Ndue Dedaj: Vuksanlekaj, 'Kronikë në gur' e Malësisë
| E Diel, 16.07.2017, 08:15 AM |

VUKSANLEKAJ, “KRONIKË NË GUR” E MALËSISË SË MADHE…

(…ose rapsodia e skulpturës mbivarrore shqiptare)

NGA NDUE DEDAJ

1

Hapësira shqiptare ka aq shumë monumente të vjetra befasuese, që ende mbijetojnë, ndonëse dhjetrashekullore. Vuksanlekaj padyshim është njëri nga më autentikët, një varrezë mesjetare unike, që nuk haset askund tjetër një e dytë si ajo. Mjafton ky fakt i pranuar nga të gjithë për të nxituar për atje, jo vetëm për ta parë e shuar kurreshtjen, siç kemi bërë dhe ne para disa kohësh, por dhe për të ndërmarrë hapa për studimin e saj, si dhe vendosjen në ballin e hartave turistike të rajoneve veriore. Gjendet vetëm 5-6 kilometra matanë Hanit të Hotit, në të djathtë të rrugës që shkon për në Tuz. Pra, është aq pranë nesh, sa mund të vizitohet nga të gjithë. Duhet të ketë qenë ndonjë dorë e “padukshme” atdhetare që e ka ruajtur nën ferra për shumë vite këtë monument të kategorisë së parë, që të mos shfarosej nga aksionet shoviniste serbe, me qëlllim zhbërjen e çdo gjurmë autentike shqiptare. Këtë na e thonë banorët e Vuksanlekajt, që kanë nderin dhe fatin ta kenë të tyrin këtë monument kompleks, ku çdo njëri nga 30 varret e tij është një reliev skulpturor më vete, skalitur mjeshtërisht në gur.

Vitet e fundit “Vuksanlekaj” ka filluar të zbulohet e vizitohet, publikohet e studiohet. Kanë shkuar aty më së shumti gazetarë që kanë bërë shkrime dhe reportazhe televizive sensibilizuese. Mirëpo ata që mungojnë gjithnjë në objekte të tilla, janë zyrtarët e shtetit (në rastin konkret të dy shteteve, shqiptar dhe malazez), ministrat dhe drejtorët që merren me trashëgiminë, thënë ndryshe, ata që i kanë gjërat në dorë. Duket se shtegun për te ky objekt muzeor e kanë çelur tre autorë: Mithat Dibra, Ilir Bala, Naim Laçej, me botimin e tyre me titull “Dëshmi monumentale në Vuksanlekaj”, Tiranë 2015, shqip, anglisht dhe në gjuhën malazeze, realizuar më mbështetjen e Këshillit të Qarkut Shkodër dhe ndonjë organizate jofitimprurëse. Aty përshkruhet shkurtimisht Vuksanlekaj, ritet mortore të vendasve, të dhënat etnografike të tyre, simbolikat e varreve, si dhe një material i zgjedhur fotografik, në një botim cilësor të “Mediaprint”. Autorët synojnë njohjen e kësaj pasurie të rrallë dhe marrjen e saj në mbrojtje nga institucionet e trashëgimisë etnokulturore shqiptare dhe malazeze.

Malësia e Madhe, një nga trevat më të zëshme të Shqipërisë, e përgjysmuar nga kufiri i 1913-s, me dy qendra, Koplikun dhe Tuzin, e kënduar aq madhërishëm në “Lahutën e Malësisë”, me varrezën e Vuksanlekajt shkon më në thellësi të historisë së saj, kësaj here jo e dëshmuar prej kronikave të shkruara në letër, por e gdhendur si një “kronikë” në gurë. Figurat skulpturore të shumta të kësaj varreze janë shtatore të njerëzve, ani se anonime për nga përkatësie e emrave që iu kushtohen, që rrëfejnë shumë për etnografinë e njeriut të shekujve të shkuar. Padyshim që është një himn i gurtë për racën shqiptare. Edhe më vonë relieve të tilla, në kryqe të drunjta varresh, janë fiksuar nga Edith Durham e studiues të tjerë të huaj në fillimet e shekullit XX po në Malësinë e Madhe etj.

Vuksanlekaj është një vendbanim i vjetër ilir i fisit të labeatëve, në mes të Hanit të Hotit dhe Tuzit. Arkeologët kanë zbuluar aty qeramika, objekte prej bronxi, fragmente arkitektonike, amfora të periudhës romake etj. Por thesari i këtij vendbanimi është varreza autentike, ende e pastudiuar, për më tepër që nuk ka një datim historik se kur mund të jetë krijuar – mendohet se është e 600 viteve më parë, apo e mëvonë. Ajo nuk përmban asnjë mbishkrim (si të jetë para se të krijohej gjuha shqipe), ndërkohë që është plot me simbolika të vjetra, nga më të larmishmet, figurat njerëzore, motivet e diellit dhe të hënës, të gjarpërit, shqiponjës, si dhe ato floreale. Figurat e njerëzve dhe simbolikat gjithëfarësh reflektojnë doemos mitologjinë pagane dhe periudhën e mepasme kristiane, si dhe mendësinë malësore mbi vdekjen, kultin e saj, nderimin karshi të vdekurit etj. Për autorët e botimit të sipërthënë, “ndërthurja e simboleve paleokristiane me ato kristiane është dëshmi e pakundërshtueshme e vijimësisë së po të njëjtës popullsi të lashtë”, ku “motivet e veshjeve e ato gjeometrike, me të cilat janë skalitur stelat, vijnë nga fondi i kulturës së antikitetit” (fq. 13).

2

Përmendoret mbivarrore të kësaj varreze komplekse hotjane janë pasqyrë e gurtë e epikës së varrimit ndër malësorë, që kryhej me një regji të jashtëzakonshme, solemnitet të veçantë dhe pamje teatrore. Është arritur deri aty sa për të drejtuar ceremoninë e varrimit të një burri në zë të një krahine, të thirrej hasmi i tij (me të cilin vazhdonte të ishte në gjak, e më pas familja e tij do ta vriste për gjak), pasi ai ishte gjithashtu një burrë i dëgjuar dhe do t’ia drejtonte morten më mirë se cilido “mik” tjetër. Të duket se tejkalohet dhe vetë Shekspiri, ku drejtuesi e mortjes së mbretit Dunkan është vrasësi i tij Makbethi!?...

Malësitë shqiptare janë të mbushura me një një galeri të jashtëzkonshme personazhesh sui generis, që kanë qasjen e tyre origjinale në mënyrën si e perceptojnë dhe përcjellin jetën ndër breza. Nëse në të gjallë njeriu i maleve nuk shfaqte dhe aq përkujdesje për veshjen (është fjala kryesisht për burrin, pasi gratë visheshin si princesha), ndryshonte puna me vdekjen. Ditën kur ai do të shuhej vishte kostumin e blerë enkas, që mund të mos e kishte veshur as në ditën e martesës, nga e papasmja. Përndryshe, ai duhej të kishte në vdekje gjithçka që nuk kishte munduar ta kishte në të gjallë. Gruaja i ruante teshat e dekës në arkë më të mbërritur nuse (traditë që vjen deri në ditët e sotme te gratë e moshuara) e kjo se vdekja mund të vinte papritur e petkat e saj nuk mund të bliheshin në pazar të Shkodrës si të të burrit, pasi ishin të qendusura e dekoruara për merak, punë artizanale, artistike që kishte dashur muaj të bëhej. Një grua nuk mund të mos shndriste e vdekur, e veshur “nuse”. Nëse këndej kishte qenë i varfër, andej duhej të vente i pasur, burrit i shtihej në varr edhe ora e florinjtë, kutia e sermtë e duhanit etj.

Duhet theksuar se monumentalja ishte më parë shpirtërore se murore. Për ta qarë të vdekurin merreshin vajtojcat nga ishin e s’ishin, burrat e Dukagjinit shquheshin dhe për gjamët e forta. Shpesh vajtimoret i drejtoheshin të vdekurit si të ishte i gjallë, duke i dhënë porosi për në botën tjetër, që kur të shkonte atje, të takonte këtë apo atë të afërm të vdekur më parë etj. Në raste të rralla burrat në zë i vinin si të gjallë në karrige, duke iu vënë pranë pushkën dhe cigaren e duhanit në gojë, kinse ai po fliste për herë të fundit me mortaxhinjtë e tij. Zor të ketë një përcjellje më sublime të njeriut, që do ta kishin lakmi dhe mbretërit. Ama ngrirja e tillë e njeriut vazhdonte vetëm 24 orë dhe jo përjetësisht si ata që prehen në mauzeolume. Ec e thuaj pastaj se këto rituale nuk vinin që nga Homeri e Virgjili. Vetëm ndajvoni njerëzit filluan të bëheshin më realistë ndaj vdekjes, duke e trajtuar atë pa figurshmëri letrare. Vdes një burrë që kishte qenë i martuar me dy gra dhe njëra e qan me tone të larta si një burrë shteti, që shkonte ngado hipur mbi “kalin e shalës”, para të cilit “shtangeshin krenët e bajrakut” e “gjulshojshin qetë në hulli”; kurse tjetra, krejt tokësore, e portretizon me një realizëm therës të shoqin: “E ti s’ke qenë aso burri/ Ke pas veç nji vargj unuri/ S’ke pas kulla e as saraje/ Po ke pas nji k’sollë me kashtë/ Pula mrenë e bishti jashtë/ Or tremthi em.” (Viktor Gjikolaj, “Amaneti”, 2017, f.102.) Sot në mjaft raste ka një përçudnim të vajeve të famshme popullore, kanë hyrë në modë vajet komerciale, ku vajtimoret nuk qajnë me shpirt e me dhimbje, por me parà.

Gama e ritualeve të vdekjes është mahnitëse, e përbërë nga zakone, bestytni, mite etj. Kur vdiste një fëmijë i vogël javët e para linin një gotë me uji të mbushur jashtë te bolira, që nëse ai kishte etje të “vinte” e të pinte. Nuk mund mos kujtohesh për këto kur në një skulpturë mbivarrore në Vuksanlekaj sheh një stelë ku burri (prindi) sikur e ka futur në gji fëmijën e tij gjithashtu të shuar. Në stelat e shumta të varrezës në fjalë hasen veshjet dhe sendet e të vdekurit, që nga qeleshja e bardha, xhubleta karakteristike e Malësisë së Madhe, shamitë e qendisura, xhamadani, pushka, shpata etj. Një botë magjike-realiste shpaloset në simbolikat e shumta të ndryshme, plot art gdhendor e finesë artistike, duke filluar qysh me ato pagane universale, si dielli, hëna, yjet – të gjitha këto veç e veç ose të gërshetuara, në forma e madhësi të ndryshme, në dhjetë a më shumë gjedhe, si vetë qielli i larmishëm mbi krye.

Pamja terësore e kësaj varreze autentike shqiptare, me skulptura si të gdhendura nga e njëjta dorë, të krijon idenë se janë të një harku kohor dhe se pas tyre ka patur mënyra varrimi më të thjeshta. Mbase në shekujt e mëvonshëm, në rrethanat e një vendi të pushtuar nga osmanët, ka munguar “luksi” për të bërë varre të tilla monumentale, edhe pse tradita nuk është bjerrë plotësisht.

Natyrisht që ne i kemi parë me sy të lirë si plot të tjerë, aq më tepër pa qenë të fushës së monumenteve dhe arkeologjisë, por me siguri ata që një ditë do ta studiojnë dhe gërmojnë këtë varrezë do të mund të thonë shumë më shumë se dihet deri më tash. E udhës mbase do të kishte qenë që të gërmohet dhe në ndonjë kishë të tjetër të zonës, për të kuptuar me mirë shtresat e vjetërsisë së këtij monumenti, që me siguri nuk është i vetëm. Figurat njerëzore janë burra, gra, fëmijë, shpesh në të gjithë madhësinë e gurvarrit. Vijnë pastaj kryqi, plot stilizime e stolisje, që e kemi hasur jo vetëm në Vulsanlekaj të Hotit, por në të gjitha trevat veriore, nën tokë e mbi tokë, në varreza të parapushtimit turk e mbas tij, gjarpri (ora e shtëpisë) me një kult të veçantë mirësie të gjarpërit ndaj njeriut, lisi apo qiparisi, dora e njeriut, gjiri i gruas, si i Rozafës, briri i dhisë, aq i veçantë si shenjëzim simbolik, deri në përkrenaren e Skënderbeut. “Briri i dhisë/ Ndera e të Zot të shpisë” - është një fjalë e urtë malësore. Ndër simbolikat e tjera janë: pëllumbi, kali, rruga, ato të pjellorisë apo fatsjellëse të njeriut etj. Të gjitha me një gjeometri të përkryer, ku është rrethi, katrori, trëkëndshi, vijat etj. Në të njëjtën skulpturë vertikale mbinjëmetrore, vendosur nga lart-poshtë, has: yllin, hënën, diellin, brirët e dhisë etj., që jo rastësish gdhendësi ia ka blatuar të gjitha një njeriu. Gdhendësi i këtyre varreve ka qenë “rapsodi “ e shekujve të shkuar, që nuk shkruante e këndonte vargje homerike-kreshnike, por monumentalin e njeriut e kishte dhënë përmes rapsodisë së gurit.

Së fundi, pamja e kësaj varreze është unike dhe shumë më “moderne” se sa varrezat e shformuara të kohës së sotme, ku asnjë varr nuk ngjan me tjetrin, sidomos për nga madhësia e disave sosh sa një “garsoniere”. (Do të ishte e logjikshme mbase që varret të mos ishin uniforme për nga stilizimi, ashtu siç dhe njerëzit në të gjallë janë të ndryshëm nga njëri-tjetri), por kurrsesi nuk duhej lejuar që ca varre të jenë normale e ca të tjerë sa dhjetëfishi i tyre?! Edhe në këtë anë, Vuksanlekaj është një model qytetarie. Ka dhe një tjetër model varror, të një thjeshtësie mahnitëse - njëri nga gjenitë e shekullit XX Lev Tolstoi e ka varrin vetëm prej bari dhe asgjë tjetër…

Shqiptarja.com, 9 korrik 2017



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: