Driton Gashi: Kosova e bukur është bërë 'nice'
| E Diel, 09.07.2017, 12:26 PM |

Kosova e bukur është bërë "nice"!

Nga Driton Gashi

"Fëmijët e mi i dërgoj në kopshtin amerikan, ata akoma nuk kanë filluar t'a mësojnë shqipen"!

"Vajza ime vijon shkollën amerikane, ajo e flet anglishten më mirë se amerikanët"!

"OK", "nice", "surprise", "really"?

Nëse mendoni se këto biseda bëhen diku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju keni gabuar. Në mes të Prishtinës shqiptarët patriotë lëvdohen sa munden me njohuritë gjuhësore të fëmijëve të tyre, por edhe me të vetat, duke menduar se kështu duken më përparimtarë, më europianë, më të zhvilluar...

Kjo tendencë qesharake vërehet që nga paslufta, kur shumë shqiptarë u punësuan në organizatat e huaja që erdhën në Kosovë, në UNMIK, KFOR, OSBE, në ambasada të ndryshme, së fundmi në EULEX. Pasi për një kohë relativisht të gjatë zhvillimet në Kosovë zënin vend edhe në mediat më prestigjioze botërore, në Kosovë e sidomos në Prishtinë u krijua një mendim që pas Londrës e Parisit gjithsesi vjen Prishtina. Që secili banor i Europës duhet të interesohet për neve dhe është në dijeni për ato çka kanë ndodhur në këtë vend. Ky mendim naiv vazhdon të qëndrojë deri sot. Të kthehemi te gjuha angleze.

Nuk kam asgjë kundër saj. Bile e dua shumë si gjuhë. Unë si fëmijë kam filluar t'a mësojë këtë gjuhë të rëndësishme botërore, së pari nga librat e axhallarëve dhe hallave të mija, që atëherë ishin nxënës. Pastaj nga këngët e grupeve rok të viteve të shtatëdhjeta e tetëdhjeta, Pink Floyd, Deep Purple, Led Zeppelin etj. Nga filmat amerikanë në kinema e televizion. Pastaj nga klasa e pestë deri në të tetën në shkollën fillore në Prishtinë, për t'a vazhduar pastaj edhe më intensivisht në Gjermani, krahas gjermanishtes dhe gjuhëve tjera që i kam mësuar gjatë shkollimit dhe studimeve. Jam ithtar i madh i idesë së shumëgjuhësisë si vlerë, pasi edhe vetë jam rritur dhe edukuar me shumë prej tyre. Të mos keqkuptohemi në këtë drejtim. Çka më frymëzoi t'i shkruaj këta rreshta ishin disa përjetime të çuditshme që i kam patur në Kosovë këto vitet e fundit, ku gjuhës angleze i jepet një rëndësi shumë e madhe dhe njëkohësisht hidhet poshtë gjuha shqipe. Ja disa shembuj:

Gjatë një diskutimi për zhvillim e filmit në Kosovë në kuadër të festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtë DokuFest në Prizren para disa viteve udhëheqësi i tubimit, që padyshim ishte shqiptar, me çdo kusht insistonte që e tërë biseda të zhvillohet në anglisht dhe pa përkthim adekuat. Përkundër faktit se 90% të publikut, por edhe të të ftuarve tjerë, ishin shqiptarë. Shumë mysafirë, sidomos të gjeneratës së vjetër, nuk e dinë anglishten, por edhe të tjerët që mendojnë se e dinë, nuk janë në gjendje t'a përcjellin një manifestim të tillë në gjuhë të huaj pa përkthim. Kjo situatë më kujtonte kohërat e i ish-Jugosllavisë, ku për një ose dy serb, 98 shqiptarë flisnin serbisht njëri me tjetrin. Kaq tolerancë nuk ka askund në botë! Kjo nuk është tolerancë. As respekt. Kjo është ulje e vetvetes, është servilizëm. Në vendet e zhvilluara diskutimet bëhen gjithmonë në gjuhën e shumicës. Për ata që nuk kuptojnë, në raste zyrtare sigurohet përkthyesi profesional.

Thëniet që i citova në fillim të këtij shkrimi, nuk janë të trilluara, me të vërtetë i kam dëgjuar. Janë disa familje më të reja, të cilat duan patjetër të distancohen nga "katunarët" (edhe pse ndoshta vetë nga paslufta kanë zbritur vetë në Prishtinë nga fshatra të thella), që ndoshta qëndrojnë më mirë ekonomikisht dhe duan patjetër të tregohen se kanë mundësi t'i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër kopshte e shkolla private, ku mësohet vetëm gjuha angleze. Gjuha shqipe? Çka është ajo? Kujt i duhet? Who cares?

Edhe nëpër disa portale të gazetave shqiptare kam hasur në disa shkrime të gazetarëve shqiptarë, ku në fund patjetër duhet të ceket se "artikulli fillimisht është shkruar në anglisht". Me siguri së pari e kanë dërguar në "New York Times", e pastaj botohet në Kosovë! Kam përshtypjen se ju vjen turp të shkruajnë në gjuhën e tyre.

Së fundi te muzika pop e viteve të fundit. Dikush e ka patur njëherë idenë, që të këndohet në dialekt kosovar, duke e përzier me disa elemente në anglisht. Si inovacion ka qenë i lezetshëm. Së paku këngëtarja Era Istrefi pati bile edhe në Europë suksese me këtë stil të të kënduarit, ishte me të vërtetë diçka e re. Por, si gjithmonë në Kosovë që secili mundohet t'a kopjojë tjetrin, tash këndojnë të gjithë ashtu. Dhe dalin "këngë" shumë qesharake.

E përsëris edhe njëherë:

Fakti që shumë njerëz në Kosovë flasin mirë gjuhë të huaja, parimisht është për t'u përshëndetur. Edhe mundimi që bëhet për t' i shkolluar fëmijët është pozitiv. Por bazuar në shembujt që i përshkrova më lart, janë nganjëherë disa çoroditje, disa zhvillime artificiale, mendime naive se nëse ne flasim vetëm anglisht, amerikanët dhe europianët do n'a duan më shumë, do bëhet liberalizimi i vizave më shpejt, do anëtarësohemi në Bashkimin Europian etj. Duhet njëherë t'a mësojmë, flasim e shkruajmë gjuhën tonë si duhet, e pastaj të pohojmë se "dimë më mirë anglisht se shqip"! Duhet respektuar gjuha amtare si pjesë kryesore e identitetit tonë. Niveli gjuhësor në Kosovë, posaçërisht i të shkruarit, është i tmerrshëm! Besoj se edhe me rezultatet jo të mira të studimit PISA është sensibilizuar një numër i madh njerëzish, që shkollimi në Kosovë duhet marrë më seriozisht dhe duhet bërë çështje më e rëndësishme politike.

(ky artikull është shkruar fillimisht në gjuhën shqipe)



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: