Kujtim Mateli: Podgorani në penën e studiuesit Maliq Vrekaj
| E Merkure, 12.07.2017, 06:55 PM |

Podgorani në penën e studiuesit Maliq Vrekaj

Nga Kujtim Mateli

Librat që shkruhen për vendlindjen janë ngjarje jo vetëm për atë njësi banimi së cilës ata i drejtohen, por dhe për ato njësi gjeografike të cilat e rrethojnë. Në këtë kuptim, libri i autorit Maliq Vrekaj, është ngjarje jo vetëm për banorët e Podgoranit, por dhe për fshatrat me të cilat ai kufizohet si Çorrogunji dhe Katundishta, Suka dhe Gorica, por edhe me fshatrat e rrethit të Tepelenës: Mezhgoran dhe Arrëz e Madhe, me të cilat Podgorani ka ndarë kreshtën e malit të Trebeshinës dhe barinjtë e këtyre fshatrave ndajnë gati gjysmën e vitit midis tyre. Megjithëse pjesa perëndimore e malit të Trebeshinës ku ndodhen fshatrat e Tepelenës dhe ajo lindore ku ndodhen fshatrat e Dëshnicës i ndan një distancë e largët, marrëdhëniet midis këtyre fshatrave ka qenë e ngushtë dhe martesa të shumta ka patur midis tyre. Podgorani është pjesë e njësisë etnografike e krahinës së Dëshnicës, e cila numëron në njësinë e saj 40 fshatra, të cilat i lidh midis tyre jo vetëm territori, por tradita dhe zakone të përbashkëta, përpjekje të përbashkëta përballë pushtuesve, të cilët përgjatë gjithë historisë e njësuan këtë krahinë duke u dhënë banorëve të kësaj krahine një identitet të spikatur siç është identiteti dëshnicar.
Edhe Maliq Vrekaj, nuk e ka marrë Podgoranin në një kontekst të ngushtë, vetëm çfarë e lidh atë me Podgoranin, si territorr dhe histori, por e ka vendosur atë në një kontekst më të gjerë, qoftë në hapësirë, qoftë dhe në kohë, duke u lidhur me pushtimet e huaja dhe ndikimet që ato kanë patur në vendin tonë. Ky libër është në vazhdën e asaj tradite të bukur që është krijuar në Dëshnicë, ku janë disa dhjetëra libra monografikë që u kushtohen fshatrave, fiseve apo dhe individëve të shquar të krahinës sonë.
Ia vlen të kujtojmë se krahas këtij libri që është shkruar për Podgoranin, është dhe një monografi e realizuar mirë për njërin nga bijtë e Podgoranit, siç është Duro Kopo, i cili la përtej Dëshnicës, në gjithë territorin e Përmetit, emrin e bukur të dëshnicarit. Po Podgorani numëron edhe disa autorë të tjerë si: Artur Vrekaj, Bujar Elmazi e Mystehak Kapo duke u renditur me krenari si pjesë aktive e krahinës së Dëshnicës, e cila numëron sot më shumë se 40 autorë dhe rreth160 libra. Krijuesit dhe studiuesit dëshnicarë, me librat e tyre i janë drejtuar jo vetëm lexuesit dëshnicarë, por dhe atij shqiptar kudo që ai ndodhet, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare.
Dëshnica ka krijuar në këtë mënyrë një vlerë të spikatur artistike, shkencore dhe dokumentare. Po e konkretizojmë me një shembull nga Podgorani, ku Artur Vrekaj, tashmë me banim në Amerikë u bë pjesë e një konkursi letrar që një shoqatë amerikane e mjedisit organizon çdo vit për të sensibilizuar opinionin në mbrojtje të mjedisit dhe poezia e Arturit zuri vendin e parë duke u bërë poezia e Kalendarit Vjetor që kjo shoqatë nxjerr në prag të Vitit të Ri.  Krijuesit dëshnicarë janë bërë pjesë e konkurseve letrare që tashmë zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë, por dhe në Kosovë e Maqedoni, jo vetëm duke u bërë me këto krijime si pjesë e këtyre manifestimeve letrare, por dhe duke u nderuar dhe me çmime.
Për Maliqin ky është libri i tij i tretë. Ai vjen pas një vëllimi poetik dhe për monografinë kushtuar brigadës së Himarës. Për hartimin e librit “Podgorani në një shekull” autori ka punuar për disa vite rresht, është konsultuar për shumë ngjarje dhe ndodhi me bashkëfshatarët e tij, por dhe ka shfletuar një material të pasur mbështetur mbi autorë të tjerë dhe në arkiva. Po cilat janë disa nga vlerat e këtij libri që ne po promovojmë sot.
      1. Libri është një burim i pasur informacioni si për brezin e sotëm dhe për brezat që vijnë. Si të gjitha monografitë që janë shkruar për fshatrat e krahinës sonë, libri ndahet në tri pjesë të rëndësishme. Periudha e parë është ajo historike nga lashtësia e deri në periudhën, kur fshati dëshmohet nga burimet gojore. Periudha e dytë është ajo e burimeve gojore deri në momentin kur autori bëhet pjesë e historisë së vendlindjes së tij. Periudha e tretë është ajo, kur autori e dëshmon vetë historinë e familjeve, të fiseve, të lagjeve dhe të vetë fshatit të Podgoranit.
Maliq Vrekaj e dëshmon historinë e fshatit Podgoran duke filluar aty nga viti 1965, kur autori ka mbaruar dhe ciklin tetëvjeçar dhe dëshmon ashtu siç i ka parë dhe dëgjuar vetë ngjarjet më të rëndësishme dhe për fshatin e Podgoranit. Vitin 1965 e deri në ditët e sotme mund ta konsiderojmë si periudhë e dëshmive të pakontestueshme. Burimet e veta autori i ka bërë pjesë e një debati me bashkëfshatarët e tij, sepse ky libër ka vite që është diskutuar nga podgoranasit dhe në rrjetet sociale dhe me shumë ngjarje dhe ndodhi ne jemi njohur nga pjesëmarrësit në diskutime disa vite më parë. Dëshmi të tilla mund t`i grupojmë si dëshmi që shkojnë drejt së vërtetës absolute. Dëshmi të tilla janë të domosdoshme dhe të dobishme për atë brez të sotëm që është i ri në moshë, por dhe për brezat e ardhshëm. Në të ardhmen, mbase pas dy a tre brezash, dëshmitë okulare do të jenë baza e analizave që pasardhësit tanë do të bëjnë për historinë tonë.
Përtej dëshmive okulare të autorit, të një rëndësie të veçantë janë dhe ato që Maliqi ka mbledhur nga brezat e mëparshëm, breza që ua kanë transmetuar pasardhësve nga bisedat e ndryshme që bëheshin në mbrëmje në familje apo dhe në gëzime familjare, me të cilat ata krenoheshin për fisin apo fshatin e tyre. Burimet gojore dhe ato arkivore të shekullit të kaluar, e mundësuan Maliqin të botojë këtë monografi që ka një titull kuptimplotë: “Podgorani në një shekull”. Pra dëshmohet për historinë e Podgoranit për një periudhë një pjesë të së cilës autori e ka njohur vetë dhe pjesën tjetër nga dukumentet arkivore dhe dëshmitë e paraardhësve tanë.
    2. Përshkrimet në këtë libër janë një tjetër vlerë që e bën librin të dashur për lexuesin. Podgorani është pikturuar nga mjeshtëria e penës së Maliqit. Hauzi dhe përroi i tij që zbret deri në lumë, pyjet që e shoqërojnë atë, kafshët e egra dhe zogjtë në shumllojshmërinë e tyre, i japin krahut jugor të Pogoranit atë bukuri që ai ka në realitet dhe që e bëjnë banorin që jeton në Podgoran ta dojë më shumë vendlindjen  e tij dhe të mos largohet kurrë nga kjo vendlindje. Po ashtu dhe të larguarit i lind dëshirën të rikthehet atje.
Jashtë penës së Maliqit nuk ka mbetur as përroi i Soponicës, që përfaqëson krahun verior të Podgoranit, i dëgjuar për burimet e tij në shpat të malit Trebeshinë, për dërstilat që u siguronin barinjve të Trebeshinës gunat dhe sharqet, apo dhe velënxat që shtroheshin në odat e shtëpive dëshnicare. Ndërmjet këtyre dy burimeve autori ka pikturuar vetë Podgoranin, sipas mëhallave dhe fiseve. Katër mëhallat e Podgoranit dhe nëntë fiset nga të cilët ishte formuar fshati i Podgoranit, jepen në pozicionin e tyre gjeografik, çfarë e bën dhe vizitorin ta përcaktojë lehtësisht vendndodhjen e këtyre lagjeve dhe fiseve, bashkë me emrat e arave apo të lëndinave të cilat na japin kështu dhe toponiminë e fshatit të Podgoranit. Aty mësojmë për zakonet e podgoranasit në gëzime dhe hidhërime, zakone që kanë përbërë një lloj kodi civil për të mbajtur gjallë organizimin e shoqërisë mbi baza fshati.
  3. Një vlerë tjetër e këtij libri janë të dhënat demografike për rritjen dhe lëvizjen e popullsisë. Mësojmë kështu që Podgorani në fund të vitit 1990 ka patur 364 familje dhe me 1260 banorë, duke e renditur në krye të popullsisë së rrethit të Përmetit. Libri na jep lëvizjen e popullsisë së fshatit Podgoran drejt qyteteve duke filluar që pas Luftës Naciona Çlirimtare dhe autori ka mundur ta identifikojë këtë lëvizje në qytetet ku ata kanë shkuar madje dhe shumë prej tyre të na i japë dhe me profesionet dhe detyrat e larta që ata kanë kryer në shtetin shqiptar. 
Autori na jep dhe periudhën pas vitit 1990 ku ndodhi dhe largimi masiv drejt qyteteve brenda Shqipërisë, por dhe jashtë atdheut. I jep me emra disa nga këta bij të Podgoranit që kanë kontribuar kudo që kanë shkuar.
4. Një vlerë të veçantë përbën dhe pasqyrimi i fshatit Podgoran në ditët e sotme, ato familje që ende banojnë në rrëzë të malit të Trebeshinës, pra në Podgoranin e vjetër dhe të atyre që kanë krijuar një fshat të ri, në kushte më të favorshme dhe që kanë formuar Podgoranin e Qafës së Sukës me rreth 34-36 familje, aq sa ka dhe Podgorani i vjetër rrëzë Trebeshinës, 34 familje.
Dokumentimi i Podgoranit për gati një shekull, përbën dhe dokumentin bazë, për cilindo që dëshiron qoftë sot, qoftë dhe në të ardhmen të thotë e të flasë për Podgoranin.
Si të gjithë ata që kanë shkruar për historikun e fshatit të tyre, edhe Maliqi është munduar të kërkojë rrënjët e fshatit të Podgoranit. Në të tilla raste, ne zhytemi në hamendësime, në mungesë të dëshmive historike. Në të tilla raste, na ndihmon dhe historiku i fshatrave përeth, por edhe emrat e vendeve, të cilat, nëse do të studiohen me kujdes, na japin dhe historikun e njësisë që merret në analizë. Nëse do të shohim emrat e vendeve që mbart mali i Trebeshinës, por dhe vetë krahina e Dëshnicës, do të shohim se kjo krahinë dhe bashkë me të dhe Podgorani, ka qenë e banuar dhe në mijëvjecarët para Krishtit.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: