Fran Gjoka: Një jetë e tërë kushtuar arsimit shqip
| E Diel, 16.07.2017, 02:25 PM |

Një jetë e tërë kushtuar arsimit shqip

(Me rastin e 65 - vjetorit të lindjes së mësuesit atdhetar  Hazir Mehmeti)

Nga Fran Gjoka

Kur filloi?

“Në vitin e lindjes sime,  kishte qenë mungesë e madhe e bukës derisa njerëzit detyroheshin t`i prisnin edhe bagëtitë e fundit për të shpëtuar nga uria. Kjo mungesë u përcoll vazhdimisht me mungesa të tjera te shqiptarët e pushtuar dhe të vuajtur. Analfabetizmi dhe shtypja e pushtetit e kishin molisur frymëmarrjen e popullatës. Në këto rrethana të shkolloheshe apo të punoje ishte shumë e vështirë.”

Shkolla në Besnik (Beçiq),  rrëzë Çyçavicës), dikur mejtep i ndërtuar vullnetarisht nga fshatarët para  Luftës së Dytë Botërore, pas lufte u shndërrua në shkollë ndër të parat në Drenicë. Nga ata pak banorë bujarë zhvillohej jeta si “për fije peni”, por jo të nënshtruar. Në këtë fshat të vogël u lind Hazir Mehmeti, mësuesi dhe profesori i parë i fshatit. Shtegu i hapur për shkollim do ndiqej nga nxënësit e tij. I ati, Ramadani, kishte vijuar mësimet në mejtepin e fshatit, por kishte ngelur punëtor toke sikurse gjithë moshatarët e tij, për shkak të rrethanave. I edukuar me frymë njerëzore e patriotike ai thoshte: “Çdo gjë do shes, edhe tokën për shkollimin e fëmijëve”. Dhe, ashtu ndodhi, Haziri ishte i pari në fshat që kreu shkollë dhe Sabrija, motra e tij, e cila theu paragjykimet fanatike dhe mbaroi si vajza e parë e fshatit gjimnazin dhe Shkollën e Lartë.

Udhëtimi në misionin e edukatorit

Pas mbarimit të Shkollës Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, vazhdoi mësimet në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e shkencave duke e përfunduar në afat dhe me nota të larta, çka nuk ishte aspak e lehtë për kushtet e një biri fshatar. U regjistrua në studimet pasuniversitare ne Universitetin e Zagrebit, ku vazhdoi semestrat me radhë, por, studimet nuk i mbaroi për shkak të rrethanave të krijuara në shtetin që po shembej.

Krahas studimeve në lëmin e pedagogjisë mësimdhënëse, Haziri ishte pjesë e shoqatave ku kryheshin aktivitete kulturore. Qysh herët filloj me krijimtarinë letrare si pjesëtar i grupit letrar të Shkollës së Mesme Normale, të cilin e drejtonte patrioti dhe shkrimtari i njohur Jakup Ceraja, anëtar i grupit dramatik, duke u paraqitur para publikut aktivisht në disa qytete: Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri. Në Universitetin e Prishtinës ishte student me notë të lartë mesatare dhe kjo i mundësonte ndjekjen e studimeve pasuniversitare. Mësimet dhe udhëzimet e Prof. Dr. Dervish Rozhaja patën ndikim tek e ardhmja e Hazirit në radhë të parë në qëndrimin ndaj çështjes kombëtare. Ishte aktiv në jetën studentore bashkë me grupet e studentëve të kohës. Së pari me ditar punoi në gjimnaze: në Skenderaj e Drenas dhe pastaj në Qendrën Shkollore dhe Gjimnazin e Vushtrrisë. Ishte njëri nga  bashkëthemeluesit e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në vitin 1988/..90, aktiv në Lëvizjen Demokratike në kundërvënie ndaj dhunës dhe shkatërrimit që pushteti serb ndërmerrte në Vushtrri e më gjerë. Që nga një shtatori i vitit 1989, kur pushteti ua ndërpreu rrogat e i përzuri nxënësit shqiptarë nga shkollat, Haziri punoi me nxënës në shkolla -shtëpi: në Vushtrri, Nevolan, Dubovc etj. pa të ardhura personale për tetë vite. Pas shkëputjes nga sistemi arsimor i pushtet represiv, për një vit punoi bashkë me disa shokë e shoqe nga gjimnazi si Këshilltar Pedagogjik në Komunën e Vushtrrisë,   punuan pa kurrfarë pagese, duke përcjellë rrjedhën e procesit mësimor në kushte shumë të rënda në 22 shkollat e komunës. Represioni nga pushtuesi ndaj nxënësve e mësuesve shqiptarë ishte i rëndë, i  përcjell me rrahje, burgosje deri në vrasje. Policia serbe e ka bastisur në shtëpi, i ka hyrë me armë në klasë, e ka kërcënuar dhe i ka bërë presione përpara nxënësve.

Provokimi më i rëndë ishte helmimi i nxënësve shqiptarë në pranverën e vitit 1990, kur në Qendrën Shkollore të Vushtrrisë helmohen rëndë 270 nxënës. Arrestohen shumë mësimdhënës, mes tyre dhe Hazir Mehmeti, i cili ishte kryetar i Këshillit të Punëtorëve në Qendrën Shkollore dhe sekretar i Sindikatës së Pavarur nga ajo e pushtetit shtypës. Ditari i mbajtur me kujdes “Helmimi i pranverës” do jetë një dokument kohe i cili do botohet së shpejti.

“Nuk harrohet kurrë ajo kohë e rëndë kur niseshe për në shkollë dhe nuk dihej se a do ktheheshe. Shpeshherë nënën e gjeja ulur gërmys pranë portës dhe kur më shihte gëzohej dhe pa bërë zë hynte brenda”, - shkruan Haziri në ditarin e tij.

Prof. Dr. Musa Kraja, i inspiruar nga veprimtaria e gjithanshme, do të shkruante monografinë social- pedagogjike “Mësuesi krijues në diasporë Hazir  Mehmeti”. Citojmë faqe 38, “ Hazir Mehmeti  i  përkiste  asaj  kategorie    po  afirmohej nga puna, nga veprimtaria që  vëzhgohej, burgosej, i nënshtrohej presioneve.

Në Austri

Për dyzet e një vjet me ditar përcolli mbi pesëmbëdhjetë mijë nxënës përmes diturisë nga programi mësimor.  Pas punës njëzetvjeçare dhe shumë peripecive, detyrohet të largohet përkohësisht nga Kosova në Austri,  ku i njihet e drejta e të strehuarit politik. Me përkushtim e mëson gjuhën e vendit, i njihet diploma e universitetit sipas ligjeve vendore, teksa i njihet edhe grada shkencore Magjistër i Shkencave Natyrore.

Pranimi i tij mësues i gjuhës shqipe në Austri e pasuron shumë veprimtarinë lidhur me ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Në shkollën Evropiane të Vjenës ishte njëri nga 15 mësuesit e kombeve të ndryshme. Puna e tij u vlerësua vazhdimisht me “Mirënjohje” nga Drejtoria e Mësimit të Vjenës. Në të gjitha shkollat ku ai mbajti mësim për dy dekada mori mirënjohje nga Stadtschulrati, i Vjenës. Puna e tij si mësues e krijues u dallua veçanërisht në materialet mësimore, tekstet mësimore të prezantuar në dhjetëra seminare ku ai çeli horizonte të reja në mësimin dhe prezantimin e gjuhës shqipe në Austri. Me punën e tij e nxiti themelimin edhe në gjuhën shqipe të faqes së internetit pranë Ministrisë së Mësimit në Austri, ku zgjidhet përgjegjës i saj, që nga fillimi e deri pesëmbëdhjetë vite. Në këtë faqe gjen të botuara materiale mësimore sa do mjaftonin për disa tekste mësimore. Nisur nga ky brumë fillojnë tekstet “Tekst Ushtimi 1” dhe abetarja e parë në gjuhën shqipe në Austri, A-B-C – Fibel (Abetare) fürAlbanisch, e hartuar sipas metodave dhe standardeve bashkëkohore, krahas abetareve në gjuhët turke dhe kroate. Tani me të mësojnë shkronjat e gjuhës shqipe jo vetëm në Austri por edhe në disa vende tjera evropiane. I vetmi tekst mësimor në katalogun shkollor, i cili u dedikohet nxënësve shqiptarë.

Hazir Mehmeti është bashkautor i 19 teksteve nga projekti i njohur për Shkollat Shqipe në Diasporë i Prof. Dr. Basil Schader dhe MASHT- e Kosovës. Ishte koordinator në përgatitjen e teksteve didaktike nga përvoja e mësueseve të gjuhëve të huaja nga Prof. Dr. Basil Schader “Bazat e Arsyes” dhe pesë teksteve “Përkrahja e të mësuarit, ...lexuarit, ...shkruarit, ...komunikimit në gjuhën e parë.”  Nga orët mësimore të mbajtura nga ai në Austri dhe 2 mësuesve të tjerë në Zvicër, u realizuar Videofilmi  “Nga praktika” me tekstet e reja në praktikën mësimore, projekt nga Shkolla e Lartë Pedagogjike e Cürichut në Zvicër. Ky film u dha në disa seminare të mësuesve në Austri nga shumë gjuhë amtare si në Vjenë, Graz dhe në seminare tjera në vende evropiane. Pra një praktikë e shkruar në analet e standardeve të larta të mësimdhënies në nivelin evropian.

Emri i Hazir Mehmetit është tani i  njohur nga gjithë mësuesit e gjuhëve amtare në Austri dhe më gjerë.

Krijimtaria letrare dhe publicistike

Deri tani ka botuar përmbledhje nga krijimtaria e tij letrare “Shëngjergji dhe tregime tjera”, “Kohëthyerja”. Është autor i monografisë së parë “Mësimi shqip në Austri” për të cilën Prof. Dr. Musa Kraja, mes të tjerash, do shkruante: “Në fund, dua të shpreh respektin e sinqertë për redaktorin e këtij libri, vepër me shumë vlera, me të cilën  Z. Hazir Mehmeti, hynë në radhën e studiuesve seriozë të Historisë së Arsimit e të Mendimit Pedagogjik Shqiptar.”

“Udhëtimi S”, një vepër publicistike me vlera të veçanta, ku përfshihen reportazhet e seminareve të mësuesve nga diaspora për një dekadë. Shumica e këtyre veprave nga studimet hulumtuese tani janë pjesë e thesarit të Bibliotekave prestigjioze të Vjenës, Grazit etj.  Qysh si normalist fillon të shkruante artikuj hulumtues gazetareskë dhe analitikë, fillimisht në revistat  arsimore “Shkëndija” e pastaj në revistën “Mësuesi” dhe  “Ura”.  Është i njohur si gazetar e bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave në trevat shqiptare dhe diasporë si: “Zëri..”, “Fakti Ditor”, “Besa”, “Gazeta Dielli (SHBA), “Dielli Demokristian”, “Bota Sot” dhe në shtypin elektronik dhe të shkruar: “Albinfo”, “Gazeta Dielli”, “Abaniapres”, “Pashtriku”, “Zemra shqiptare”, “Besa”. Është gazetar i Radio Dukagjinit për Austrinë. Me hulumtimet e tij ai ndihmoj në identifikimin dhe përmirësimin e emrave të shqiptarëve, që pësuan në kampin nazist të Mathuazenit. Ai është pjesë e projektit të Komitetit Përkujtimor të Mathuazenit në mesin e 50 autorëve kombesh të ndryshëm i librit “Gedankenfürdie Totendes KZ Mathuasen- Komentare und Biogrfi” (Përkujtim për të vdekurit në Kampin e Mathuazenit – komente dhe biografi”, ku merr mirënjohje për punën me vlerë të tij.  Është anëtar i Asociacionit të Gazetarëve Botërorë me seli në Florida.

Tradita e shkrimeve dhe botimeve të krijuesve shqiptarë në Austri, në tri dekadat e fundit, vazhdon krahas emrave tjerë edhe me emrin e Hazir Mehmetit, i cili i ka kushtuar jetën, energjitë dhe aftësitë krijuese e profesionale shkollës shqipe në vendlindje dhe në mërgatë, duke punuar vazhdimisht me nder e përkushtim të lartë për ngritjen e pareshtur  të vetëdijes së arsimit amtar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: