Elvi Sidheri: Në njërën dorë kazmën, në tjetrën kazmën tjetër
| E Premte, 14.07.2017, 09:00 PM |

Në njërën dorë kazmën, në tjetrën kazmën tjetër

Nga Elvi Sidheri

T’i kushtosh një shkrim marrëdhënies së ndërlikuar dhe të përherë-përsëritur gjer në “boringness” mes Kazmës dhe Shqiptarit e anasjelltas, do të ishte një përsiatje gjithësesi aspak e kotë.

Ne jemi popull vërtet përgjithësisht malor, por pakundërshtueshëm edhe të lidhur fort me punimin e tokës dhe bujqësinë e cila, ndër të tjera, çoku bazohet edhe te përdorimi i nevojshëm i kazmës.

Kështu që, kazma bën pjesë në memorien tonë kolektive, në tërë reminishencat e së shkuarës sonë bujqësore & blegtorale, pavarësisht faktit se duan të thonë (specialistët përkatës të historiografisë dhe arkeologjisë, tanët e të huajshëm) se fushat dikur në kohë të errëta vërshimesh barbare, na qenë zënë e pushtuar nga ndoca fise sllave që nën ritmin e “zadrugave” të tyre, me kuç e me maç ishin derdhur drejt viseve, atëherë, akoma ilire e më pas arbërore, dhe i qenë futur me llërë të përveshura punimit të tokave tona pjellore, pa anashkaluar aspak edhe qëllimin e tyre kryesor, pra shfarosjen sistematike të farës shqiptare në trojet që kishin pushtuar përdhunshëm.

Por, mënjanë këtij digresioni cazë të nevojshëm nga tema parësore e këtij shkrimi, kazma na ridel në skenë me përdorim fizik dhe metaforik, nga fushat e mbjella për ekonominë bujqësore “me forcat tona”, te brezaret tona shqiptare të punuara me të njëjtin zell si shokët kinezë të cilët i qepeshin brigjeve të lumit Jance ku notonte Timonieri i Madh Mao në kohën e lirë, e gjer te këngët revolucionare të aksioneve e propagandës së real-socit të regjimit të shkuar diktatorial.

Kazma qe vërtet mirëfilltas e kudondodhur, atë nuk e shmangnim dot dhe përbënte një fjalë që ndoshta për nga masa e përdorimit në çdo fushë e sektor të jetës, nuk mbetej shumë prapa (krye)fjalës së 45 viteve moniste PARTI, se emri Enver i merhumit, se fjalët Vigjilencë, Revizionizëm, Kooperativa, etj.

Ndërkaq, fjala Kazmë krenarisht linte pas për shumë dhjetëvjeçarë fjalë tepër të përdorshme në gjuhën normale shqipe si “Zot”, “Perëndi”, “Bukë”, e deri te “Seks” e “Dashuri”.

Qe një ngritje në detyrë e Kazmës që rrallëkush mund ta kish pritur apo guxuar ta përfytyronte ndonjëherë dot.

Fakti është që breza të tërë rilindasish, qenë rrekur ta pastronin, dëlirësonin, pasuronin, zbukuronin e stolisnin gjuhën tonë, duke eliminuar turqizma me shumicë, krijuar fjalë të reja (“Bashki” për shembull), e imagjinuar një gjuhë letrare që t’i përbashkonte tingëllueshëm e plot melodiozitet gjuhësor tërë shqiptarët në të ardhmen, por të ngratët kurrë nuk do të kishin mundur ta imagjinonin dot se një palo-fjalë si Kazma do të gjente aq shumë vend për një gjysëmshekull si ai që kaluam nën monizëm.

Kazma na u shndërrua në një sinonim të realitetit tonë të përfshirë nga thagmat dhe moskeqkuptimet jetësore e mendësore të frymëzuara dhe buruara nga Vija e Partisë.

Kazmën e merrnim me vete (domethënë, i merrnin prindërit e gjyshërit tanë që e jetuan në kurriz atë regjim “kazmatik”) kur venim arave, kur u qepeshim kodrave dhe maleve për t’i bërë brezare (edhe nëse nuk ish aspak nevoja për këtë, pasi kodra e ngratë buzë Jonit të themi, ishte vetvetiu e gjelbër, plot pemë dhe agrume të shijshme aromatike, ndërsa lumenj aksionistësh të ngjashëm për nga veshja me Viet-Kongët guerrilas antiamerikanë në Luftën e Vietnamit, i mësynin të ngratat duke i qëruar krejt nga bimësia autoktone, dhe rimbjellë sërish pasi i kishin brezaruar kinezisht kot së koti), por kazmën, mënjanë se edhe në ndërtimet e fabrikave përbindëshe (për mjedisin, në Elbasan po ia paguajnë ende kamatat Metalurgjikut të tillë) e përdorëm për njëfarë periudhe edhe për t’u hyrë me themel qindra kishave e teqeve.

Me themel, po me rrënjë faktikisht.

Vetëm në Korçë në qytet e përreth, janë dhjetëra kishat e shkatërruar barbarisht, me kazma të verbëra e dinamit të marrosur nga regjimi, për të mos folur për pjesën tjetër të Shqipërisë, krahas sa e sa objekteve të tjera të kultit.

Një furi shterpësie mendore dhe zbrazëtie ekzistenciale e një regjimi që desh të identifikohej me Zotin dhe ta zëvendësonte atë, që mund të krahasohet vetëm tani pas 50 vitesh, me furinë e Kalifatit në Siri-Irak për nga mizoria e treguar ndaj kulteve rivale.

Si u ndërrua regjimi, pas 90-ës, kazmën e lamë në qilar, e plasëm si rrangull pa vlerë në cepin më të humbur të oborrit dhe e zëvendësuam atë me kallashin si një mjet më aktual për të arritur qëllimet tona jetësore.

Sot, në këto ditë moderne të vitit të 17-ë të mijëvjeçarit të tretë pas lindjes së Krishtit, gjëja e fundit që do të ishte pritur të riaktualizohej ndërkaq, është sërish Kazma...

Por, ja që neve shqiptarët, nëse nuk kemi Llazarët tanë për të ringjallur, apo ndonjë mrekulli tjetër biblike, atëherë, së paku këto ditë, dhe në një kontekst krejt specifik, gjithësesi e gjejmë të udhës të ngjallim diçka nga të vdekurët, kë tjetër veç Kazmës sonë të pandashme.

Dhe këtë kazëm e merr dikush, ose shumëkush që kazëm nuk ka parë njëherë të vetme në jetë, dhe me të i drejtohet një godine hijerëndë ku qëllon ta ketë selinë organizata e vet politike, aty ku ai/ajo/ata/ato (por jo “ne/ju”; sepse ncuq, për ne s’e rruan kush) ka ngrënë bukë, ka ngjitur shkallët e karrierës dhe ka bërë prokopi në jetë e ka arritur qoftë edhe të pamundurën e të paimagjinueshmen, dhe kazmërisht i futet rrënimit me themel, me rrënjë, çrrënjosjes pra, të ngrehinës së vet politike, në emër të “triumfit të kazmës” se gjë tjetër më të mirë nuk sajon dot, për të justifikuar mësymjen e vet/tyre me kazmë në dorë drejt kësaj organizate që qëlloi mos bëhet e tyre, pavarësisht mjeljes shumëvjeçare të saj.

Kështu pra, në kohën që kazmës praktikisht ia kishim harruar emrin, formën e kuptimin, dhe kur, pa dashur aspak të fyejmë ndokënd pa qenë nevoja dhe qëllimi, kur Kazmën shumëkush e supozon edhe një surrogat të emrit të një qyteti të nderuar në hyrje të Tiranës, merita e “kazmëmbajtësve” revolucionarë të mësyrë këto ditë post-zgjedhore, bëri të mundur edhe që emri Kazmë të riaktualizohet përsëri, duke rihyrë nga dera kryesore në shqipen e tashme.

Për më tepër, edhe më një kuptim krejt të ri tërësisht të ngërthyer në suaza jo vetëm partiake, por edhe të një partie të vetme, aq më shumë, të Djathtë.

E thagmat nuk kanë të mbaruar pra.

Kazma, arriti që në tranzicion e sipër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të shpërngulet djathtas nga origjina dhe përdorimi i saj i shumëfishtë i majtë, dhe sot ajo barasvlerësohet me veprimet, mëtimet e qëllimet e ndokujt, që përmes togfjalëshit “karrige + kazmë” synon majat e larta të kateve të epërme të ngrehinës politike në periferinë apo bodrumet e të cilës kazmëmbajtësit kanë përfunduar kohët e fundit.

Sepse vend për kazma ka gjithmonë, presim edhe lopatën tani!



(Vota: 15 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: