Ilir Muharremi: Nuk duhet të ndërtohen xhamitë
| E Shtune, 15.07.2017, 06:41 PM |

Nuk duhet të ndërtohen xhamitë, por duhet të rruhen

Nga Ilir Muharremi

Burimet historike, rrjedhimisht edhe historianët e sotëm, kanë disa ndryshime kronologjike për vitet e para të pushtimeve osmane në Ballkan. Në vitet 1347, 1349 dhe 1352 trupat e sulltan Orhanit zbarkuan në Ballkan për të luftuar përkrah vjehrrit të sulltanit kundër serbëve, bullgarëve dhe kundërshtarëve të brendshëm politikë të Johanit VI. Në këto rrethana në vitin 1352 osmanët krijuan zotërimin e parë të tyre në Evropë, duke marrë kështjellën Cimpes pranë qytetit të Galipolit dhe, pas dy vjetësh (1354), pushtuan edhe këtë qytet bashkë me rajonin e Dardaneleve e më gjerë. I biri i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389), vuri nën pushtetin e tij rajone të tëra të Ballkanit. 628 vjet  Shqiptarët dhe Ballkani vuan nga presioni fetar Turk, pothuajse i ka hyrë në thelb kjo, dhe mendojnë që çdo lindje e re është myslimane. Bëhen kërkesa të ndryshme për lejimin e hapësirave publike për ndërtimin e xhamive të reja, kjo sikurse nuk ju mjafton 628 vjet pushtim fetar, integrim i një feje që nuk ishte shqiptare dhe as nuk do të jetë ndonjëherë, ta ruajmë me fanatizëm të madh.

Çfarë i thuhet kësaj? Popull që nuk i di dhe nuk hulumton për rrënjët origjinale të tija. Duhet të respektohet kërkesa e banorëve të lagjes Dardania për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për ndërtimin e këtij objekti fetar. Këtë peticion fillimisht e kanë nënshkruar 140 persona, shpresoj të ketë edhe më shumë në mesin e këtyre njerëzve. Arsyeja e ndalimit të ndërtimit të xhamisë është mospërputhja dhe mos harmonia me objektet e zonës. Bashkësia Islame e ka quajtur të kotë këtë peticion dhe ka thënë se është votuar nga qytetarët për ndërtim, kurse Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth kësaj. Si duket Bashkësia Islame nuk po i respekton kriteret e konkursit, ashtu siç me shekuj Turqia nuk i ka respektuar, vetëm se këtu bëhet luftë ndërmjet shqiptarëve dhe shqiptarëve të islamizuar. “Ne të poshtë shënuarit, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të procesit të ndërtimit të objektit me destinacion fetar në lagjen Dardania në Prishtinë. Objekti me destinacion fetar nuk është në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut që është e përcaktuar në planin rregullativ. Objekti poashtu nuk është në përputhje me kriteret e konkursit të publikuara për kompanitë arkitektonike që kanë aplikuar për ndërtimin e këtij projekti. Sipas Planit Rregullues të Lagjes Dardania, të miratuar në vitin 2009, që përcakton rregullat për ndërtim dhe zhvillim të lagjes dhe parcelës ku është planifikuar objekti fetar, një projekt i ndërtuar aty duhet të jetë “në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut”, sipas përshkrimit për Kushtet e Veçanta të Bllokut 8c, faqe 164 të planit (bashkangjitur me këtë letër).” Shkruan në peticion e banorëve. Sipas tyre, në faqen 53 të dokumentit thuhet se objekti fetar duhet të jetë i integruar në ambientin dhe kontekstin urban të lagjes. Kurse objekti i Xhamisë ka stil arkitektonik tërësisht në kundërshtim me kontekstin dhe ambientin përreth lagjes për shkak se ka arkitekturë të shek XV dhe XVI, përderisa objektet përreth i takojnë stilit modernist të kohës së sotme.

Vërejtja tjetër që i bëhet kësaj xhamie është  se qe kopje e një ndërtese tjetër të një shtetit tjetër. “Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qendrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit”, është kërkesa e banorëve. Ata nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional, sepse flitet që Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, respektimit të ligjeve, harmonizimit të planeve dhe rregullave. Kryetari i Prishtinës duhet të dëgjoj banorët e lagjes për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes se projektit final fitues nën respektim të kritereve. “Liria e besimit dhe praktikimit të fesë në vendin tonë është e drejtë e patjetërsueshme që na takojnë të gjithëve, njësoj qysh ligjet e Kosovës dhe ambienti urban i qytetit na takojnë të gjithëve njësoj. Andaj, duke mbështetur lirinë e besimit dhe asociimit, kërkojmë ndërtimin e objekteve dhe ndërtesave në përputhje me rregullat urbanistike dhe ligje të kryeqytetit dhe shtetit tonë.”, përfundojnë kërkesën banorët.

Secili ka liri të besimit personale, por nuk ka të drejtë të shtyj, propagandoj, rritë historinë e tjetrit në vendin e tij autoktonë. Sepse, atëherë nuk bëhet fjalë për një popull origjinal. As ndërtimi i kishave e as i xhamive nuk është i nevojshëm në vendin tonë. Më e nevojshme është punësimi i njerëzve, luftimi i krimit, respektimi i ligjit, arsimimi... Por, në një vend të varfër, shumë lehtë mund të ndërtosh objekte fetare me arkitekturë mesjetare. Ndoshta kjo bëhet për ruajtje të votës, sepse është lejuar edhe përdorimi i shamisë pas moshës 16 vjeçare, dhe një numër i konsiderueshëm i myslimanëve u ka dhënë votën. Mesiguri janë edhe banorë të lagjes ata që kërkojnë ndalimin, por mund të jenë edhe aktivistët politikë, sepse dihet që në Kosovë mund të luash lehtë lojëra politike. Çfarë fitohet nga kjo? Zvarritje. Më mirë është të ndalohet ndërtimi i objekteve fetare, qofshin katolike, budiste, myslimane. Nuk kemi nevojë për religjion, por për hap drejt njohjes.

A duhet të ndërtohen xhamitë në tokat shqiptare?

Dokumentet dëshmojnë se, qysh kur nisën sulmet për pushtimin e tokave shqiptare, osmanët i kushtuan vëmendje shtresës së fisnikëve. Krahas prirjes për mënjanimin e përfaqësuesve të pabindur të kësaj shtrese, aty ku qëndresa ishte e dobët, në rajonet ku vendosja e pushtetit osman ishte e vështirë, pushtuesit u përpoqën të përdornin elementë nga radhët e fisnikërisë shqiptare për të neutralizuar pakënaqësinë dhe qëndresën e tyre. Për këtë ata përdorën marrëdhëniet e vasalitetit dhe i detyronin fisnikët shqiptarë të dërgonin bijtë e tyre të vegjël si pengje në oborrin e sulltanit, si iç-ogllanë (pazhë). Këtu ata konvertoheshin në fenë islame dhe edukoheshin me frymën e besnikërisë ndaj sulltanit. Pas një dekade, kur mendohej se ishin formuar si osmanlinj të vërtetë, ata pajiseshin me timare të mëdha dhe ofiqe të larta, sipas aftësive që tregonin. Nëpër institucionin e iç-ogllanit kaluan i biri i Gjon Kastriotit, Skënderbeu, i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu, i biri i Gjon Zenebishit, Hamza Beu etj.

Çdo fe privon me mashtrim pothuajse nga qytetërimi antik, dhe vazhdon të zhvatë qysh edhe në kohën e sotme popujt të ndryshëm, qofshin të krishterë, myslimanë, budist.... Krishterët plaçkitnin Lindjen sepse ishte e pasur dhe Kryqëzatat ishin piratëri e lartë dhe asgjë më shumë. Ndërmjet krejt religjioneve nuk ka vend për zgjedhje, vendimi është dhënë që më parë, asnjë individ nuk është i lirë, vetëm se në kohën e sotme përdoren për përfitime, ndoshta kjo gjithnjë ka qenë e saktë, dëshmohet me futjen e islamit në trevat shqiptare. A mund ta kuptoni se çfarë ishte epoka e Rilindjes shqiptare? Shndërrimi i vlerave myslimane, përpjekja, e ndërmarrë me gjithë mjetet, me gjithë instinktet, me gjithë gjenitë, që të çonte drejt fitores vlerat e kundërta. Atëherë, përse u dashka ende të jemi zagarë, apo të dëgjueshëm, aspak të lirë, të trashëgojmë diçka që nuk është e jona. Mund ta lëmë ashtu siç ka qenë dhe është, por jo ta ndërtojmë të re, në një tokë e cila nuk e kupton e as nuk e pranon.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: