Palush Domgjoni: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
| E Diel, 02.07.2017, 10:19 AM |

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është e drejtë objektive, vendimi jo optimal i saj mund të shkaktojë pasiguri juridike dhe politike.

Nga Palush Domgjoni

Normat Kushtetuese në shume vende dhe shtete janë abstrakte të shkruara. Por duhet të konkretizohen përmes interpretimit nga institucioni kompetent. Për interpretim të normave kushtetuese është kompetente Gjykata Kushtetuese. Gjykata është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës (Neni 112 i Kushtetutës) dhe ajo sa i përket normave kushtetuese, që rregullojnë zgjedhjen e Qeverisë, gjegjësisht nenin 95 paragrafi 1,2,3,4,5 dhe 6 si dhe nenin 84 paragraf 14, tashme ka vendosur me një vendim (Vendimi Nr. K0103/14).

Këto norma kushtetuese që nuk e konkretizojnë „shumicën“ dhe as „koalicionet“, janë norma juridike abstrakte. Normat të cilat duhet të interpretohen, kërkojnë të konkretizohen, kjo bëhet përmes interpretimit-(Karl Engisch: Die Idee der Konkretisierung in Recht und Rechtswissenschaft unserer Zeit. 2. Auflage. Heidelberg 1968). Interpretimi kushtetues është shqyrtim metodik i përmbajtjes normative të një dispozite kushtetuese- Metodologjia juridike (Greqisht: Methodos) të çon në kuptimin e vërtetë të tekstit.-(Reinhold Zippelius, Juristische Methodenlehre, 11. Aufl. 2012, vor § 1, und § 10.) Ky proces interpretimit duhet të bëhet për hirë të Sigurisë juridike dhe jo për hirë të qëllimit subjektiv.

Kushtetuta në çdo shtet shpesh përdor termat, të cilët janë shkurtimisht të shkruar, abstrakt, shumë mendimesh, prandaj konkretizimi i tyre është i domosdoshëm.  Metodologjia juridike ka zhvilluar kriteret specifike të interpretimit të normave juridike. Në jurisprudencën e përgjithshme aplikohen disa parime, të cilat janë rregulla profesionale të artit juridik. Si parime në kuptimin e një norme juridike janë, interpretimi:gramatikor, logjik, sistematik, krahasues, historik dhe teleologjike. Interpretimi gramatikor qaset në përcaktimin e kuptimit tekstual të normës, nga përdorim gjuhësor i përgjithshëm. Interpretimi logjik qaset në përcaktimin e kuptimit të normës përmes gjuhës specifike juridike, termat konceptuale të përmbajtjes juridike duhet të merren parasysh. Në gjuhën shqipe gjuha specifike juridike është shumë e varfër, për arsye të mungesës së literaturës shkencore në fushën e drejtësisë.

Interpretimi sistematik qaset në kontekstin e pjesëve të ndërlidhura të një norme juridike në dritën e sistemit të përgjithshëm juridik. Interpretimi krahasues, drejtohet në përcaktimin e normës juridike, përtej kufijve të ligjit nacional. Interpretimi krahasues përdor rregullat e huaja të njëjtit problem. Interpretim historik, i cili quhet edhe gjenetik, i referohet normës në lidhje me gjenezën e saj, ky interpretim pyet në lidhje me kohën idetë gjatë hartimit të normës në Qeveri dhe në Parlament, nëse mund të gjinden këto burime të shkruara.

Për dallimi nga interpretimi historik-qëllimi subjektiv i ligjvënësit është interpretimi teolologjik-qëllimi objektivi. Kuptimi optimal dhe qëllimi (Telos) për të njohur një normë juridike është interpretim teleologjike. Ky interpretim nuk lidhet me motivet subjektive legjislative, prandaj intrepretuesi këtu kërkon brenda kuptimit të mundshëm përmbajtjen e qëllimit të normës (Ratio legis), i cili duhet që normën ta interpretoj në mënyrë të arsyeshme në standarde të tashme. Këto norma kushtetuese në rastin Kosovës duhet interpretuar në pajtim me standarde të sistemit proporcional të zgjedhjeve, ku kërkohet shumica absolute dhe për këtë arsye, nëse asnjë parti, apo koalicion nuk e ka fituar shumicën absolute, atëherë koalicionet pas-zgjedhore janë të domosdoshme.

Metoda teleologjike, duke synuar njohjen objektive të qëllimit të normës, si kritere në veçanti i merr, parimet themelore, natyrën e çështjes dhe të drejtën në pajtim me parimet e vlerave. Të gjitha këto metodat të interpretimit të jurisprudenca së përgjithshme, zbatohen për interpretimin e një dispozite kushtetuese. Për shkak se Gjykata Kushtetuese është instanca gjyqësore më e lartë, dhe si institucion që bën interpretimin e Kushtetutës, vendimet sajë janë e drejtë objektive, ato kanë edhe implikime politike, prandaj kjo Gjykatë vendimet duhet t’i merr në mënyrën më të mundshme optimale, për t‘i kontribuar sigurisë juridike dhe politike në vend.

Kosova ka sistem zgjedhor proporcional dhe këto norma duhet interpretuar në këtë frymë. Në sistemin proporcional „shumicë“ nënkupton shumicën absolute. Në zgjedhjet e vitit 2017 nuk i ka fituar zgjedhjet asnjë parti, sepse sipas sistemit zgjedhorë proporcional, të cilin e ka edhe Kosova Nuk ka rëndësi cila parti apo koalicion ka dalë e para, me një fjalë ka fituar shumicën relative, por cila ka fituar shumicën absolute, e cila është nevojshme për formim të qeverisë, e që është 50+1 % të votave (në rastin e Kosovës 61 deputet), kështu që  nëse koalicioni para-zgjedhorë, do të kishte fituar shumicën absolute do i kishte fituar zgjedhjet dhe do kishte pasur bazë të propozoj Presidenti kandidatin për formim të qeverisë.

Andaj përderisa nuk ka fituar një gjë të tillë, koalicioni para-zgjedhorë është vetëm fitues i shumicës relative, e cila nuk është e mjaftueshme për formimin të qeverisë, c´farë do të thotë se në të ardhmen duhet të ketë koalicione, për të arritur shumicën e nevojshme (absolute) sipas sistemit proporcional, në mënyre që të mundë të krijohet qeveria. Kështu që deri në mbledhje të kuvendit mund të ketë ndryshime dhe koalicione të ndryshme pas-zgjedhore dhe Presidenti duhet që të vlerësoj, se cili koalicion ka më shumë mundësi të themeloj qeverinë, pra cili ka shumicë në Kuvend.

Mirëpo Gjykata Kushtetuese ka bërë një interpretim tjetër. Edhe pse në vende të ndryshme, të cilat kanë demokraci parlamentare dhe sistem propocinal të zgjedhjeve, njihen koalicionet para dhe paszgjedhore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur për mos njohje të koalicioneve paszgedhore duke u bazuar në nenin 3 dhe 18 të Ligjit për Zgjedhje në Kosovë. Gjykata njeh vetëm ato koalicione të cilat janë të çertifikuara në KQZ. Për këtë në piken 72 të vendimit Gjykata ka vendosur si vijon:“Në driten e dispozitave të lartpërmendura, Gjykata konsideron se termi "koalicion", në nenin 84 (14) të Kushtetutës, ka të bëjë me subjektet e pranuara politike, të cilat janë certifikuar nga KQZ-ja si "koalicion për të garuar në zgjedhjet përkatëse nën një emër" dhe që kanë kaluar pragun e përcaktuar nga KQZ-ja pas zgjedhjeve.

Andaj, koalicionet, të cilat nuk janë çertifikuar nga KQZ-ja, nuk kanë të drejtë, sipas nenit 84 (14) për të propozuar mandatarin për Kryeministër. " Më tej në piken 84 të vendimit Gjykate vendos:" Sa i përket pikave (b) në konsultim me partine politike ose koalicionin dhe (c) që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, marrë si të kombinuara, Gjykata vëren se me Vendimin e lartpërmendur të ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës, kandidati i nominuar gjithashtu ftohej të bënte konsultimet e nevojshme me partitë politike për Qeverinë e re, pasi partia e tij nuk kishte shumicën absolute në Kuvend. Lidhur me këtë, Gjykata rithekson se Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, qofte shumicën absolute, qoftë shumicë relative."

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka cituar disa nene kushtetuese të disa vendeve si psh. Gjermanisë, Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë, të cilat kanë sistem proporcional zgjedhor dhe koalicionet pas zgjedhore lejohen dhe kanë koalicione pas-zgjedhore edhe në praktikë. Pastaj si Kodi Zgjedhor i Maqedonisë si ai i Shqipërisë parashohin koalicionin parazgjedhor, dhe se koalicioni duhet të regjistrohen në KQZ e tyre. Psh. Në Kodin Zgjedhor të Maqedonisë në Nenin 2 pika 12.  Thuhet "Koalicion" është bashkimi në bazë të deklaratës së dy apo më shumë partive politike të regjistruara për paraqitje të përbashkët gjatë kohës së mbajtjes së zgjedhjeve“.  Në Kodi Zgjedhor të Shqipërisë, në Nenin 2 pika 5. thuhet “Koalicion” është grupimi i dy apo më shumë partive politike për të konkurruar së bashku në zgjedhje, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod. Dhe në Nenin 65 thuhet „Regjistrimi i koalicioneve zgjedhore:1. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. 2. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumë emërore kandidatësh, jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.“

Ligji Zgjedhor i Kosovës „Neni 3 “Koalicioni” do të thotë koalicioni i dy ose më shumë subjekteve politike; Neni 18 Koalicionet: 18.1 Koalicioni mund të çërtifikohet për të garuar në zgjedhje nën një emër, me kusht që përbëhet vetëm nga partitë politike që kanë të drejtë për t’u çertifikuar sipas nenit 15.4 të këtij ligji. 18.2 KQZ-ja e trajton koalicionin si një subjekt politik të vetëm nga dita kur koalicioni është çertifikuar nga ajo e deri në çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi që të jetë çertifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të çertifikohen. 18.3 Pas shpërbërjes së koalicionit, secila nga partitë politike të regjistruara të cilat kanë qenë anëtare të koalicionit janë përgjegjëse për një ndarje të gjitha borxheve të shkaktuara nga koalicioni në përpjesëtim me marrëveshjen për koalicionin, përfshirë gjobat e papaguara të ngarkuara nga KQZ-ja apo KZAP-i. 18.4 Partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.“

Koalicionin para-zgjedhor sipas Nenit 18.2 të Ligjit për Zgjedhjet i Kosovës, KQZ-ja e trajton si një subjekt politik të vetëm nga dita kur koalicioni është çertifikuar nga ajo e deri në çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Nga kjo rregull pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, koalicioni para-zgjedhor i çertifikuar nga KQZ,nuk gëzon më subjektivitetin politik të vetëm. Prandaj nëse nisemi nga ky parim, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese, atëherë as koalicioni para-zgjedhor nuk mundë të propozoj kandidat për kryeministër, sepse nuk ka më subjektivitet të vetëm sipas Nenit 18.2 të Ligjit për Zgjedhjet.

Vendim i Gjykatës Kushtetuese është e drejtë objektive është jus imperativ (normë juridike detyruese), prandaj edhe duhet të zbatohet pavarësisht si është vendosur, (Neni 116 i Kushtetutës (Efekti Juridik i Vendimeve) 1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës). Prandaj pavarësisht se si ka vendosur Gjykata ne vitin 2014, vendimi i sajë është e drejtë objektive dhe është i detyrueshëm, për institucionet e Republikës së Kosovës.

Siç u tha më lartë ky vendim nuk njeh koalicionet pas-zgjedhore dhe në Rundin e parë koalicioni i çertifikuar në KQZ (pika 72 e vendimit), që ka fituar shumicën absolute ose relative ka të drejtën absolute të kandidojë kandidatin për Kryeministër. Gjithashtu edhe Presidenti mundet që vetëm nga ky koalicion të propozojë kandidatin për Kryeministër (pika 84 të vendimit). Nëse në këtë Rund nuk votohet Qeveria atëherë në Rundin e dytë i lihet në kompetencë (e drejtë diskrecionale) të Presidentit të propozoj kandidatin për Kryeministër nga cili do koalicion i çertifikuar në KQZ, apo Parti.

Presidenti ka të drejtë të propozoj prapë nga i njëjti koalicion, kandidatin për Kryeministër (pika 90 në lidhje me 91 e Vendimit). Ndërsa në pikën 92 të vendimit të Gjykatës Presidenti duhet që të vlerësoj se cili subjekt mundë të themeloj Qeverinë dhe nga ky të propozoj kandidatin për Kryeministër, por problemi lind këtu tek vlerësimi, pasi që vendimi nuk njeh koalicione pas-zgjedhore, atëherë si të vlerësohet, që partitë apo koalicionet, të cilat nuk kanë fituar as shumicë relative të mundë të bindin Presidentin qe mund të themelojnë Qeverinë. Presidenti sipas këtij vendimi pika 91, mund të vlerësojë prapë që kandidatin tjetër nga koalicioni, që ka fituar shumicën relativë-i – nga i njëjti koalicion, prapë ta propozoj dhe vlerësoj se ka mundësi të themeloj Qeverinë. Ky vendim i jep këtë hapësirë Presidentit, sepse ç’farë do koalicioni pas-zgjedhorë nuk njihet, dhe mundë të krijoj pasiguri politike dhe probleme në zgjedhje të Qeverisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: