Idriz Zeqiraj: Humbja e pritur e LDK-së
| E Diel, 25.06.2017, 11:00 AM |

HUMBJA E PRITUR E LDK-SË

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

LDK-ja pësoi fiasko. Dhe, kjo ishte humbje e pritshme. Por, kjo humbje nuk është fundi i botës për këtë parti, dikur zëmadhe. LDK-ja është forcë e pashterrshme politike. Është parti e vlerave, e paarritshme nga partitë tjera të krimit vrastar, të haraçit të përgjakshëm, të hajnisë zyrtare industriale dhe të anarkizmit të rrëmujshëm.

Menaxhimi i LDK-së, pas shuarjes fizike të kryetarit Rugova, është klanor, provincial, primitiv, nepotik, inatçor e deri në linçues e përjashtues masiv, duke humbur, qëllimshëm, individë dhe grupe anëtarësh të devotshëm.

Kjo rrjedhë negative e rrënuese e LDK-së, është denoncuar, në vijimësi, nga veprimtarët e LDK-së, në veçanti, nga Mërgata, por shefat kryeneçë e mjeranë, "e bënin kokën qyski" dhe nuk përfillnin as sugjërime, as këshilla, të cilat ishin të çiltra, të dlira dhe në interesin e partisë.

Pse humbi LDK-ja?!

Në Kuvendin e 7-të zgjedhor të LDK-së, përjashto Isa Mustafën, Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e LDK-së ishin të paligjshme. Në Kuvendin e 8-të "zgjedhor" ishin të paligjshëm shumica e delegatëve, i gjithë Këshilli i Përgjithshëm dhe vet "kryetari" i LDK-së. Pra, kemi të bëjmë me krizën e legjitimitetit të strukturave të partisë.

U përjashtua: debati në Kuvend, konkurenca dhe votimi i fshehtë e demokratik. Këtë e bëri Isa Mustafa me klanin e tij, për ta përsëritur rizgjedhjen e tij me rrethin vicioz. Pra, ua mohoi legjitimitetin edhe atyre, të cilët mund ta fitonin edhe me konkurencë dhe votë të fshehtë. Rrjedhimisht, nuk kemi struktura vendim-marrëse të ligjshme, por të emëruara, të dhunshme!

Për ta mbytur kundërshtinë e ligjshme të anëtarësisë, administratori i LDK-së, (sepse nuk ka kryetar pa konkurencë dhe votim të fshehtë), me klanin e tij servil, riktheu metodën staliniste të anashkalimit, shantazhimit, kërcënimit e deri në përjashtuime e linçime.

Koalicioni me partinë e krimit, të korrupsionit, të klanit "Pronto", PDK-në; votimi i eksponentëve të krye-krimit: Hashim Thaçi e Kadri Veseli, përkatësisht, për kryetar shteti dhe Parlamenti; miratimi i "Zejednica", Bashkësia e komunave serbe dhe i "Demarkacionit", të dyja këto pazare të pista, të bëra nga Hashimi, me elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare, tani, nëpërmjet Isa Mustafës, i faturohen LDK-së, me gjithë kundërshtinë masive të anëtarësisë të LDK-së, për veprimet skandaloze të kryeministrit, provokator i sikletshëm i popullit të Kosovës.

Këto dhe "xhevahire" të tjera, të bëra nga Isa Mustafa dhe klani i tij karrierist e servil, pa përfillur fare anëtarësinë e LDK-së, irrituan elektoratin, dikur, të shumtë, të partisë të Presidentit Rugova dhe votuan gjetkë, ose, më sakt, bojkotuan zgjedhjet, duke i shkaktuar humbjen e madhe, por, edhe meritore, përshkak të lidershipit të saj tejet të dyshimtë, madje, për shumëçka?!

Përjashtimi i Degëve të Gjermanisë dhe Zvicrës, frika nga kërkesa për zgjedhje me standarte në LDK-së

Administratori me klanin e tij, fare të pakët në numër, përjashtoi Degët parësore të LDK-së: të Gjermanisë dhe të Zvicrës, më të cilat kishte një armiqësi të hershme, kur Isa Mustafa luftonte inatshëm LDK-në dhe Ibrahim Rugovën. Arsyeja ishte frika nga konkurimi i mundshëm, për kreun e partisë, i Donikë Gërvallës dhe kërkesa e pritshme e delegatëve të Gjermanisë dhe të Zvicrës, për zgjedhje me standarte evropiane: debat, konkurrencë dhe votim të fshehtë e demokratik.

Ai arriti ta rrënojë Degën e LDK-së në Zvicër, nën maskën e përsëritjes të zgjedhjeve, të cilat i bojkotuan rugovistët e devotshëm, por, jo edhe pakurrizorët. Por, " i hasi sharra në gozhdë" me Degën e LDK-së në Gjermani.

Në dabatin prej plot 4 (katër) orësh, të Kryesisë të Degës dhe të Kryesive të Nëndegëve, ku u dëshmua se Kuvendet përkatëse kanë zbatuar Rregullorën e LDK-së dhe të Partive Popullore të Evropës (PPE), duke i aplikuar, suksesshëm, tri parimet bazë:

1) Debatet në Kuvendin e 8-të zgjedhor të Nendegëve dhe të Degës;

2) Konkurrencën me më shumë se një kandidat;

3) Votimin e fshehtë e demokratik,

gjë që Isa Mustafa me klanin e tij vicioz, i kishte anashkaluar cinikisht e fatalisht, në "Kuvendin" e 8-të "zgjedhor"  të LDK-së, tri parimet e cituara.

Në fund të debatit, bazuar në fakte dhe dokumentacionin përkatës, u shtruan për votim dy alternativa:

a) Të zbatojmë urdhërin e Isa Mustafës, për përsëritjen e zgjedhjeve në Degën e             LDK-së në Gjermani;

b) Të vijnë përfaqësues të LDK-së, nga Kosova, për të dëshmuar se mbi çfarë                 baze kanë marrë vendimin e përsëritjes të zgjedhjeve këtu?

Votimi i fshehtë vendosi variantin b), duke përjashtuar, bindshëm e ngulmërisht,            variantin a).

Dhe, kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, veprimtarja më e shquar në Evropë dhe në botë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Donikë Gërvalla, do t'ia çonte "selamin" Isa Mustafës: "Ja rrofsh koçët agës", se për orekset tuaja, karrieriste dhe inatçore, unë dhe anëtarësia, nuk marrim përsipër rrënimin e mëtejmë të LDK-së, ashtu siç intriguat dhe rrënuat Degën e Zvicrës.

Institucioni i Përgjegjësisë dhe largimi i SHIK-ut - parësi e kohës

Humbja e LDK-së është e qëllimshme. Qysh në mes të viteve '90-a, kur lëvriçka Edita Tahiri filloi kokëtimet me LPK-në dhe intrigimet brenda LDK-së, personalisht, kërkova krijimin e Institucionit të Përgjegjësisë, brenda partisë.

Në mbarim të luftës dhe në vijimësi, kam kërkuar të spastrohet Kryesia e LDK-së dhe strukturat e tjera të vendim-marrjes, nga agjentët numerikë të SHIK-ut terrorist. Kërkesa të kësaj natyre, më vonë, janë bërë edhe nga të tjerët.

Në ardhjen e fundit të Sali Çekaj në Gjermani, gjatë luftës, në një Kuvend të Degës të LDK-së, ai bëri thirrje për krijimin e Institucionit të Përgjegjësisë brenda LDK-së. Një Institucion i tillë, nuk do ta linte Isa Mustafën të livadhisë dhe ta dëmtojë, gadi, me fund, LDK-në, për 8 (tetë) vite radhazi. Por, do ta shkarkonte në tre-mujorin e parë të zgjedhjes, sepse, qysh në nismë të mandatit udhëheqës, aktivizoi klanin e gatshëm, realisht, të trashëguar nga ish-kryetari Sejdiu.

Si të shpëtohet LDK-ja  dhe Kosova?

Me këtë garniturë vendim-marrëse të LDK-së, nuk duhet as të pretendohet për të hyrë në zgjedhjet lokale, vendore, sepse humbja e mëtejme do të thellohej.

"Vetëm i marri dhe i vdekuri nuk ndryshojnë", -  ka thënë një mendje e ndritur. Protogonistët e kësaj gjendje fatale, të krijuar vetëdijshëm dhe ngeshëm, me qëllim përfitimi individual e gruporë, as nuk janë të vdekur dhe as të marrë (budallënj). Përkundrazi, janë shkollarë dhe mund të reflektojnë mençurisht, në udhëkryqin më të rrëmujshëm të LDK-së.

"Ka punë më të rëndësishme për të bërë, se sa të japë dorëheqje", - thotë Isa Mustafa, duke zëndësuar vetëm një fjalë "më të mençura", - të thënë më parë.

Por, dominon mendimi, pothuaj se, në tërë anëtarësinë e LDK-së, nuk ka punë më të mençur dhe më të rëndësishmne, sa sa dorëheqja e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e Isa Mustafës, me disa individë, tashmë, të kompromentuar, të pakët në numër, por, vendim-marrës fatalë, që nga koalicioni kriminal me partinë-bandë, me partinë e krimit vrastar dhe të hajnisë zyrtare, PDK-në.

Me dorëheqjet e tyre, nga forumet vendim-marrëse, ata do ta ndihmonin shumë LDK-në dhe Kosovën, duke amortizuar, në një masë, fajësinë enorme, për dëmet e shkaktuara, pikërisht, LDK-së dhe Kosovës.

Përafrimi i brezave - unitet dhe forcë për LDK-në

LDK-ja nuk ka njerëz të tepërt. Në familjen e madhe të saj nuk janë të huaj as ata që kanë gabuar, madje deri në faje. Duke qenë pjesë e LDK-së, ata mund të reflektojnë pozitivisht. Por, duhet ta bindin vetën, pasi anëtarësia, tashmë, është e bindur, se LDK-ja ka armatën e kuadrove, që kanë aftësinë dhe përgjegjësinë e duhur, për ta bërë, sërishmi, LDK-në, jo vetëm zonjë, por edhe kryezonjë, ashtu siç ka qenë dikur, kur hyjnori Rugovë, me urtësinë e tij proverbiale, nuk shantazhonte, nuk kërcënonte, nuk përjashtonte, nuk linçonte asnjë nga veprimtarët e LDK-së. Përkundër, bashkonte.

Brezi i ri dhe i mesëm, në masën më numerike, nuk kanë ngarkesa inatçore dhe hakmarrëse. Përndryshe, do të dështonin në start, në nisje, sepse do të kopjonin pararendësit deshtakë. Realisht, nuk ka breza të rinj dhe të vjetër, në armiqësi me njëri-tjetrin.

Partia nuk është skuadër sportive, për t'u ndarë në ekipe senior (të vjetërit) dhe junior (të rinjtë), ku forca fizike ndryshon ndjeshëm. Përkundrazi, në politikë, në parti, gërshëtimi dhe harmonizimi i pjekurisë, i përvojës me enrgjinë dhe guximin e mençur e bashkëkohorë në vendim-marrje, janë garancia më e mirë për suksese e mbarësi.

Larg qoftë, por nëse dorëheqjet nuk ndodhin, madje, pa humbur kohë, mosbindja, mosdëgjueshmëria e anëtarësisë do të ndodhë. Sepse, kjo anëtarësi, edhepse mjaft e zvogëluar, ka derdhur djersë e gjak për LDK-në dhe me emrin dhe organizimin e saj, edhe për Kosovën.

Uroj dhe shpresoj, që thirrja ime, pafundësisht, dashamirëse dhe e sinqertë, për ata që kanë shansin e veçantë, për t'i bërë një shërbim domëthënës, Lidhjës Demokratike dhe Kosovës, të shkojë deri në vesh të Perëndisë!


14/06/2017

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: