytetit të Pfaffenhofenit me rrethinë.

Grupi artistik përformon në të gjitha organizimet tona, qofshin ato festive apo përkujtimore. Udhëheqës të këtij grupi janë dy anëtarët e Kryesisë të Shoqatës, Gazmend Dashi dhe Shemsi Haziri. Ata ushtrojnë dhe shoqërojnë fëmijtë artistë të Shoqatës, vullnetshëm dher suksesshëm, vite me radhë.

Sonte për ju do të përformojnë grupi i vajzave: Rinora Hoxha, Kolesa Hyseni, Era Kolgeci, Vlera Kolgeci, Riona Muli, Jeta Kolgeci, vallet: "Vallja e Çlirimit", "Vallja e Shotës" dhe "Vallja e Rugovës".

Dhe, Era Kolgeci do të të recitojë poezinë kushtuar dëshmorëve të kombit", - përmbylli prezantimin mjeshtëror, moderatorja Fjolla Haziri.

Këngëtari i mirënjohur, ylli i muzikës popullore, Yll Demaj, i ardhur enkas nga Kosova, shtoi atmosferën festive, sikur solli një Kosovë në miniaturë në Pfaffenhofenin e Bavariusë gjermane. Ylli, mjeshtër i zotërimit të sallës, njohës i shkëlqyer i preferencave muzikore të mërgimtarëve të përmallur për Atdhe, gadi ia bashkoi natës festive ditën në gëdhirje. Publiku u shkri njësh me artist Yllin, në shoqërim të këngëve dhe të valleve masive.

Sintisti, shoqëruesi i talentuar muzikor, Bekim Çaka, me grupin e tij, harmonizoi, mrekullisht mirë, muzikën me këngët ritmike të këngëtarit zëkumbues, Yll Demaj.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: