Ledian Droboniku: Programi dhe dështimet e rilindjes mavi
| E Shtune, 24.06.2017, 04:57 PM |

Analizë mbi programin dhe dështimet e rilindjes mavi

Nga Dr. Ledian Droboniku, docent i së drejtës kushtetuese

Në një tentativë për të dalë prej ligjëratës banale që ka përfshirë vendin, synojmë modestish të hedhim pak dritë mbi shkaqet e vërteta të vazhdimit të rrënimit të shtetit dhe ekonomisë shqiptare edhe këto 4 vite.

Sigurisht në një vend normal, këtë duhet ta bënte opozita. Fatkeqësisht nuk jemi në një vend normal dhe opozita është thjesht një aktor i këtij banaliteti të induktuar. Por si shprehej Markuze: “banal është vetëm projeksioni i filmit për të hutuar turmat, sepse projektori nga pas është i sofistikuar”. E pra nga pas, ekziston një oligarki politike ngritur mbi monopole ekonomike e mediatike që fabrikon një konsensus të rremë mbi miliona shqiptarë.

Nga ana tjetër, një shoqëri nëse do të shërohet, duhet të bëjë mirë diagnostifikimin e sëmundjes, kërkuar shkaqet e jo të mjaftohet me simptomat apo njohuritë sensoriale. Vetëm kështu mund të kuptojmë, se përse rotacioni i emrave apo siglave, është një betejë e rremë nëse nuk krijohet më parë një vetëdijesim kolektiv se kujt i intereson ky status quo? Vetëm pas kësaj përgjigjeje, ndoshta mund të niset një luftë reale për të nxjerrë vendin prej kolapsit ekonomiko-shoqëror.

Merremi me programin e Partisë Socialiste, se partitë e tjera as kanë pasur dhe as kanë një program koherent,  por zhgarravina hedhur kuturu nga ekspertë ekspresi.

Hartimi i programit të Rilindjes para 4 vitesh krijoi shpresën se më në fund tranzicioni do të përfundonte. Vizioni ekonomik dhe politik i atij programi ishte në unison dhe me retorikën antisistem, që udhëheqja mavi po çonte përpara. Pritshmëria u pompua aq shumë, sa interceptoi dhe aspiratat e intelektualëve dhe jo vetëm shtresave të margjinalizuara këto dekada.

Boshti qendror i atij programi ishte punësimi. “Në kundërshtim me ata që pretendojnë se punësimi i plotë është i pamundur, ne synojmë të ofrojmë mundësi punësimi për të gjithë individët e aftë për punë” – recitonte shprehimisht programi (faqja 20).

Për ata që kanë pak njohuri ekonomike (jo vetëm çertifikata shkollash e ojf-je) kjo do të thoshte, se Partia Socialiste më në fund kishte vendosur të bënte partinë socialiste, të përfaqësonte të majtën, pra të varfrit, të braktiste dogmën neoliberiste e të përqafonte vizionin keynesian (kapitalizmin social që privilegjon punën mbi kapitalin, demokracinë mbi elitizmin).

Pikërisht në faqen 13 të programit, shkruhej se: “Shqipërisë i nevojitet një model i ri ekonomik”, kalimi nga një ekonomi importi në një ekonomi prodhimi (faqja 14); reduktimi i pabarazisë ekonomiko-sociale; lufta ndaj monopoleve, privatizimeve dhe koncesioneve (faqja 9 e më tej); zgjerimi i shërbimeve publike (arsimi, shëndetësia, transporti, etj), politika fiskale dhe monetare (faqja 29)

Por nëse ky programi ishte fantastik në letër, po aq spektakolar ishte dhe falimentimi në realitet.

Pas tentativave 4 vjeçare për të parafabrikuar shifra, anatemuar qytetarët e biznesin, vetë Kryeministri pranon 10 ditë para zgjedhjeve, se ai program ka dështuar.

Kritika mavi filloi kundër sistemit, u transformua kundër popullit (dembel, injorant, hajdut, anarkik) dhe së fundmi në prag të zgjedhjeve rikthehet përsëri në një kritikë kundër sistemit në pamundësi për ta ndryshuar atë.

Le të merremi pra me sistemin dhe faktin nëse ka pasur vullnet për ta ndryshuar atë?

Bashkë me kopjimin e programit prej Podemos, kupola mavi, duhet edhe të kishte gjetur ekonomistë të zotë për ta realizuar atë. Por mbi të gjithë njerëz që nuk vinin prej këtij sistemi korruptiv dhe që nuk kishin konflikte interesi.

Formimi i qeverisë (dhe administratës) me personazhe pa vlera e pa integritet, ishte shenja e parë që misioni ishte një tjetër: vazhdimi i status quo-s me privilegje për një pakicë e varfëri për shumicën!

Shqipëria fatkeqësisht nuk ka ekonomistë keynesianë e aq më pak ata që i kanë ndenjur larg qendrave të pushtetit dhe privilegjeve. Konformizmi komunist i la vendin konformizmit neoliberist, nga një ekstrem i majtë në një ekstrem të djathtë, jo shkencarë por teologë që recitojnë dogmën e radhës.

Shqipëria ka një konflikt distributiv të trashëguar nga terapia shock dhe transformimi i ekonomisë në koloni importi, nisur prej Gramoz Pashkos e vijuar nga të gjithë pasuesit e tij.

Ndryshe nga një ekonomi prodhimi - ku pasuria krijohet dhe shpërndahet mes sipërmarrësve në territor, punëtorëve dhe operatorëve të tjerë - në një ekonomi importi, kapitali grumbullohet në pak duar. Kjo spirale e rrezikshme perceptohet nga të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit e vegjël, ku thonë se: “paraja ka hyrë në vrimë të miut”.

Por ky nuk është thjesht një perceptim. Raportet e huaja dhe vetë Bankës së Shqipërisë pranojnë nivelin e ulët të kreditimit në vend, pavarësisht miliardave euro depozita. Ndryshe nga dogma neoliberiste se kursimet barazohen vetvetiu me investimet, realiteti tregon krejt të kundërtën, si kishte shpjeguar në mënyrë magjistrale Keynes.

Pra shqiptarët jo vetëm që “vilen” nga pak duar, por ky kapital as nuk injektohet në ekonominë reale duke prodhuar një skarsitet të parasë dhe vështirësi të bashkëpunimit mes operatorëve ekonomikë, që do të thotë më pak investime e më pak punësime. Me pak fjalë, bankat nuk luajnë rolin e tyre social në funksion të ekonomisë dhe investimeve, si agjentë të zhvillimit të territorit. Në erën e deregulation, ato preferojnë të investojnë në instrumente financiarë duke transferuar miliarda euro jashtë Shqipërisë. Mungesa e kreditimit justifikohet me paaftësinë e sipërmarrësve shqiptarë, klimën e biznesit apo kreditë e këqija. Duke hequr këtë të fundit (si variabël të parëndësishme, sepse bankat janë të mirëkapitalizuara dhe borxhi për dikë është kredi për dikë tjetër, këto në sistemin bankar shqiptar kompensohen) merremi me dy te parat si vërtet shqetësuese.

Vërehet këto vite, një shtim i autoracizmit (induktim i vetëfajësimit të një populli apo një vendi) që është funksional për vijimin e status quo-s, për të transferuar analizën shkencore drejt dogmave dhe instancave metafizike. Shqiptarët duan të punojnë dhe dinë të ndërtojnë sipërmarrje, dhe këtë e kanë treguar në ato vende normale ku sistemi ta lejon këtë gjë. Problemi është një tjetër, që me të drejtë programi i rilindjes adresonte: ekzistencën e monopoleve të importit që po asfiksojnë ekonominë.

Shqipëria pas terapisë shock, krijoi një aristokraci tregtare-financiare e jo borgjezi prodhimi. Në kapitalizëm nuk ekziston konflikti vetëm mes punës dhe kapitalit, por dhe mes borgjezisë së prodhimit dhe asaj financiare. Nëse ekonominë e dominojnë pra monopolet e importit, këto janë të interesuara që prodhimet e tyre mos të konkurrohen prej prodhuesve të brendshëm. Për këtë arsye, duhet që kapitali mos të qarkullojë duke vështirësuar investimet prodhuese. Një kapital që nuk qarkullon, rrit artificialisht vlerën e tij, që pasqyrohet në forcimin e monedhës vendase (si po ndodh vazhdimisht përkundrejt euros dhe dollarit). Një lek i fortë (ndryshe nga ajo çfarë mendon një qytetar mesatar) nuk ndihmon ekonominë kombëtare, por lehtëson importet, pavarësisht se bilanci tregtar thellohet çdo vit. Për të barazuar bilancin e pagesave, qeveria është e detyruar të zhytet në borxhe publike, si ndodhi dhe këto 4 vite. Situata bëhet dhe më eksplozive nëse ky borxh merret në tregun ndërkombëtar duke ekspozuar dhe më tej financën shqiptare. (Borxhi i huaj për detyrimet e qeverisë së mëparshme, në vend që të merrej në tregjet e huaja mund të merrej brenda vendit pasi ishin detyrime mes operatorëve shqiptarë si dhe mund të parcelizohej dhe diversifikohej)

Kuptohet që ky borxh nëse nuk hidhet në sektorin produktiv por shkon për barazimin e deficitit tregtar, nuk bën gjë tjetër se thellon akoma dhe më tej humnerën ekonomike. Përveç borxhit publik, një tjetër minë me sahat (si kudo po shfaqet në Evropën jugore)  është dhe borxhi privat që shqiptarët po kontraktojnë për të financuar konsumin e mallrave të importit. “Bujaria” e kreditimit vetëm për konsum të mallrave të importit, krijon dy herë fitim për vendet e zhvilluara, një herë që na shesin mallrat e tyre dhe një herë të tjetër prej interesave të borxhit që na akordojnë. Për neoliberistët kjo quhet optimalizim resursesh, në fakt është rrënim i aftësive prodhuese dhe sektorëve produktivë të vendit tonë.

Sektor produktiv, nuk do të thotë thjesht infrastruktura, por rindërtimi i impiantit produktiv të vendit. Shpenzimet që bëri qeveria e kaluar, treguan valencën negative të moltiplikatorit të investimeve në GDP e vendit. Pra problemi është shumë më i thellë.

Vendi ka nevojë madje të shkohet përtej keynesizmit, (bazuar në kërkesën e brendshme) duke rritur në radhë të parë aftësitë prodhuese të vendit dhe zëvendësuar pjesërisht ofertën e jashtme me atë të brendshme. Rindërtimi i një impianti industrial të vendit kërkon në këtë fazë, rolin aktiv të shtetit dhe nuk mund të bëhet vetëm me politika fiskale por dhe me ato monetare e valutore si dhe krijimi i instituteve të rindërtimit industrial, bujqësisë apo turizmit.

Ndërsa në Evropë, kjo është tema aktuale e stanjacionit ekonomik, në Shqipëri as nuk flitet për këtë gjë, sikur të ishte një fenomen natyror. Por nëse vendet evropiane kanë një detyrim (vincolo) që rrjedh prej humbjes së sovranitetit monetar, Shqipëria ka ende formalisht sovranitet monetar dhe një Bankë Kombëtare. Them formalisht, sepse ngurtësimi i misionit të Bankës Kombëtare vetëm ndaj ruajtjes së inflacionit (neni 3 i ligjit të bankës kombëtare), është sa jo realist në kushtet e rrënimit të ekonomisë aq sa dhe antikushtetuese.

Kushtetuta ekonomike e Republikës së Shqipërisë sanksionon në nenin 3 se: “inter alias... dinjiteti i Njeriut, të drejtat dhe liritë e tij  dhe drejtësia shoqërore janë baza e këtij shteti”, ashtu si dhe në nenin 59: “shteti synon punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë”. Kjo do të thotë se faktori i prodhimit që privilegjon Kushtetuta është puna, ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur këto dekada ku është privilegjuar kapitali (përqendrim i tij në pak duar) dhe barra ka rënë veç mbi punën. Nga ana tjetër, “fleksibiliteti” i punës, ka prekur fundin, pasi rrogat nuk mund të ulen më tej në kushtet e varfërisë ekstreme. Me rroga të tilla nuk ka kapacitet blerjeje dhe ekuilibri do të vendoset në nivele nënoptimale, me produkte skadente dhe të kancerosura. Një ekonomi e tillë jovirtuoze detyron importimin ose prodhimin e produkteve pa cilësi. Kuptohet kështu që kjo çështje nuk zgjidhet vetëm me gjoba por me ndryshime strukturore.

Pozicioni që merr shteti mbi paranë nuk është teknik, por politik pasi vendos mbi balancimin e interesave mes kreditorëve dhe debitorëve në vend, mes punës dhe kapitalit,  realizimit të të drejtave themelore dhe drejtësisë sociale. Prandaj dhe pavarsia e bankës së Shqipërisë nga populli shqiptar, nga kontrolli demokratik, e trasformon atë në një pushtet të katërt e pa kontroll ose nën kontroll të financës globale.

Kjo situatë duhet të përfundojë dhe Shqipëria duhet të rimarrë sovranitetin monetar duke bërë politika monetare ekspansive kundër shtrengimit të monedhës në ekonomi. Prandaj dhe Banka duhet të rikthehet në kontrollin e parlamentit dhe ekzekutivit për tu akorduar me ministrinë e financave dhe atë të ekonomisë. Sigurisht kjo gjë duhet të shoqërohet me trasformimin e një shteti oligarkik në demokratik, ku janë qytetarët që kontrollojnë makinerinë shtetëore dhe politikat publike. Vetëm kështu në vend kthehet llogaridhënia dhe mbrojtja e interesit publik prej partive apo lobeve të ndryshme.

Krijimi i impiantit produktiv të vendit nuk mund të bëhet kurrsesi pa një mbështetje monetare, prandaj dhe misioni i bankës qendrore dhe ato të nivelit të dytë duhet të orientohet drejt prodhimit dhe punësimit. Nëse nacionalizmi i bankave (që po ndodh në shumë vende prëndimore) do dukej shumë radikal, të paktën të krijiohen banka publike (për bujqësinë, turizmin apo industrinë) ose të paktën disa prej bankave të nivelit të dytë të kalonin në duart e shqiptarëve. Në këtë mënyrë ulet perceptimi i riskut dhe inkurajohet konkurrenca kredi dhënëse.

Nuk mund të krijosh një ekonomi kombëtare kapitaliste nëse nuk ke në dorë kapitalin. Nga ana tjetër, idea se zhvillimin e vendit do e bënin investimet e huaja, është thjesht një dogmë që është rrrëzuar nga rezultatet faktike. Investimet e huaja edhe kur vijnë tentojnë të orientohen drejt aktiviteteve joprodhuese sepse kërkojnë fitime të shpejta (banka, telekomunikacion, porte, aeroporte, nxjerrje nafte e mineralesh) ose pa vlerë të shtuar (fasoneritë). Kjo lloj strukture nuk na siguron një ekonomi të qëndrueshme. Investimet e huaja janë komplementare dhe vijnë vetëm nëse paraekziston një rrjet prodhimi e infrastrukture që të minimizojë kostot. Këto investime janë afatgjate e kërkojnë ndërhyrjen e shtetit edhe në partneritet me biznesin shqiptar që kërkon prosperitetin afatgjatë të vendit. Shqipëria ndodhet 10 fish nën potencialin e saj ekonomik dhe ka marzh të gjerë zhvillimi, nëse arrijmë të bëjmë bashkë energjitë e sipërmarrësve shqiptarë me ato të diasporës, mbartës të njohurive mbi proçeset prodhuese, kapitalit financiar dhe human. Perspektiva është akoma më pozitive edhe nëse konsiderojmë që Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera, ka pavarsi energjetike, nëse optimalizon impiantin produktiv e shpërndarës si dhe duke rritur kapacitetet e përpunimit të naftës.

Por qeveria nuk kishte ndërmend të bënte asnjë prej këtyre.

Bankat vijuan të rrisin normat e interesit si dhe fitimin mbi depozitat e shqiptarëve. (skandali i me vjedhjen e milionave Bankës së Shqipërisë, ishte një tymnajë për të fshehur miliardat vjedhur popullit shqiptar, pasi ajo nuk ushtron dot asnjë levë fianciare apo kontroll formal mbi bilancin e bankave të nivelit të dytë, apo pastrimit të parave).   Kreditimi shkoi ose për konsum (si shpjeguam më sipër) ose vetëm për “bizneset e kastës” si ka ndodhur këto dekada që nuk reshtin së ndërtuari qendra tregtare e kulla të fildishta, përqark të mjerëve që veç i sodisin si spektatorë.

Mobilizimi i energjive kombëtare nuk mund të bëhet kurrsesi, pa neutralizuar influencën e lobeve të jashtme dhe të brendshme të importit, mbi politkbërjen në vend. Në të kundërt këta do vijojnë të mbajnë peng ndërtimin e një ekonomie prodhimi duke shpërdoruar kapitalin në investime spekulative e pa vlerë.

Nga ana tjetër qeverisja oligarkike duhet të demokratizohej duke gjetur mbështetjen tek sipërmarrësit e prodhimit dhe popullsia e sakfrikuar këto dekada, nëse donte të bënte reformat e shumëpritura.

Por qeveria edhe një herë, nuk luftoi monopolet por u bë palë me to, duke përfituar privilegje financiare përkundrejt politikave deflative apo konçesioneve në favor të  maneve apo çilave të sistemit. Loja vazhdoi të ishte përsëri e njëjta me ca ndryshime lojtarësh. Ndryshe nga ajo çfarë ishte shkruar në program, në vend që të luftonte monopolet e importit (të cilët janë dhe evazorët më të mëdhenj) filloi goditjen e biznesit të vogël duke detyruar shumë prej tyre të mbyllen dhe nxitjen e një vale të re emigrimi.

Masat e austerity (rritje taksash e borxhe, privatizime e reduktim të shërbimeve publike, diktuar vazhdimisht edhe nga FMN dhe BE, që kërkojnë siguri për kreditorët e huaj që tu paguajmë borxhin, kanë hapur një debat të fortë ekonomik në arenën ndërkombëtare sepse penalizojnë ekonomitë e vogla në favor të atyre që nisen të avantazhuara) nën flamurin e luftës ndaj informalitetit, goditën pikërisht shtresat e varfra duke rritur koston e jetesës dhe pabarazinë sociale (si pasqyrohet edhe prej raportit të BERZH 2017)

Pra jo vetëm që nuk u punua në drejtim të krijimit të ofertës, por u godit dhe kërkesa e brendshme bazuar tek konsumi i qytetarëve shqiptarë. Në vend që të riekulibronte pushtetin blerës në favor të shtresave të varfra, qeveria bëri krejtësisht të kundërtën e asaj çfarë u kishte premtuar shqiptarëve në programin  e vet elektoral. Ndër gjërat e para që ndërmori qeveria ishte reduktimi i përkrahjes sociale me pretekstin e pastrimit të abuzimit me listat. Në vend që kjo përkrahje të shtohej ajo ra ndjeshëm. Në vend që të azeronte TVSh-në  për produktet ushqimore bazë, bëri të kundërtën duke shtrenjtuar taksat mbi karburantin apo energjinë elektrike, gjë që u transferua tek rritja e çmimeve dhe që rriti ndjeshëm koston e jetesës për shumicën e shqiptarëve. Kurse lufta ndaj evazorëve të mëdhenj apo skandaleve qeveritare, u transferua në luftë mes të mjerëve në ata që paguanin dhe ata që nuk paguanin. Dhe një herë propaganda goditi në shenjë. Gjobëvënia ndaj të mjerëve u ngrit në modus governandi të një pushteti që uzurponte e jo ti shërbente shtetit dhe objektivave të tij kushtetues.

Tjetër masë rënduese për buxhetin e familjeve do të ishte dhe rritja e tarifave për arsim apo shëndetësi. Ndryshe nga ajo çfarë ishte premtuar në program, refreni ishte i njëjtë duke privatizuar shëndetësinë apo arsimin. Beteja ndaj abuzimit me shkollat private u transformua në privatizimin e atyre që ishin publike në favor të klientëve të kastës dhe oligarkëve të tranzicionit. Mbyllja e shkollave private i ngjasoi luftës ndaj llotove, që thjesht u konsoliduan në një veshje të re. Problem nuk është pronësia publike apo private e shkollës por politikat klientelare që bëhen në kurriz të studentëve dhe familjeve shqiptare. Barra e të cilave u rëndua dhe më tej falë rritjes së ndaj gjobave marramendëse, tarifat e ujit të pijshëm apo kostos së transportit (realizuar në kryeqytet nga siamezi i kryeministrit). Kurse rrogat pësuan ulje të ndjeshme, falë dhe transferimit të kostos së sigurimeve shoqërore mbi punëtorët skllevër. Të gjitha këto e më tepër, goditën pikërisht shtresën e mesme dhe të varfër, duke ulur ndjeshëm konsumin dhe kërkesën në vend.

Biznesi i vogël ishte ai që vuan pikërisht nga rënia e konsumit, sepse për një biznes, më e rëndësishme se taksat është kërkesa për mallrat apo shërbimet e tija. Kundërshtari i tij sot, nuk është punëtori por monopolistët e importit që përqendrojnë pasurinë e mbajnë kërkesën agregate në nivele subsahariane. Prodhimet realizohen për tu shitur e nëse nuk ka fuqi blerëse, çdo reformë mbi taksat nuk ka asnjë sens.

Por jo të gjithë vuajtën këto 4 vite. Monopolet e importit (bizneset më të mëdha në vend) dhe shtresa e pasur u pasurua dhe më tej, gjë që tregohet në rritjen e produkteve të luksit. Premtimi se këtë herë do taksoheshin të pasurit përgjenjështrohet nga raporti i BB-së që cilëson Shqipërinë vendin me padrejtësinë më të lartë në tatime. Nga ana tjetër, korrupsioni zhvillohet në sferat më të larta duke anashkaluar prej detyrimeve pikërisht këto biznese dhe klientët e tyre pushtetarë.

Motoja e psikoramës “përtej të djathtës dhe së majtës” mbeti një slogan, sepse interesat e së majtës kanë mbetur pa përfaqësim, kur të gjitha partitë prej 27 vitesh janë sinkronizuar me dinamikën e kapitalit. Deklarimi hapur, se vizioni i tij ishte kundër sindikatave, (gjë që nuk pranon ta thonë as forcat e djathta) dëshmonte qartë se partnerët e tij nuk janë punëtorët apo biznesi prodhues por monopolistët dhe zotërit e financës.

Turizmi shqiptar, përtej propagandës sistemike, mori goditje të rëndë falë mashtrimit me ligjin për importin e plehrave duke nxjerrë përfundimisht Shqipërinë jashtë hartës turistike rajonale. Zonat më të bukura shqiptare janë privatizuar nga resorte të klientëve të kastës që rezistojnë ndaj një turizmi masiv dhe cilësor.

Përsa i përket bujqësisë apo blegtorisë, jo vetëm që nuk u rindërtuan zinxhiri agronomik e veteriner, por u hoqën dhe subvencionet mbi naftën apo investimet. Kurse problemi i pronës dhe legalizimit mbeti i pazgjidhur pavarësisht show-t televiziv. Zyrat e hipotekave mbetën përsëri fole vemjesh, si pranon së fundmi Kryeministri. Por jo vetëm hipotekat por e gjithë administrata mbeti përsëri militante e injorante duke shkelur juridikisht dhe faktikisht ligjet në vend. Mijëra shqiptarë të mbaruar në perëndim, ardhur pas thirrjeve të demagogut, do të zhgënjeheshin përsëri.

Sektorët strategjikë dhe koncesionet vazhdoheshin të dhuroheshin klientëve dhe lobeve. Vetëm bankers petrolium ka qindra miliona euro pa paguar duke mos konsideruar dëmet mbi natyrën dhe shëndetin e banorëve. Kurse kontrata (si shumë kontrata publike) me SHELL mbi një pasuri kombëtare, si fusha naftëmbajtëse e Beratit, mbahet ende e fshehtë. Far Westi i minierave vijon edhe sot, ku pasuritë e një kombi ndahen e plaçkiten mes lobeve e bandave!

Investimet publike u përqendruan në fasadën e qyteteve duke harruar veprat e papërfunduara. Pezullimi i bashkimit të portit të Durrësit me rrugën e kombit, shkon në favor vetëm të portit të Pireut e kundër interesave shqiptare.

Propaganda është aq efikase sa me 1/5 e punëve publike, në krahasim me qeverinë e kaluar, është krijuar perceptimi i një “qeverie që punon”. Por dhe investimet e huaja, si kurrë më parë, morrin arratinë për në vendet fqinje si Maqedonia, Serbia apo Rumania. Vepra tjetër gjeostrategjike, TAP-i u negociua pa trasparencë e kundër interesave shqiptare e pro atyre greke, si dëshmon shtypi i huaj.

Konsumatori shqiptar vazhdoi përsëri të dhunohej nga prodhimet kancerogjene, manipulimi sasior me karburantin dhe cilësinë, shërbimet telefonike e më gjerë. Kurse pacientët shqiptarë vijojnë të vdesin prej kancerit (vendi i dytë në Evropë pas Moldavisë) ose dhunohen prej mjekëve matrapazë apo kriminelëve të barnave të skeduara. Sulmi ndaj spitalit publik nuk mund mos të shoqërohej pa “lulëzimin” e spitaleve private.

Nuk po merrem këtu (e kam bërë gjerësisht në shkrime të tjera) me shtyllën tjetër të programit: demokratizimin e shtetit dhe shoqërisë.

Nëse ka një gjë që e karakterizon Kryeministrin në detyrë, është pikërisht etja për pushtet dhe përqendrim të tijin. Deklaratave parazgjedhore se ishte penduar kundër ndryshimeve autarkike kushtetues në 2008 jo vetëm që nuk u realizuan por shkuan dhe më tej duke përqendruar me duar të hekurt pushtetin brenda partisë dhe Republikës. Parlamentarizmi tashmë nuk ekziston më. Ai është zëvendësuar me njerëz besnikë emëruar nga kryetari që noterizojnë çdo akt e veprim të oligarkisë.

Liria e medias u kthye në kohën e Berishës 1, duke u rreshtuar e gjitha përkrah linjës së qeverisë. Ata pak që guxuan ose iu mbyllën emisionet ose direkt televizionet (agon channel). Çensura dhe autoçensura u shtri dhe në rrjetet sociale prej një ushtrie të tërë në funksion të propagandës mavi. Televizioni shtetëror mbeti përsëri në shërbim të partisë e jo popullit shqiptar. Reforma e dixhitalizimit tokësor, u mbajt peng nga oligarkët e mediave private që vijojnë vjedhin qytetarët e shkëmbejnë privilegje me pushtetin. Shoqëria civile u vu totalisht nën kontroll të kastës dhe lobeve të huaja, duke financuar dhe projektuar mediatikisht fytyrat dhe veglat e pushtetit.

Lufta ndaj krimit ishte dekorativ (sepse u morr vetëm me mikro-kriminalitetin, gjobat e makinave dhe portalet online) kurse evazioni në dogana (falë dhe crown agents) apo trafikimi i lëndëve narkotike njohu lulëzim si kurrë më parë.

Niveli i transparencës u zëvendësua me boomin e propagandës, askush nuk mund të shihte e jo më të kërkonte llogari për aktivitetin e qeverisë. Premtimi se INSTAT-i do kthehej nën kontrollin e parlamentit, mbeti një slogan tjetër. Shqipëria vazhdon të mbetet pa sy e pa veshë, pa informacione e pa të dhëna. Në këtë mënyrë, nuk mund të instaurohet kurrë një debat publik, pasi secili ka të dhënat e tij të fabrikuara. Në vend të tij do kemi një banalitet mbi fytyra e thashetheme, si po ndodh këto zgjedhje elektorale.

Kultura dekadente e kësaj kaste, dhunoi më tej kulturën autentike shqiptare, duke kontrolluar çdo galeri apo qendër kulture me njerëz injorantë e diletantë, pavarësisht se mijëra artistë shqiptarë furnizojnë Evropën me art. Trashëgimia kulturore jo vetëm që nuk u mbrojt, por u rrënua që nga Durrësi i Dakos deri tek kalatë, monumentet apo varret e rilindasve shqiptarë. Prezantimi i Shqipërisë në EXPO Milano, ishte një turp i vërtetë për pasurinë kulturore shqiptare.

Një tjetër premtim-mashtrim, ishte vota ndaj emigrantëve dhe mbështetja e diasporës. Por kastës nuk i interesojnë ardhja e njerëzve të pavarur e të çtoksikuar që jetojnë në Perëndim. Mercenarët e tyre, prodhohen që në bankat e gjimnazeve shqiptare deri tek moçalet e universiteteve dekadente, me armata docentësh militantë e injorantë.

Tjetër kalë beteje, e kësaj qeverie ishte vizioni teknologjik, por ai përdoret thjesht për propagandë e fasadë. Raporti i TIU (edhe një herë të huaja) dëshmoi së fundmi se jemi vendi më pak teknologjik në Evropë, pavarësisht qindra konferencave e seminareve pompozë e fallso. Kjo nuk kishte nevojë për dokumentim, nëse hap sytë e mendjen se ç’po ndodh përqark. Me nivele të tilla rroga mjerave, përse duhet që bizneset të investojnë në teknologji duke ulur gapin me vendet e tjera.

Do të mund të zgjateshim pa fund mbi rekordet negative të kësaj qeverie, e cila jo vetëm që nuk frenoi por përshpejtoi rrënimin e Shqipërisë dhe varfërimin e shumicës së shqiptarëve. Ajo morri besimin mbi një program të majtë, por qeverisi mbi një program super të djathtë neoliberist e antikombëtar, duke rritur varfërinë dhe padrejtësinë sociale mes 1% që ka gjithçka dhe 99% që tërhiqet zvarrë! (Raporti 2017 për llogari të OKB-së tregon ninvelin e lumturisë së shqiptarëve më i ulëti në Euopë dhe ndër më të ultit në botë). Kali i drejtësisë, shpikur si alternativ nga kasta, është i rremë sepse këto reforma mund të bëheshin pa nevojën e magjistraturës por vetëm të politikave publike.

Si kudo në Evropë, reformat kundër shtresës së mesme dhe atyre të margjinalizuara, i kanë bërë pikërisht forcat e “majta”. Vetëm kështu populli do të mund të pinte pilulën e hidhur fabrikuar prej lobeve ndërkombëtare të kapitalit apolid. Por forca të majta autentike nuk ka më dhe populli ka mbetur pa përfaqësim. Si mund të jetë i majtë dikush që urren sindikatat e betejat e punëtorëve për rroga dhe punë dinjitoze.

Rilindja mavi vodhi veç emrin prej Rilindjes Kombëtare, në tentativën për të shkatërruar simbolet e lavdisë kombëtare, ku shqiptarët mund ende të frymëzohen për një Revolucion të vonuar.

Rënia e shkollës, varfëria e tejskajshme por mbi të gjitha fuqia manipuluese e medias, krijon iluzionin tek kasta, se do arrijë të përçajë e sundojë pa fund popullin shqiptar. Por, kjo nuk ka për të ndodhur përgjithmonë.

Edhe monarkët në mesjetë, mbështetshin tek forca bindëse e kishës që populli mos të rebelohej e të përdorte dhunën kundër tyre. Kuptuan vonë dhe kjo nuk u shërbeu shumë, kur populli u ngrit dhe gijotina u vu në punë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: