Reshat Kripa: Homazh për Edip Tërshanën
| E Diel, 18.06.2017, 08:05 PM |

Homazh për Edip Tërshanën

Me rastin e 110 vjetorit të lindjes dhe 70 vjetorit te ekzekutimit

Nga Reshat Kripa

Fisnikëria lind bashkë me njeriun. Ajo trashëgohet brez pas brezi. Atë nuk mund ta përçudnojë asgjë. Ajo është një dhuratë e Zotit, të cilën nuk mund ta kenë fat të gjithë.

Ky gjak nuk mungonte në dejet e familjes Tërshana. Edipi, i lindur më 15 mars  1907, ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe Sabries.  I ati, anëtar i klubit patriotik “Bashkimi“, merr pjesë në Kuvendin e Dibrës më 23 korrik 1909. Punon për hapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin dhe është pjesëmarrës me armë në dorë i përpjekjeve të mëdha të viteve 1912 – 1913 kundër serbëve.

Shkollën fillore Edipi e filloi në vitin 1916 në shkollën shqipe të Dibrës. Më 1920 ajo mbyllet dhe ai fillon punë si çirak në një repart qeleshepunuesish. Në vitin 1922 vendosen në Peshkopi. Po atë vit vazhdon shkollën qytetëse të hapur në Tiranë me vendimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, për fëmijët dibranë. E  mbaron në vitin 1923 dhe po atë vit fillon shkollën normale në Elbasan të cilën e mbaron në vitin 1928.

Më 16 shtator 1928 fillon punë si mësues i klasës së parë në shkollën plotore Shijak. Kështu vazhdon vite me rradhë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë. Refuzon me përbuzje propozimin për t’u regjistruar si anëtar i partisë fashiste. 27 nëntor 1942, 30 vjetori i shpalljes së pavarësisë. Me nismën e tij vihet në skenë drama e Foqion Postolit “Lulja e Kujtimit“. Entuziazmi ishte i paparë. Sallën e ndezën më tepër fjalët e zjarrta të Edip Tërshanës dhe Beqir Haçit. Të nesërmen manifestimi i madh në shesh për  ditën  e  flamurit.  Përleshje me forcat e kuesturës.

   pranverën   e   vitit  1942  bie    kontakt  me elementë antifashistë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi. Ata e njohin me punimet e Konferencës së Pezës. Në bazë të vendimeve të saj, shtruan nevojën e krijimit të këshillit antifashist të Dibrës. Me krijimin e tij zgjidhet kryetar i këtij këshilli. Motivi kryesor  ishte lufta kundër pushtuesve fashistë. Në të bënin pjesë të gjitha forcat politike. të vendit

Më 8 shtator 1943 Italia kapitullon. Edipi merr kontakt me kapitenin anglez Hendz dhe komandantin e batalionit italian “Firence“ Armando Picci, për të ardhmen e batalionit. Vendosin që forcat e këtij batalioni të vihen në dispozicion të Komandës së Divizionit të Lartë Aleat të Lindjes së Mesme. Divizioni largohet nga Dibra. Këshilli antifashist del nga ilegaliteti. Por rrugët morën një rrjedhë tjetër, fare të papranueshme. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane që priste kthimin e Haxhi Lleshit. Çuditërisht filluan plaçkitjet në qytet. U dogjën edhe disa shtëpi, kryesisht të nacionalistëve.  Më 9 shtator 1943 organizohet një mbledhje në prefekturë. Edipi kërkon shpjegime për gjendjen, por askush nuk i kthen përgjigje. Tradhëtia e madhe e konferencës së Mukjes kishte filluar të vihej në zbatim nga krerët e lëvizjes komuniste. Edipi detyrohet të jap dorëheqjen nga kryetar i këshillit antifashist në shenjë proteste.

Tashmë pasojat e Mukjes ishin shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Edipi dhe kapiteni anglez Hendz kërkojnë të gjejnë një rrugë pajtimi ndërmjet forcave që po venin drejt një lufte vëllavrasëse.. Më 24 shtator 1943 organizohet një takim i Mit-hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit me krerët dibranë Fiqiri Dine dhe Cen Elezi që kishte si qëllim organizimin e  një  komiteti  kombëtar  dibran. Por  ngjarjet  kishin  marrë  rrugë. Komunistët kishin mundur të marrin në dorë drejtimin e këshillit. Sipas udhëzimeve të tyre, krahas flamurit shqiptar u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhëtisë së madhe që do të vazhdonte më vonë me dorëzimin e këtyre krahinave Jugosllavisë. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.

Në mars 1945 shkon të takojë dhëndrin e tij Habib Gegën që ndodhej në burg. Merr kontakt me Qenan Dibrën, i cili i rekomandon për avokat Suat Asllanin. Ata e informojnë për lëvizjen antikomuniste që kishte filluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e personave të rrymave të ndryshme.  Ata i parashtruan organizimin e një organizate të tillë antikomuniste dhe demokrate në Dibër. Këtë gjë Edipi filloi ta vinte në zbatim porsa mbërriti në qytetin e tij. Aty takohet me miqtë e tij Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Rasim Fetahun, Islam dhe Xheladin Ndreun me të cilët krijon bërthamën e organizatës që do të quhej “Bashkimi Demokratik“ dhe që do të përmblidhte rreth vetes përfaqësues nga rryma të ndryshme si social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rezistencës. Lidhjet me Tiranën i mbante nëpërmjet Qenan Dibrës.

Aktiviteti i mësipërm nuk kishte si të mos binte në sy të sigurimit të shtetit. Për këtë, sipas udhëzimeve nga qendra Edipi tërhiqet për pak kohë. Cen Elezi me djemtë Islam dhe Xheladin Ndreu, Dan Kaloshi dhe Menajt e Lurës detyrohen të marrin malet. Shefqet Shehu, Rasim Fetahu dhe Eqerem Kukeli arrestohen.  Po ashtu arrestohen në Tiranë edhe Qenan Dibra, Suat Asllani, Ivzi Golja dhe të tjerë. Kishte filluar terrori i tmerrshëm komunist.

Ardhja e Hysni Alimerkos si profesor i letërsisë në fund të shtatorit 1946, i dha një hov të ri lëvizjes. Ajo kishte gjetur në personin e tij njeriun që dinte të drejtonte dhe të jepte leksione të shkëlqyera organizimi.  Hysni Alimerkua, i lindur në Tragjas të Vlorës, mori mësimet fillore dhe të mesme në vendin e tij. Pastaj shkoi për studimet e larta në Firence të Italisë, ku u diplomua për letërsi. Gjatë luftës ka qenë sekretar i financës së Komitetit Krahinor të organizatës së Ballit Kombëtar për Vlorën. Takimi me Edipin bëri që pikëpamjet e tyre të ishin të njëjta. Së bashku me Jani Ikonomin, Alqi Nushin dhe  Kozma   Gjergon   u   bënë   strumbullari   i   lëvizjes antikomuniste në Peshkopi.

Më 17 maj 1947 në Dobrovë, shefi i sigurimit krimineli Kopi Niku kryen arrestimin e Edip Tërshanës.  Arrestohen gjithashtu  edhe Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë.Për të detyruar të arrestuarit  të pranonin akuzat false, u provuan llojet më të tmerrshme të torturave. Vetëm ata që i kanë provuar ato  në shpinën e tyre, mund t’ju tregojnë për to. Por më mirë të mos flasë. Ato duken si të pabesueshme dhe të sajuara. Megjithatë një gjë dihet. Të gjithë qëndruan si luanë, pa u përkulur para dhunës së ushtruar. Në mbarim të hetuesisë Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ky takim la mbresa në shpirtin e tij. Iu kujtua e kaluara. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë “Bashkimi“ që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha.  Pastaj vendosi t’i jap fund jetës duke prerë damarët. Të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë shkruan:

Ëndrra ime është që Shqipëria të bëhet siç  dua  unë.  Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin si bij të saj. Të jeni  kryelartë  se vdes si shqiptar”.

Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit, ndër të tjera,  thekson  me  krenarinë   e  një nacionalisti të vërtetë:

Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por sot pushteti juej i quejtun popullor asht në robëni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht Kjo asht tradhëti!

Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq qi i bahen këtij populli. Jam kundra për burgosjet e 20.000 apo 30.000 shqiptarve vetëm e vetëm se nuk janë komunistë. Dhe kjo vetëm pse kështu don sllavi.  Kjo  asht tradhëti”!

Më 17 nëntor 1947 filloi gjyqi kundër 12 të akuzuarve. Para gjykatësve kukull ndodhen: Edip Tërshana, Hysni Alimerkua, Jani Ikonomi, Alqi Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Elez Selishta, Ferit Pervizi dhe Munir Shatku. Para gjykatësve të arrestuarit qëndruan si heronj.

`          Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi, Hysniu dhe Jani dënohen me vdekje me pushaktim. Të tjerët me burgime të rënda. Të arrestuarit kthehen në qeli në pritje të zbatimit të vendimit. Në fund të dhjetorit lejohet takimi i fundit. Xhevria, e shoqja, dërgon fëmijët. Fjala e fundit e Edipit drejtuar atyre ishte:

- Mos vishni petkun e tradhëtisë

Personalisht kam patur fatin të njihem me dy nga personazhet kryesorë të këtij grupi. Avokatin Jani Ikonomi e kam njohur në kampin e Urës Vajgurore. Një burrë i veçantë. Një intelektual dhe idealist i rrallë. Një mësues i ndjenjave nacionaliste për ne të burgosurit e brezit të ri.. Shpesh herë na thoshte:

- Mos u ligështoni, mos u përkulni para torturave dhe urisë! Qëndroni me kryet lartë, ashtu si kanë qëndruar paraardhësit tanë! E ardhmja e Shqipërisë është e sigurtë. Gjaku i të rënëve është ushqimi i saj. Do të vijë koha kur njerëzit do shkëputen nga demagogjia e kuqe dhe do fillojnë të ndërtojnë të ardhmen e atdheut, të ardhmen me të vërtetë demokratike! Për këtë jam i sigurtë,

Sot Jani nuk jeton më, por ideali i tij trimfoi mbi dogmat komuniste.

Me Hysniun u njoha pasi doli nga burgu,. por më tepër u lidhëm me ndryshimet demokratike, kur luftonim në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, për realizimin e amanetit të të rënëve tanë, për çrrënjosjen e komunizmit nga vendi ynë. Idhulli i tij ishte Edip Tërshana. Kur u lirua nga burgu i Burrelit pas njëzet vjetësh dhe po kthehej për në shtëpi, ndaloi në qytetin e Kavajës. Donte të takonte Xhevrien, Lirinë dhe Nihatin, familjen e mikut të tij më të mirë, të cilët banonin atje.  Trokiti në portë. Ajo u hap dhe ata mbetën të shtangur. Iu duk sikur para tyre u shfaq Edipi. Të nesërmen ai u nis për në Vlorë.

Shpesh herë Hysniu më tregonte çastet e fundit të mikut të tij të pavdekshëm, Edipit,  duke i  shoqëruar me dhimbje:

- Kishte kaluar mesi i natës dhe ne, qoftë nga  ngarkesa  psikologjike, qoftë nga të ftohtit, nuk na kishte marr gjumi. Duhet të ketë qenë ora dy e gjysmë e natës, kur dëgjojmë një urdhër që u jepet ushtarëve:

- Përgatitni armët!

Nga biruca e tij dëgjojmë zërin e Edipit që na thotë:

- Nuk janë shenja të mira. Unë jam njëqind për qind i vdekur. Sidoqoftë, kushdo që do të shpëtojë, t’u tregojë fëmijëve të vërtetën. Amanet djalin!

S’vonoi shumë kur dëgjojmë  Kopi  Nikun    i  drejtohet Edipit:

- Qenke bërë gati? Dil atëhere.

E hipën në makinë dhe u nisën. Zhurma e saj u dëgjua edhe pak kohë, pastaj e mbuloi zhurma e lumit. Pas pak u dëgjua një breshëri armësh. Edipi ishte ndarë prej nesh. Një rreshter nga Pogradeci që shërbente aty na tregoi çastet e fundit të tij. Kur e kishte pyetur prokurori për fjalën e fundit ai thirri:

- Rrnoftë Shqypnia!

Në sytë e Hysniut pashë të rridhnin dy pika lot.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: