Mehmetaj: Tito në Kosovë - fundi i vëllazërim-bashkimit
| E Hene, 10.07.2017, 09:30 PM |

Tito në Kosovë - fundi i vëllazërim-bashkimit

Nga Gani MEHMETAJ

Ardhja e mareshalit Tito në Kosovë, më 1979, nuk qe aspak paqësore, megjithëse popullata e priti me brohori e lule. Në mbledhjen në hotel “Grand” të Prishtinës, thuhej se Tito iu hakërrye zyrtarëve të Kosovës, duke filluar nga Xhavit Nimani, që ishte nikoqir. Nëpër rrugët e qyteteve për ta pritur mareshalin jugosllav dolën i madh e i vogël, jo pse ua donte zemra, por sepse çdo organizatë punuese, shkollë a institucion i detyronte punëtorët, studentët e nxënësit të dilnin në rrugë, nëpër vendet e caktuara. Askush s’guxonte të mos e përfillte urdhëresën, sepse më e pakta për mosbindje do të përjashtohej nga puna, nga shkolla a fakulteti, më e shumta do të futej në burg, me pyetjet e torturat çnjerëzore: "Kush të nxiti? Cili qëndron prapa teje?" Dhe duhej ta thoshe një emër, ndryshe të mbysnin me dru.

Tito erdhi në Kosovë të bartte mesazhin ogurzi. Thuhej që kreu i shtetit jugosllav u pendua për autonominë e vitit 1974, prandaj donte t’i frenonte shqiptarët. Nga ato që pëshpëriteshin në gazetën “Rilindja”, ku punoja, Tito në Prishtinë shprehu pakënaqësi me qëndrimin e shqiptarëve ndaj serbëve ( “serbët po shpërngulen”, citohet t’u ketë thënë zyrtarëve të Kosovës.) Ata ishin bërë dhe, nuk ia prishën, ia tumirnin me kokë.

Në parakalim kolona e përcjelljes së Titos kalonte me shpejtësi si asnjëherë më parë. Pëshpëritej sikur qe përgatitur një atentat, ose i druheshin atentatit, prandaj parakaloi me shpejtësi e me xhama të errët para turmës. Me të ikur nisën arrestime me metoda brutale për t’ia bërë qejfin Titos, apo sipas listës së lënë, është vështirë të dihet.

Idili i shkurtër titist po e merrte rrokullimën, prapë pëshpëritej në “Rilindje”. Dikush e thoshte me ironi, dikush tjetër me frikë. Por të dyja palët e thoshin me zë të ulët. Muret kishin veshë!

Tre vjet më parë, në konviktin e studentëve, u gdhimë me parullat: “Tito, xhelat i popullit”. “Mjaftë e shfrytëzuat Trepçën!” etj. Në broshura ilegale shkruhej se më 1945 Tito urdhëroi vrasjen e mbi 50 mijë shqiptarëve. Këto gjëra i diskutonim shpesh nëpër grupe të ngushta studentësh. Mizoritë e ushtrisë jugosllave (kryesisht serbo-malazeze) t’i thoshte çdo burrë a grua që e kishte mbijetuar luftën. Për shkrimet nëpër mure milicia na rrethoi të gjithëve, duke na bastisur për faqe të zezë. Tërë ditën nuk na lanë të shkojmë në fakultet. Isha në vitin e dytë të studimeve.

Parulla të ngjashme me ato të para tre vjetësh e pritën mareshalin e Jugosllavisë gjatë vizitës në Kosovë. Arrestimet tinëzare e dëshmonin këtë gjë. Pas Prishtinës, ai shkoi në vizitë miqësore në Havanë te Fidel Kastro. Prapa la policinë e shërbimin e fshehtë që i shtrëngonin darët në Kosovë, po edhe në territoret etnike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Së shpejti u identifikua një grup “armiqësor”, pëshpëritej kuluareve. Nga ta Jusuf Gërvalla, gazetar i “Rilindjes” e emër i njohur në publik, u arratis.

Tensionet e mbërthyen Kosovën. Përndjekjet e frika u bënë përditshmëri.

Disa muaj më vonë, mareshali jugosllav shkoi në spitalin e Lubjanës për shërim. Askush nuk e dinte me saktësi gjendjen e tij. Konsiliumi i mjekeve u bë proverbial me komunikatat e vakëta për shëndetin e tij. Njerëzit talleshin fshehurazi me këmbën e mareshalit: a la president.

Ato vjet erdhën ansamble të ndryshme nga Shqipëria, shfaqeshin filma të cilët i mbushin sallat e kinemasë, literatura shqipe apo e përkthyer në shqip e plotësoi lekturën e munguar. Erdhën artistë, shkrimtarë, po edhe personalitete tjera të njohura nga Tirana. Kadarenë, që vinte për herë të dytë, e takova në hollin e hotelit “Grand”. Disa ditë më parë pati një takim me gazetarët e “Rilindjes” dhe intelektualët në Pallatin e Shtypit. Ndërkohë kisha dëgjuar që romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të adaptohej në film nga francezët, konkretisht kisha një informacion të mjegullt se Mishel Pikoli ishte në krye të këtij produksioni të rëndësishëm. Kadare qe shkrimtari i parë shqiptar, veprat e të cilit bëheshin film jashtë shtetit. Kjo në mjedisin tonë bëri jehonë të madhe, sepse Mishel Pikoli, Marçelo Mastrojani, Anuk Eme etj., që përmendeshin në projekt, ishin emra të mëdhenj të kinematografisë franceze e italiane, madje me kohë kishin kaluar kufijtë e kontinentit. Kadareja me fjalë të kursyera ma dha informacionin, më tregoi se kishin bërë disa përçapje dhe pritej që filmi të xhirohej në Shqipëri.

Holli i “Grandit” pothuajse ishte i zbrazur, ndonjë punëtor te pulti i recepcionit, ndonjë kamerier që shërbente tutje mysafirët e restorantit dhe Helena që dëgjonte derisa ne bisedonim, kryesisht e dëgjoja unë, ndërsa shkrimtari i madh më jepte informacionet e nevojshme.

Vizita e tij në Prishtinë, megjithëse ishte e ndarë nga vizitat e ansambleve e artistëve të tjerë, ishte në frymën e ardhjes së shpeshtë të artistëve shqiptarë që ndikonte për mirë. Ardhja e Kadaresë qe ngjarje e veçantë. Atë ditë e pashë edhe në rrugën kryesore me Helenën e bukur, sikurse e quanim ne gazetarët gruan e tij, ndërsa sa herë e përmendnim ma kujtonte Helenën e Trojës dhe luftën që u bë për të. I kisha shikuar dy versione të filmave për luftën e Trojës. Dikur e pata lexuar në vazhdime në një revistë novelën “Shuaje dritën, Vera”. Atëbotë nënshkruhej Elena, por ne të gjithë e quanim Helena, që të mos na e prishte imazhin.

Fragment nga libri: Ëndrra e madhe (fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike).



(Vota: 9 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: