Frank Shkreli: Presidenti Trump viziton Evropën
| E Merkure, 05.07.2017, 09:21 PM |

PRESIDENTI TRUMP VIZITON EVROPËN – PËR TË DYTËN HERË

Nga Frank Shkreli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do vizitojë këtë javë Evropën ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Grupit të Njëzetshes (G-20) që do mbahet në Gjermani më 7 korrik.  Por, para se të arrijë në Hamburg të Gjermanisë për këtë takim, udhëheqsi amerikan do të vizitojë së pari Poloninë, dhe javën që vjen do të shkojë në Francë i ftuar nga Presidenti i ri atij vendi, Z. Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës.  Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, që njofton vizitën e Z. Trump në Paris, thuhet se Presidenti Trump pret që gjatë qëndrimit të tij atje, “Të riafirmojë lidhjet e forta të Amerikës me Francën".

Normalisht, se çdo takim dhe vizitë që bën Presidenti i Amerikës, cilido qoftë ai, në cilindo qoftë vend dhe mbledhje ndërkombëtare, merr rëndësinë që bartë me vete prania zyrtare e udhëheqsit të vendit më të fuqishëm në botë.  Prandaj, vizita e planifikuar e Presidentit Trump në Poloni ka tërhequr vëmendjen e shumë ekspertëve evropianë dhe të medias në përgjithësi, se pse Z. Trump zgjodhi pikërisht për të vizituar Poloninë në këtë moment të historisë.

Në një deklaratë nga zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa u njoftua vizita e ardhëshme e Z. Trump në Poloni, thuhet se ai e, “Pranoi ftesën që i bëri Presidenti i Republikës së Polonisë, Z. Andrzej Duda për të vizituar Poloninë para takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare, G-20 në Hamburg të Gjermanisë.”   Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për shtyp thuhet se, “Vizita do të riafirmojë angazhimin e patundur të Amerikës ndaj njërit prej vendeve aleate më të ngushta evropiane të Amerikës  dhe  vizita njëkohsisht do të nënvijojë përparësinë që Administrata Trump i kushton përforcimit të mbrojtjes kolektive të vendeve të NATO-s”.  Mëtej thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, mbi vizitën e shefit të saj në Poloni se, “Të dy udhëheqsit do të diskutojnë mbi një numër çështjesh dypalëshe dhe rajonale, duke thelluar në këtë mënyrë, marrëdhëniet   midis dy vendeve aleatëve, bazuar në vlerat dhe në interesat e përbashkëta.”

Pritet që gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Presidenti Trump të mbajë një fjalim të rëndësishëm dhe njëkohsisht të marrë pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë të vendeve që bëjnë pjesë në të ashtuqjuaturën, “Nismën e Tre Deteve” – një nismë kjo polako-kroate, që zhvillon punimet me 6-7 korrik në Varshavë -- me qëllim që, sipas zëdhënsit të Shtëpisë së Bardhë, të “Demonstrohen lidhjet tona të ngushta me vendet e Evropës Qëndrore.”   Njoftohet gjithashtu se objektivi i këtij takimi dy ditorë në kryeqytetin polak, është promovimi i lidhjeve më të ngushta në fushën e energjisë midis vendeve të Evropës Qëndrore, nga Deti Baltik në veri e deri tek Deti Adritaik dhe Deti i Zi në jug.  Sipas Shefit të Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Z. H. R. McMaster, fjalimi i Presidentit Trump para këtij grupi, “Do të përqëndrohet mbi sigurinë e infrastrukturës energjetike”.  Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Z. McMaster, pritet që gjatë qëndrimit të tij në Varshavë, Presidenti Trump të takohet gjithashtu me Presidenten e Kroacisë, Z.njën Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe të mbajë një fjalim tek përmendorja e Kryengritjes së vitit 1944 në Varshavë, pikërisht në Sheshin Krasinki, ku do të “lavdëroi kurajon e Polakëve gjatë periudhave më të zymta të hsitorisë”.  Dihet se historia e shënon Kryengritjen e Varshavës si aktin më të madh të qendresës në Evropën e pushtuar nga nazistët në Luftën e dytë Botërore, kryengritje e cila u shtyp brutalisht ndërkohë që mbetën të vrarë më shumë se 200,000 polakë ndërsa   përfundoi edhe në shkatërrimin e qytetit.

Gjatë takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare të G-20 në Hamburg të Gjermanisë, sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që Presidenti Trump të takohet me disa prej udhëheqësve kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë,  Z.njën Angela Merkel dhe Presidentin e Kinës, Z. Xi Jingping, ndër të tjerë – por takimi që ka nxitur interesim të madh, në të dy anët e Atlantikut – është takimi i planifikuar i Z. Trump me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin gjatë mbledhjes së G-20 në Hamburg.

Ndërsa, i ftuar në Francë nga Presdienti Emmanuel Macron, Z. Trump do të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës por sipas Shtëpisë së Bardhë ky rast do të përdoret gjithashtu për të përkujtuar 100-vjetorin e pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e parë Botërore, ndërkohë që ushtarët amerikanë do të parakalojnë së bashku me ushtarët francezë në paradën ushtarake që do mbahet në rrugën e njohur Champs-Elysees të Parisit.

Sipas mediave evropiane dhe amerikane, në Hamburg të Gjermanisë kanë filluar demonstratat kundër takimit të nivelit të lartë dhe ndaj udhëheqësve pjesëmarrës në atë mbledhje.  Ndërkohë që vizita e Presidentit Trump në Paris pritet që të kalojë pa ndonjë demonstratë ose protestë, Presidentit Trump, sipas medias polake dhe evropiane, po i rezervohet një pritje madhështore të premtën në Varshavë.  Polonia, historikisht, ka pritur mirë gjithmonë vizitat e presidentëve amerikanë, por vizita e Presidentit Trump kësaj radhe, sipas ligjvenësit polak Dominik Tarczynski, “do të jetë absolutisht e madhërishme”, njofton gazeta amerikane Wall Street Journal.

Është kjo një vizitë që është kërkuar dhe po promovohet me entuziazëm nga qeveria konservatore e Varshavës, e cila e ndjenë veten pak si të izoluar nga disa vende të Bashkimit Evropian, për arsye të qëndrimit të saj ndaj emigracionit, ndër të tjera. Polonia është shprehur qartë se është më afër qëndrimit të Presidentit Trump, përsa i përket imigracionit, sidomos imigracionit ilegal.   Por zyrtarët amerikanë tregohen më të përmbajtur në lidhje me këtë vizitë – me qëllim që ndoshta të mos zemërojnë aleatët e tjerë në Bashkimin Evropian – duke thënë se vizita e Presidentit Trump në Poloni, do të shërbejë mbi të gjitha, për të fuqizuar lidhjet transatlantike, përfshirë NATO-n dhe sipas tyre, për të mbështetur njërin prej aleatëve më të fortë të Amerikës.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Trump në Evropë. Sipas disa analistëve, vizita e tij e parë në kontinentin e vjetër nuk shkoi aq mirë dhe siç mund të pritej – ku ai mori pjesë në takimin e NATO-s dhe në mbledhjen e G7.  Si përfundim, pas asaj vizite, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrveshja (klimaterike) e Parisit mbi Mjedisin, gjë që shkaktoi kritika të ashpra nga udhëheqsit evropianë dhe të tjerë.  Gjatë takimit me udhëheqsit e vendeve të NATO-s gjatë asaj vizite, Presidenti Trump kritikoi ashpër vendet anëtare të aleancës së Atlantikut për mos përmbushjen e angazhimeve të tyre financiare ndaj aleancës, ose të dy përqindshit.  Gjatë vizitës së tij të dytë në Evropë këtë javë, Presidenti Trump do të takohet përsëri me shumicën e udhëheqsve evropianë, me të cilët është takuar gjatë vizitës së parë atje, plus do të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Mbetet për t’u parë nëse vizita e dytë e Presidentit amerikan, Donald Trump në Evropë këtë javë, do të jetë më e suksesshme ose jo, në krahasim me vizitën e tij të parë në kontinentin evropian, të cilën ai vet e pat cilësuar si shumë të sukseshme megjithë kritikat që u bënë nga qarqe të ndryshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: