Gjekë Gjonaj: Qëndrestari që flijoi jetën për lirinë e Shqipërisë
| E Diel, 11.06.2017, 07:18 PM |

Mujo Ulqinaku, qëndrestari që flijoi jetën për lirinë e Shqipërisë

Nga Gjekë Gjonaj

Interesimi im për  këtë figurë të shquar kombëtare  ishte i kahershëm. Kjo dëshirë m’u rishfaq   gjatë një vizite që i bëra  Durrësit, respektivisht monumenteve kulturo-historike të këtij qyteti të lashtë shqiptar. Ishte  7 prilli i vitit 2000, kur u gjeta përballë,  ose para  bustit të Mujo Ulqinakut  të vendosur pranë Kullës së Kalasë së Durrësit dhe  Memorialit të  tij  me mbishkrimin: “ “ Lavdi Dëshmorëve të Atdheut që ranë më 7 prill 1939. Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit), Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Isak Metalia, Ismail Reci, Hysen Koci, Ramadan Velia dhe Ibrahim Osmani”.

Çfarë konçidence ?    Pata fatin dhe privilegjin e madh të qëndroj atë paradite  të shtatë prillit  të bukur me diell  i përkulur, me nderim e  respekt të madh para trupores së këtij trimi mbi trimat   pikërisht  në ditën e rënies së tij heroike  në krye të betejës për mbrojtjen e Shqipërisë nga fashistët italianë.

Po  atë ditë   mora përsipër mundimin e këndshëm, por jo të lehtë që Heroi i Poullit Mujo Ulqinaku  të jetë  njëri nga protagonistët e librit tim të fundit “ Bijtë e Shqipes”, ku kam  sprovuar të dokumentoj jetën e disa figurave të shquara shqiptare në rrjedhat e ndryshme historike nga të gjitha trevat etnike të shqiptarëve në Mal të Zi, në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë.

Synimi im kryesor asohere ishte të paraqes të dhëna të pa dala në dritë    deri më sot për Mujo Ulqinakun. Përpjekjet dhe këmbëngulja ime  ishin të kota. Edhe përkundër premtimeve të  familjarit të tij më të ngushtë   në Ulqin  se me kënaqësi  do të më japë shënimet e kërkuara  ato munguan. Domethënë dëshira ime mbeti e parealizuar.   Tani kur po i shkruaj këto pak  rreshta për  këtë burrë fisnik ulqinak në kuptimin e plotë të fjalës  me pëmasa kombëtare ,  në kujtim të jetës dhe veprës së tij nuk  mund të them asgjë më shumë seç kanë shkruar më parë  gazetarë,  publicistë  e studiues  shqiptarë  dhe të huaj.

Burimet e kohës  bëjnë të ditur se  Mujo Ulqinaku   lindi në Ulqin në vitin 1896  në familjen e varfër ulqinake Cakuli . Qysh në fëmijërinë e  hershme punoi si  ndihmës detar. Më pas punoi si detar në Shkodër dhe Durrës. Agresioni fashist italian kundër Shqipërisë , më 7 prill 1939, e gjeti në detyrën e nënoficerit në  një nënrepart të marinës në Durrës. Ai pa asnjë mëdyshje u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Në këtë luftim të pabarabartë  në mbrojtje të Shqipërisë  me trimëri e guxim të rrallë i bëri qëndresë  pushtuesit deri në momentin sublim, kur u vra nga ushtria fashiste italiane, duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie. “Kush lufton ashtu në këmbë?/Kush ha hekurin me dhëmbë?/Është Mujua, një kapter,/që lufton e vdes me nder! Në një këngë popullore kushtuar  Mujo Ulqinakut  rapsodi ynë popullor shprehet: Përmbi   tradhëtinë moreee / me një grusht fishekeësh/ flamurin si gjaku  /e ngrite perpjeeet. / Nëpër dallgët e detit/ dëgjojmë zënë e tija /si kështjellë qëndron ndër shekuj / s'bie Shqiperia. S'tu tremb syri nxiu deti,/ vapor e avionee,/seç ja bëre, Mujo fora,/mbi 40 milionë../ Mujua nuk njeh vdekje,/do të rroj përjetë./Mujua dhe liria/ populli i tiiijaaa./ Do lulëzoj kjo tokë/do ketë veç pranverë,/ se shqiiiiiptaaaaaria /ndër beeedeena, do qëndroj përherë.

Për aktin heroik Mujo Ulqinaku  u shpall  Hero i Popullit Shqiptar, kurse presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani     e dekoroi me  Dekoratën e Artë të Shqipërisë. Emrin e këtij personaliteti të shquar në rrugën e gjatë e të mundimshme për  lirinë e Shqipërisë , i cili me mish e me shpirt punoi për çështjen kombëtare, e mbajnë rrugë, anije e shkolla në Durrës, Fier, Tiranë  e qytete tjera në Shqipëris Edhe në  në Prishtinë një rrugë mbanë emrin e tij. . Kjo dëshmon se  Shqipëria dhe Kosova e  kanë nderuar dhe e nderojnë Mujo Ulqinakun.   Në respekt të veprës së tij madhore   në këto dy shtete shqiptare   janë shkruar këngë e libra. Ndërkaq  qyteti i tij i lindjes   e nderoi  me një rrugë.  Në gjykimin tim dhe jo vetëm  shumë pak.  Kjo qasje e deritashme e popullatës vendase duhet të ndryshojë kur është fjala për  nderimin e  personaliteteve të mëdha me  dimension kombëtar. Sepse, ata janë të pavdekshëm. Janë krenaria e kombit. Burim frymëzimi për  brezat e rinj se si duhet të mbrohet atdheu.

Lavdi Mujo Ulqinakut dhe të   gjithë dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për liri.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: