Gjon Frani Ivezaj: Banorët, Kisha dhe historia e Shkrelit
| E Merkure, 05.07.2017, 08:18 PM |

Banorët, Kisha dhe historia e Shkrelit ndër shekuj

Nga Gjon Frani Ivezaj

Zonja dhe zotërinj te nderuar!

Te nderuar klerike dhe fort i Perndershmi Dom Pjeter Popaj Dhe meshtarit Dom Viktor Dedaj, Keshilli i kishes Nena Tereze Te nderuar zonja dhe zoterinjte, Te nderuar pjesemarrës dhe të ftuar Motra dhe Vellëzer

Ju sjelli pershëndetjet më të përzemerta dhe vleresimet më të larta mireseardhët. Ne sot, bashkëatdhetarë të komunitetit katolik shqiptaro-amerikanë këtu në New York, jemi mbledhur në këtë darkë të madhe të Kishës, për mbledhjen e fondeve të organizuar nga famullitari ynë i  përkushtuar për Fe e Atdhe I  Përndershmi dom Pjetër Popaj, ndihmësi i tij dom Viktor Dedaj, dhe Kryetari i Këshillit të Kishës zotëri  Tonin Lumaj, së bashku me organizatorët e tjerë të Këshillit të Kishës sonë, të cilët në shenjë atdhedashurie për vendlindjen, po ndihmojnë në riparimin e Kishës historike të Shën Nikollës në Shkrel.

Kam nderin, privilegjin dhe kënaqsine, që më takoi mua me modesti, po paraqes në mënyrë të përmbledhur një histori të shkurtë të Shkrelit, përmbi, origjinën, banorët, kishat dhe heroizmin e tyre ndër shekuj.

Sipas shumë studiuesve, albanologëve, fiologëve, poetëve dhe shkrimtarëve tanë dhe të huaj, emri "Shkrel", gjendet në forma të ndryshme fonetike, ndër shkrime të studiuesve dhe albanologëve. E gjejmë si emer: "Schirelli", "Schereli",  "Shkripol",  "Scariel", "Strelli", "Ikreli" etj.

Kjo me sa duket historikisht, ka ardhur nga përdorimi i ligjeve të ndryshme fonetike të gjuhëve, në të cilat janë shkruar veprat e tyre.

Prej vështrimeve antropologjike mund të vihet re se ky emër kaloi nga antroponim (emër njeriu) në patronim (mbiemer njeriu) dhe me vonë në emër vllaznie dhe së fundi në emër fisi. Por, etimologjia e kësaj fjale, duket se i ka rrënjet edhe më thellë.

Megjithatë, për herë të parë në kuptimin e sotëm të kësaj fjale, pra si emër fshati apo si mbiemër, e shohim në vitin 1416 në rregistrimin e Kadastrës së Shkodrës. Aty mund të shohim të gjitha format e përmendura më sipër, si mbiemrate banorve kryefamijarësh: Vlassi Schirelli (Vlash Shkreli), Morici Schirelli (Moriç Shkreli) etj.

Po me këtë mbiemër, gjenden edhe persona që kanë jetuar ndër fshatra të tjerë të qytetit Shkodrës, si: në Rrjoll, Pulaj, Malkolaj, Prekal, Grykë të Bunës etj. Kurse si toponim e gjëjmë në rrethin e Lezhës, në anën e poshtme të Matit, si dhe në Velipojë.

Etnografi i shquar shqiptar, Rrok Zojzi, thotë se: “Fisi i Shkrelit si dhe fiset e tjera të Malësisë së Madhe, kanë ardhur si blegtorë nomadë prej viseve të epërme të Ballkanit nga krahina e Dallmatëve, e Novi Pazarit, Sanxhakut e të Bosnjës, e populluar në atë  kohë me shqiptarë, të cilët kishin si epiqender Judbinën, ku banorët e tyre kanë ardhur nga trungu i fiseve të  lashta ilirë besët, ardianët, dalmatët, paonet, pirustët, legjendat e shumta mbi prejardhjen e tyre, lidhjen toponomastike dhe onomastike me bazën e vjetër etj.

Një tjetër dëshmi, është dhe ajo e historianit Millorad Ekmeciq. Këto fise të Malësisë, ka shumë mundsi të kenë zbritur me formimin e shtetit serb në kohën e Stefan Nemanjes (1166-1196). Për shkak të torturave të egra e keqtrajtimeve, kjo popullatë autoktone, e cila nuk desh kurrsesi t'i nënshtrohet okupuesit e të asimilohej, u detyrua të shërngulet nga tokat e plleshme të trungut ilir.

Për më tepër, duhet theksuar se në shekujt mëvonshëm si pasojë e pushtimit të gjatë otoman, këto troje iliro shqiptare sllavizohen dhe islamizohen, ku sot mbas shumë shekujve njihen me emrin e shtetit Bosnje – Dalmatcia.

Historia e krahinës së Shkrelit, dëshmohet më së pari prej zbulimesh arkeologjike të bëra përgjatë luginës së Prronit të Thatë. Në pikëpamje arkeologjike kjo luginë ka qenë e njohur për vendbanimin e fortifikuar ilir të Marshejit, në dalje të saj, dhe për gjurmë të tjera lashtësie perreth. Fortifikimi i Marshejit, është një vendbanim ilir prehistorik i ndërtuar në periudhën e parë të hekurit.

Veç kësaj, tumat e gërmuara pranë fshatit Dedaj dhe materiali arkeologjik i gjetur në to, i përkasin bronxit të hershëm dhe lidhen me grupin kulturor Kotorac - Cetinë. Kultura e gjëndur në krahinën e Shkrelit përbëhet nga komponentë që lidhen edhe me vendbanime të tjera të vendit tonë, me ato të Veriut, dhe në një kuptim më të gjëre me atë

ballkaniko- përëndimor.

Sipas burimeve historike del se i pari i fisit të Shkrelit ishte Skeni, i cili zuri vendbanim në Vrith të Malësisë. Kështu  studiuesit dhe historianët vendas dhe të huaj, Skini kishte gruan Tinën dhe katër

djem: Verlinin (ku rrjedh emri Vrith), Dejani, (Dedajt), Zagojani (Zagora), Bishtaja (Bzheta).

Nga ana tjetër, kemi edhe dëshmi gojore, që mbështesin variantin e albanologut italian At Giuseppe Valentini (sikurse njihej asokohe në qytetin e Shkodrës, si At Zef Valentini, shënimi im Gj.F.I.). Kështu thuhet se kur Shkreli erdhi për herë të parë në vendbanimin e ri, gjeti aty një popullatë autoktone të quajtur "Anas". Anasit, qenë të përbërë nga  popullsia Xhaj.

Armiqët tanë shekullorë turqit, me pushtimin e qytetit verior të Shkodrës, të vitit 1479, ku më vonë përfundimisht trojet shqiptare ranë në sudimin e Perendorisë Otomane në vitin 1571.

Gjatë vërshimeve të ekspeditave barbare turke, ushtarët aziatikë dogjën, shkatërruan, rrënuan dhe kovertuan të krishterët me dhunë në fenë islame të gjithë trojet tona, duke tjetërsuar gjithcka kristiane autoktone iliro-shqiptare.

Përballë këtyre rreziqeve të asimilit u gjend edhe Shkreli dhe banorët e tij, të cilët luftuan ndër shekuj për të ruajtur  identitetin shqiptar, gjuhën, zakonet dhe vijimsinë e pastër shqiptare (shekulli XVII), ekzistojnë të dhënat e shkrimtarit dhe kronistit të njohur turk Evlia Celebiu.

Ky jep shënime të hollësishme për jetën ekonomike, shoqërore etj. Për më tepër, edhe fakti historik i pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria e Veriut, sidomos nga trevat e Kelmendit dhe Shkrelit.

Në Luftën Austro-Turke më 1690, nen komandën e arkipeshkvit të Shkupit imzot Pjetër Bogdani, në Bosnje u zhvilluan luftra të ashpra midis dy perenadorive të krishterë dhe islame...

Austria dhe shqiptarët humbën luftën kundër otomane. Menjëherë mbas kësaj filloj hakmarrje e ushtarëve turq, të cilët filluan raprezaljet, djegiet e shtëpive, vrasjen e grave e të fëmijeve në djep, dhe pleqve, të cilët nuk mund të iknin nëpër male të thepisura. Në këtë kohë filloi edhe shpërngulja më e madhe e malësorëve të Malësisë të Kelmendit e të Shkrelit në vitin 1700, drejt qendrave të banimit në Serbi, Novi Pazar, Rugovë, Pejë, Roxhajë, Kotorr, Dalmaci, Zadër

(Shibenik) etj.

Etnografi serb Andreja Joviqeviq shënon vitin 1870 kur u bë shperngulja e dytë e madhe e banorëve malësorë të Shkrelit, të cilët u vendosën në Amull, Shën Gjergj dhe Shtoj të Ulqinit, ku edhe sot këto familje malësore shqiptare mbajnë mbiemrin Shkreli, duke ruajtur ndër shekuj traditat e zonës nga ato kanë ardhur shumë kohë më parë.

Historia e trimave shkreljanë, është vazhdimisht e lidhur me fatet e gjithë kombit tonë, si një histori luftrash dhe mbijetese, për mbrojtjen e identitetit etnik,  kulturorë etj.

Po kështu kryengritjet kundër turqve, që kryesoheshin prej Osman Pashës, gjatë vitëve 1834-1835 kryengritjet malësore kundër turqve u udhëhoqën nga luftëtari i madh Dasho Shkreli. Ky kryekomandant i shquar popullor kryesoi luftrat e pandërprera kundër turqve dhe shovinistëve serbo malazezë. Në vitin 1840, në luftën e kalasë së Shpuzës ra heroikisht Dasho Shkreli së bashku me vëllanë e tij Sefon.

Nga ana e tjetër, dihet se qeveria islame osmane, shpesh herë bajraqet e fiseve shqiptare i përdori për t´i shpypur kryengritjet breda vendit, duke krijuar armiqësi mes tyre dhe luftra të shpeshta vëllavrasëse.

Po japim një shembull nga hisoria, që tregon se Turqia futi vëllavrasjen mes shqiptarëve katolikë dhe muslimanë të Gjakovës. Për të shuar këtë gjakderdhje të pakuptimtë mes shqiptarëve, me inisiativë personale nisën drejt Gjakovës disa nga burrat më të shquar të Malësisë të kryesuar nga Marash Vata Shkreli etj. Pra, ishte i pari bajraku i Shkrelit, ai që ndërhyri për të shmangur e për t´ i ndalur vëllavrasjet.

Malësorët, trima të Shkrelit gjithënjë kanë qenë përkrah komunitetit katolik të qytetit të Shkodrës. Kështu në vitin 1871 ishin shkrelasit ata që u dolën zot 250 familjeve katolike të Shkodrës, meqënëse turqit kishin mbyllur Pazarin, gjatë periudhës nga 19 deri më 25 gusht, ku trimat shkreljanë thyen barrikadën turke dhe hynë Brenda në pazar.

Shkreli dërgoi përfaqsuesin e vet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, bajraktarin Marash Dashi së bashku me krerët e Malësisë së Madhe. Në këtë kuvend Bajraktari i Shkrelit tregoi edhe një herë urtinë dhe oratorinë tipike malësore, me shprehjet lapidare dhe simbolikën tradicionale për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.

Një përmbajtje të ngjashme pati edhe peticioni tjetër i dërguar nga këto burra më shkreljanë në vitin 1883. Gjatë vitit 1883 midis Shkrelit, Hotit, Grudës dhe Kastratit u bë lidhja me besën e burrave, për të penguar pazarlleqet e Komisioneve Ndërkombëtare me Malin e Zi, në ndarjen e tokave shqiptare.

Ëshë fort i rëndësishëm kontributi i madh që dhanë shkrelasit në kohën e kryengritjës së Malësisë së Madhe, kur Porta e Lartë e Stambollit në vitin 1910 dërgon kryegjaksorin, Turgut Pashën, për të përdhunuar Dukagjinin dhe Malësin e Madhe, së bashku me Bedri Pashën, valiun e Shkodres. Siç thotë historiani dhe njohësi i shquar i historisë shqiptare, gjermani Peter Bartl: "Malësorët e Shkrelit u bashkuan edhe me bajraqet e Shalës, Shoshit dhe Nikaj-Mërturit për t'i bërë ballë këtij sulmi të ri." Në këtë menyrë, të bashkuar tashmë edhe me malësitë e tjera, ata u përgatitën për të zhvilluar beteja më të vertëtë të ashpra.

Në këto beteja të ashpra u dalluan malësorët: Nikollë Mirash Luca i Kastratit, me vojvodën Gjelosh Gjekës, të cilët shkuan në Dedaj të Shkrelit, në shtëpi të Zef Mirashit, ku lidhën besën dhe prej këtej dolën në Bzhetë të Tomë Nika, me djemtë e të tij zhvilluan një betejë luftarake në Përrua të Thatë, ku u derdh gjaku i shumë trimave shkreljanë.

E gjithë kjo histori lufte, ishte një përgatitje shpirtërore dhe atdhetare për Kryengritjen e përgjithshme të 6 prillit 1911. Me 24 mars 1911 Turgut Pasha shpalli tradhtarët e Malësisë së Madhe, në mesin e të cilëve edhe komandantin e djelmisë Tomë Nikë Shkrelin, i cili ishte protagonisti kryesor bashkë më Nikollë Mirash Lucën dhe Gjelosh Gjokën, vojvodën e Kastratit, që kishte luftuar për t´i kundërshtuar heroikisht Turgut Pashës dhe synimeve të tij, për ta djegur Malësinë, duke ia filluar nga Shkreli e deri në Majën e Deçiqit.

Këtë ngjarje e pershkruan në kujtimet e tij historike imzot Nikollë Ashta, famullitar i Shkrelit. Ai ndër të tjera kujton: "Me 24 mars 1911, djelet e Malësisë së Madhe të Shkreli, të Hotit, të Grudë të Kelmend, të Kastratit, me nji heroizem, pushtuen të gjitha postat ushtarëve turke, u marrin armët,i kapen rob shume ushtar turq,e rrethuen Tuzin e kështjellën e Shipshanikut".

Ndër burrat trima dhe sypatrembur ndaj armikut ishte edhe luftëtari i lirisë Rrush Man Hasani dhe Bec Patani, Cul Patani, të cilët luftojnë me shpatë, për të mbrojtur trojet shqiptare Plavës dhe Guci, ku shpata e tyre i shtiu tmerrin ushtrisë së Mark Milanit,te Malit te Zi, të cilët braktisën frontin e luftimit nga frika.

Sipas Poetit Kombëtar atë Gjergj Fishta O.F.M., në poemën e famshme të tij “Lahuta e Malcis”, shkruhet se shkrelasit shquhen për urti, trimëri dhe virtyte të larta kombëtare, duke mbetur të pavdeshmëm me figurat e tilla si: Gjon Dedë Shkreli, Bec Patani, Dasho Shkreli, Marash Dasho Shkreli, Kacel Deda, Kermik Gila, Llesh Marash Shkreli, Vat Marash Shkeli, Luket Marashi, Tomë Nika, Pjetër Gjoka nga Shkreli etj.

Shkreli me burrat e tij të shquar, luajti një rol të rëndsishëm në periudhën e Pavarësisë të vitit 1912, ku disa nga bijtë më të mirë të tij nënshkruan Memorandumin dërguar Kryesisë së Konferencës së Paqes në Paris më 2 korrik 1919.

Ky memorandum i hartuar kundër copëtimit të trojeve shqiptare u nënshkrua jo vetëm nga Arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreqi, ipeshkëvi i Sapës Gjergj Koleci, ipeshkëv i Pultit at Benardin Shllaku, dom Zef Gjonali administrator i abacies së Mirditës, Dom Nikollë Kimëza delegat epishkopal i Lezhës, etj., por edhe nga famullitarët e famullive, që u përkasin këtyre dioqezeve me bajraktaret e fisëve të malëve të Malësisë, ku nder të tjerë të bie në sy emri i bajraktarit të Shkrelit Vatë Marashi, bashkë me famullitarin e kishës dom Frano Karma.

Duhet theksuar se edhe një delegacion atdhetar i burrave të Shkrelit muren pjesë në Kuvendin e Gerçes (bjeshkë midis Triepshit-Bekajt dhe

Selcës) të mbajtur me 10-23 qershor 1911, ku u nënshkrua një Memorandum (Libri i kuq) me 12 parashtrime, që i perkisnin kuadrit kombetar te levizjes mbarëshqiptare për autonomi të Shqipërisë. Në këtë kuvend morën pjesë përveç bajraktarit Vat Marashi, edhe Tomë Nika, e Martin Preka prej Shkreli.

Por vuajtjet e shkreljanëve nuk mbarojnë asnjëherë. Kështu Shkreli gjatë regjimit komunist kaloi kalvarin e gjatë të persekutimit nga diktatori antishqiptar dhe antikatolik Enver Hoxha.

Komunistët me ardhjen në pushtet me mashtrime dhe dhunë fizike në vitin 1944, për Shkrelin dhe gjithë Malësinë erdhën ditë të zeza, të cilat do të vazhdojnë deri në vitin 1990.

Shkreli, është një zonat më atdhetare, liridashëse e fetare, ndaj të cilit nisi një epokë e zezë e persekutimit komunist. Enver Hoxha si nip hoxhe nga Gjirokastra bëri një kasaphane e gjakederdhje në trevat e Malësisë, sidomos në Klerin Katolik në gjithë Shqipërinë.

Pikërisht njerëzit e Shkrelit ishin ata të cilët të parët kundërshtuan rregjimin e dhunshëm komunist, sepse nuk mund ta duronin shtypjen dhe nënshtrimin. Shkreljanët të mësuar ndër shekuj me kryengritje kundër pushtuesve shumë shekullorë, dhanë shenjat e para të kundërshtimit antikomunist nga viti  1945-1990.

Kujtojmë, se në muajin e ftohtë të janarit të vitit 1945 plasi kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe ndoshta në gjithë Evropën Lindore, e kryesuar prej burrave të Bajzës dhe të Shkrelit, për të penguar hyrjen e forcave partizane në këto zona të pamposhtuara.

Forcat antikomuniste udhëhiqeshin nga komandanti trim Llesh Marashi nga Zagora, i cili ishte edhe komandanti i të gjithë forcave nacionaliste.

Lleshi kishte  bashkëpunetorë trima, si: Pjetër Gjokën, bajraktar i Shkrelit, Nikollë Prekë Gjeka - Dedaj, kryetar i komunës së Shkrelit, Luket Marashin prej Grishajve, Gjergj Kolë Lucën prej Vrrithi, Zef Tomë Çeken nga Çekdedaj, si dhe Gjon Martin Lulen Ivanaj, me Mirot Palokën Ivanaj nga Bajza.

Mbas këtyre thirrjeve për liri nga komunizmi i zi, rreth 100 burra të Shkrelit u mblodhën të armatosur në Stol të Zagorës afër Grishajve, ku u bë mobilizimi në shtëpinë e Zef Nikë Colajt.

Mbledhja përfundimtare u mbajt në Grishaj në shtëpinë e Luket Marashit. Detyrat luftarake u dhanë prej komandantit Llesh Marashi.

Lufta kundër forcave komuniste i çoi kryengritesit deri te Kisha e Bajzës. Me çlirimin e Bajzës, kryengritja zgjerohet me trima të Kastratit dhe Hotit, dhe të gjithë së bashku u drejtuan për në qytetin e  Shkodrës, ku mendohej të hynin edhe forcat nga Postriba, të udhëhequr nga nacionalisti antikomunist Jup Kazazi.

Beteja për marrjen e qytetit të Shkodrës, u bë në urën e Rrjollit, ku malësorët u gjendën të vetmuar dhe pa mbështetjen e parashikuar. Në këtë betejë nga malësorët ranë dëshmorët e lirisë dhe demokracisë:

Gjon Martini dhe Mirot Paloka si dhe u plagosën mjaft të tjerë. Gjatë kësaj trazire, të Kisha e Shkrelit u vra edhe Mark Tomë Gjeloshi nga Makajt.

Padyshim që historia e kësaj krahine është e lidhur ngushtë me historinë e kishës, kjo gjithashtu e bën atë edhe një histori kulture përpos se një histori luftërash e betejash të përgjakshme.

Historikisht e para dëshmi e shkruar për ekzistencën e kishës shenjte, si objekt ne këtë krahinë, vjen prej albanologut të shquar austro-hungarez Franc Baron Nopsca, i cili, në një dorëshkrim të vetin, na tregon sesi një farë Mal Pepa nga Shkreli diku rreth vitit 1625, ka ndertuar shtëpinë e vet në Prelë Ivanaj, pas malit te Bulecit, ku aty gjen rrenojat e një kishë të vjetër kushtuar Shën Prenës.

Për të njëjtën gjë flet edhe i dërguari i Selisë Shenjtë në Shqipëri, imzot Shtjefen Gaspri në vitin 1671. Ai ndër të tjera thotë se Shkreli ka Kishën e vet kushtuar Shën Prenës dhe kujdesin për Kishën e ka prifti i Rrjollit, atë Klementi nga Brindisi i Italisë.

Për kishat katolike ne Shkrel dëshmon edhe imzot Frano Bardhi në relacionin e vet dërguar,nje leter Papes ne Selisë Shenjte në vitin 1635, ku ndër të tjera thotë se Shkreli ka pasur kishën e vet kushtuar Shën Nikollës dhe ka shërbyer për 56 shtëpi dhe 520 banorë.

Historikisht, dokumentohet nga arkiva e Raguzës Dubrovnikut, nga imzot Pjetër Abrnori, se kishte edhe kisha më të vjetëra, si në Gerben, Serkuj, Zagorë, në mahallen e Kolajve, te Brija e Fierkuqe dhe në Ducaj, ku ekzistojnë edhe sot e kësaj dite themelet e kishave të lashta shekullore.

Deri në këto vite për të cilën po flasim, kisha e Shkrelit ka fituar dhe atributet e një famullie. Prej kësaj kohe e këndej kisha e Shkrelit është bërë gjthnjë e më tepër një vend i shenjtëruar procesionesh, lutjesh e qendër kulture e fetare.

Rregjistri i kishës dhe i famullisë së Shkrelit mbetet sot e kësaj dite, si një ndër burimet më serioze e më të besueshme sa i takon referimeve historike, duke qenë një dokument i pazëvendësueshëm.

Tani  më lejoni të falënderoi për kontributin e madhe,   që ka dhënë

për disa dekada në Kishën tonë, djali i Shkrelit, profesor Mark Koliqi Shkreli, i cili gjithnjë dhe pa u lodhur, si një aktivist i Kishës dhe komunitetit tonë, ka drejtuar disa herë Këshillin e Kishës, si drejtor i Qendrës Kulturore dhe Fetare Nënë Tereza, dhe vazhdon të drejtoi më shumë sukses si kryeredaktor i revistës Jeta Katolike.

Së fundit duke ju përshendetur të gjithëve juve, fjalë të ngrohta zemre, po i përcjellim edhe meshtarit të shquar, udheheqësit tonë shpirtëror dhe atdhetar Të Përndershmin Dom Pjetër Popaj, dhe ndihmësin e tij të palodhur Dom Viktorin, për kontributin e madh, që ata po japin çdo ditë për të mirën e komunitetit tonë.

Është meritë e klerikut të shquar të komunitetit tonë Dom Pjetër Popaj, i cili na bashkon në një familje të madhe të gjithë shqiptarët, duke nxitur ruajtjen e fesë së të parëve tanë të krishterë, kulturën amtare, gjuhës e bukur shqipe, zakoneve dhe traditave të bukura shqiptare.

Kjo kishë sot është kthyer në një vatër të madhe, dhe të ngrohtë të ushqimit shpirtëror fetar dhe kombëtar, të djemve dhe vajzave  nipave dhe mbesave tona, që janë lindur dhe rritur këtu në Amerikë, duke ruajtur si gjithmonë frymën e humanizmit, duke mbledhur gjithnjë ndihma për vendlindjen, dhe njerëzit në nevoj pa dallim feje dhe krahine.

Nën udhëheqjen e Dom Pjetër Popaj, këtu janë pritur dhe përcjellë personalitete të shquara të trojeve etnike shqiptarë, që kanë vizituar Kishën tonë.

Është pikërisht ky meshtar i palodhur dhe i përkushtuar për Fe e Atdhe, i cili gjithnjë po udhëheq fushatat humanitare, për mbledhjen e fondeve për popullin shqiptar në trojet etnikë, për ndërtime e riparime të kishave shëjte e katedralave si në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Eshtë meritë e madhe të klerikut tonë, Dom Pjetër Popaj, me kontributin e tij të pa lodhshëm, e me idealet e pastra kombëtare dhe fetare, është kleriku më i madh, përsonaliteti më i shquar dhe figura më e shtrenjtë e të gjithë  shqiptarëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.

Një falënderim për këtë darkë dhe bashkimin në një sofër  të madhe të shqiptarëve në ketë restorant, dua të falënderoj edhe kryetarin aktual të Këshillit të Kishës zotit Tonin Lumaj, për kontributin e madh, që po jep gjithëmonë, duke qenë i pa lodhshëm për kishën tonë Zoja e Shkodrës. Ai është  i biri i Prekë Mark Sokolit, një derë e mirënjohur në Dedaj të Shkrelit dhe mbarë Malësinë, si shtëpi me famë e me za, e cila ka nxjerrë shumë figura të shquara dhe  personalitete të dalluar si luftarë trima, të besës, bujarisë tipike shqiptare, që lanë gjurmë të thella në historinë e popullit shqiptarë.

Faleminderit.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: